Мени

BE: A do të jenë rregullat e reja për mbrojtjen e të dhënave edhe më të dobëta se ato të vjetrat

Eurodeputetët debatojnë për propozim-rregullativën për mbrojtjen e të dhënave të propozuar nga Komisioni Evropian në janar të vitit 2012 që të vendosin si do të votojnë në Komitetin për liri qytetare, me gjasë në fillim të korrikut të vitit 2013.

Propozimi, që ka mbi 4.000 plotësime fokusohet në çështje siç janë e drejta e largimit të të dhënave të dikujt, bartshmëria e të dhënave, profilimi, pëlqimi dhe qasja deri te të dhënat personale.

Disa nga ndryshimet e shumta janë rezultat i presionit të madh dhe të vazhdueshëm me lobim nga kompanitë e mëdha dhe duket se kanë për qëllim ta shtyjnë procesin dhe t’i minojnë të drejtat themelore. Piter Hastinks, supervizori evropian për mbrojtjen e të dhënave, tërhoqi vërejtjen se propozimligji i BE-së është në rrezik nga kolapsi për shkak të “lobimit të tepruar” nga ana e korporatave dhe subjekteve të tjera që janë kundër reformave në fushën e privatësisë.

Lobistët thonë se mbrojtja e fuqishme e të dhënave do të shkaktojë regresion shoqëror dhe ekonomik dhe se parimet si p.sh. pëlqim janë ekonomikisht të paqëndrueshme dhe duhet të zbuten. SHBA-të disa herë publikisht kërkuan zvogëlim të të drejtave të qytetarëve evropianë. Stjuart Robinson, këshilltar për drejtësi i misionit të SHBA-ve në BE, në konferencën Kompjuterët, privatësia dhe mbrojtja e të dhënave, që u mbajt në Bruksel në janar të vitit 2013, i dënoi propozimet dhe deklaratat evropiane se të drejtat janë “ajo që ne (qeveria) ua munësojmë juve”.

Sikur të mos mjaftonte presioni i jashtëm, dhe duket se eurodeputetët nuk janë në gjendje të pajtohen për çështje siç është diapazoni territorial. Baronesha britaneze, eurodeputetja dhe anëtarja e Partisë liberale, Sara Ladford, thoshte se kompanitë në BE që kujdesen vetëm për ata që nuk janë banorë të BE-së, nuk duhet të përfshihen në këtë rregullativë dhe deklaroi se ka pasur nevojë “të fitohet një pasqyrë e qartë juridike se cilët individë janë të përfshirë me rregullativën e propozuar, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për njerëzit kur ata janë në BE ose jashtë saj”. Për shkak se deputetët nuk arritën marrëveshje të përbashkët, për këtë çështje duhet të negociojë Komisioni Evropian.

Eurodeputeti gjerman nga Partia e të gjelbërve, Jan Filip Albreht gjatë një interviste  për euobserver.com kishte një qëndrim mjaft pesimist për zhvillimin e debateve: “U premtuam njerëzve se do të ndihmojmë që të sigurohet legjislacion adekuat me të cilin më mirë do t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe më mirë do të mbrohen interesat e tyre… e në fund, gjëja e vetme që e bëjmë – dhe kjo nuk përjashtohet – është zbutja e ligjit ekzistues. Kjo nuk është një gjë që njerëzit e dëshirojnë”. Sipas tij, disa amandamente për të cilat u diskutua dhe u votua do ta dobësojnë rregullativën edhe më shumë se sa rregullativa e vitit 1995, e cila paraqet bazë të propozim-rregullativës.

Albrehti në fakt konsideron se propozim-teksti do të mund të përfundonte me dobësim të të gjitha deklaratave të mëparshme të Parlamentit Evropian. “Një pjesë e madhe e asaj që e thamë njëzëri tani kontestohet nga grupet për lobim dhe nga ana e disa anëtarëve këtu në parlament, të cilët si duket nuk ndjehen të obliguar nga rezoluta për të cilën votuan më parë”, tha Albrehti.

Për shembull, pasqyra origjinale e rregullativës parashihte dënime prej pesë përqind të të ardhurave të përgjithshme të kompanisë për keqpërdorim të madh dhe të vazhdueshëm të informatave personale. Kjo përqindje u zvogëlua në dy përqind e bile edhe më pak, ndërsa Komisioni për industri, hulumtim dhe energji i Parlamentit votoi për zvogëlimin e përqindjes edhe deri në një përqind.

Me presion të madh nga kompanitë e mëdha, u mbetet qytetarëve të vihen në mbrojtje të të drejtave të tyre, duke u shkruar eurodeputetëve të tyre para se të bëhet shumë vonë. Poashtu, ka mundësi që debati të shtyhet si rezultat i ndryshimeve dhe i plotësimeve të shumta.


Burimi: ЕDRI-gram „Will the new data protection rules be even weaker than the old ones?“ nr. 11.11, 5 qershor 2013.

Поврзани натписи