“Nuk do të kërkohen më certifikatat e lindjes jo më të vjetra se 6 muaj, DMLA e shpalli vendimin pas hulumtimit të Portalbit” – Portalb

Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë (DMLA), informon se ka miratuar vendim që të mos kërkojë certifikata nga Libri Amë i të Lindurve jo më të vjetra se gjashtë muaj. Këtë e deklaroi pasi që Portalb.mk, publikoi hulumtimin në të cilin qytetarët ankoheshin dhe vetë Drejtoria konfirmoi se u janë kërkuar certifikata jo më të vjetra se gjashtë muaj. Me vendimin e ri, qytetarët që duan të kurorëzohen, DMLA më nuk do t’i obligojë ata që të nxjerrin certifikata të reja por ofiçari do t’i kontrollojë të dhënat e certifikatave që veçmë i kanë. Në rast se qytetarët fare nuk kanë certifikata, ata do të kurorëzohen vetëm me dokument identifikimi, ndërkaq ofiçari do t’ua nxjerrë certifikatat, njofton Portalb.mk.

Në pajtueshmëri me Ligjin për Familje, hapi i parë kur dëshironi të bëni kurorëzim është që të bëhet procesverbal për kurorëzim nga ana e ofiçarit ku si dokumente shoqëruese nevojiten certifikatat e lindjes së personave që kurorëzohen.

Sipas vendimit të ri, në procedurën për procesverbal të kurorëzimit nuk do të kërkohet më që qytetarët t’i sigurojnë certifikatat e lindjes, por atë do ta bëjë ofiçari, në rast se qytetarët nuk i kanë nxjerrë vetë paraprakisht. Qytetarët nevojitet vetëm që të identifikohen me dokument personal të identifikimit, ofiçari i merr të dhënat dhe ai i mbaron procedurat administrative.

“Në të gjitha procedurat tjera që udhëhiqen në Drejtori dhe ku duhet si provë të tregohet certifikata nga Libri Amë i të Lindurve, pranohet certifikata edhe më e vjetër se 6 muaj, vetëm nëse ka vulë për vlefshmëri të pakufizuar”, thonë për Portalb.mk, nga DMLA.

Prej atje shtojnë certifikata “jo më të vjetra se gjashtë muaj” nuk do të kërkohen në DMLA, por institucionet tjera kanë rregullat e tyre.

“Për institucionet tjera shtetërore dhe personat juridik (bankat), të cilët u kërkojnë qytetarëve certifikata jo më të vjetra se gjashtë muaj, ato janë rregulla që vetë ata i kanë vendosur në punën e tyre”, thonë nga DMLA.

Paraprakisht, Portalb.mk bëri hulumtim në lidhje me atë se pse u kërkohet qytetarëve që në procedurat e DMLA-së të dorëzojnë certifikata jo më të vjetra se gjashtë.

DMLA, e konfirmoi se ata kërkojnë certifikata jo më të vjetra se gjashtë muaj, për shkak se siç thanë ata, qytetarët i keqpërdorin të dhënat dhe konfirmuan se për këtë madje kishin miratuar edhe urdhër të brendshëm.

“Në çdo certifikatë ka vulë se personi i cili i dorëzon të dhënat, përgjigjet për saktësinë e tyre nën përgjegjësi morale, materiale dhe penale. Por, në praktikë nuk është ashtu. Për shkak të ndryshimeve në emra, adresa, gjendje martesore, pranim ose mospranim të mëmësisë, gjegjësisht atësisë, qytetarët nuk i paraqesin ndryshimet në qarkullimin juridik dhe shërbehen me të dhëna të vjetra. Ata, me këtë bëjnë bigami, kur bëhet fjalë për martesë, kur e ndryshojnë emrin apo mbiemrin, kur bëhet fjalë për identitet dhe tjetër. Për këtë bëhen një sërë shkeljesh, të cilat derisa të zbulohen bëjnë dëme më të mëdha”, thonë nga DMLA për Portalb.mk, duke shtuar se periudha 6 mujore, vlerësohet si kohë optimale që të rregullohen të dhënat në evidencën amë.

Sipas ekspertëve që kontaktoi Portalb.mk, ky urdhër ishte i paligjshëm.

Portalb.mk, siguroi informata nga burime shtetërore të sigurta se, pasi e kemi publikuar storjen, DMLA e ka ndryshuar këtë urdhër intern.

DMLA në kundërshtim me veten

Portalb.mk, kërkoi detaje nga DMLA për këto informata dhe ata na dërguan një e-mail me të dhënat që i elaboruam më lartë, duke nënvizuar se ky vendim ka hyrë në fuqi prej 1 prillit të vitit 2021. Sipas kësaj, i bie që DMLA, ka dhënë përgjigje në kundërshtim me vetveten.

Portalb.mk, nga zyrtarët e DMLA-së i kërkoi të dyja urdhrat interne për t’i parë datat e miratimit, por DMLA nuk na i dorëzoi.

Veç kësaj, DMLA, nuk ka publikuar asnjë njoftim me këtë çështje në ueb-faqen e saj ku publikohen aktivitetet e kësaj Drejtorie. Por, kjo nuk e mohon faktin që në DMLA deri tani janë kërkuar certifikata “jo më të vjetra se gjashtë muaj”, duke i pasur parasysh ankesat që kanë arritur në redaksinë tonë, por edhe reagimet e qytetarëve nëpër rrjetet sociale, pasi që e publikuam storjen.

Në linqet në vijim mund t’i lexoni komentet e qytetarë në FB: Portalb.mkMeta.mkICEDA.

Portalb.mk, e zbardhi këtë çështje dhe i informon qytetarët se tani e tutje nuk guxon askush që t’u kërkojë në DMLA, certifikatë “jo më të vjetër se gjashtë muaj”. Çiftet mund të kurorëzohen vetëm me letërnjoftime apo pasaportë, ndërkaq dokumentet tjera të gjitha duhet që t’i rregullojë ofiçari. Në raste kur administratorët apo nëpunësit veprojnë në kundërshtim me këtë, apelojmë që qytetarët ta paraqesin rastin në DMLA dhe nëse nuk reagon DMLA, ta paraqesin në redaksinë tonë.

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Link deri tek origjinali: https://portalb.mk/770360-nuk-do-te-kerkohen-me-certifikatat-e-lindjes-jo-me-te-vjetra-se-6-muaj-dmla-e-shpalli-vendimin-pas-hulumtimit-te-portalbit/

Ndaje:

29349
meta tim sliki-02.jpg

ICEDA

Tekste të tjera në blog

Aliti: Prioritet kemi reformimin e administratës dhe digjitalizimin e shërbimeve në RMV

03.05.2022

Në një intervistë për Portalb.mk, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti flet për procesin e reformimit të administratës publike në Maqedoninë e Veriut. Ai thotë se prioritet kryesor si ministri e kanë digjitalizimin e shërbimeve por dhe miratimin e disa ligjeve që do të mundësojnë ri-organizimin më efikas të administratës. Intervistoi: Elida Zylbeari […]

TMERRI I PROPAGANDËS APO KUR TË VDEKURIT RINGJALLEN

27.04.2022

Dezinformatat për pushtimin ushtarak rus të Ukrainës kanë çuar në ndarje të tilla të popullatës në Maqedoni, veçanërisht atyre që informohen kryesisht nga rrjetet sociale, nga e cila tani po zhvillohet një debat online nëse ka vërtet atje luftë dhe po vuajnë civilët apo bëhet fjalë për një produksion holivudian me qëllim shkatërrimin e Rusisë. […]

Mësime nga Estonia: nga shtet i varfër post-komunist në parajsë digjitale (FOTO)

26.04.2022

Estonia është shteti që dëshmon se digjitalizimi përmirëson kualitetin e jetës së qytetarëve. Mijëra shërbime, kryesisht administrative, estonezët i kryejnë me disa klikime nga shtëpia ndërsa pritja në radhë nëpër sportele është shndërruar në një histori të largët. Ky vend baltik me 1.3 milionë banorë, në 25 vitet e fundit e ka këmbyer identitetin e […]

Stojanovski: Aktorë të ndryshëm mundohen me dezinformata të minojnë demokracinë

18.04.2022

Foto: Fisnik Xhelili, Portalb.mk Në konferencën e këtij viti “Disicon- Integriteti i informacionit” të mbajtur në Prishtinë më 13 dhe 14 prill, drejtori për partneritete dhe zhvillimin e resurseve në Fondacionin Metamorfozis, Filip Stojanovski foli për ndërhyrjet e huaja në minimin e demokracisë, si dhe punën e Fondacionit Metamorfozis në luftën kundër dezinformatave. Konferenca u […]

"RMV, është rritur përdorimi i disa shërbimeve elektronike, por ende larg nivelit të dëshiruar" - Portalb

28.03.2022

Shërbime elektronike Përdorimi i disa shërbimeve të caktuara elektronike gjatë vitit 2021, krahasuar me periudhën e vitit 2019/20 ka një rritje të lehtë. Kështu tregojnë të dhënat që i ka siguruar ICEDA në bashkëpunim me Portalb.mk, duke i krahasuar me të dhënat e hulumtimit paraprak, kur të njëjtat shërbime elektronike kanë pasur përdorim më të […]

Siguria jonë në internet varet edhe nga ne!

08.02.2022

Jeta jonë është bërë e paimagjinueshme pa internetin dhe ai është bërë një mjet i fuqishëm që e përdorim çdo ditë, si për qëllime profesionale ashtu edhe për ato personale. Interneti na jep shumë mundësi për të kursyer kohë dhe burime, për të mësuar aftësi të reja dhe për t’u dhënë përparësi përsëri vlerave. Megjithatë, […]