“Vetëm 6,5% të kërkesave për certifikata qytetarët e RMV-së i kanë mbushur në formë elektronike gjatë vitit 2022 (Infografik)” – Portalb

Vetëm 6.5% prej kërkesave të dorëzuara nga qytetarët për nxjerrjen e certifikatës së lindjes, vdekjes apo kurorëzimit janë në formë elektronike, ndërkaq të tjerat janë dorëzuar me prani fizike. Nga ana tjetër, ka trend rritës, numri i qytetarëve të cilët caktojnë terminë për nxjerrjen e letërnjoftimit apo pasaportës nëpërmjet sistemit elektronik.
Kështu tregojnë të dhënat e siguruara nga Portalb.mk në bashkëpunim me projektin “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, për disa prej shërbimeve të caktuara në RMV të cilat më së shumti i kanë përdorur qytetarët gjatë vitit 2022.

Maqedonia e Veriut vazhdon të mos ketë bazë të të dhënave për përdorimin e shërbimeve elektronike që i japin institucionet publike. Në mungesë të të dhënave, Portalb.mk dhe ICEDA kanë siguruar të dhëna prej disa institucioneve, të cilat kanë qenë në shënjestër të hulumtimit tonë të vitit 2020, por edhe të vazhdimit të hulumtimit në vitin 2022 dhe tani bëjmë krahasim se në çfarë mase janë përdorur asokohe dhe si është situata tani.

Në Maqedoninë e Veriut jetojnë 1.525.366 qytetarë në moshë mbi 15-vjeç, sipas regjistrimit të fundit në vitin 2021. 244.651 kanë profil në portalin për e-shërbime, gjegjësisht 91.159 janë shfrytëzues të regjistruar në portal, ndërkaq 153.492 janë shfrytëzuesit për Sistemit të Vetëm Hyrës. Sipas këtyre numrave, vetëm 16% e popullatës mbi moshë 15-vjeçe në RMV kanë qasje deri te platforma nacionale për shërbime elektronike.

Në infografikun e mëposhtëm mund t’i shini numrat ndër vite të shfrytëzuesve të platformës (pa përfshirë numrin e atyre që janë të regjistruar nëpërmjet Sistemit të Vetëm Hyrës)

Numri i përdoruesve të portalit për e-shërbime, pa përfshirë përdoruesit e loguar nëpërmjet Sistemit të Vetëm Hyrës
Numri i përdoruesve të portalit për e-shërbime, pa përfshirë përdoruesit e loguar nëpërmjet Sistemit të Vetëm Hyrës

Në dhjetor të vitit 2019-të ka filluar me punë Portali Nacional për Shërbime Elektronike, i cili u mundëson qytetarëve që të kenë qasje tek informatat për shërbimet publike nga organet përkatëse dhe subjektet shtetërore. Gjithashtu, nëpërmjet këtij portali mund të dorëzohen kërkesa për marrjen e disa shërbimeve elektronike, të paguhen kompensime apo taksa administrative, të ndiqet statusi i procedurave apo të ndërmerren hapa tjerë në kryerjen e ndonjë shërbimi administrativ, megjithatë për t’i kryer këto, duhet që të hapet fillimisht llogari apo të krijohet profil “eID”.

Momentalisht, portali ofron 234 shërbime, 95 janë në portal nga gjithsej 1288 institucione. Numri i përgjithshëm i kërkesave prej vitit 2019-të është 34.084, ndërkaq në 30 ditët e fundit janë dorëzuar 1.466 kërkesa

Formularë në letër, për certifikata në letër

Se sa qytetarët e Maqedonisë i përdorin shërbimet elektronike për dokumentet më esenciale të jetës së përditshme, tregon e dhëna katastrofike e Drejtorisë për Menaxhim me Librat Amë (DMLA) e cila menaxhon me librat e gjendjes civile, gjegjësisht regjistron dhe jep certifikata të lindjes, kurorëzimit apo vdekjes.

Mbi 490.000 është numri i qytetarëve që gjatë vitit 2022 kanë mbushur formularë me prani fizike nëpër zyrat e DMLA-së , për të arritur deri te certifikata e lindjes, vdekjes apo kurorëzimit dhe disa dokumenteve tjera personale, ndërkaq vetëm 35.000 është i atyre që aplikimin për këto dokumente e kanë bërë online. Sipas këtyre numrave, vetëm 6.5% prej kërkesave të dorëzuara nga qytetarët për nxjerrjen e certifikatës së lindjes, vdekjes, kurorëzimit apo dokumenteve tjera që i ofron Drejtoria për Menaxhim me Librat amë janë në formë elektronike, ndërkaq 93,5% janë dorëzuar me prani fizike.

Dorëzimi i kërkesave në Drejtorinë për Menaxhim me Librat Amë
Dorëzimi i kërkesave në Drejtorinë për Menaxhim me Librat Amë

Numri i qytetarëve që gjatë vitit 2022 kanë mbushur formularë në mënyrë elektronike, është pothuajse identik me atë të vitit 2021 kur 34.764 qytetarë formularët shërbimet e DMLA-së i kanë mbushur nëpërmjet sistemit elektronik.

Dorëzimi i kërkesave në Drejtorinë për Menaxhim me Librat Amë në mënyrë elektronike
Dorëzimi i kërkesave në Drejtorinë për Menaxhim me Librat Amë në mënyrë elektronike

Situatë tjetër kemi, te rasti i aplikimit të qytetarëve për caktim të terminit për nxjerrjen e letërnjoftimit apo pasaportës, ku mbi 43% e qytetarëve aplikimin e kanë bërë nëpërmjet sistemit elektronik, ndërkaq 57% nëpërmjet thirrjes telefonike. Apo, llogaritur në numra, mbi 289.000 qytetarë e kanë përdorur sistemin elektronik, numër që është për mbi 116.000 më i lartë se në vitin 2021.

Mënyra e caktimit të terminëve për nxjerrjen e dokumenteve personale
Mënyra e caktimit të terminëve për nxjerrjen e dokumenteve personale

Portalb.mk ka analizuar edhe disa prej shërbimeve të Regjistrit Qendror, të cilat, qytetarët dëshirojnë më shumë t’i përdorin me prani fizike.

Kështu, gjatë vitit 2022, shërbimi “Ndalesë për kryerjen e profesionit, autorizimit”, vetëm 20,6% është përdorur në formë elektronike. Shërbimi “Ndalesë për pjesëmarrje në thirrje publike” në formë elektronike është përdorur vetëm 24,4%, ndërkaq shërbimi “Vërtetim për procedurë falimentuese” vetëm 25,7%.

Përdorimi i disa shërbimeve të regjistrit qendror në formë elektronike, krahasuar me prezencë fizike
Përdorimi i disa shërbimeve të regjistrit qendror në formë elektronike, krahasuar me prezencë fizike

Krahasuar me vitin 2021, numrat e përdorimit të këtyre tre shërbimeve në formë elektronike, thuajse janë identike.

Përdorimi i disa shërbimeve të regjistrit qendror në formë elektronike

Qytetarët shumë pak përdorin shërbime elektronike

Sipas një ankete të realizuar prej 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti nga Instituti për Hulumtime Politike – Shkup, 58.2% e qytetarëve, nëse kanë nevojë për një shërbim të caktuar, preferojnë ta kryejnë personalisht në sportel. Vetëm 33.9 për qind thonë se do ta bënin punën online nëse do të mundnin.

Sipas strukturës arsimore, hulumtimi tregon se qytetarët me arsim më cilësor kanë më shumë gjasa t’i drejtohen shërbimeve administrative online. Pra, nëse 62.1% e të anketuarve me arsim të lartë deklaruan se preferojnë shërbimet administrative online, këtë qëndrim e ndajnë vetëm 11.6% e atyre që nuk kanë mbaruar as arsimin fillor.

Anketa tregon se mbi dy të tretat e qytetarëve nuk kanë përdorur kurrë shërbim online në një institucion publik, ndërsa vetëm 26.5% kanë deklaruar se kanë përdorur shërbimet online të institucioneve shtetërore, madje 69.2 % nuk kanë tentuar asnjëherë të marrin një dokument apo shërbim online.

Sipas qytetarëve, reforma në administratën publike nuk duhet të bëhet përmes punësimeve të reja, por përmes uljes së numrit të punonjësve dhe digjitalizimit. Këtë mendim e kanë dhënë 53,3% e të anketuarve, ndërsa 23,7 për qind janë të mendimit se reforma në administratën publike duhet të synojë punësime dhe trajnime të reja.

Për sa i përket efikasitetit të institucioneve që ofrojnë shërbime administrative, shumica e qytetarëve nuk shohin ndonjë ndryshim në pesë vitet e fundit.

Nga ana tjetër, sipas hulumtimi të Portalb.mk rikujtojmë që banorët e Maqedonisë së Veriut e kanë vështirë të nxjerrin dokumente “vetëm me një klikim” në Internet. Kjo ndodh sepse shteti ofron shërbime të kufizuara elektronike, potenciali i portalit nacional nuk shfrytëzohet ndërkaq ka banorët edhe pse kanë pajisje, ata nuk kanë informata të mjaftueshme për shërbimet elektronike. Sipas hulumtimit që e bëri Portalb.mk, del në pah se madje as nuk dihet sesa gjithsej qytetarë i kanë shfrytëzuar këto shërbime, në krahasim me shërbimet tradicionale – me prezencë fizike. Nëse RMV do të digjitalizohet sikurse vendet e Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës synon të bëhet, atëherë do të hiqen nga përdorimi disa dokumente, të cilat nuk ka nevojë të ekzistojnë, pasi që të njëjtat u shtojnë qytetarëve harxhime dhe humbje kohe për të aplikuar e pritur për t’i marrë.

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerë për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Link deri tek origjinali: Vetëm 6,5% të kërkesave për certifikata qytetarët e RMV-së i kanë mbushur në formë elektronike gjatë vitit 2022 (Infografik) – PORTALB

Ndaje:

3
meta tim sliki-02.jpg

Tekste të tjera në blog

RMV, çdo ministër u lavdërua dhe u fotografua për projektin “Një pikë për shërbime” por ai asnjëherë nuk ishte i suksesshëm - Portalb

28.04.2023

Kolazh nga vizita e qeveritarëve në pikat “Një pikë për shërbime”. Foto nga institucionet zyrtare Zyrat “Një pikë për shërbime” të cilat u hapën Shkup, Kumanovë, Ohër, Manastir dhe Tetovë me qëllim që qytetarët t’i thonë “lamtumirë” pritjes në sportele, do të mbyllen dhe në vend të tyre do të hapen 333 sportele në filialet […]

Mbrojtja e identitetit tuaj digjital: Rëndësia e "Higjienës Kibernetike"

25.04.2023

Në epokën e sotme digjitale, është më e rëndësishme se kurrë të ndërmerrni hapa për të mbrojtur veten nga kërcënimet kibernetike. Nga viruset dhe softuerët keqdashës (malware) e deri te mashtrimet “phishing” dhe vjedhja e identitetit, ka një mori rreziqesh që mund të komprometojnë informacionin tuaj personal dhe të bëjnë kërdi në pajisjet tuaja. Kjo […]

Komunikimi i transformimit digjital me qytetarët – një kontribut i rëndësishëm për të kapërcyer hendekun

24.04.2023

Transformimi digjital po e ndryshon jetën tonë në mënyra që nuk mund ta imagjinonim as disa dekada më parë. Ai ka sjellë mundësi dhe sfida të reja dhe po e transformon mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe komunikojmë me njëri-tjetrin. Megjithatë, komunikimi i transformimit digjital me qytetarët mund të jetë një sfidë, veçanërisht në Ballkanin […]

Institucionet si shkaktar i shkeljes së privatësisë në media

19.04.2023

Edhe nëse autoritetet kompetente shtetërore zbulojnë të dhëna private të një dhunuesi ose të viktimës, mediat nuk duhet ta transmetojnë atë informacion. Një gabim nga ana e autoriteteve shtetërore nuk nënkupton “leje” për shkeljen e parimeve etike të profesionit. Kështu thotë Kodi i Etikës së Gazetarëve të Serbisë, por praktika mediatike shpesh është krejtësisht e […]

“ADA”, asistenti digjital i bazuar në inteligjencë artificiale që do t’u japë informata qytetarëve të RMV-së për ndihmat shtetërore - Portalb

10.04.2023

Asistenti digjital “ADA”, foto: Qeveria e RMV-së Investitorët dhe qytetarët do të mund të marrin informata në lidhje me programet e ndihmës shtetërore të Qeverisë së RMV-së nëpërmjet asistentit të parë digjital “ADA” i cili është i bazuar në inteligjencë artificiale. Kështu thonë nga Zyra e zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe Fondi për […]

RMV, përdorimi i inteligjencës artificiale në institucionet shtetërore është i dobishëm, por edhe më i rrezikshëm nëse keqpërdoret - Portalb

09.04.2023

Iteligjenca artificiale, foto: The Creation of Adam, Freepik.com Përdorim i inteligjencës artificiale në sektorin publik do të ndihmonte në rritjen e cilësisë së shërbimeve, kursimit të kohës dhe parave të qytetarëve, por rrjedhimisht edhe do të parandalonte korrupsionin. Megjithatë, nëse IA përdoret në mënyrë jotransparente, pasojat janë edhe më të mëdha se përfitimet. Kështu deklarohen […]