Kalkulatori i ri i Kovidit lë shumë pyetje të hapura për privatësinë e përdoruesve

01.02.2021

Në Fokus

Pamje e ekranit: kalkulatori i Kovidit, SHMPM, ISHP

Kalkulatori i ri i Kovidit me të cilin përdoruesit mund të llogarisin të ashtuquajturën moshë të tyre të Kovidit ose cili është rreziku i tyre për t’u sëmurë nga Kovid, megjithëse mund të shërbejë si një mjet i dobishëm, lë shumë pyetje të hapura në lidhje me privatësinë e të dhënave të atyre që do ta përdorin atë.

Kalkulatori i Kovidit u krijua nga Shoqata për Mbrojtje në Punë e Maqedonisë (SHMPM) në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), të cilët njoftojnë edhe për krijimin e një qendre të njohurive “Epi Covid-19 Qendra BZR”.

“Rezultatet e testimit janë individuale, dhe për t’i marrë ato është e nevojshme të futni parametra për sëmundje të caktuara, si dhe moshën, lartësinë dhe peshën. Si bazë për këtë mjet është marrë mosha biologjike e pacientëve-punëtorë, sepse provat e deritanishme tregojnë se ajo është faktori më i lartë i rrezikut për komplikime dhe vdekje nga Kovid-19” – njoftuan nga SHMPM.

Përveç datës së lindjes, lartësisë dhe peshës, në këtë mjeti gjithashtu shënohet edhe emri dhe mbiemri, komuna, si dhe të dhënat për sëmundjet e mëparshme dhe sëmundjet kronike.

Nga Shoqata për Mbrojtje në Punë thonë se mosha e Kovidit funksionon sipas parimit të “përkthimit” të një faktori individual të rrezikut shëndetësor në vite, të cilat shtohen (ose zbriten) nga mosha (vitet) biologjike aktuale e personit. Kjo jep një “moshë të pritur” sipas të cilës vlerësohet rreziku, nëse një person do të sëmuret dhe cili do të jetë rezultati i mëtejshëm i sëmundjes.

Ky publikim me titullin “Vlerësimi i rrezikut në vendin e punës gjatë ekspozimit ndaj virusit Sars-Cov-2” është botuar nga ana e SHMPM-së dhe është në dispozicion në këtë link.

Elena Stojanovska, analiste në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale nga Fondacioni Metamorfozis, thotë se ka padyshim një dobi të madhe nga përdorimi i kalkulatorit në drejtim të informimit të qytetarëve për rrezikun e mundshëm nga infektimi me Kovid-19, në përputhje me rrethanat e tyre të mëparshme shëndetësore. Por, shikuar nga aspekti i mbrojtjes së privatësisë, lindin disa pyetje në lidhje me konfigurimin e kalkulatorit.

Problemi i parë që vërehet gjatë hapjes së mjetit është lidhja e pasigurt http://62.162.94.3/covid-calculator/ dhe moslidhja me domenin, gjë që nuk ofron asnjë informacion në lidhje me pronarin e mjetit.

Elena Stojanovska

“Duke pasur parasysh faktin se analiza është e rëndësishme vetëm nëse pyetjet në lidhje me gjendjen e mëparshme shëndetësore janë përgjigjur saktë, numri i madh i tyre është i justifikuar. Megjithatë, duhet të merret parasysh se bëhet fjalë për 19 të dhëna, disa shëndetësore, disa biometrike, e të cilat sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, hyjnë në kategorinë e të dhënave personale të ndjeshme, dhe kështu gëzojnë një shkallë më të lartë të mbrojtjes” – thotë Stojanovska.

Vërejtja tjetër ka të bëjë me vëllimin e të dhënave personale të detyrueshme që duhet të futen për të marrë analizën. Pa e shënuar emrin dhe mbiemrin, komunën, datën e lindjes (dita, muaji dhe viti), gjininë dhe degën industriale, analiza nuk është në dispozicion. Prandaj, Stojanovska vlerëson se viti i lindjes (pa ditë dhe muaj), gjinia, dega industriale dhe të dhënat për gjendjet e mëparshme shëndetësore janë të mjaftueshme për të marrë analizën. Dhe se të dhënat për emrin dhe mbiemrin dhe komunën nuk ndikojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e rrezikut të mundshëm të infektimit me Kovid-19.

“Shtrohet pyetja gjithashtu nëse të dhënat e futura ruhen dhe përpunohen nga ana e Shoqatës për Mbrojtje në Punë të Maqedonisë dhe Shëndetit në Punë dhe Instituti i Shëndetit Publik për qëllime të analizës statistikore. “Nëse është kështu, informacioni në lidhje me komunën mund të jetë i vlefshëm, por jo edhe i detyrueshëm, dhe mund të merret vetëm nëse personi vendos vetë ta japë atë” – thotë ajo.

Rekomandimi i përgjithshëm është që të publikohet urgjentisht politika e privatësisë së kalkulatorit, ku në mënyrë të qartë do të jepet informacioni nëse të dhënat ruhen në një bazë elektronike të të dhënave apo analiza gjenerohet vetëm në kohën e futjes së të dhënave dhe ajo është e disponueshme në kohë reale vetëm për atë që i fut të dhënat. Nëse të dhënat ruhen, duhet të bëhet publike se kush zotëron me atë bazë të të dhënave personale, qoftë ajo Shoqata Për Mbrojtje në Punë, Instituti i Shëndetit Publik apo ndonjë subjekt tjetër juridik. Për më tepër, përveç qëllimit për informim personal, a ka edhe qëllime të tjera për të cilat do të përdoren të dhënat personale (analiza statistikore), cilat janë ato qëllime, dhe cilat janë interesat e ligjshme të këtij përpunimi. A do t’i jepen të dhënat e mbledhura për përdorim ndonjë pale të tretë, për çfarë qëllimi dhe cila është ajo palë e tretë. Është gjithashtu e nevojshme të përcaktohet një periudhë e arsyeshme e ruajtjes së të dhënave, duke pasur parasysh se shumica e tyre janë të ndryshueshme dhe nuk mund të konsiderohen të rëndësishme në planin afatgjatë.

“Duke pasur parasysh që mjeti pritet të ndihmojë punëdhënësit në vlerësimin e rrezikut të infektimit me Kovid-19 të punonjësve, çdo punëdhënës që do ta përdorë atë, gjithashtu duhet të ketë detyrim që t’i trajtojë siç duhet të dhënat që do t’i marrë prej tij” – thekson Stojanovska.