Të dhënat e hapura – kur oferta dhe kërkesa takohen në gjysmë të rrugës

24.11.2021

Година : 2021

Koncepti i të dhënave të hapura mbështetet në parimin e qasjes së hapur, duke i shërbyer të mirës publike përmes fuqizimit të qytetarëve, duke nxitur zhvillimin e biznesit dhe duke informuar zhvillimin social. Në Maqedoninë e Veriut, koncepti i të dhënave të hapura u prezantua dhe u promovua me anëtarësimin e vendit në Partneritetin për Qeverisje të Hapur në vitin 2011. Rrjedhimisht, në vitin 2014 u miratua Ligji për Përdorimin e të Dhënave të Sektorit Publik. Megjithatë, përveç sigurimit të një baze ligjore për të dhënat e hapura, progresi ka qenë shumë i ngadaltë. Institucionet kanë vështirësi për t’i publikuar dhe përditësuar të dhënat me të cilat punojnë dhe qytetarët ende nuk mund ta shohin potencialin e madh që mund ta sjellin këto të dhëna.

Thuhet gjerësisht se të dhënat janë lëndë djegëse fosile e së ardhmes dhe shembuj të shumtë të zhvillimit ekonomik dhe social mund ta konfirmojnë këtë deklaratë. Duke qenë se po e njohim gjithnjë e më shumë vlerën e të dhënave, është detyrë e brezit tonë të përshpejtojmë publikimin e tyre si dhe të rrisim ndërgjegjësimin për vlerën e tyre. Fondacioni Metamorfozis është thellësisht i përkushtuar për të mbështetur institucionet në Maqedoninë e Veriut për të zhvilluar infrastrukturën/burimet që të mund të vazhdojnë mbledhjen dhe publikimin e të dhënave në formate të standardizuara në mënyrë që të lejojnë përdorimin dhe ripërdorimin pa pagesë, të nxitur nga Strategjia për të Dhënat e Hapura – që në fakt, është shtylla kurrizore e procesit. Përveç trajnimit praktik të institucioneve për publikimin e grupeve të të dhënave të tyre dhe organizimit të hakatonëve për të përshpejtuar kërkesën dhe përdorimin e të dhënave, Fondacioni Metamorfozis, në kuadër të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrjen Qytetare, e mbështet harmonizimin e ligjit të Maqedonisë me Direktivën e BE-së për të Dhënat e Hapura dhe Ripërdorimin e Informacionit të Sektorit Publik për t’i bërë më ambicioze proceset e të dhënave të hapura në vend.

Edicioni i 17-të i konferencës e-Shoqëri.mk që fillon më 30 nëntor do t’u ofrojë pjesëmarrësve hapësirë për të shqyrtuar mundësitë dhe sfidat që po kalon demokracia në epokën digjitale, duke i kushtuar gjithashtu vëmendje të madhe rolit dhe vlerës së të dhënave. Në seancën Të Dhënat e Hapura: ku oferta dhe kërkesa takohen në gjysmë të rrugës, përfaqësues dhe praktikues të çmuar të kësaj kauze do t’i paraqesin pikëpamjet e tyre se si të avancohen të dhënat e hapura në Ballkanin Perëndimor. Irena Bojaxhievska, eksperte kryesore në realizimin e harmonizimit të ligjit përkatës të Maqedonisë së Veriut me Direktivën 2019/1024 do të jetë në mesin e folësve, së bashku me Delvina Haxhijahën nga Open Data Kosova, Llazar Pop Ivanov nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Nada Rakoçeviq nga Oda e Ekonomisë e Malit të Zi. Të gjithë folësit kontribuojnë vazhdimisht në përmirësimin e ekosistemit të të dhënave të hapura në vendet e tyre përkatëse dhe më gjerë, dhe sesioni premton një mjedis frymëzues për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit.

Më shumë informacion rreth konferencës dhe regjistrimit mund të gjeni në linkun e mëposhtëm: https://e-society.mk/

Konferenca e-Shoqëri.mk organizohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, në sinergji me projektet: “Rritja e Pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA” – i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe “Verifikimi i fakteve të progresit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së” – i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED) dhe “Reagimi i Shpejtë ndaj Dezinformatave për Vaksinat” – i mbështetur financiarisht nga Balkan Trust for Democracy (BTD), German Marshall Fund, SHBA. Pikëpamjet e shprehura gjatë konferencës nuk i pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.