Мени

Veprat e Vito Volterës dhe F. Skot Ficxheraldit hyjnë në domenin publik

Një nga ngjarjet me të cilat u shënua Dita e domenit publik në nivel evropian u organizua nga Qendra Neksa e Universitetit Politeknik në Torino më 22 janar 2011.

Temë e ngjarjes ishte rëndësia e hyrjes në domenin publik e dy autorëve që kanë vdekur në vitin 1940: shkencëtarit Vito Voltera dhe shkrimtarit Frensis Skot Ficxherald.

Sipas ligjeve për të drejtat autoriale edhe në Itali edhe në SHBA me mbushjen e 70 vjetëve nga vdekja e autorit, vepra e autorit “kthehet” për përdorim publik, me ç’rast trashëgimtarët ose ata të cilët në ndërkohë kanë qenë bartës të të drejtave, tanimë nuk kanë mundësi ta kufizojnë përdorimin e tyre. Për shembull, tani çdokush mund ta ribotojë librin “Getsbi i madh“, të botojë përkthim të ri, ose të bëjë film të ri të bazuar në të, pa pasur nevojë të kërkojë leje ose t’i paguajë çfarëdo qoftë kompensimi familjes së shkrimtarit.

Manifestimi Dita e domenit publik ka për qëllim që publikut t’i mundësojë të kuptojë cilat vepra i janë vënë në dispozicion të plotë gjatë vitit të kaluar, me qëllim që të mundësohet zhvillim i përshpejtuar kulturor. Mbështetësit e lëvizjes për kulturë të lirë konsiderojnë se asnjë vepër nuk mund të krijohet pa mos “huazuar” autori elemente nga kultura e “tij” ose ajo botërore, ashtu që ndërprerjen e kufizimeve për përdorim të lirë nga të tjerët, ata e konsiderojnë si “kthim”.

Prof. Huan Karlos de Martin, koordinator i rrjetit COMMUNIA në kuadër të të cilit është krijuar Dita e domenit publik, konsideron se manifestimi i parë në Itali është shumë i rëndësishëm pasiqë…

“…domeni publik është me rëndësi shumë të madhe për jetën tonë kulturore dhe ekonomike. Për fat të keq, njerëzit nuk e dijnë se ç’është ai dhe përse është i rëndësishëm, prandaj edhe e organizuam këtë manifestim  – t’u tregojmë njerëzve se ato janë vepra që mund të shfrytëzohen lirisht. Me qëllim që këtë ta bëjmë sa më të kapshme, zgjodhëm dy autorë… dhe u treguam njerëzve për jetën dhe veprën e tyre. Me qëllim që t’u ndihmojmë të kuptojnë se tani mund t’i shfrytëzojnë këto vepra të shkëlqyeshme në cilëndo qoftë mënyrë… Planifikojmë që manifestime të këtilla të organizojmë çdo vit që ta rrisim vetëdijen për domenin publik.”

Gjatë manifestimit në Torino, Primavera De Filipi, përfaqësuese e Fondacionir Dija e hapur, e cila ka doktoruar në temën e të drejtave autoriale në mjedis digjital, deklaroi:

“Është me rëndësi të promovohet domeni publik, të informohet dhe të sensibilizohet popullata për pasurinë e trashëgimisë kulturore evropiane. Domeni publik shërben si përkujtues se çdo vit, një grup i ri i veprave kulturore vihen në dispozicion për përdorim dhe rishfrytëzim. Këto vepra e paraqesin bazën e kulturës sonë të përbashkët dhe janë elemente nga të cilat prodhohet kulturë e re.”

Prof. dr. Vito Voltera (1860-1940) ka qenë matematikan dhe fizikan italian, i njohur për kontributet për biologjinë matematikore dhe njehsimet integrale, si dhe si luftëtar kundër fashizmit. Në vitin 1931 ka qenë njëri nga vetëm 12 profesorët prej gjithsej 1250 profesorëve që kanë refuzuar ta japin betimin e obligueshëm për besnikëri ndaj regjimit të Musolinit.

Shkrimtari dhe dramaturgu Frensis Skot Ficxherald (1896-1940) është më i njohur për librin “Getsbi i madh” (1925) i cili konsiderohet vepër madhore e literaturës amerikane. Është shpallur një nga njëqind librat më të mirë të shekullit XX dhe ka ndikim të madh në kulturën e popullarizuar dhe në mediumet e tjera, posaçërisht filmin e Robert Redfordit të vitit 1974. Shembull për këtë ndikim është edhe fakti se në Radovish ka piceri me emrin “Getsbi“.

Në sistemin juridik të Maqedonisë, domeni publik nuk është definuar në mënyrë eksplicite si gjendje e veçantë, por definohet në mënyrë indirekte si përfundim i vlefshmërisë së të drejtave autoriale. Si edhe në shumicën e vendeve të tjera anëtare të Organizatës botërore për pronësi intelektuale (WIPO), ky përfundim hyn në fuqi në mënyrë automatike 70 vjet pas vdekjes së autorit.

Për fat të keq, vëllimi i veprave nga autorë modernë nga Maqedonia që kanë vdekur deri para 70 viteve është relativisht modest, mirëpo me kalimin e kohës rriten edhe mundësitë. Për shembull, në vitin 2013 do të mundësohet përdorimi publik i veprave të Koço Racinit, themeluesit të poezisë bashkëkohore në gjuhën maqedonase.

Si pjesë e përpjekjeve për përhapje të kulturës së lirë, Fondacioni Metamorfozis përpiqet që në sistemin juridik të RM-së, domeni publik të definohet si term dhe të zhvillohen mekanizma për vënie sa më të madhe të përmbajtjeve në dispozicion legal. Një mundësi është futja në domen publik e të gjitha përmbajtjeve të krijuara me para publike, siç janë prodhimet e shërbimeve shtetërore dhe rezultatet e hulumtimeve shkencore, si dhe projektet kulturore të ndihmuara nga shteti. Këto përpjekje përputhen me aktivitetet e rrjetit COMMUNIA, në mesin e thmeluesve të të cilit është edhe Metamorfozis, i cili punon në këtë temë në nivel evropian.

Metamorfozis poashtu është përfaqësues i lëvizjes Creative commons, e cila ofron vegla juridike – licenca, të përshtatura me sistemin juridik nacional. Me këto “marrëveshje për bartje joekskluzive të të drejtave autoriale” autorët individualë, publikut i japin një pjesë të të drejtave të tyre autoriale, nën kushte të caktuara. Në mesin e kushteve është theksimi i obligueshëm i burimit, që mundëson promovim plotësues, veçanërisht në internet. Njëri nga shfrytëzuesit e këtyre licencave është enciklopedia më e madhe në botë – Wikipedia.

F.S.

Поврзани натписи