Të drejtat themelore të njeriut janë grup i të drejtave dhe lirive të cilat i paraqesin vlerat themelore të shoqërisë sonë. Këto të drejta i fiton çdo njeri nga lindja dhe askush nuk guxon t’ia kontestojë ose heqë, përveç në raste të caktuara kur kjo është e nevojshme (p.sh., gjykata mund të privojë nga liria njeri të caktuar me atë që do të caktojë dënim me burg nëse ai kryen ndonjë vepër më të rëndë penale). Të drejtat themelore të njeriut mund të ndahen në dy grupe: liri dhe të drejta qytetare dhe politike dhe të drejta ekonomike, sociale dhe kulturore. Në liritë dhe të drejtat qytetare dhe politike bëjnë pjesë e drejta e jetës, e drejta e barazisë, e drejta e integritetit fizik dhe moral, e drejta e lirisë, e drejta e privatësisë etj. Në të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore bëjnë pjesë e drejta e pronësisë, e drejta e punës, e drejta e mbrojtjes shëndetësore, e drejta e familjes etj. Lista e plotë e të drejtave universale të njeriut mund të gjendet në Deklaratën universale për të drejtat e njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1948. Gjithashtu, këto të drejta janë të njohura edhe në shtetin tonë dhe janë të përfshira drejtpërdrejt edhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mbrojtja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut bëhet drejtpërdrejt përmes gjykatave të rregullta, e në shtetin tonë edhe përmes Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Evropës, për këto nevoja e ka themeluar Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si institucion i cili kujdeset për mbrojtjen dhe avancimin e këtyre të drejtave.

Image by Pete Linforth from Pixabay

Privatësia llogaritet si një nga të drejtat universale të njeriut dhe buron nga e drejta për të mbrojtur dinjitetin njerëzor. Së këndejmi, privatësia përshkruhet si e drejtë e njeriut për jetë private, autonomi dhe kontroll të informatave për vetveten.

E drejta për të mbrojtur të dhënat personale rrjedh nga e drejta e privatësisë dhe paraqet të drejtë të mbrojtjes së informatave, përkatësisht të dhënave përmes të cilave mund të identifikohet një person, siç janë emri dhe mbiemri, numri i amzës, adresa, fotografia dhe etj. Kjo e drejtë luan rol të rëndësishëm në realizimin e përgjithshëm të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Pra, mbrojtja e të dhënave personale është e përfshirë edhe në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, dhe në rastin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në nenin 18 të Kushtetutës.

E drejta e mbrojtjes së të dhënave personale është veçanërisht e rëndësishme vitet e fundit për shkak të zhvillimit të internetit si një instrument për globalizimin e shumë pjesëve të jetës së përditshme, si tregtia, argëtimi, socializimi midis njerëzve dhe të tjerëve. Me zhvillimin e një mjeti të tillë që i tejkalon kufijtë e shteteve, e me këtë edhe kompetencat e tyre ligjore, u mundësua paraqitja e një dege të veçantë në tregti – tregtia me dhënat personale. Përkatësisht, për të globalizuar plotësisht pjesët e sipërpërmendura të jetës së përditshme dhe për t’i bërë ato të disponueshme për sa më shumë njerëz në planet, u paraqit edhe nevoja për qasje në sa më shumë të dhëna, ndër të cilat më të rëndësishme janë të dhënat personale. Për shembull, nëse dikush vendos të hapë një biznes ku do të shesë këpucë unike dhe do të donte ta promovonte atë duke përdorur internetin në mënyrë që të rrisë klientelën e tij, pa u kufizuar në mjedisin e tij, do t’i duheshin të dhëna (dhe lehtësisht të disponueshme) për njerëzit e tjerë që “surfojnë” në internet, si mënyrë më e lehtë për reklamim dhe promovim për biznesin e tij, në vend të hapjes tradicionale të një dyqani fizik dhe reklamave lokale, që në vetvete është më e shtrenjtë dhe nuk garanton rezultate. Nëse për këtë biznes do të ishin të disponueshme të dhënat personale si emri dhe mbiemri, vendndodhja, interesat dhe numri i këpucëve për një numër shumë të madh të njerëzve që surfojnë në internet çdo ditë, ai mund t’i orientojë resurset e tij për të arritur te këta njerëz dhe në këtë mënyrë ta maksimizojë klientelën e tij.

Në kushtet e mbledhjes sistemore dhe gjithëpërfshirëse të të dhënave personale, pa kontroll më të madh nga shtetet në mbarë botën, është bërë keqpërdorim i shtuar i të dhënave personale, si dhe shkelje të shpeshtuar të të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, e me këtë edhe humbje të kontrollit mbi të dhënat personale nga individi, si bazë e së drejtës së privatësisë.

Gjatë veprimit të tyre në internet, bizneset private kanë mbledhur gjithnjë e më shumë të dhëna personale nga përdoruesit e tyre pa pëlqimin e tyre, pa pasur zgjedhje ose pa qenë të njoftuar me faktin se të dhënat e tyre personale mblidhen, përpunohen apo edhe ndahen me palët e treta. Disa biznese financohen në bazë të këtij lloji të “profilimit” të përdoruesve të tyre, duke mbledhur sa më shumë të dhëna rreth tyre, të cilat më pas i përdorin për reklamim apo rishitje te palët e treta.

Shembull i njohur i bizneseve të tilla janë rrjetet sociale si Facebook, Twitter dhe Instagram. Gjatë ekzistimit të tyre, këto biznese synojnë të tërheqin sa më shumë përdorues dhe të mbledhin sa më shumë të dhëna personale për ta, duke futur emrin dhe mbiemrin, vendndodhjen, ndarjen e fotove, opinionet e veta, interesat, orientimin seksual, informacione për kartat e kreditit etj. Për më tepër, me kalimin e kohës, këto biznese kanë zgjeruar vazhdimisht gamën e të dhënave personale të cilat i mbledhin dhe i përpunojnë, pa pasur mundësi që përdoruesit e tyre të zgjedhin se çfarë të dhënash personale do të japin.

Një rast i tillë i njohur është skandali ku ishin të përfshirë Facebook dhe Kembrixh Analitika (Cambridge Analytica). Në këtë rast, Kembrixh Analitika (Cambridge Analytica) ka mbledhur të dhënat personale të 87 milionë përdoruesve përmes rrjetit social Facebook, të cilat më pas i kanë keqpërdorur në një mënyrë që u kanë bërë profile psikologjike këtyre përdoruesve dhe kanë ndikuar tek ata në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Si epilog i këtij skandali, Facebook u detyrua të paguajë dëmshpërblim që arrin në 5 miliardë dollarë për keqpërdorimin e të dhënave personale të përdoruesve të tij (më shumë për këtë rast mund të lexoni këtu).

Pikërisht incidente të tilla kanë tërhequr vëmendjen e organeve legjislative të vendeve në mbarë botën dhe kanë zhvendosur fokusin e mbrojtjes së të dhënave personale nga sektori publik në atë privat. Me miratimin e legjislacionit modern (siç është Rregullorja e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave ose Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale i Republikës së Maqedonisë së Veriut), i cili parimisht i mbron qytetarët, ai përsëri e vë kontrollin mbi të dhënat e tyre personale në duart e qytetarëve. Nga ana tjetër, ai kufizon bizneset private dhe organet publike në mënyrën dhe masën në të cilën ata mbledhin të dhëna personale dhe gjithashtu rrit nivelin e mbrojtjes dhe transparencës që ata duhet doemos ta ndjekin dhe respektojnë.

Sipas mënyrës në të cilën zhvillohet shoqëria, përkatësisht me digjitalizimin e saj të vazhdueshëm, gjithnjë e më shumë i kushtohet vëmendje mbrojtjes së të dhënave personale si e drejtë. Me atë që teknologjia është duke u zhvilluar më shpejt se legjislacioni në botë, dhe me atë shtohen edhe mënyrat në të cilat mund të keqpërdoren të dhënat personale, mund të pritet që e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale të ngrihet në nivelin e një të drejte universale të njeriut në një të ardhme të afërt, dhe me këtë të unifikohet qëndrimi te shtetet në mbarë botën se të dhënat personale dhe kontrolli mbi to janë vlerë që është e pandashme nga njeriu dhe prandaj duhet të mbrohet.

 

Autor: Mr. Nikolla Dimitrov

 

Ky tekst është përgatitur me mbështetje të Bashkimit Evropian. Përmbajtjet në këtë tekst janë përgjegjësia e vetme e partnerëve të projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv” dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Ndaje: