Tetë organizatave të shoqërisë civile nga pesë vende: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia iu dhanë grante për zbatimin e projekteve pesë-mujore. Këto grante do të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve urgjente lokale dhe kombëtare në periudhën e ardhshme me qëllim të avancimit të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.

Këto grante janë të dedikuara për organizatat lokale të shoqërisë civile dhe janë ndarë në kuadër të projektit ACTION SEE – Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjet i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore – ACTION SEE – Accountability, Technology and Institutional Openness Network in SEE) nëpërmjet Qendrës për tranzicion demokratik (Center for Democratic Transition) Fondacionit Metamorfozis (Metamorphosis Foundation), Fondacionit Westminster për demokraci (Westminster Foundation for Democracy), Qendrës për hulumtim, transparencë dhe llogaridhënie (CRTA – Center for Research, Transparency and Accountability) nga Serbia, Shoqata e qytetarëve “Pse jo? (Citizens Association Why not?), Të dhënat e hapura Kosovë (Open Data Kosovo – ODK), dhe Lëvizja Mjaft! me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Organizatat që kanë fituar grante nga cikli i tretë dhe i fundit i komponentës për grante janë dhënë më poshtë.

 

Bosnja dhe Hercegovina

Forumi Liberal (Liberal Forum – www.liberalniforum.com) – “Drejt ndërmarrjeve shtetërore efikase dhe transparente” (“Towards efficient and transparent SOEs”)

Forumi Liberal, në bashkëpunim me portalin onlajn InfoRadar, do ta zbatojë projektin “Drejt ndërmarrjeve shtetërore efekikase dhe transparente” duke bërë analiza të nevojave, fushata për përfaqësim dhe diskutimit publik në panel “Konkurrencë në tregun e telekomunikacionit – mundësi të barabarta për të gjithë operatorët”. Aktivitetet do të realizohen me qëllim që të sigurohen argumente për mediat dhe gazetarët lidhur me burimet e joefikasitetit dhe kualitetit joadekuat të shërbimeve publike të ofruara nga ndërmarrjet shtetërore në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe për t’i informuar 150.000 qytetarë rreth përpjekjeve që i bëjnë operatorë publikë të telekomunikacionit për t’i përmirësuar shërbimet në mënyrë që t’i plotësojnë rekomandimet e dhëna nga analizat e fundit për efektivitetin e pritshëm për atë se si operatorët publikë mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe inkluziv, por edhe në ritmin e zbatimit të projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës.

 

Kosova

Shoqata për ngritjen e kapaciteteve “Media Plus”(Association for Capacity Improvement „Media Pulse“ – www.ngomediapulse.org) – “Së bashku për transparencë më të mirë” (“Together for better transparency”)

Në bashkëpunim me TV MIR dhe Komunën e Leposaviqit, Shoqata për ngritjen e kapaciteteve “Media Plus” synon të kontribuojë për transparencë më të mirë të administratës në Komunën e Leposaviqit dhe për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në proceset vendimmarrëse përmes zbatimit të projektit “Së bashku për transparencë më të mirë”. Qëllimet e këtij projekti do të arrihen përmes monitorimit të organit legjislativ lokal dhe ueb-faqes zyrtare të Komunës së Leposaviqit, organizimit të takimeve midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale, prezantimeve publike të përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale, realizimit të fushatës mediatike mbi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në proceset e monitorimit të administratës lokale dhe publikimit të fletushkave për të drejtat e qytetarëve të parapara me ligje që do të kontribuojnë për informimin më të madh të qytetarëve për të drejtat dhe obligimet e tyre sipas ligjit.

 

Mali i Zi

Shoqata Qendra për udhëtim dhe teknologji (OJQ NGO Travel & Technology Centre – www.facebook.com/ngo.ttc) – “Marrëdhënie efikase me publikun – qytetarë më të informuar” (“Efficient PR services – more informed citizens”)

Qëllimi kryesor i projektit është vlerësimi i efikasitetit të komunikimit ndërmjet ministrive dhe qytetarëve, si dhe dhënia e rekomandimeve për komunikim në mënyrë më profesionale, më efikase dhe më të koordinuar, që është në përputhje me qëllimet e ACTION SEE nëpërmjet rritjes së përfshirjes së shoqërisë civile dhe organizatave mediatike në krijimin e opinionit publik, procesin e krijimit të politikave dhe pjesëmarrjen në mekanizmat vendimmarrëse dhe rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile. E gjithë kjo është për t’i ndërtuar njësitë zgjedhore në shoqëri dhe për t’i zgjidhur problemet më të rëndësishme dhe është në përputhje me parimet e transparencës dhe qasjes së lirë në informatat me karakter publik. Shoqata Qendra për udhëtim dhe teknologji në bashkëpunim me Agjencinë për lajme MINA – Podgoricë, do të punojë për arritjen e qëllimeve të projektit përmes analizës ligjore, intervistave dhe fokus grupeve për gazetarët, përgatitjen e dokumenteve dhe konferencës për shtyp.

 

Republika e Maqedonisë së Veriut

Shoqata e të rinjve dhe grupeve të margjinalizuara Qendra për integrim dhe zhvillim – “Rëndësia e përdorimit të gjuhëve të komuniteteve për qeverisje të mirë në nivel lokal në komunat e Kumanovës, Çairit dhe Likovës” (“The importance of usage of languages of the communities for good governance at local level in the municipalities of Kumanovo, Cair and Lipkovo”)

Së bashku me kanalin televiziv lokal FESTA, Shoqata e të rinjve dhe grupeve të margjinalizuara: Qendra për integrim dhe zhvillim do të punojë në avancimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nëpërmjet dokumentimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në institucione të caktuara në pushtetin lokal përmes projektit “Rëndësia e përdorimit të gjuhëve të komuniteteve për qeverisje të mirë në nivel lokal në komunat e Kumanovës, Çairit dhe Likovës”. Projekti fokusohet në përcaktimin e kornizës (cilat janë rastet kur institucione të caktuara në nivel lokal përdorin gjuhë tjetër përveç maqedonishtes për komunikim me qytetarët), dokumentimin e procedurave ekzistuese (finalizim të udhëzimeve dhe rregullave ekzistuese që përdoren nga zyrtarët komunalë për komunikim me qytetarët që flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja) dhe vlerësimin/ngritjen e kapaciteteve në institucionet e zgjedhura në lidhje me atë se a ka njësi me punonjës (ekip, sektor) që mundëson komunikimin në institucion në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes dhe prezantim të raportit që do të përmbajë listë të praktikave të mira dhe rekomandimeve.

 

Shoqata Iniciativa e intelektualëve të papunë (www.ini.org.mk) – “Qytetari është inspektor i vërtetë” (“The Citizen is the real inspector”)

Së bashku me OJQ-në ”Nadezh” dhe TV STAR, Shoqata Iniciativa e intelektualëve të papunë do të punojë për zvogëlimin e numrit të shkeljeve të të drejtave të punës përmes përfshirjes në Inspektoratin e Punës në Rajonin Planifikues Lindor në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qëllimet e projektit janë planifikuar të realizohen përmes fushatave për promovimin e Ligjit për marrëdhëniet e punës në mediat sociale dhe kanalit televiziv rajonal STAR, organizimit të tryezave të rrumbullakëta në 11 komuna, krijimit të një platforme për denoncimin e shkeljeve të të drejtave të punës: dorëzimit të kërkesave për informata me karakter publik në njësitë rajonale të Inspektoratit për punë, duke analizimit të të dhënave të marra nga platforma për raportim dhe përgjigjeve të marra nga kërkesat e dorëzuara në Inspektorat, krijimit të videos me palët relevante të interesuara dhe dëshmi të viktimave të eksploatimit në punë, si dhe mbajtjen e ngjarjes së fundit për t’i promovuar arritjet e projektit.

 

Koalicioni i shoqatave qytetare “Të gjithë për gjykim të drejtë” (Www.all4fairtrials.org.mk) – “Dosja gjyqësore” (“CAFT Trial dossier”)

Koalicioni i shoqatave qytetare “Të gjithë për gjykim të drejtë” në partneritet me Radio MOF (www.radiomof.mk) e zbaton projektin “Dosja gjyqësore” i cili ka për qëllim ta përmirësojë besimin e qytetarëve në gjyqësinë e Maqedonisë së Veriut, ta përmirësojë transparencën e Gjykatës Themelore Shkup 1 dhe të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), si dhe ta lehtësojë qasjen e mediave, hulumtuesve, studentëve dhe publikut të gjerë në informatat lidhur me rastet gjyqësore të profilit të lartë. Për këtë qëllim, Koalicioni i shoqatave qytetare “Të gjithë për gjykim të drejtë” do të krijojë një nën-domen në ueb-faqen e saj (nën-faqe), ku do të publikohen të paktën 20 dosje të veprave penale të profilit të lartë të hapura nga ana e PSP-së. Këto dosje do t’i përmbajnë të gjitha informacionet e disponueshme publike, siç janë përmbledhje të rasteve, informata të përgjithshme, afate kohore, aktakuza, propozime, vendimet dhe aktgjykime, si dhe raportet e monitorimit të gjykimeve të sistemuara në një format kronologjik dhe tematik që është i lehtë për t’u përdorur. Nën-faqja do të promovohet në një ngjarje publike që do të transmetohet drejtpërdrejt, si dhe përmes mediave sociale, listave me e-maile dhe radiove.

 

Eko Natyra (www.ekonatyra.org) – “Qeverisje e mirë për mjedis të mirë jetësor” (“Good governance for a good environment”)

Eko-natyra në bashkëpunim me TV Koha do të punojë në zbatimin e projektit “Qeverisje e mirë për mjedis të mirë jetësor”, i cili synon të rrisë angazhimin e qytetarëve në krijimin e politikave që kanë të bëjnë me çështje të mjedisit jetësor në nivel lokal, gjegjësisht, të ofrojë rekomandime për pjesëmarrjen e qytetarëve në krijimin e politikave në nivel lokal për probleme që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor (si shembull do të merret komuna e Tetovës), të prezantohet model për pjesëmarrje qytetare për mbrojtjen e mjedisit jetësor në nivel lokal dhe të lobojë për transparencë më të madhe të buxhetit në nivel lokal (të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit jetësor).

 

Serbia

Instituti rregullator për burimet e renovueshme të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor (Renewables and Environment Regulatory Institute – RERI – www.reri.org.rs) – “E drejta jote – Rritja e transparencës, përgjegjësisë dhe pjesëmarrjes së publikut në projektet dhe planet e rëndësishme infrastrukturore dhe ekologjike” (“Your right – Increasing transparency, accountability and public participation in significant infrastructural and environmental project and plans”)

Projekti “E drejta jote – Rritja e transparencës, përgjegjësisë dhe pjesëmarrjes së publikut në projektet dhe planet e rëndësishme infrastrukturore dhe ekologjike” e promovon qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit nëpërmjet shfrytëzimit të instrumenteve ligjore në dispozicion për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe të drejtave të qytetarëve. Projekti e trajton problemin e mungesës së transparencës dhe të përgjegjësisë, si dhe të keqpërdorimit të pushtetit publik në krijimin e procedurave për pajtueshmërinë dhe zbatimin e projekteve që mund të kenë ndikim negativ mbi mjedisin jetësor, por edhe në ato projekte të rëndësishme të infrastrukturës, te të cilat është fokusuar vëmendja e publikut. Përmes këtij projekti, Instituti rregullator për burimet e renovueshme të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor, në bashkëpunim me të përditshmen “Danas” (Danas Daily News), do ta monitorojë punën e autoriteteve publike dhe do t’i ekspozojë autoritetet përgjegjëse dhe nëpunësit publikë për përgjegjësi ligjore dhe shoqërore në rastet kur mjedisi jetësor dhe interesat publike janë të rrezikuara nga proceset jo-transparente dhe jo-përfshirëse të planifikimit dhe të ndërtimit.

Ndaje: