Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit sot, në kuadër të Forumit të Hapur Kundër Korrupsionit, organizoi diskutimin në panel “Si të arrihet një bashkëpunim më i mirë në luftën kundër korrupsionit ndërmjet sektorit publik, civil dhe atij të biznesit”.

Në panel folën hulumtuesi nga Instituti për Demokraci, Misha Popoviq, deputetja në Kuvend, Sonja Mirakovska, Drejtorja e programeve në Fondacionin Metamorfozis, Dançe Danillovska-Bajdevska, Drejtori ekzekutiv i Eurothink, Dimitar Nikollovski dhe Drejtorja ekzekutive e shoqatës Konekt, Nikica Kusinikova.

Popoviq theksoi se marrëdhënia midis shoqërisë civile dhe institucioneve publike është një lidhje kritike për të siguruar një rezultat të favorshëm në luftën kundër korrupsionit.

“Ekspertiza në masë të madhe qëndron tek shoqëria civile, e cila ka rol korrigjues për institucionet. Por, nevojitet një hapësirë më e gjerë në të cilën ndërthuren tre shtyllat e luftës kundër korrupsionit – institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. Kjo do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurimin e një klime të favorshme që duhet të mundësojë të arrijmë një fazë në të cilën do të flasim më shumë për suksese sesa për dështime”, thotë Popoviq.

Korrupsioni është një kancer i shoqërisë dhe prandaj është thelbësore që të flasim hapur për këtë problem dhe të kërkojmë zgjidhje. Në këtë proces, Kuvendi ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, sipas deputetes Mirakovska.

“Mekanizmat që ka Kuvendi nuk janë të parëndësishëm, por pyetja është se sa janë shfrytëzuar ato. Fatkeqësisht, ne duhet të shtyjmë për ta rregulluar sistemin, e këtë qytetarët tanë e ndjejnë për çdo ditë. Kuvendi ka një fuqi të madhe që nuk e përdor, roli mbikëqyrës duhet të bëhet përditshmëri. Është krejt normale që kur nuk ka rend në shoqëri të depërtojë korrupsioni, dhe depërtojnë e shkojnë përpara ata që duan të korruptojnë. Nëse nuk e rregullojmë sistemin, do të sillemi në rreth, e korrupsioni do të arrijë në rangjet më të larta, pavarësisht se kush është në pushtet” – shtoi Mirakovska.

Danillovska-Bajdevska theksoi se lufta kundër korrupsionit është një proces afatgjatë, i cili kërkon ndryshim të institucioneve, ndryshim të kornizës ligjore, si dhe ndryshim të kulturës së punës.

“Kjo do të bëhet përmes bashkëpunimit me aktorë të jashtëm, sepse pa atë bashkëpunim, veçanërisht me organizatat e shoqërisë civile, nuk do të mund të arrihet kjo. Përfshirja e shoqërisë civile në fazë të hershme në hartimin e politikave është thelbësore. Në nivel aktesh kemi një bazë solide për përfshirjen e palëve të interesit, por institucionet duhet ta bëjnë këtë në kohë, nëse duam sukses në luftën kundër korrupsionit”, tha ajo.

Nikollovski konsideron se përveç hulumtimeve dhe analizave relevante të politikave të aplikuara, organizatat e shoqërisë civile mund të jenë partner i rëndësishëm i institucioneve, përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me qëllim të përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies.

“Eurothink përvojën më të madhe e ka në luftën kundër krimit të organizuar dhe mund të mburremi se një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve tona janë pranuar dhe zbatuar”, shtoi Nikollovski.

Klientelizmi është futur në sektorin e biznesit dhe korrupsioni pranohet si pjesë e pashmangshme e biznesit. Kjo ndodh edhe në raportet e bizneseve me shtetin dhe manifestohet në çdo nivel, thotë Kusinikova.

“Nga ky veprim humbësi më i madh është sektori i biznesit. Kjo kontribuon që ne si qytetarë të marrim shërbime me cilësi më të dobët, ndërsa të rinjtë të largohen nga vendi. Kompanitë duhet të ndërtojnë programe kundër korrupsionit brenda biznesit të tyre dhe të inkurajojnë punonjësit e tyre të raportojnë korrupsionin në mënyrë që ai të mos jetë temë tabu. Dhe këto politika duhet të shihen si parandalim, e jo si mekanizma represioni. Nevojitet gjithashtu një përfshirje më aktive e sektorit privat përmes odave të ndryshme në hartimin e politikave më të gjera në kuadër të shtetit. Duhet një hapësirë ndërsektoriale për dialog, ku kompanitë do të jenë aktor proaktiv në parandalimin e korrupsionit”, vlerëson Kusinikova.

“Forumi i Hapur Kundër Korrupsionit” mbahet më 6 dhe 7 dhjetor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, në kuadër të programit “Qytetarët kundër korrupsionit” dhe “Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit (SELDI)”.

Qëllimi i forumit është të paraqesë gjendjen e korrupsionit në vend përmes një diskutimi të përbashkët ku do të përfshihen organizatat qytetare lokale dhe ndërkombëtare, mediat, sektori privat dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Linku deri te artikulli origjinal: Bashkëpunimi i institucioneve, OJQ-ve dhe sektorit të biznesit është çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit – Antikorrupsion | Platforma për luftë kundër korrupsionit (antikorupcija.mk)

Ndaje: