Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë. Të nesërmen ka pasur 30 kërcënime, e më pas, sipas protokolleve të miratuara, opinioni më nuk informohet për këtë çështje, shkruan Meta.mk.
Tetë qytete, gjithsej 905 kërcënime të rreme me bombë, nga të cilat 876 në shkolla fillore dhe të mesme. Pothuajse një e treta e kërcënimeve ndodhën të mërkurave, kurse më pak kërcënime ka pasur të hënave. Shkurti ishte muaji me më shumë kërcënime – vetëm pesë ditë gjatë javës shkollore (pa i përfshirë fundjavat), nuk kishte kërcënime të rreme për bombë të vendosur në ndonjë objekt shkollor. Shkollat fillore ishin më shpesh në shënjestër sesa shkollat e mesme.
Shkurtimisht, këto janë konkluzionet e të gjitha kërcënimeve të rreme për bomba të vendosura në vend, të cilat i analizoi Meta.mk, pas marrjes së të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke e shfrytëzuar Ligjin për Qasje të Ligji për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. MPB-ja na dha një listë me të gjitha kërcënimet për mjete shpërthyese të vendosura në shkolla dhe në 42 objekte të tjera të institucioneve.
Sipas numrave, rezulton se ka pasur gjithsej 905 kërcënime të rreme për bomba të vendosura, e po ashtu është evidente se shënjestra kryesore e kërcënuesve ishin shkollat dhe futja e frikës dhe panikut tek fëmijët dhe prindërit e tyre.
Kërcënimi i parë me bombe të vendosur ishte më 26 tetor të vitit të kaluar, ndërsa i fundit, i cili u bë publik, ishte më 2 mars të këtij viti.
Duke gjykuar nga trendi i deritanishëm i kërcënimeve, mund të konstatohet se pas miratimit të protokolleve të reja të miratuara në shkolla, kërcënimet që ndikuan dhe prishën rëndë procesin arsimor dhe shkaktuan frikë e panik te popullata, ndoshta edhe do të shuhen plotësisht.
Sipas të dhënave, më shumë kërcënime për bomba të vendosura ka pasur në shkollat fillore – 544, sesa në shkollat e mesme – 332. Kërcënime janë regjistruar në tetë qytete në të gjithë vendin, shumica prej të cilave në Shkup (836), Kumanovë (25), Prilep (17) dhe Manastir (12).
Kërcënimet e rreme për mjete shpërthyese të vendosura u dërguan nga 76 adresa e-maili. Kjo praktikisht do të thotë se mesatarisht nga një adresë e-maili janë dërguar 12 kërcënime të rreme.
Në muajin janar nxënësit ishin në pushimet e dimrit, andaj gjatë atij muaji janë regjistruar vetëm dy kërcënime të rreme për bomba të vendosura, më 5 janar, gjë që flet sërish për faktin se shënjestër e kërcënimeve rreme kanë qenë shkollat, ose më saktë nxënësit. Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor të vitit të kaluar ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë. Të nesërmen, më 2, ka pasur 30 kërcënime, e më pas, sipas protokolleve të miratuara, opinioni më nuk informohet për këtë çështje.
Në fakt, sipas protokollit të MPB-së, i cili ka filluar të funksionojë që nga fillimi i muajit, opinioni publik më nuk informohet nëse ka kërcënime për mjete shpërthyese të vendosura në shkollat fillore dhe të mesme, por edhe në objektet e tjera në vend, përveç nëse ekspertët vendosin ta bëjnë këtë. Protokollet e reja u miratuan për të reduktuar në minimum panikun dhe nervozizmin në publik dhe për ta eliminuar stresin e panevojshëm në jetën e përditshme të nxënësve, kuadrit mësimdhënës dhe prindërve.
Përveç kësaj, funksionon edhe një protokoll që konsiderohet konfidencial. Sipas dëshmive të kuadrit arsimor në shkolla, policia bën kontrolle para fillimit të mësimit, në objekte nuk mund të hyhet pa paralajmërim, sigurimi privat i kontrollon personat e jashtëm si gjatë hyrjes ashtu edhe gjatë daljes nga shkolla, si dhe kamerat duhet të incizojnë vazhdimisht.
Nuk mund të përcaktohet saktësisht një “model”, gjegjësisht skemë e caktuar në kërcënimet me bomba të vendosura, përveç se kërcënimet ishin më të shpeshta në mes ose në fund të javës së punës (shkollore) sesa në fillim.
Mitko Dimovski, drejtor i gjimnazit “Orce Nikolov” në Shkup, shkolla e cila ka pranuar më së shumti e-maile me përmbajtje kërcënuese, thotë se megjithatë ka mundësi të përcaktohet një skemë e caktuar tek dërguesit e kërcënimeve të rreme, sepse në “shënjestër” gjithmonë ishin turnet e nxënësve nga viti i dytë dhe nga viti i katërt.
“Ajo që ishte më simptomatike është se më së shumti kërcënime janë bërë kur në mësim ishin nxënësit e vitit të dytë dhe të katërt. Nuk kishte kohë të caktuar të dërgimit, por gjithmonë në të njëjtin turn. Për të mos i humbur orët, vendosëm t’i ndërrojmë turnet, gjegjësisht në turnin në të cilin shkonin nxënësit e vitit të dytë dhe të katërt, filluan të shkonin nxënësit e vitit të parë dhe të tretë. Por, përkundër kësaj, ndodhi që kërcënimet të vinin në vitin e dytë dhe të katërt. “Tani me udhëzimet e reja të MPB-së, shkolla është siguruar, bëhen kontrolle, nuk ka kërcënime sepse janë ndryshuar adresat e e-mailit dhe mësimi zhvillohet normalisht, pa ndërprerje”, tha ai për Meta.mk.
Informatikanët nuk janë optimistë se mund të gjenden kërcënuesit
Policia deri më tani ka tre të dyshuar të mitur se qëndrojnë pas disa kërcënimeve të rreme për vendosjen e mjeteve shpërthyese, por ende nuk ka epilog të këtyre rasteve.
Së pari, më 2 nëntor të vitit të kaluar, N.N. nga Shkupi është arrestuar nën dyshimin se ka lidhje me kërcënimet me bomba të vendosura, por ndaj tij nuk është ngritur kallëzim penal. Më 5 dhjetor, një i mitur nga Shkupi është akuzuar për terrorizëm. Sipas MPB-së, nga kompjuteri i tij personal, duke hyrë në rrjetin e internetit të një operatori të telekomunikimeve, ai ka krijuar një adresë elektronike përmes së cilës ka shkruar një mesazh kërcënues për vendosjen e lëndëve shpërthyese në katër shkolla të mesme.
Më vonë, më 22 dhjetor, një djalë 15-vjeçar nga Kavadari poashtu ka marrë kallëzim penal. Ai dyshohej se më 4 dhe 12 dhjetor kishte dërguar kërcënim me bombë në tri shkolla fillore dhe tri shkolla të mesme në Kavadar. Sipas MPB-së, ai i ka dërguar mesazhet përmes një adrese e-maili të “hakuar”, direkt nga kompjuteri i tij personal.
Pesë ditë më parë, për terrorizëm u akuzua edhe një i mitur 15-vjeçar. Ai, më 4 shkurt, duke përdorur telefonin e tij celular, krijoi një adresë e-maili dhe të njëjtën ditë, duke përdorur laptopin e tij nga shtëpia e tij, dërgoi një mesazh me përmbajtje kërcënuese në adresën zyrtare të e-mailit të një shkolle të mesme në Shkup.
Megjithatë, a mund të thuhet se të miturit dhe nxënësit qëndrojnë realisht pas shumicës së kërcënimeve për mjete shpërthyese të vendosura në objekte, që ndodhin jo vetëm në vend, por edhe në shumë vende të botës, mbetet një pyetje e hapur. Aq më tepër që ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në disa raste ka deklaruar se kërcënime për bomba të vendosura në shkolla paraqesin sulm hibrid ndaj shtetit, se ato janë lëshuar nga jashtë dhe se bëhet fjalë për një luftë hibride, si vazhdim i luftës së vërtetë që po bën Rusia në Ukrainë.
Për atë se nga vijnë kërcënimet, Spasovski në një rast deklaroi se ato janë dërguar nga adresa IP nga Irani, Rusia, si dhe nga adresa VPN, ofruesit e të cilave janë gjithashtu nga këto vende.
“Është interesante që pagesat për shërbimet VPN janë bërë me kriptovaluta, gjë që e bën aktivitetin e zbulimit edhe më të vështirë”, tha ai.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski ka përsëritur disa herë se lufta kibernetike dhe sulmet hibride janë pjesë e luftës që po bëhet në Ukrainë, sepse kjo nuk po ndodh vetëm në vendin tonë, por edhe në një numër të madh të vendeve anëtare të NATO-s.
Sipas njohësve të situatës, nëse bëhet fjalë realisht për kërcënime që kanë mbështetjen e vendeve të huaja, kërcënuesit, të cilët padyshim që janë “të pajisur” mjaft mirë me dije, vështirë se do të gjenden.
“Kërcënuesit përdorin serverë proxy, domethënë përdorin sisteme e-maili që nuk bashkëpunojnë me autoritetet tona të zbatimit të ligjit dhe nuk bashkëpunojnë me autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit, si FBI dhe të ngjashme. Thjesht krijohet një emër përdoruesi, ku nuk regjistrohet nga cila adresë IP dërgoni e-maile. Ato janë të regjistruar në vende që nuk bashkëpunojnë dhe përdorin sisteme e-maili ku nuk mund të zbuloni se nga cila adresë IP është dërguar një e-mail. Kjo për shkak se ka mënyra për të mbrojtur sistemet e e-mailit që nuk i ruajnë adresat IP dhe nuk kërkojnë adresa alternative gjatë regjistrimit. Për shembull, nuk është kështu me Gmail-in, aty nëse doni të hapni një adresë e-maili, duhet të vendosni dy e-maile dhe një numër telefoni për vërtetim, i cili shërben si dëshmi se ju jeni dërguesi”, shpjegon profesori Ivan Çorbev nga Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) dhe ish-dekan i fakultetit.
Ai thotë se mënyra e vetme për t’i gjurmuar dërguesit është nëse ata bëjnë ndonjë gabim, dhe atëherë të kapen. Edhe profesoresha Aleksandra Mileva nga Katedra e Teknologjive Kompjuterike dhe Sistemeve Inteligjente në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip ka mendim të ngjashëm.
“Ka shumë mënyra për të dërguar e-mail anonim ose për të lundruar në internet në mënyrë anonime, pa mundësinë që gjurmët në një mesazh elektronik ose gjurmët nga qasja në një server të caktuar të internetit të çojnë te përdoruesi i vërtetë. Ka ofrues të llogarive anonimë të postës elektronike (e-mailit) që nuk ju gjurmojnë, nuk kërkojnë asnjë informacion rreth jush gjatë regjistrimit dhe nuk mbajnë regjistra të mesazheve të dërguara. Ekzistojnë gjithashtu shërbime për dërgimin e postës elektronike, pa asnjë regjistrim, për shembull, vetëm për një përdorim (të ashtuquajturat e-maile “burner”). Por, për të fshehur me të vërtetë adresën IP të dërguesit, përdoren rrjete private virtuale speciale të ashtuquajtura “no-log” ose “zero-log” që e fshehin adresën IP të përdoruesit dhe i pengojnë faqet e internetit dhe shërbimet ta zbulojnë adresën reale të përdoruesit, dhe në të njëjtën, trafiku i realizuar përmes tyre është i koduar”, shpjegon ajo.
Politika e tyre pa regjistra (“logs”), thotë Mileva, garanton se ata nuk gjurmojnë, nuk regjistrojnë dhe nuk mbajnë regjistra të aktivitetit të përdoruesve të tyre, d.t.th. ata nuk ruajnë informacione për adresën IP, faqet e vizituara, regjistrat e trafikut, etj.
“Situata është e ngjashme edhe me përdorimin e kërkuesit në internet “Tor”, i cili e ridrejton trafikun përmes disa nyjave të rrjetit dhe e bën atë të pagjurmueshëm deri te dërguesi i vërtetë”, sqaron Mileva.
Për shkak të gjithë këtyre mekanizmave të zhvilluar mirë, profesori Çobrev mendon se është vendim i mirë që të mos zbulohen para publikut informacionet për kërcënimet me bomba të vendosura, sepse, nëse praktika tregon se ato janë të rreme, ato duhet të injorohen, siç kanë bërë autoritetet gjatë javëve të fundit.
Kjo storje hulumtuese është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjedën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe “Open Data Kosovo” (Kosovë).
Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storjeje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Link deri tek origjinali: Skema e kërcënimeve të rreme me bomba: 905 kërcënime, tetë qytete, 76 adresa e-maili (infografik) – PORTALB