“Mungesa e interoperabilitetit në institucionet e RMV-së ua merr nga 300 denarë qytetarëve (Infografik)”- Portalb

Pavarësisht se në Maqedoninë e Veriut ekziston Platforma e Interoperabilitetit apo ndërlidhjes, sipas të cilës organet shtetërore, institucionet dhe kompanitë e biznesit duhet shkëmbejnë të dhëna mes tyre, kjo në praktikë funksionon pjesërisht. Ndryshimi i emrave të rrugëve, duke mos i përditësuar regjistrat, qytetarëve u shkakton kokëdhembje shtesë, ekspozohen ndaj procedurave administrative dhe duhet të enden nëpër sportele për të nxjerrë “vërtetime” për të cilat harxhojnë para, shkruan Portalb.mk.

Prapa skenës së polemikave se si duhet të “pagëzohen” rrugët e qyteteve, autoritetet komunale zbatojnë procedura administrative, të cilat shpesh janë të mbështjella me rrethana apo interesa politike, por të cilat nuk mbarojnë gjithmonë deri në fund. Pikërisht kjo u shkakton qytetarëve probleme të natyrës burokratike, të cilat janë karakteristik për vendin tonë, i cili po ecë me hapa të ngadaltë drejt digjitalizimit.

Shembull tipik i mungesës së ndërlidhjes së institucioneve në mënyrë elektronike është rasti me emërtimin e rrugëve. Komunat dhe Qyteti i Shkupit janë të detyruara me ligj të kenë regjistra me emrat e rrugëve të tyre dhe të njëjtat t’i përditësojnë, në të kundërtën, për to parashikohet gjobë prej 20.000 deri në 30.000 denarë.

Sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2015-të, inspektorët komunal mund t’i gjobisin përgjegjësit në rast se nuk kanë mbajtur evidencë. Në rast se kryerësi i shkeljes e pranon veprën, atëherë ai duhet që në afat prej 8 ditëve ta paguajë gjobën ose në të kundërtën, inspektorët komunal dërgojnë kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse përpara Komisionit për Vendimmarrje ndaj Kundërvatjeve në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.

Sipas ligjit, inspektorët komunal kanë detyrim të mbajnë evidencë për lëshimin e urdhërpagesave kundërvajtëse dhe për epilogun e procedurave të ngritura. Ata duhet të mbledhin, përpunojnë dhe ruajnë të dhëna për: emrin dhe mbiemrin e kryerësit, vendbanimin, llojin e shkeljes, numrin e urdhërpagesave dhe epilogun e procedurës.

Deri më tani, nuk ka të dhëna sa urdhërpagesa kanë lëshuar inspektorët komunal.

Regjistri ku janë të evidentuara të gjitha emrat në vend quhet Regjistri i Adresave dhe menaxhohet nga Regjistri Qendror. Në Maqedoni, realisht ka dy lloje të evidencave të adresave, atë që e menaxhojnë komunat (për përdorim të brendshëm) dhe Regjistri Qendror (publik).

Konfuzioni krijohet kur komunat i ndryshojnë emrat e rrugëve dhe më pas nuk i kryejnë procedurat e nevojshme për t’i evidentuar të njëjtat te Regjistri Qendror, si dhe kur regjistrat adresave nuk i përditësojnë. Kjo, praktikisht krijon tollovi administrative ku një rrugë e caktuar në komunë evidentohet me një emër të caktuar (të ri), ndërkaq në Regjistër Qendror me emër tjetër (të vjetër). Ligjërisht, emri i një rruge që nuk është i evidentuar në Regjistrin Qendror, nuk është i vlefshëm.

Sipas ligjit, ndryshimi i emrave të rrugëve duhet të kalojë nëpërmjet një procesi, i cili niset nga komuna, me pajtimin qeverisë përfundon në Regjistrin Qendror, i cili më pas e shpërndan njoftimin te MPB, Enti i Statistikës dhe Kadastra.

Nëpërmjet infografikut të mëposhtëm do të tregojmë rrugëtimin për të ndryshuar emrin e një rruge.

Procedura e ndryshimit të emrit të rrugëve
Procedura e ndryshimit të emrit të rrugëve, foto: Suad Bajrami

Siç mund të shihni, ndryshimi i emrit të një rruge kalon nëpër disa faza për të cilat ka afate të përcaktuara me ligj. Qyteti i Shkupit apo komuna, miraton propozimin e emrave në Këshill dhe e dërgon propozimin në Qeveri. Pastaj lista kthehet në Këshill Komunal dhe votohet për miratim. Në afat prej 8 ditëve lista bashkë me dokumentacionin dorëzohet në Regjistrin Qendror, i cili në afat prej 15 ditëve do të duhet të regjistrojë emrin e ri të rrugës së caktuar. Pas ndryshimit, në afat prej 3 ditëve, Regjistri Qendror dorëzon njoftim për ndryshimin në MPB, Kadastër dhe Entin e Statistikave.

Ky do të ishte proces normal, por autoritetet komunale shpesh këtë proces nuk e respektojnë, në fakt sipas një prezantimi të Agjencisë së Kadastrës ku gjatë vitit 2018-të kanë mbajtur një punëtori për vendosjen e Regjistrit të Adresave në Republikën e Maqedonisë, 40% e komunave të vendit tonë nuk kanë vepruar sipas obligimeve ligjore për t’i transferuar të dhënat te Regjistri Qendror.

Qyteti i Shkupit ka dorëzuar në Regjistrin Qendror emra të rrugëve për të cilat nuk ka pasur pajtueshmëri nga Qeveria

Administrata paraprake e Qytetit të Shkupit me të cilën ka udhëhequr Petre Shilegov, në mars të vitit 2021 ka dorëzuar mbi 30 emra të rrugëve në Regjistrin Qendror, për të cilat nuk ka pasur pajtueshmëri nga Qeveria dhe për këtë Regjistri Qendror nuk i ka regjistruar në Regjistrin e Adresave.

16 shkurt të vitit 2021, administrata e Qytetit nëpërmjet një kumtese publike paralajmëroi ndryshimin e emrave të qindra rrugëve, për të cilat kishte marrë pajtueshmëri nga Qeveria, me të cilën udhëhiqte bashkëpartiaku i kryetarit të Qytetit. Bashkë me kumtesën, u publikua dhe lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Sipas listës, do të ndryshohen emrat e 571 rrugëve.

Më pas, më 25 mars të vitit 2021 nëpërmjet një kumtese tjetër Qyteti i Shkupit paralajmëron sërish se do të ndryshohen emrat e rrugëve. Lista që publikoi administrata këtë herë ishte me 485 emra dhe këtu ka emra të cilët nuk janë në listën e parë të 16 shkurtit.

30 mars, Këshilli i Qytetit të Shkupit miratoi vendim për plotësimin e listës së emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Vendimi i Këshillit i referohet listës së 16 shkurtit, por duke i larguar 2 emra, gjegjësisht 569.

Pas miratimit në Këshill, Qyteti i Shkupit ka dorëzuar një listë me emra për ndryshimin e emrave të rrugëve, por Regjistri Qendror nuk i ka miratuar pasi që në bazë të ligjit për emërimin e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore, nuk mund të kryhet gjashtë muaj para zgjedhjeve, gjegjësisht zgjedhjet lokale u shpallën për t’u mbajtur më 17 tetor 2021.

Pasi kanë mbaruar zgjedhjet, Regjistri Qendror ka filluar procedurën e regjistrimit, por ka evidentuar që për 32 emra të rrugëve nuk ka pajtueshmëri nga Qeveria dhe këto rrugë nuk i ka regjistruar, duke e paralajmëruar Qytetin e Shkupit që të marrë pajtueshmëri.

“Gjatë evidentimit të paraqitjes për regjistrim, Regjistri Qendror nuk i ka regjistruar një pjesë të objekteve infrastrukturore (bëhet fjalë për mbi 30 objekte infrastrukturore), për arsye se të njëjtat nuk kanë qenë në propozim-listën për të cilën Qeveria e RMV-së ka dhënë pajtueshmëri. Për të njëjtën janë njoftuar personat kompetent të Qytetit të Shkupit”, thonë për Portalb.mk nga Regjistri Qendror.

Emrat kontestuese të rrugëve
Emrat kontestuese të rrugëve, foto: Suad Bajrami

Nga Qeveria thonë se për listën e emrave kanë miratuar vendim më 9 mars të vitit 2021, në seancën e 51-të të Qeverisë, por emrat kontestues nuk kanë qenë në propozim-listën.

“Dëshirojmë të theksojmë se propozim-emrat për të cilat keni interes nuk janë pjesë e listës e cila është dorëzuar nga Këshilli i Qytetit të Shkupit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për pajtueshmëri. Për më shumë informata drejtohuni te Qyteti i Shkupit”, thonë nga Qeveria.

Sipas kësaj, autoritetet e administratës paraprake të Qytetit të Shkupit, nuk e kanë dërguar listën identike me emrat për të cilat Qeveria ka dhënë pajtueshmëri, por kanë shtuar dhe emra tjerë për të cilat nuk ka pasur pajtueshmëri e që sipas ligjit nuk mund të regjistrohen.

Administrata e re e Qyteti të Shkupit, me të cilën udhëheqë Danella Arsovska, thotë se vendimi i marsit të Këshillit të Qytetit ka qenë i paligjshëm dhe po punojnë me institucionet përkatëse për ta zgjidhur problemin.

“Me këtë vendim të Këshillit është shkelur procedura e miratimit të ndryshimeve, e as është dhënë pajtueshmëri nga komunat e cila është e domosdoshme sipas ligjit. Qyteti i Shkupit tanimë ka realizuar takim pune me përfaqësuesit e Regjistrit Qendror dhe është diskutuar që të zgjidhet çështja në interes të qytetarëve. Për shkak të situatës komplekse dhe përfshirjes dhe veprimit të shumë institucioneve, Qyteti i Shkupit do të veprojë në kuadër të kompetencave të saja”, thonë për Portalb.mk nga Qyteti i Shkupit.

DAP, DHP, administrate, sportel, qytetar, administrata publike shteterore
Foto: Portalb.mk /A.M

Qytetarët e paguajnë mungesën e interoperabilitetit mes institucioneve

Ana tjetër e medaljes është se këto ndryshime, i detyrojnë qytetarët të ngatërrohen në procedura burokratike, ku institucionet u kërkojnë qytetarëve “vërtetime” për të dëshmuar se rruga që e kanë në një dokument të caktuar e ka ndryshuar emrin. Problemi thellohet pasi që ndodh kur, një rrugë ka pësuar ndryshime disa herë dhe këto ndryshime komunat ndodh që nuk i paraqesin në Regjistrin Qendror apo nuk i përditësojnë regjistrat e tyre. Thënë me gjuhën popullore, emrat i ndryshojnë për populizëm, ndërkaq qytetarët heqin pastaj të zinjtë e ullirit për t’i shkatërruar nyjat e burokracisë administrative.

Një qytetare për Portalb.mk, tregoi se si është shëtitur prej dere në derë për një shërbim, i cili, po të ishte funksional interoperabiliteti mes institucioneve do të ishte tejkaluar me shumë lehtësi.

“Dorëzova kërkesë për ndryshim të vendqëndrimit (në këtë rast patjetër të shkojë nëpërmjet odës së avokatisë). Si provë për vendqëndrimin patjetër duhej të kem ndonjë marrëveshje qiraje, shërbimi apo pronësie që të shihet se si e sundoj hapësirën, dhe për këtë duhet bashkëngjitur fletëpronësinë nga Kadastra. Nxora fletëpronësi dhe atë adresë e vendosa te kërkesa (atë adresë e ka vendosur edhe oda e avokatisë drejt Regjistrit Qendror). Nga Regjistri Qendror e kanë thirrur odën e avokatisë dhe ata më pas mua se emri i rrugës nuk është i saktë, nuk ka rrugë të tillë. Për zgjidhjen e këtij problemi, për të cilin oda e avokatisë më thanë se është shpeshtuar duhej të shkojë në Qytetin e Shkupit që të marr Vërtetim për adresën e saktë dhe me atë dokument të shkojë në Regjistrin Qendror”, thotë qytetarja.

Sipas kësaj, emri i adresës të nxjerrë nga fletëpronësia e Kadastrës, nuk është i njëjtë me emrin e adresës në Regjistrin Qendror.

“Pasi kam shkuar në Qytetin e Shkupit ata më njoftuan se Qyteti nuk është i lidhur me Kadastrën, nëpërmjet interoperabilitetit”, thotë qytetarja për Portalb.mk.

Në fakt, Kadastra nuk është e lidhur edhe me Regjistrin e Adresave të Regjistrit Qendror, e regjistri qendror nuk është i lidhur me regjistrat e adresave të komunave.

Agjencia e Kadastrës posedon regjistër grafik për emrat e rrugëve dhe numrat e shtëpive, e cila paraqet plotësim me të dhëna gjeohapësinore të të dhënave që Agjencia sipas detyrës zyrtare i merr nga Regjistri i Emrave të rrugëve dhe numrave të shtëpive që udhëhiqen në Regjistrin Qendror.

Kjo mungesë e ndërlidhjes, u krijon edhe probleme shtesë në rastet kur ndryshohen emrat e rrugëve, pasi që qytetarët nëse duan t’i regjistrojnë pronat e tyre me emrin e ri, për këtë vetë duhet të angazhohen dhe të paguajnë.

Emrat e rrugëve, Agjencia për Kadastër dhe Patundshmëri i regjistron në fletëpronësi të patundshmërive vetëm në bazë të dorëzimit të bazës juridike e cila lëshohet nga organet përkatëse. Sipas Kadastrës, nëse për një patundshmëri nuk dorëzohet e dhënë për emrin e rrugës dhe numrin, në fletëpronësi hapësira me emrin e rrugës do të jetë e zbrazët.

Nëse një qytetarit i është ndryshuar emri i rrugës ku banon dhe nëse ai dëshiron që t’i përditësojë të dhënat në fletëpronësinë e tij, ai duhet që fillimisht të shkojë në komunën ku jeton, të marrë vërtetim se është ndryshuar emri i rrugës dhe pastaj të shkojë në Kadastër. Për çdo ndryshim duhet të paguhet nga 300 denarë, ndërkaq afati për nxjerrjen e dokumentit është 7 ditë.

“Përditësimi i emrave të rinj të rrugëve kryhet në procesin e mirëmbajtjes së kadastrës së patundshmërive. Ndryshimet e emrave të rrugëve në fletëpronësitë kryhen sipas dorëzimit të kërkesës nga ana e personave fizik dhe juridik, të cilës i bashkëngjitet baza përkatëse juridike i lëshuar nga organi kompetent dhe dëshmi për pagesën e kompensimit sipas tarifës”, thonë nga Regjistri Qendror.

Por, profesori universitar, Borçe Davitkovski, thekson se nuk do të duhej të kërkohet vërtetim, pasi që kur të ndryshohet emri i rrugës. Regjistri Qendror të gjitha organeve ju dorëzon informatë se ajo rrugë e ka ndryshuar emrin.

Borçe Davitkovski, kryetari në dorëheqje i Komisionit ad-hoc për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit
Borçe Davitkovski

“Te ne sipas Ligjit për Procedurë Administrative organet janë të detyrueshme që kur e udhëheqin procedurën vetë t’i mbledhin të gjitha dokumentet. Kjo është obligative, por këtë asnjëherë nuk e punojnë dhe i maltretojnë qytetarët dhe për shembull nëse bëhet fjalë për në komunë, i detyrojnë të shkojnë në sportel tjetër merre atë, merre këtë dokument. Natyrisht që nuk duhej që çdo qytetar të shkoj në Kadastër që ta ndryshojë fletëpronësinë dhe të shkojë në komunë dhe të dërgojë në Kadastër “vërtetim”. Pra institucionet duhet të dorëzojnë në mënyrë elektronike deri te Kadastra dhe këtu duhet të mbarojë çështja, nuk ka çfarë qytetarët të shëtitën ose të dërgojë vërtetim”, thotë Davitkovski.

Sipas tij, interoperabiliteti do të bëhet vetëm pasi të bëhet analizë funksionale e cila do t’i definonte saktësisht kompetencat e institucioneve me qëllim që të mos merren disa institucione me një çështje, por të ketë vetëm një institucion.

“20 vite paralajmërohet te ne që të bëhet analizë funksionale, gjegjësisht të kufizohen kompetencat mes organeve të administratës, veçanërisht ministrive. Ne formojmë organe, por jo edhe kompetenca siç është shembulli i formimit të MSHIA-së apo Ministrisë për Sisteme Politike. Thjeshtë patjetër duhet që të bëhet analizë funksionale që të mos ketë dyfishim. Interoperabiliteti do të bëhet vetëm pasi që të bëhet analiza funksionale, pra të kufizohen kompetencat, të lokalizohen dhe pastaj do të kërkohet interoperabiliteti. Jo kështu. Si do të bëhet kur një sërë institucionesh janë kompetent për një çështje. Pra pse të mos jetë vetëm një institucion e cila do të ishte kompetent për këtë çështje? Dhe kjo është ajo analiza funksionale. Shihni shembullin për ujin, në RMV kanë kompetenca Ministria e Shëndetësisë, Bujqësisë dhe Ujërave, Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Mjedisit Jetësor, inspektoratet e ministrive dhe komunale, pra kemi 4-5 organe kompetente dhe shihni si janë të ndotura ujërat”, shtoi Davitkovski.

“Vërtetim” për dokumente identifikimi, vetëm kur ndryshohet numri i shtëpisë

Dokumentet e identifikimit dhe udhëtimit, pra letërnjoftimi apo pasaporta vlejnë deri në afatin e skadencës, pavarësisht nëse ndryshohet emri i rrugës. Nga MPB për Portalb.mk shpjegojnë se vetëm në rast se komunat e ndryshojnë numrin shtëpiak, atëherë qytetarët duhet të dorëzojnë vërtetim nga komuna.

“Gjatë ndërrimit të rregullt të dokumenteve të identifikimit, në pyetjen tuaj konkrete – letërnjoftimit – nëse bëhet fjalë për ndryshim të emërit të rrugës, qytetari nuk është i obliguar të dorëzojë asnjë dokument tjetër, përveç që ta shkruaj në formularin për letërnjoftim emrin e rrugës. Por, nëse nga ana e komunës është ndryshuar numri shtëpiak, atëherë nevojitet që gjatë ndryshimit të rregullt, të dorëzojë vërtetim për ndryshim që jepet nga ana e komunës”, thonë nga MPB për Portalb.mk.

Për dallim prej Kadastrës, Ministria e Punëve të Brendshme është e lidhur me Regjistrin Qendror të Popullatës, ku mes tjerash, janë të vendosura edhe regjistrat e rrugëve dhe adresave.

“MPB vepron në pajtueshmëri me njoftimet e dorëzuara për ndryshim të rrugëve nga ana e Regjistrit Qendror. Ndryshimet e emrave të rrugëve vendosen në evidencën elektronike të sistemit informatik të Ministrisë dhe nga ai aspekt qytetarët nuk kanë problem dhe nuk kemi njohuri ose s’kemi pranuar ankesa nga ana e qytetarëve për pamundësi të realizimit të të drejtës së dokumenteve personal për shkak të emrit të rrugës”, thonë nga MPB.

Iskra Bellçeva-Ristovska
Iskra Bellçeva-Ristovska

Se sa është funksionale Platforma e Interoperabilitetit në RMV, folëm me Iskra Bellçevën, ekspertë nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime, një organizatë e cila i ndjek në vazhdimësi reformat në administratë.

“Nga testimet e kryera të disa shërbimeve të sektorit publik dhe përpunimit të disa shërbimeve elektronike, kemi ardhur në konkluzion se Platforma e Interoperabilitetit dhe këmbimit të të dhënave sipas detyrës zyrtare mes institucioneve funksionon vetëm pjesërisht”, thotë Bellçeva, duke shpjeguar se ky konkluzion është në bazë të testimit të shërbimit për bursa, por edhe të shërbimit për regjistrim elektronik të nxënësve që sivjet po bëhet për herë të parë.

Siç thotë ajo, thelbi i Platformës së Interoperabilitetit është të mos ketë nevojë për këmbim të dokumenteve, por vetëm të dhënave (të qytetarëve) të cilat shpejtë, lehtë dhe sigurt shpërndahen nëpërmjet rrugës elektronike mes institucioneve dhe perspektivisht me sektorin privat.

“Sipas të gjitha gjasave shfrytëzimi i Platformës së Interoperabilitetit varet nga ajo se sa bazat e institucioneve janë të digjitalizuara, nëse të dhënat e këtyre bazave janë standarde dhe të njohura edhe për institucionet tjera dhe nëse institucionet ofrojnë mbrojtje përkatëse (siguri) të të dhënave”, shtoi Bellçeva.

Momentalisht ka 42 institucione të cilat janë të kyçura në Platformën e Interoperabilitetit. Në mesin e tyre janë Regjistri Qendror, Agjencia e Kadastrës, Qyteti i Shkupit, ministri, inspektorate dhe një sërë institucionesh tjera.

Digjitalizimi i shërbimeve, ndonëse i nevojshëm madje dhe i domosdoshëm, në Maqedoninë e Veriut po zvarritet dhe shpesh pengohet nga çështjet burokratike të ligjeve dhe procedurave, derisa zhvillimi teknologjik dhe vendet e zhvilluara po “vrapojnë” me shpejtësi. Derisa institucionet tona merrem me “vërtetime, vula dhe nënshkrime”, shtetet e përparuara ndërtojnë sisteme që qytetarëve t’ua lehtësojnë qasjen deri te shërbimet duke u kursyer kohë, mund dhe para.

Sipas hulumtimit të Portalb.mk, doli në pah që Maqedonia e Veriut është 10 vite mbrapa Bashkimit Evropian në fushën e digjitalizimit.

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerë për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Link deri tek origjinali: Mungesa e interoperabilitetit në institucionet e RMV-së ua merr nga 300 denarë qytetarëve (Infografik) – PORTALB

Ndaje:


                  
meta tim sliki-02.jpg

"Mungesa

e

interoperabilitetit

institucionet

e

RMV-së

ua

merr

nga

300

denarë

qytetarëve

(Infografik)"-

Portalb

Tekste të tjera në blog

"RMV, digjitalizimi është mision i mundshëm vetëm nëse ndërtohet mbi bazë të shëndoshë të TI" - Portalb

27.07.2022

Foto nga Bongkarn Thanyakij, Pexels Materiale të reja mësimore digjitale si pjesë e Konceptit të ri të Arsimit fillor, mjete elektronike, tabela interaktive, regjistrim elektronik në shkollën e mesme, aplikim elektronik për bursë, për shtrat në konviktet studentore, mbajtja e shënimeve në ditar elektronik… Këto janë vetëm disa nga mundësitë dhe shërbimet që janë pjesë […]

"Qytetarët enden prej komunave në Kadastër dhe anasjelltas, pasi institucionet nuk kanë sistem të përbashkët elektronik" - Portalb

25.07.2022

Në storjen e kaluar kemi shpjeguar se si për nxjerrjen e një dokumenti në Kadastër, duhet të merret vërtetim prej komunës, sot do të shpjegojmë se si për nxjerrjen e një dokumenti prej komunës, duhet të merret vërtetim prej Kadastrës. Ky është një absurd administrativ, dy institucione kërkojnë prej qytetarëve që t’ua dëshmojnë vërtetësinë e […]

"Institucionet sipas “qejfit” e përdorin Platformën e Interoperabilitetit, qytetarët enden sporteleve (Infografik)" - Portalb

29.06.2022

Administratë, sportel, foto arkiv: Portalb Institucionet në RMV, shumë pak komunikojnë mes vete nëpërmjet Platformës së Interoperabilitetit e cila parashikon këmbimin e të dhënave, nëpërmjet sistemeve elektronike me qëllim të ofrohen shërbime në mënyrë më efikase dhe të shpejtë. Të dhënat që ka siguruar Portalb.mk, tregojnë se në nivel të përgjithshëm të gjitha institucionet e […]

Aliti: Prioritet kemi reformimin e administratës dhe digjitalizimin e shërbimeve në RMV

03.05.2022

Në një intervistë për Portalb.mk, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti flet për procesin e reformimit të administratës publike në Maqedoninë e Veriut. Ai thotë se prioritet kryesor si ministri e kanë digjitalizimin e shërbimeve por dhe miratimin e disa ligjeve që do të mundësojnë ri-organizimin më efikas të administratës. Intervistoi: Elida Zylbeari […]

TMERRI I PROPAGANDËS APO KUR TË VDEKURIT RINGJALLEN

27.04.2022

Dezinformatat për pushtimin ushtarak rus të Ukrainës kanë çuar në ndarje të tilla të popullatës në Maqedoni, veçanërisht atyre që informohen kryesisht nga rrjetet sociale, nga e cila tani po zhvillohet një debat online nëse ka vërtet atje luftë dhe po vuajnë civilët apo bëhet fjalë për një produksion holivudian me qëllim shkatërrimin e Rusisë. […]

Mësime nga Estonia: nga shtet i varfër post-komunist në parajsë digjitale (FOTO)

26.04.2022

Estonia është shteti që dëshmon se digjitalizimi përmirëson kualitetin e jetës së qytetarëve. Mijëra shërbime, kryesisht administrative, estonezët i kryejnë me disa klikime nga shtëpia ndërsa pritja në radhë nëpër sportele është shndërruar në një histori të largët. Ky vend baltik me 1.3 milionë banorë, në 25 vitet e fundit e ka këmbyer identitetin e […]