Një vështrim nga afër i qeverive që përdorin Inteligjencën Artificiale (IA)

Photo by Markus Winkler

Unsplash / Markus Winkler

Kush do ta imagjinonte 30 vjet më parë që njerëzit – madje edhe të moshuarit ose ata që nuk kishin aftësi kompjuterike – do të votonin përmes kësaj gjëje të çuditshme të re të quajtur Internet? Votimi në internet është praktikë në Estoni për më shumë se një dekadë. Pas tridhjetë vitesh nga tani, praktikat e sotme të qeverisë ndoshta do të dukeshin arkaike, madje parahistorike. Çfarë mund të presim nga qeveritë e ardhshme në vitet në vijim, duke pasur parasysh teknologjitë e inteligjencës artificiale (IA) dhe atë që tashmë po përgatitet?

Shtatorin e kaluar, rrjeti ICEDA kishte mundësinë të mësonte për mrekullitë e shtetit digjital estonez direkt nga ata që janë në radhët e para të artit dhe praktikës së qeverisë digjitale, duke eksperimentuar me guxim në drejtime që shpesh janë akoma të paimagjinueshme për pjesën tjetër të botës. Kampionët i ndanë përvojat, strategjitë dhe këshillat e tyre. Ky vend i vogël dhe shumë inovativ baltik shpiku dhe zbatoi diçka si “blockchain” bile edhe para se të shpiket “Bitcoin”-i, teknologji e shpërndarë e bazës së të dhënave e cila është një nga përbërësit kryesorë të e-Estonisë së famshme. Një mendim që doli nga diskutimi me pjesëmarrësit është si vijon: “Njerëzit nuk dëshirojnë të komunikojnë me qeverinë, do të ishte ideale të eliminohej ky kontakt!” Nga përvoja personale, njerëzit shqetësohen sa herë që duhet të komunikojnë me punonjësit e administratës publike për të marrë një vulë zyrtare në dokument. Nuk është vetëm pritja në rreshta dhe mëngjeset e harxhuara kot, por edhe fakti që e gjithë kjo nuk është e nevojshme. Në një botë të përsosur, njerëzit do të merrnin shërbime publike nga komoditeti i shtëpive të tyre me një klikim të bërë brenda disa milisekondave dhe do ta preferonin këtë mundësi në krahasim me atë tradicionalen. Për më tepër, brezat e lindur në botën digjitale kanë pritje të ndryshme nga çdo sistem i vjetëruar i burokracisë. Çfarë do të prisnit – dhe çfarë do të kërkonit – nga qeveria dhe nga administrata publike në vitin 2050?

Përparimet e fundit në teknologjitë digjitale dhe përdorimi i tyre i gjerë në jetën tonë të përditshme e bëjnë botën një vend shumë më ndryshe. Shpejtësia e transformimit, dhe thënia “softueri e ha botën”, thellohet dhe rritet. Ky artikull do të përqendrohet në përdorimin e IA në shërbimet qeveritare dhe publike.

 

Bazat e teknologjive të IA

   Unsplash / Franki Chamaki

Unsplash / Franki Chamaki

Ne jemi akoma larg fantazisë në të cilën inteligjenca makinerikee tejkalon inteligjencën njerëzore në të gjitha fushat, por shpesh nuk e kuptojmë se sistemet e ndryshme të IA janë tashmë pranë nesh dhe të pranishme në jetën tonë dhe se nuk mund ta imagjinojmë jetën pa to, madje as sot.

Kur kërkojmë në “Google”, sistemi është i mençur për të lexuar qëllimin tonë dhe për të na dhënë atë që na duhet për një sekondë. Kur përdorim “Google Maps”, algoritmi i kërkimit është mjaft i zgjuar për të na ofruar një rrugë optimale. Ne nuk i shohim, e as nuk i dimë parametrat e panumërt që analizohen në prapavijë. Kjo është IA. Një grumbull i pikave të të dhënave dhe i algoritmeve të përparuara që përdorin shumë të dhëna për të zgjidhur një problem, nga fitimi i një loje shahu e deri te ndihma për të qarkulluar pa probleme në internet dhe rrugët e qytetit në të cilin ndodhemi.

Le të flasim për shahun, ku një makinë, gjegjësisht një program kompjuterik, mund ta provojë efektivitetin e mijëra lëvizjeve pasuese, ndërsa ju mendoni se cilën figurë do ta lëvizni dhe t’i mundni me lehtësi lojtarët më të mirë të shahut në botë. Deep Blue AI i IBM e “shkeli” Gari Kasparovin në vitin 1997. Inteligjencë shumë e ngushtë, por spektakolare.

IA është gjithashtu edhe në telefonat tanë. Përndryshe , si mund të ishin fotot tona të natës kaq të bukura? Algoritmet i bëjnë ato më të bukura. Përndryshe, si mund të “shohë” telefoni shumë më mirë se sytë tanë? Telefonat e rinj të mençur vijnë me algoritme në kamerë që i bëjnë fotografitë tona më të mira se kurrë. Ato i njohin fytyrat, vendndodhjen tonë ose pozicionin e diellit, kështu që ne nuk duhet t’i rregullojmë manualisht cilësimet. Ne gjithashtu mund të flasim edhe me telefonat dhe kompjuterët tanë. Përdoruesit e Iphone flasin me Siri-n, ndërsa të gjithë përdoruesit e Android përdorin asistentët digjitalë të Google. Ju gjithashtu mund të bisedoni edhe me Alexa-n e Amazonit. Ajo është një asistente shtëpiake që mund ta pyesni se si do të jetë moti të enjten e ardhshme. Kjo quhet njohja e të folurit. Ne gjithashtu mund të flasim edhe me sistemet e IA. Teknika quhet përpunimi i gjuhës natyrore, dhe në këtë rast kompjuterët e kuptojnë gjuhën natyrore.

IA është gjithashtu e pranishme në lojëra, ku i kontrollon agjentët me të cilët luftojmë. Ajo është gjithashtu e pranishme edhe në financa, ku mund të vlerësojë aftësinë tonë për të marrë kredi për disa minuta. Në Kinë, e cila duket se është përpara Perëndimit me këtë teknologji, bankat mobile të Kinës marrin vendime për kredi për 1 sekondë. Jo vetëm që IA e bëri procesin të shpejtë si rrufeja, por gjithashtu u mundësoi njerëzve të zakonshëm dhe pronarëve të bizneseve të vogla të fitojnë qasje në bankë, që dikur ishte shumë më e vështirë, bile edhe e pamundur.

IA është një “bishë digjitale”. Kur ndeshet me realitetin fizik, së pari e digjitalizon atë. “Vizioni kompjuterik është një fushë e IA që i trajnon kompjuterët për ta interpretuar dhe kuptuar botën vizuale”. Kamerat e rrugës së pari regjistrojnë atë që ndodh, i identifikojnë dhe i klasifikojnë objektet në video dhe pastaj, të themi, i njohin njerëzit në të duke përdorur teknologji për njohjen e fytyrës. Algoritmi i përshkon të gjitha bazat e të dhënave ekzistuese të personave dhe i njeh identitetet duke bërë përputhje të tyre. Kjo është potencialisht e shkëlqyeshme për sigurinë publike, por është gjithashtu shumë problematike për privatësinë dhe kontrollin. E njëjta teknologji i drejton dyqanet e së ardhmes si në Videot e “Amazon Go”.

Një nga gjërat e mëdha të radhës janë automobilat autonomë, “vetë-drejtues” (automobila që lëvizin pa njeri pas timonit). Ndërsa ende nuk e kemi arritur plotësisht atje – vozitje në qytet pa ndonjë ndërhyrje njerëzore – shumë ekspertë bien dakord se kjo do të ndodhë në vitet e ardhshme. Ajo është IA dhe do të jetë ndryshimi më i madh në historinë e transportit. Lehtë mund ta imagjinojmë një robo taksi, diçka që Elon Musk dhe Tesla tashmë e premtojnë; Ju blini një automobil dhe e jepni me qira si një robo taksi kur nuk e drejtoni atë dhe fitoni ndërsa flini.

IA është (tashmë) kudo. Disa madje e quajnë atë energjia elektrike e re pikërisht për shkak të kësaj. Megjithëse janë artificiale për nga natyra, mund të thuhet se sistemet e AI janë – kur projektohen siç duhet, duke përdorur të ashtuquajturin “dizajn i orientuar drejt njeriut” – gjithashtu shumë njerëzore. Qëllimi i tyre, ndër të tjera, është t’i çlirojnë njerëzit nga detyra të panevojshme të përsëritura dhe të mërzitshme dhe ta forcojnë potencialin njerëzor.

AI është tashmë e pranishme tek qeveritë në shumë forma, në sfond, madje edhe në shoqëritë dhe qeveritë jo aq të përparuara në aspekt digjital, si ato në rajonin e Ballkanit.

Një shembull i inteligjencës së ngushtë do të ishte procesi aktual i vaksinimit në Serbi. Ju vendosni emrin tuaj, numrin e letërnjoftimit dhe qytetin tuaj të preferuar, dhe një algoritëm i thjeshtë ju jep datën e parë të disponueshme dhe ju lidh me vendin e vaksinimit dhe më pas e automatizon komunikimin me institucionet shëndetësore dhe stafin mjekësor. Përpjekje të ngjashme janë bërë edhe në vendet e tjera të rajonit, si p.sh. në Maqedoninë e Veriut, por ato nuk janë aq të automatizuara.

Përdorimi i zgjuar i algoritmeve në qeveritë e Ballkanit Perëndimor mund të shihet në sistemet e prokurimit elektronik, këshillimin profesional dhe këshillimin për karrierë, menaxhimin digjital të proceseve dhe procedurave të brendshme, zbulimin e mashtrimeve tatimore, etj. Elemente të IA-së mund të gjenden edhe në gjyqësor. Në Maqedoninë e Veriut, që nga viti 2010 përdoret Sistemi informativ për shpërndarjen automatike të lëndëve gjyqësore (AKMIS), duke e zëvendësuar shpërndarjen manuale të lëndëve. Baza e të dhënave të tij është e vendosur në Gjykatën Supreme dhe qasje në të mund të kenë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe kryetarët e Gjykatave Themelore. Meqenëse ka pasur shumë raste në të kaluarën kur përdorimi i tij ishte lënë pas dore, në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2020, një nga rekomandimet kryesore për Gjyqësorin dhe të drejtat themelore (Kapitulli 23) në vitin 2021 është të përmirësohet ky sistem për të siguruar funksionalitetin dhe sigurinë e tij të plotë.

Publikimet “alGOVritmet – Trendet aktuale” dhe “alGOVritmet 2.0 – Trendet aktuale” citojnë disa shembuj të vendimmarrjes së automatizuar në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë dhe paraqesin rekomandime të politikave për vendimmarrësit për ta bërë këtë më të mirë, në mënyrë më transparente dhe më të drejtë.

 

Çfarë saktësisht është qeveria?

Si çdo organizatë tjetër, qeveria është një grup njerëzish, gjegjësisht sistemi që qeveris një shtet ose komunitet. Ata kryejnë një numër detyrash të vogla për çdo ditë, duke ndjekur rregulla dhe procedura të përcaktuara dhe të definuara mirë, me qëllim që t’i shërbejë publikut dhe qytetarëve.

Ndoshta mund të themi se ajo përbëhet nga të paktën dy pjesë. Pjesa e parë (vendimmarrësit, nëpunësit publik) është politike, në të cilën merren vendime, strategji dhe politika, ndërsa e dyta është një pjesë më teknike, profesionale. Pjesa e dytë (nëpunësit shtetërorë) është pjesa “operacionale” – ata identifikojnë, monitorojnë, komunikojnë kërkesa dhe miratime, menaxhojnë burimet, bëjnë llogaritjet, lëshojnë lejet, etj. Nëse e shikojmë më thellë këtë pjesë, me siguri do të kuptojmë se shumë nga detyrat e bëra brenda qeverisë dhe sektorit publik janë hapa përsëritës dhe logjikë.

A ka paguar tatimin, për shembull, ndonjë Filip? Nëse jo, kur duhet të njoftohet? Sa duhet të paguaj? Çfarë mesazhi duhet t’i dërgohet atij dhe çfarë udhëzimi? I gjithë ky informacion ekziston në sisteme dhe baza të ndryshme të të dhënave. Nëse të gjitha të dhënat do të ishin digjitale dhe të ndërlidhura, një sistem kompjuterik i përforcuar me algoritme të fuqishme mund të automatizonte pjesë të mëdha të proceseve të këtilla. Regjistrimi i automobilit, vërtetimi i pronësisë, krijimi i një kompanie ose noterizimi i dokumenteve të rëndësishme – shumë prej këtyre funksioneve mund të automatizohen dhe këto kompetenca t’u delegohen kompjuterëve. Me një ndihmë të vogël nga algoritmet e përparuara, qeveritë dhe qytetarët mund të kursejnë shumë orë dhe të kalojnë kohën e tyre të çmuar duke bërë gjëra më të rëndësishme.

 

Çfarë ndodh kur do të zbatojmë teknologjitë e IA në punëmn e qeverisë dhe të sektorit publik?

Pse të mbledhim ose të pjesëtojmë numra të mëdhenj me dorë dhe në një copë letër kur kemi një kalkulator? Kjo është ndoshta analogjia e përshtatshme për shumë raste të mundshme.

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e BE-së, diçka që ka pasoja të ndryshme. Njëra prej tyre është mënyra se si i kalojmë kufijtë e aeroporteve. Megjithëse mund të lëvizim lirshëm falë “Shengenit të Bardhë”, megjithatë presim radhë më të gjata në aeroport. Në disa aeroporte, qytetarët e BE-së mund të kalojnë vetëm duke i treguar pasaportat e tyre në makinë dhe duke e parë kamerën. Si është e mundur kjo? Ekziston një bazë e të dhënave e përbashkët e fytyrave dhe algoritme të furnizuar me teknologji për njohjen e fytyrës. Sistemet kompjuterike e njohin fytyrën tuaj dhe janë mjaft të zgjuar për të lexuar pasaportat tuaja, kështu që ju thjesht mund të vazhdoni. “Voila!” Kufijtë mund të jenë jashtëzakonisht zhgënjyes, prandaj imagjinoni një zgjidhje si kjo që mund t’i minimizojë “vuajtjet” e panevojshme të njerëzve.

Po disa shembuj të tjerë të përdorimit të IA në qeveri dhe sektorin publik? Le t’i kthehemi Estonisë, ku qëllimi i qeverisë është të sigurojë një përvojë me “burokraci zero”. Si e përdor Estonia IA në ofrimin e shërbimeve publike?

Një nga gjërat që është me të vërtet “cool”, që së shpejti do të shpaloset janë Asistentët zanorë me IA të #KrattAI. Së shpejti, qytetarët estonezë do të jenë në gjendje të regjistrojnë kompani duke folur në telefonat e tyre që do ta kuptojnë gjuhën njerëzore dhe do të pajisen për të qenë në gjendje ta kryejnë të gjithë procesin e regjistrimit në mënyrë të patëmetë.

IA gjithashtu mund të ndihmojë edhe të papunët. Në një aplikacion të IA, sistemi i mësimit automatik i lidh të papunët e fundit me punonjësit duke u bazuar në aftësitë e tyre. CV-të regjistrohen në një sistem që i lidh aftësitë e tyre me punëdhënësit e mundshëm. Sistemet kompjuterike për lidhje janë përmirësuar: 72 për qind e punëtorëve të punësuar përmes sistemit janë ende të punësuar pas gjashtë muajsh, krahasuar me 58 për qind para se sistemi të lëshohej në përdorim.

Ekziston një shembull tjetër shumë interesant i përdorimit të incizimeve dhe teknikës satelitore për të mësuarit e thellë. Satelitët e Agjencisë Evropiane të Hapësirës përdoren për të kontrolluar fermerët e subvencionuar nga qeveria për t’i kositur arat me bar në vend që të bëhen kontrolle (fizike) në terren. Algoritmet e të mësuarit të thellë i analizojnë pikselët e fotografive për të përcaktuar se çfarë po ndodh në terren, pa pasur nevojë për vizita të rregullta të inspektimit. Ky sistem ka kursyer 665,000 euro nga paratë publike në vitin e parë të përdorimit. Se si funksionojnë këto sisteme, mund të mësoni më shumë këtu.

Le të shkojmë në pjesën tjetër të botës, në Kinë, në Azi.

Një nga konceptet interesante për t’u shënuar është inteligjenca e shtuar (augmented intelligence). Me pak fjalë, bëhet fjalë për një bashkëpunim midis njeriut dhe makinës, ku inteligjenca e makinës i drejton dhe i përmirëson vendimet njerëzore.

Qyteti Shenzhen në Kinë, është një nga qytetet kryesore të teknologjisë në botë. Qyteti ka partneritet me shumë kompani private për të instaluar sensorë dhe kamera inteligjente kudo. Transporti publik nuk vonohet kurrë dhe gjithçka është optimizuar pothuajse në mënyrë të përsosur përmes përdorimit të algoritmeve kompjuterikë.

  "Smart city brain" of LOC in Shenzhen

“Smart city brain” of LOC in Shenzhen

Të dhënat racionalizohen dhe analizohen nga një “Tru i qytetit” i madh artificial. Pastaj, e gjithë kjo vizualizohet në një mënyrë miqësore ndaj njeriut, në mënyrë që nëpunësit civilë të mund ta përdorin këtë superfuqi për të monitoruar të gjitha dinamikat përkatëse duke hedhur vetëm një vështrim. Thjesht nuk ka asnjë mënyrë që njeriu ta bëjë gjithë atë matematikë. Makinat e bëjnë këtë për disa milisekonda. Optimizimi dhe performanca janë në maksimumin e tyre. Janë bërë shumë hulumtime të mira për IA në Kinë, dhe shumë prej tyre ngrenë shqetësime në lidhje me mbikëqyrjen dhe kontrollin.

Një pjesë e teknologjisë kineze për njohjen e fytyrës përdoret edhe në Beograd, Serbi. Edhe pse kjo teknologji premton siguri publike, nëse zbatohet pa rregulla të duhura për të mbrojtur privatësinë, ajo mund të jetë e rrezikshme. Një hulumtim e analizon këtë sistem dhe rreziqet e tij të mundshme në Serbi. Në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, këto sisteme aktualisht nuk janë vënë në funksion.

Kemi një rrugë të gjatë për të kaluar deri te cilido nga sistemet e paraqitura shkurtimisht më sipër, përplot me ide të guximshme, testime dhe eksperimentime me miliona herë, revizione të sigurisë, vlerësime të ndikimit, hulumtime të paragjykimeve të mundshme, iniciativa dhe ndryshime të politikave, dhe përmirësime të ambientit rregullator dhe ligjor.

Të gjitha sistemet e IA kërkojnë një numër të madh të të dhënave cilësore, të digjitalizuara dhe të përpunueshme në makinë. Vendosja e kësaj zgjat me vite. Partneritetet publike-private me cilësi të lartë janë të domosdoshme sepse aftësitë më të përparuara dhe teknologjitë më bashkëkohore ndërtohen nga ndërmarrjet private. Të gjithë shembujt e përdorimit të IA në sektorin publik janë hartuar dhe zbatuar në një lloj partneriteti publik-privat. Sigurisht, asgjë e rëndësishme dhe e madhe nuk mund të ndodhë pa njohuritë, aftësitë dhe hapjen e vendimmarrësve. Të mos i harrojmë kërkesat ligjore, problemet e sigurisë dhe çështjet e përgjegjësisë. Ky është një veprim i gjatë, strategjik, vendimtar dhe gjithëpërfshirës.

 

E ardhmja e egër dhe e automatizuar është padyshim para nesh

“Inovacioni” dhe “digjitalizimi” janë fjalë kyçe në shumicën e qeverive në të gjithë botën, dhe i ashtuquajturi treg “GovTech” po lulëzon. Tregu #GovTech (Gartner) i vlefshëm 400 miliardë dollarë është i mbushur me kompani fillestare (start-up) dhe kompani të tjera që bëjnë zgjidhje teknologjike për qeveritë, duke i përmirësuar shumë aspekte të punës së tyre. Disa vlerësime thonë se vlera e këtij tregu do të arrijë trilionë dollarë deri në vitin 2025. Kur diçka është kaq e madhe në treg, kjo do të thotë që rreth tij ekziston një ekosistem i tërë i sipërmarrësve, investitorëve, institucioneve akademike, ekspertëve, madje edhe mediave konkrete. Shumë palë të interesuara angazhohen për ndryshime. Kjo do të thotë që inovacioni nuk vjen vetëm nga qeveria, por është një dukuri pothuajse e përditshme e krijuar nga inovatorët e teknologjisë në të gjithë botën.

Në vend të përfundimit, do të ofrojmë dy tendenca përkatëse për të menduar. Është e rëndësishme të kuptohet se në ç’drejtim po lëviz bota, sepse ajo gjithsesi do të ndryshojë. Këto tendenca, gjithashtu paraqesin mundësi të mëdha për ne për të përmirësuar mënyrën se si i bëjmë gjërat, duke përfshirë edhe mënyrën se si qeveritë u shërbejnë nevojave të qytetarëve.

 

Teknologjia po zhvillohet me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë. Ka aq shumë para në industrinë e teknologjisë, sepse të gjithë e kuptojnë potencialin e tregut dhe ndikimin e saj. Të gjitha kompanitë më të forta në botë tani janë kompani të teknologjisë, dhe kjo ndoshta kurrë nuk do të ndryshojë.

Shprehitë e konsumatorëve dhe kërkesat e konsumatorëve gjithashtu ndryshojnë. Nëse përdorimi i IA është i mundur në jetën tonë të përditshme, pse kjo nuk është e mundur në qeveri? Qytetarët janë konsumatorë të shërbimeve shtetërore dhe ata mund dhe duhet të kërkojnë shërbime më të mira. Nëse mund të regjistroni një kompani të re në Estoni në internet për disa minuta, e madje edhe të votoni në internet, pse kjo të mos ndodhë edhe diku tjetër?

Duke pasur parasysh vetëm këto dy tendenca, mund të presim një përmirësim shumë argëtues dhe rrënjësor në mënyrën e punës së qeverive në vitet dhe dekadat e ardhshme. Sapo kemi filluar. Ndërsa shumë nga shembujt që i përmendëm shkurtimisht më sipër mund të duken futuriste për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, shumë inovatorë lokalë tashmë po mendojnë për to. Sektori i teknologjisë së TI, i cili është një nga pjesët më të forta dhe më të gjalla të ekonomisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mund të luajë një rol të madh në transformimin e ardhshëm. Shumë organizata ndërkombëtare gjithashtu financojnë, kultivojnë dhe drejtojnë transformimin e qeverisë dhe inovacionin në rajon. Bashkimi Evropian dhe rrjeti ICEDA janë vetëm një pjesë e vogël e enigmës së madhe për një të ardhme më të mirë, të digjitalizuar ku gjithçka është më e mençur, më e lirë, më e lehtë dhe miqësore për jetën.

Ndaje:

2
meta tim sliki-02.jpg

Tekste të tjera në blog

Forumi i Qeverisjes së Internetit në Japoni bën thirrje për përpjekje të përbashkëta në ndërtimin e një interneti që i fuqizon të gjithë njerëzit

02.12.2023

Koment në Forumin e Qeverisjes së Internetit në Kioto nga Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis Forumi i Qeverisjes së Internetit (IGF) është një nga platformat më të rëndësishme kur bëhet fjalë për politikat e internetit. Ai shërben si një forum vjetor që mbahet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara duke u mundësuar palëve […]

SI TË (MBI)JETOJMË NË NJË SHOQËRI TË PËRMBYTUR NGA URREJTJA NË INTERNET?

14.11.2023

Fotoja nga Freepik Një nga sfidat më të mëdha kur ne si aktivistë/e kuir (“queer”) përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin publik dhe vullnetin institucional për jetën tonë të përditshme është të qëndrojmë të qetë, të arsyeshëm dhe të sigurt përballë përhapjes së madhe të gjuhës së urrejtjes ndaj nesh dhe komuniteteve tona. Periudhën e kaluar, si […]

RMV, nuk sanksionohet gjuha e urrejtes në internet, posaçërisht ndaj grave – PORTALB

13.11.2023

Gjuha e urrejtjes në internet në RMV. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavi nga Kb group në Canva) Në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, […]

Balancimi midis Lirisë së të shprehurit dhe Gjuhës së urrejtjes

10.11.2023

Liria e shprehjes është një bazë themelore e një shoqërie demokratike. Paaftësia e shtetit për të kufizuar këtë të drejtë, pa një ” arsye të justifikueshme “, është një tregues i nivelit të pjekurisë demokratike të një shoqërie. E drejta për lirinë e shprehjes është e garantuar nga një seri aktesh ligjore ndërkombëtare, të cilat […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës

10.11.2023

Foto nga cottonbro studio / Pexels Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve […]

RMV, inteligjenca artificiale të parandalojë gjuhën e urrejtjes në internet, por jo ta parandalojë lirinë e fjalës – PORTALB

09.11.2023

Modelet e inteligjencës artificiale (IA) po përparojnë dhe kanë mundësi të zbulojnë gjuhën e urrejtjes në internet, dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në mënyrë parandaluese në përhapjen e saj, veçanërisht përmes rrjeteve kryesore sociale, të cilat përdoren nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë. Megjithatë, edhe “risitë” e individëve që përhapin gjuhën e urrejtjes po […]