Analizë: Në sektorin e TI-së në RMV, hendeku midis burrave dhe grave pothuajse nuk ekziston fare

Ndryshe nga sektorët e tjerë në ekonominë e Maqedonisë, sektori i TI-së shquhet me atë që hendeku midis burrave dhe grave pothuajse nuk ekziston fare. Në disa degë të industrisë, të tilla si marketingu digjital, raporti është 50 për qind gra kundrejt 40 për qind burra, shkruan Meta.mk.

Me kalimin e viteve, rritet edhe numri i grave të diplomuara në arsimin formal. Nëse në vitin 2013, në Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FETI) kanë diplomuar 86 studente, vitin e kaluar numri i tyre arriti në 144. Situata është e ngjashme edhe në Fakultetin e Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK), ku para shtatë vitesh kishte vetëm 17 studente të diplomuara, ndërsa vitin e kaluar diplomuan 81 studente.

Se këta numra po rriten, pohon edhe kryetarja e Odës Ekonomike të Teknologjive të Informacionit dhe të Komunikimit – MASIT, Aneta Pesheva. Në një prononcim për Meta.mk, ajo thotë se kur u regjistrua në fakultet, kishte vetëm 4 vajza, ndërsa tani numri i tyre është pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të studentëve të regjistruar.

Aneta Pesheva, Kryetare e MASIT / Foto: Ueb-faqja e MASIT

“Numri i grave në sektorin e TI-së është i kënaqshëm dhe vendi ynë mund të krenohet me këtë. Unë jam shumë e kënaqur me mënyrën se si zhvillohet tregimi i kësaj industrie në vendin tonë. Shifrat flasin vetë” – deklaroi Pesheva.

Siç thekson ajo, vendi ynë është një nga vendet e rralla që mund të mburret me një mesatare prej 36% të grave në sektorin e TI-së, që është krah për krah me Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilat janë një nga vendet më të zhvilluara në aspekt të TI-së në Evropë.

“Nëse arrijmë ta mbajmë këtë trend, që në fakt duhet të vazhdojë, vendi do të ketë vërtet diçka me të cilën mund të krenohet.” Kjo është arsyeja pse unë vazhdimisht u bëj thirrje vajzave dhe grave që të regjistrohen në studime që lidhen me sektorin e TI-së, sepse kjo u ofron atyre një punë më të sigurt, në të njëjtën kohë ato bëhen të pavarura, ndërsa siguria ekonomike sjell barazi” – theksoi kryetarja e MASIT-it.

Aktualisht në tregun e punës, në fushën e informacionit dhe komunikimit ka 341 vende të lira pune, ndërsa sipas profesioneve më të kërkuara, titulli i programuesit ka 92 vende të lira pune, sipas ueb-faqes së Agjencisë së Punësimit të RMV-së.

Nga Women in Tech Macedonia, një organizatë që punon për të zvogëluar hendekun gjinor në sektorin e TI-së dhe për të informuar vajzat për këtë industri, konsiderojnë se në të ardhmen publiku do të shohë gjithnjë e më shumë gra në teknologji.

Katerina Trajçevska, Women in Tech Macedonia / Foto: Ueb-faqja e Women in Tech Macedonia

“Çdo vit gjithnjë e më shumë vajza regjistrohen në shkencat e teknologjisë, dhe ka një numër të madh akademish që bëjnë një punë të shkëlqyeshme në promovimin e opsioneve të industrisë tek vajzat e reja, por edhe tek gratë që mendojnë të rikualifikohen. Në anën tjetër, nevojat për personel teknologjik në Maqedoni janë vazhdimisht në rritje dhe punësimi është relativisht i lehtë për këdo që ka fituar aftësi në këtë fushë përmes arsimit formal ose joformal” – deklaroi Katerina Trajçevska për Meta.mk.

Duke e ndjekur numrin e vajzave që çdo vit vendosin të studiojnë inxhinieri dhe shkenca kompjuterike në krahasim me fakultetet e tjera, Trajçevska konsideron se situata në vendin tonë është më e mirë se në vendet e tjera.

“Për fat të keq, mendoj se kjo është rezultat i mungesës së prosperitetit në degët tjera, e jo i dëshirës reale për të punuar në TI, që nuk është zgjidhje reale e problemit. Industria e TI-së në të gjithë botën, po edhe këtu, po përballet me mungesë të kuadrit. Kjo është një kohë e shkëlqyeshme për të filluar një karrierë në këtë fushë, ndërsa mundësitë për punë dhe përparim janë shumë më të mëdha se në çdo industri tjetër” – shton ajo.

Sipas Trajçevskës, ajo që është problem kryesor kur bëhet fjalë për numrin e grave në industri është perceptimi i inxhinierisë si një profesion mashkullor dhe mungesa e informacionit për të kundërtën. Ajo kishte një përvojë të ngjashme kur zgjodhi drejtimin e studimit dhe ishte në prag, siç thotë ajo, ta “gabojë” profesionin, i cili ndoshta nuk do të ishte i përshtatshëm për të, vetëm për shkak të mungesës së informacionit për të gjitha mundësitë që i kishte në dispozicion.

Në vendin tonë, jashtë arsimit formal, ka shumë organizata që mbajnë kurse, por edhe akademi vjetore në lidhje me studimet në sektorin e TI-së. Disa prej tyre janë Brainster, dhe Code Academy, me të cilët Meta.mk bisedoi rreth kësaj teme. Të dy organizatat janë të bindura se nuk ka pothuajse asnjë hendek gjinor në akademitë e tyre, gjegjësisht gratë janë njësoj të interesuara për të fituar njohuri të reja përmes akademive në sektorin e TI-së.

Në Brainster thonë se gjithnjë e më shumë gra po bashkohen me ekipin e tyre, si në pjesën e trajnuesve, ashtu edhe në fusha të tjera. Që në fillim, në Akademitë e Brainster kanë vërejtur se jo vetëm që nuk ekziston i ashtuquajturi hendek gjinor, përkundrazi, aty ku ekzistonte, ishte më shpesh në favor të grave.

Ekipi i Brainster / Foto: Arkivi personal i Brainster

“Akademia e marketingut digjital gjithmonë është dominuar nga gratë, në fillim me një raport prej 70-30% në favor të grave, ndërsa në gjeneratat e fundit raporti po i afrohet 60-40%. Në Akademinë e dizajnit grafik, raporti po ashtu është në favor të studenteve, edhe pse jo aq sa në marketing. Akademitë e programimit kanë deri diku një ekuilibër, kështu që nëse në vitet e para numri i burrave ishte më i lartë, tani pothuajse në çdo gjeneratë kemi grupe të ekuilibruara, veçanërisht në akademitë e programimit front-end. Ekuilibri është i qëndrueshëm në Akademinë e shkencës së të dhënave, tashmë në 4 grupe, ndërsa në Akademinë për testuesit e programeve, në tetë grupet e formuara deri më tani, numri i grave është dukshëm më i lartë. Në akademinë e fundit për dizajn UX/UI, dy grupet e para janë mjaft të ekuilibruara, mbetet të shihet si do të shkojë puna më tutje” – thotë Darjan Radenkoviq nga Brainster për Meta.mk.

Këtu ndërlidhet edhe Marija Ilovska, Konsulente dhe Menaxhere për Burimet Njerëzore në Code Academy, e cila thotë se hendeku gjinor pothuajse nuk ekziston. E rëndësishme është qasja ndaj punës dhe rezultatet, e jo përkatësia gjinore, konsideron Ilovska.

Ajo thekson se vitet e fundit definitivisht ka pasur një rritje të interesit të grave për akademitë dhe kurset e programimit që i ofron Code Academy.

Marijana Ilovska, Konsulente dhe Menaxhere për Burimet Njerëzore në Code Academy / Foto: Code Academy

“Përqindja e grave programuese në ndërmarrjet e TI-së po rritet ndjeshëm, gjegjësisht në disa kompani të TI-s definitivisht mund të them se përqindjet mund të jenë 40% gra 60% burra, që është një përqindje e shkëlqyeshme” – thekson Ilovska.

Anketa e it.mk, e kryer në vitin 2019, ku morën pjesë gjithsej 1.135 profesionistë të TI-së, nga të cilët 856 në aktivitetet e zhvillimit të softuerëve dhe programimit, i tregon ndryshimet në përfaqësimin e grave dhe burrave në këtë sektor, duke përfshirë edhe ndryshimin në rrogë.

Dallimi më i madh është midis programuesve, zhvilluesve të softuerit dhe SYSAdmins, ku burrat janë të përfaqësuar me 80 për qind, ndërsa gratë me 19 për qind. Situata është e ngjashme edhe te dizajnuesit, ku vetëm 27 për qind janë gra, ndërsa 72 për qind burra. Ka pothuajse një numër të barabartë të të dyja gjinive në industrinë e marketingut digjital, ku gratë janë të përfaqësuara pak më shumë (55 për qind) sesa burrat (44 për qind).

Përveç faktit që profesionet në sektorin e TI-së paguhen shumë për standardin tonë të jetesës, ato sjellin me vete edhe fleksibilitetin për sa i përket punës nga shtëpia, gjë që në kushtet e pandemisë është një plus i madh. Në pyetjen e Meta.mk drejtuar Akademive Brainster dhe Code Academy nëse këta faktorë do të jenë momente vendimtare për shkak të të cilave mund të priten transferime nga profesionet e tjera në sektorin e TI-së, ata thonë se transferimi u bë “në një shkallë të gjerë” edhe para pandemisë, kurse me të procesi u përshpejtua edhe më tepër.

“Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, mbi 3.000 njerëz kanë kaluar nëpër Akademitë tona në kërkim të një karriere të re ose më të mirë në TI dhe në fushat digjitale, dhe së bashku me kurset, ky numër është mbi 8.000. Pandemia definitivisht e ka përshpejtuar këtë proces, kështu që mbi 800 studentë janë regjistruar në Brainster vetëm këtë vjeshtë” – tha Radenkoviq.

Iloska nga Code Academy thekson se fleksibiliteti i orëve të punës, mundësia për të punuar nga shtëpia, për të pasur më shumë kohë që një vajzë, grua, nënë, bashkëshorte realisht e ka në jetën e përditshme, si dhe rreziku i zvogëluar për të mbetur pa angazhim në punë në rast pandemie dhe situatash të tjera të paparashikueshme, i motivon në mënyrë shtesë gratë që të aplikojnë në Akademi dhe të vendosin të studiojnë këtë lloj teknologjie, pavarësisht se a do ta zgjedhin arsimin formal ose atë joformal.

“Fleksibiliteti për të punuar në distancë patjetër që do të ndikojë në zgjedhjen, por në mjedisin tonë ndoshta për një kohë të gjatë motivuesit kryesorë do të jenë puna në një mjedis më krijues dhe më progresiv, mundësitë për avancim në karrierë, ndërtimi i një karriere rezistente ndaj ndryshimeve në të ardhmen dhe natyrisht aspektin financiar, i cili në TI dhe në industritë digjitale mbetet akoma shumë mbi mesataren” – thekson Radenkoviq.

Megjithatë, me shfaqjen e koronavirusit dhe shpalljen e pandemisë, edhe ky sektor i ndjen pasojat. Pamundësia për të vizituar klientët, rënia e ndjeshme e performancës së shitjeve, si dhe problemet në sigurimin e burimeve të prodhimit, janë disa nga ndikimet negative që MASIT-i i thekson në studimin e efekteve të virusit mbi industrinë e TIK-ut.

Por, nuk ka dyshim se kjo industri që është bartëse e ndryshimeve, madje edhe para shfaqjes së pandemisë, ishte e vetëdijshme për përfitimet, cilësitë dhe përfitimet së i sjell transformimi dhe teknologjia digjitale. Duket se shfaqja e situatave të paparashikueshme si pandemia në të gjithë botën, do të nxjerrë në pah vetëm nevojën për digjitalizim më të shpejtë të shoqërive, gjë që do të rrisë kërkesën për kuadër profesional.

Përndryshe, vitin e kaluar Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis” dhe Shoqata për Komunikime Progresive në kuadër të projektit të Fondacionit Metamorfozis “Avancimi, formësimi dhe mbështetja e lirive në internet” përgatitën një dokument për hartëzimin gjinor në fushën e TIK-ut në Maqedoni.

Përfundimet e hulumtimit janë se normat shoqërore patriarkale i inkurajojnë burrat drejt TIK-ut, ndërsa mungesa e grave shembuj në këtë fushë, i shtyn më tej gratë drejt vendeve të punës me rroga më të ulëta në ekonomi. Prandaj, siç thuhet në dokument, është e nevojshme të promovohet TIK-u si mundësi profesionale për vajzat dhe gratë. Në mënyrë që të fuqizohen gratë, programet digjitale të TIK-ut duhet t’i marrin parasysh pengesat në qasjen e grave në këto programe.

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Ndaje:

2
meta tim sliki-02.jpg

Tekste të tjera në blog

Forumi i Qeverisjes së Internetit në Japoni bën thirrje për përpjekje të përbashkëta në ndërtimin e një interneti që i fuqizon të gjithë njerëzit

02.12.2023

Koment në Forumin e Qeverisjes së Internetit në Kioto nga Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis Forumi i Qeverisjes së Internetit (IGF) është një nga platformat më të rëndësishme kur bëhet fjalë për politikat e internetit. Ai shërben si një forum vjetor që mbahet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara duke u mundësuar palëve […]

SI TË (MBI)JETOJMË NË NJË SHOQËRI TË PËRMBYTUR NGA URREJTJA NË INTERNET?

14.11.2023

Fotoja nga Freepik Një nga sfidat më të mëdha kur ne si aktivistë/e kuir (“queer”) përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin publik dhe vullnetin institucional për jetën tonë të përditshme është të qëndrojmë të qetë, të arsyeshëm dhe të sigurt përballë përhapjes së madhe të gjuhës së urrejtjes ndaj nesh dhe komuniteteve tona. Periudhën e kaluar, si […]

RMV, nuk sanksionohet gjuha e urrejtes në internet, posaçërisht ndaj grave – PORTALB

13.11.2023

Gjuha e urrejtjes në internet në RMV. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavi nga Kb group në Canva) Në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, […]

Balancimi midis Lirisë së të shprehurit dhe Gjuhës së urrejtjes

10.11.2023

Liria e shprehjes është një bazë themelore e një shoqërie demokratike. Paaftësia e shtetit për të kufizuar këtë të drejtë, pa një ” arsye të justifikueshme “, është një tregues i nivelit të pjekurisë demokratike të një shoqërie. E drejta për lirinë e shprehjes është e garantuar nga një seri aktesh ligjore ndërkombëtare, të cilat […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës

10.11.2023

Foto nga cottonbro studio / Pexels Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës – PORTALB

09.11.2023

Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve që përhapin gjuhën e urrejtjes po […]