Мени

Rregullativa e BE-së për mbrojtjen e të dhënave ngec përsëri

Më 6 dhjetor 2013, ministrat për drejtësi të BE-së përsëri bënë hapa mbrapa në miratimin e Rregullativës për mbrojtjen e të dhënave në BE.

Komisari për drejtësi i BE-së, Vivien Reding këtë ditë e konsideron dëshpëruese për privatësinë e të dhënave. Çka ndodhi kësaj radhe? “Ministrat nuk deshën të marrin vendime të shpejtuara”, deklaroi para gazetarëve ministri lituanez për drejtësi, Juozas Bernatonis. Shkak për shtyrjen si duket është i ashtuquajturi parim njësportel me të cilin harmonizohet marrja e vendimeve në BE.

Hubert Ligal, shef i shërbimit juridik të Këshillit të Evropës, deklaroi se me këtë parim minohen të drejtat e njeriut të qytetarëve. “Problemi me rezultatet që i fitoni në aspekt të respektimit të funksionimit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa unë si këshilltar juridik patjetër duhet t’u tregoj se ajo është një rezultat shumë i keq”. Ligal konsideron se me sistemin njësportel të BE-së, qytetarët e BE-së, të dhënat e të cilëve janë përdorur gabimisht nga ana e një kompanie me seli në një vend tjetër anëtar të BE-së, do të ballafaqohen me pengesa gjuhësore dhe financiare që do t’i dekurajojnë për të shkuar në gjyq.

Reding reagoi duke thënë se tani bisedimet duhet të jenë në fazë “politike” në vend të fazës “juridike”, duke e potencuar faktin se legjislacioni aktual për mbrojtjen e të dhënave është i fragmentuar, jokonsistent, dhe se duhet të korrigjohet. Ajo insistoi se shqyrtimi juridik nga vet Komisioni Evropian ka ofruar garanci se parimi njësportel është ligjor.

Megjithatë, kjo çështje duket më e komplikuar për disa vende anëtare. Me sa duket, Gjermania, me përkrahjen e Suedisë dhe të Belgjikës, është pjesërisht përgjegjëse për shtyrjen. Edhe pse brifingjet e Komisionit Evropian në mbledhjen e Këshillit në tetor të vitit 2013 tregojnë se është arritur marrëveshje për parimin njësportel, vendet anëtare në fakt akoma nuk kanë formuar qëndrim të përbashkët për shkallën e autorizimeve të tyre. 

Nga fundi i nëntorit të vitit 2013 qarkullonte vërejtja e kryesisë lituaneze me Këshillin, duke zbuluar se si vendet anëtare nuk kanë mundur të merren vesh për autorizimin e Agjencive për mbrojtjen e të dhënave të caktojnë dënime me para dhe dënime të tjera, si dhe një mekanizëm praktik për dëmshpërblimin e shfrytëzuesve.

Kishte edhe debat rreth formës ligjore të ligjit – të jetë rregullativë ose direktivë. Për shembull Mbretëria e Bashkuar dëshiron ta shndërrojë “rregullativën“ në “direktivë”. Rregullativa e miratuar e BE-së mund të zbatohet menjëherë në BE, ndërsa direktiva duhet të transponohet në legjislacionet nacionale, që mund të zgjasë me vite.

Burimi: ЕDRI-gramм „EU Data protection regulation stalled again“ 18 dhjetor 2013.

Поврзани натписи