Më datë 6 dhjetor të vitit 2022 në Shkup u mbajt dita e parë e edicionit të 18 të Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.mk, këtë vit në temën “Rezistenca Kibernetike për Liri dhe Siguri“, e organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, e dedikuar ndërtimit të një shoqërie me rezistencë kibernetike me qytetarë të përgjegjshëm dhe me kompetenca digjitale.
Konferencën e hapi ambasadori i delegacionit të BE-së, David Geer, i cili ndër të tjera theksoi se Maqedonia e Veriut ka mbetur prapa në gatishmërinë e saj për t’u përballur me kërcënimet kibernetike, dhe shtoi se strategjia ekziston, por që zbatimi po zhvillohet ngadalë. Mes dobësive që ekzistojnë, e që janë theksuar nga BE-ja, janë mungesa e gjërave elementare, si identifikimi i autoriteteve kompetente dhe vendosja e një bashkëpunimi praktik ndërmjet institucioneve për parandalimin e kërcënimeve kibernetike.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut, Dirk Jan Kopp, në fjalimin e tij tha se rezistenca kibernetike është në krye të shqetësimeve të Maqedonisë së Veriut, kështu që nuk mund të flitet për siguri pa hapësirën kibernetike. Ai shtoi se vendi është i prirur ndaj teorive të konspiracionit dhe kështu është një vend i mirë për përhapjen e dezinformatave dhe për këtë arsye, për momentin, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në sinergji me Fondacionin Metamorfozis po punon në një projekt rajonal për zbulimin e dezinformatave dhe ndikimeve të huaja të dëmshme ndaj demokracisë.
Në Konferencë fjalim kishte edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, Mathew Lawson, i cili tha se baraspesha më e mirë midis lirisë dhe sigurisë është kur ke përgjigje për tre pyetje: i kujt është interneti, kush e përdor internetin dhe kush e rregullon internetin. Meqenëse përgjigjet nuk janë të qarta, gjetja e një baraspeshe mes lirisë dhe sigurisë është një detyrë mjaft e vështirë.
Përmes një video-lidhjeje Zëvendëskryeministrja e Qeverisë përgjegjëse për politika për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, tha se ne si shoqëri duhet të punojmë edhe për sigurinë kibernetike dhe për rezistencën kibernetike. “Sigurinë kibernetike nuk duhet ta shohim si shpenzim, por si një investim që nga njëra anë e mbron vendin tonë dhe qytetarët tanë nga sulmet e jashtme, por nga ana tjetër mundëson edhe përforcimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe në sistemin”, tha Gërkovska. Ajo theksoi se me iniciativë të kabinetit të saj, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 103-të e GFCE – Global Forum on Cyber Expertise.
Në Konferencë fjalim mbajti edhe Sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes, Vlladimir Ançev, i cili tha se transformimi digjital po bëhet një forcë kryesore lëvizëse për zhvillimin shoqëror dhe se varësia gjithnjë e në rritje nga teknologjitë informatike dhe të komunikimit e rrit nevojën për një sistem funksional për mbrojtje kibernetike.
Panelin e parë e përmbylli drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, i cili tha se ka shumë sfida, bota po ndryshon me shpejtësi, digjitalizimi kontribuon që kjo të ndodhë edhe më shpejt, si dhe se teknologjitë digjitale bëjnë që shërbimet të jenë më të mira dhe më të shpejta. Ai shtoi se me këtë dinamikë të ndryshimeve problemet janë të mëdha, ne si vend dhe si rajon duhet të përshtatemi.
Dita e parë e konferencës vazhdoi me dy sesione pune. Në sesionin e parë folësit diskutuan për statusin dhe ecurinë e zbatimit të Agjendës Digjitale në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për atë se si të vazhdohet me reformat. Folës në sesionin e parë ishin Snezana Nikçeviq, OJQ 35mm (Mali i Zi), Ariana Gjuli, Të dhënat e Hapura (Kosovë), Aldo Merkoçi, Lëvizja “MJAFT” (Shqipëri), Predrag Topiq, Ura&Krijime / DX Lab (Serbi) dhe Kristina Mand, Akademia për e-Qeverisje (Estoni), ndërsa sesioni u moderua nga Milla Josifovska Danillovska, menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis. Një nga përfundimet kryesore të sesionit ishte se transformimi digjital duhet të jetë i qëndrueshëm, i sigurt dhe në shërbim të qytetarëve, për këtë arsye ai duhet tu përshtatet nevojave të qytetarëve dhe të komunikohet me ta rregullisht përmes më shumë qasjeve të ndryshme për grupe të ndryshme të synuara.
Folësit e sesionit të dytë – Lajlo Merali, Qendra e Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë – DCAF, Aleksandar Acev, Qendra Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike MKD-CIRT pranë Agjencisë së Komunikimeve Elektronike, Svetllana Nikolloska, Fakulteti i Sigurisë pranë Universitetit “Sh. Kliment Ohridski” – Manastir, Megi Reçi, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (Shqipëri) dhe Hvale Vale, Shoqata për Komunikim Progresiv, diskutuan për kapacitetet ekzistuese për siguri kibernetike në lidhje me të drejtën e privatësisë, lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe organizimit dhe antidiskriminimin në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dhanë rekomandimet e tyre për përfshirjen e standardeve për të drejtat e njeriut në menaxhimin e sigurisë kibernetike. Sesioni u moderua nga Marijana Jançeska, specialiste e hapjes dhe pjesëmarrjes në Fondacionin Metamorfozis. Një nga përfundimet e këtij diskutimi ishte se duhet të kemi qytetarë të arsimuar dhe të edukuar me njohuri dhe aftësi për të përballuar sfidat e sigurisë kibernetike, ndërkohë që shteti duhet të jetë efikas dhe të garantojë legjislacionin e duhur.
Konferenca vazhdon nesër, më datë 07.12.2022 në Hotel Meriot, Ballroom I, me diskutime në panel në temat “Çështjet e privatësisë: Mbikëqyrja dhe përpunimi biometrik i të dhënave”, “Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale: praktikat e mira, sfidat dhe hapat e ardhshëm” dhe “Kërcënimet e sigurisë ndaj demokracisë dhe përpjekjet evropiane në luftën kundër dezinformatave”, si me dhe një fjalim frymëzues me temë “Efektet e dezinformatave dhe ndikimet e huaja malinje ndaj demokracisë në Maqedoninë e Veriut”. Në kuadër të konferencës e-Shoqëri.mk, në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut do të shfaqet filmi “Motrat” nga Dina Duma, ndërsa më pas do të diskutohet në temë “Dhuna kibernetike: Pasojat për jetën reale”.
Ndaje: