Parlamentet në rajon nuk janë të përkushtuar ndaj planifikimit strategjik dhe raportimit për punën e tyre, e kjo është evidente nga mungesa e publikimit të programeve dhe raporteve vjetore të punës, si dhe nga mungesa e politikave të veçanta, të cilat ofrojnë një qasje strategjike për praktikimin e hapjes institucionale. Kuvendi ynë, nga ana tjetër, nuk publikon planin vjetor të punës, por publikon raporte pune dhe të detajuara vjetore, shkruan Meta.mk.
Këto janë gjetjet e hulumtimit mbi Indeksin e hapjes të parlamenteve nga rajoni i Ballkanit, konkretisht parlamenteve të Malit të Zi, Sllovenisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë, të cilin e përgatiti Fondacioni Metamorfozis së bashku me organizatat partnere në rajon.
“Gjetjet tona tregojnë një rezultat zhgënjyes me progres margjinal në disa nga vendet e monitoruara dhe një rënie të hapjes institucionale në organe të caktuara legjislative në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë” – thotë Milla Josifovska Danillovska, menaxhere e programeve në Metamorfozis, e cila ka punuar në këtë hulumtim.
Vitin e kaluar, edhe pse disa parlamente nga rajoni bënë përpjekje për të forcuar në mënyrë strategjike hapjen e tyre përmes dokumenteve dhe politikave të veçanta strategjike, përpjekjet e tyre shpesh u penguan nga bllokime politike, kriza dhe aktivitete të cilat nuk e kishin prioritet avancimin e demokratizimit në shoqëri.
Parlamenti i Malit të Zi përmbush 87,7% të kritereve të vendosura për hapje, i ndjekur nga parlamentet e Sllovenisë 73,6%, të Maqedonisë së Veriut 71,5%, të Kroacisë 63%, të Serbisë 45,68% dhe Kuvendi Parlamentar i Bosnjës dhe Hercegovinës 56,9% (Dhoma e Popujve 56,3%, Dhoma e Përfaqësuesve 57,6%). Është e rëndësishme të theksohet se në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë monitorohen edhe parlamentet kantonale dhe të entiteteve, kështu që Parlamenti i Republikës Serbe përmbush 42,3% të kritereve për hapje, Parlamenti i Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës 37,2% (Dhoma e Popujve 41%, Dhoma e Përfaqësuesve 33,5%) dhe Parlamenti i Krahinës Autonome të Vojvodinës 32,3%.
“Pavarësisht rekomandimeve tona, disa çështje mbesin të pazgjidhura për shumë vite me radhë, si p.sh. qasja strategjike për përmirësimin e hapjes së tyre, mungesa e planifikimit dhe raportimit adekuat për punën e tyre, seancat e hapura joadekuate të trupave punues të parlamentit, moszhvillimi i masave kundër korrupsionit që shënojnë përparim të kufizuar ose aspak përmirësim nga shtetet përkatëse, dhe prani të mekanizmave mbikëqyrës të zbatuar në mënyrë të pamjaftueshme” shpjegon Josifovska Danillovska.
Mbetet praktikë e parlamenteve, në vend që të miratojnë një kornizë të vetme strategjik që e rregullon hapjen e tyre, ta shpërndajnë parimin e hapjes nëpër politika të ndryshme që i rregullojnë funksionet e tyre. Parlamentet shënojnë rezultatet më të dobëta në përkushtimin e tyre për të mësuar nga proceset aktuale dhe për të përmirësuar punën e tyre përmes sistemeve të vendosura të monitorimit, vlerësimit dhe mësimit – duke përdorur tregues në planifikimin e tyre strategjik dhe raportimin për punën e bërë.
Portali për të dhëna të hapura në Kuvendin e Maqedonisë
Parlamentet në rajon nuk fokusohen në mënyrë adekuate në të dhënat e hapura. Për zgjidhjen e kësaj çështje, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, ka zhvilluar një portal të veçantë për të dhëna të hapura, ndërsa progresi i tyre në fushën e të dhënave të hapura mbetet për t’u parë.
“Rezultatet tona e vendosin Parlamentin e Malit të Zi në vend të parë për sa i përket hapjes së pushtetit legjislativ në rajon. Dallimi në hapjen dhe transparencën e parlamenteve në rajon mbetet i rëndësishëm, siç u vu re në vitet e mëparshme. Ky trend vazhdon, me ç’rast Mali i Zi, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut vazhdimisht arrijnë nivele më të larta të hapjes krahasuar me vendet e tjera në rajon. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është i vetmi në rajon, përveç parlamenteve të Kroacisë dhe Sllovenisë të cilat kanë një pjesë të posaçme në faqet e tyre të internetit për këtë qëllim, i cili zhvilloi Portal të posaçëm për të dhënat e hapura, me çka pritet të rritet ndjeshëm transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit” – thotë Josifovska Danillovska.
Çfarë nevojitet për hapje më të mirë?
Gjetjet treguan se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është një nga kuvendet e pakta në rajon që ka themeluar Zyrat për kontakt me qytetarët në nivel lokal, përveç Serbisë dhe Sllovenisë. Megjithatë, ajo që duhet ta bëjë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është të përgatisë një strategji të veçantë për transparencë dhe një strategji të veçantë komunikimi.
“Përveç kësaj, duhet të publikojë programin vjetor të punës, në të cilin i mbështet aktivitetet e tij, zbatimin e strategjive përkatëse, si dhe raportet vjetore të punës. Duhet të publikojë informata për të cilat tashmë është miratuar qasja e lirë. Vazhdimisht t’i trajnojë punonjësit në fushën e qasjes së lirë në informata me karakter publik, të publikohen informacione për mbrojtjen e sinjalizuesve, si dhe të futet mekanizmi për peticionet elektronike” – shton bashkëbiseduesja jonë.
Edhe pse në nivel rajonal Kuvendi është i treti për sa i përket hapjes, me përmbushje të treguesve të hapjes prej 71,5%, menjëherë pas Kuvendit të Malit të Zi (87,7%) dhe Kuvendit të Sllovenisë (73,6%), Kuvendi i Maqedonisë është në vendin e gjashtë sipas hapjes në nivel kombëtar, menjëherë pas Ministrisë së Mbrojtjes (89,7%), Qeverisë (79,1%), Ministrisë së Punëve të Brendshme (78,9%), Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (75,3%) dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (72,5%).
Krahasuar me matjen e mëparshme kur Kuvendi ishte në vendin e katërt në nivel kombëtar, kjo paraqet një rënie prej dy vendesh në listën e institucioneve për sa i përket hapjes, e cila vjen si pasojë e progresit që institucionet e sipërpërmendura e kanë treguar në vitin e kaluar.
Gjetjet kanë treguar se edhe këtë vit, sikurse edhe në gjashtë vitet e kaluara, Kuvendi nuk ka publikuar programin vjetor të punës, në të cilin i mbështet aktivitetet e tij, zbatimin e strategjive përkatëse, si dhe raportet vjetore të punës. Planifikimi vjetor i punës së Kuvendit, si dhe publikimi i një kalendarit paraprak vjetor për aktivitetet e tij, është çelësi për përmirësimin e parashikueshmërisë së punës së Kuvendit, gjë që do të çojë në rritjen e cilësisë së konsultimeve publike në Kuvend.
“Caktimi jo në kohë i seancave mund të ndikojë në cilësinë e debatit në Kuvend, kurse parashikueshmëria e seancave do të kontribuonte për një diskutim më cilësor dhe të argumentuar. Në këtë drejtim, në gjysmën e dytë të vitit 2022, Kuvendi e shqyrtoi modelin slloven të kalendarit, i cili përbëhet nga një program vjetor i punës, një orar për dy muajt e ardhshëm dhe një orar për çdo seancë . Pas kësaj punëtorie, siç theksohet në raportin e punës së Kuvendit për vitin 2022, krijimi i kalendarit do të jetë prioritet në punën e Kuvendit” – shpjegon Josifovska Danillovska.
Detyra e Kuvendit është të përfshijë qytetarët në proceset e tij të punës
Për këtë temë kemi biseduam edhe me Aleksandra Jovevskën nga Instituti për Demokraci Societas Civilis, e cila pajtohet me Josifovska Danillovskën, se detyra e Kuvendit është që në mënyrë proaktive të veprojë për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien e tij, si dhe të përfshijë qytetarët në proceset e tij të punës aty ku lejon ligji.
“Prandaj, nevojitet një komunikim më intensiv dhe më i adaptueshëm me qytetarët, si dhe përfshirja e tyre në punën e Kuvendit. Disa rekomandime se si ta arrihet kjo: promovimi aktiv i mekanizmave që janë në dispozicion të qytetarëve për përfshirjen e tyre në punën e Kuvendit dhe nxitja dhe inkurajimi i qytetarëve për përdorimin e këtyre mekanizmave. Kuvendi ka një faqe të re interneti, e cila ende nuk është promovuar para publikut, ndërsa në vetë faqen e internetit ka buton Kuvendi transparent, ku Kuvendi i prezanton raportet, buxhetin, raportet e revizionit, furnizimet publike”, konsideron Jovevska.
Sipas saj, është i domosdoshëm modernizimi edhe i kanaleve të tjera zyrtare të Kuvendit për komunikim me publikun, përshtatja e vazhdueshme me trendet e reja të informimit përmes modernizimit të vazhdueshëm teknologjik dhe të TI-së të kanaleve ekzistuese të komunikimit, si dhe përdorimi i kanaleve të reja.
“Duhet gjithashtu më shumë interaktivitet me qytetarët, veçanërisht përmes futjes së një mekanizmi digjital që do t’u ofrojë qytetarëve mundësinë për të promovuar iniciativat e tyre dhe për të marrë mbështetje për dorëzimin e mëtejshëm të këtyre nismave në Kuvend. Platforma të tilla praktikohen edhe në parlamente të tjera, por këtu duhet theksuar se natyra e ndihmës dhe mbështetjes që e ofrojnë, në masë të madhe varet edhe nga korniza legjislative, si dhe nga dispozitat e parashikuara në rregulloret e vetë parlamenteve. Për shembull, ueb-portali për peticione i Parlamentit Evropian synon të ofrojë mundësi për qytetarët e BE-së për të komunikuar me Parlamentin. Përmes kësaj platforme, Kuvendi kryen kontroll të vazhdueshëm të mënyrës se si zbatohet legjislacioni evropian dhe e mbikëqyr punën e institucioneve evropiane” – sqaron Jovevska.
Ajo kujtoi se Parlamenti iu bashkua nismave të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (PQH) në vitin 2017, disa vite pas qeverisë (2011). Sipas saj, ky hap i Kuvendit është për t’u përshëndetur, duke pasur parasysh se është një nga dhomat e para legjislative në botë që i është bashkuar PQH-së.
“Aktualisht Kuvendi e zbaton Planin e dytë të Veprimit ndaj PQH-së, i cili ka 3 angazhime dhe 11 arritje, qëllimi kryesor i të cilit është përmirësimi i transparencës së Kuvendit. Vlerësimi i përgjithshëm për përmbushjen e planit aktual të veprimit 2021-2023 është se ka progres të dukshëm në lidhje me të gjitha angazhimet. Megjithatë, ajo që mund të rekomandohet në këtë seksion është se nevojitet një shfrytëzim më i madh i mekanizmave dhe mjeteve që i ofron rrjeti global i PQH. Është e nevojshme të përfshihen angazhime më të guximshme dhe reformiste në planet e veprimit të PQH. Duhet të synohet që të mbulohen të gjitha funksionet e Kuvendit, me çka do të sigurohet publicitet dhe përgjegjësi në të gjitha fushat e punës së Kuvendit” – konsideron Jovevska.
Ajo që gjithashtu duhet bërë është të aktivizohen Zyrat për kontakt me qytetarët. Është një mjet jashtëzakonisht i dobishëm që nuk përdoret fare, sepse shumë pak nga këto zyra janë aktive. Qëllimi është promovimi i komunikimit të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe deputetëve, mundësia e shkëmbimit të informacioneve, propozimeve, sugjerimeve dhe rritja e shkallës së pjesëmarrjes në punën e Kuvendit.
Kalendar për punën e Kuvendit
Futja e kalendarit parlamentar në punën e Kuvendit do të rrisë transparencën e tij dhe mundësitë për përfshirjen e publikut në punën e tij, do të rrisë parashikueshmërinë e punës së legjislativit dhe do të sigurojë pavarësi më të madhe të tij, konsideron Jovevska.
“Një numër i madh parlamentesh prej kohësh e praktikojnë këtë mjet, ndërsa modeli që e përdor është përshtatur me ritmin e tyre të punës dhe rregulloret e punës. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e njohu nevojën për një kalendar të Kuvendit, dhe tashmë është duke i shqyrtuar mundësitë për prezantimin e tij, si dhe për zhvillimin e një modeli që do t’i përshtatej më së miri kushteve të punës në Kuvendin tonë. Gjithashtu, kalendari do t’u japë më shumë kohë deputetëve që të përgatiten për pikat e rendit të ditës, do të mund të informohen në kohë për rregullativat që duhet të diskutojnë në Kuvend, gjë që do të kontribuojë për një diskutim më cilësor dhe më të argumentuar” – shton ajo.
Nuk ka program dhe kalendar vjetor, por ka Plan strategjik
Sa i përket qasjes ndaj hapjes së Kuvendit, pyetëm nëse planifikojnë të fusin në përdorim Planin vjetor të punës, si dhe nëse e dinë se cilat janë përvojat e parlamenteve të vendeve të Evropës Perëndimore për sa i përket përgatitjes së planeve vjetore të punës. Gjithashtu, pyetëm nëse ueb-faqja e re e Kuvendit e ka përmirësuar hapjen ndaj qytetarëve, por edhe pse regjistrimet audio/video të seancave plenare nuk janë të disponueshme në faqen e Kuvendit.
“Kuvendi si pushtet ligjvënës çdo vit miraton Plan strategjik, ndërsa i fundit është për periudhën 2023-2027. Ai i përmban qëllimet strategjike që janë bazë për planifikimin e buxhetit vjetor të Kuvendit (parlament funksional, digjital, i hapur, i sigurt, diplomaci parlamentare dhe shërbime efikase)” – informojnë nga Kuvendi.
Siç shpjegojnë nga legjislativi, ata kanë qëllime dhe aktivitete të detajuara të brendshme, si dhe tregues dhe njësi kompetente, me status zbatimi në një skedar të veçantë në Excel, i cili u mundëson monitorimin e zbatimit.
“Kuvendi nuk ka kalendar të Kuvendit Planifikimi i agjendës legjislative bëhet në koordinimet javore (sipas Ligjit për Kuvendin), ku përcaktohet orari i seancave të trupave punues dhe seancave plenare” – njoftojnë nga Kuvendi.
Nga atje sqarojnë se aktualisht po punohet përmes programit PSP për miratimin e një kalendari pune për të parashikuar punën e legjislativit, ndër të tjera, edhe në punëtorinë e mbajtur së fundmi, ku Instituti Parlamentar ofroi njohuri krahasuese.
“Së bashku me Qendrën për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN) dhe Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) ndihmojnë në modelimin e një kalendari për planifikimin e agjendës legjislative.” “Kuvendi nuk miraton/dekreton plan të posaçëm të punës që i referohet agjendës legjislative, në kuptim të listës së ligjeve që planifikohen të miratohen brenda një viti kalendarik” – thonë në Kuvend.
Mirëpo, ata nuk kanë dhënë një përgjigje të saktë në pyetjen nëse planifikohet të përgatitet një Plan vjetor i punës në periudhën e ardhshme, e as kur mund të presim përgatitjen e një dokumenti të tillë.
Parlamentet e Evropës Perëndimore e rregullojnë punën e tyre
Parlamentet në vendet e Evropës Perëndimore e rregullojnë fuqishëm punën e tyre në pjesën më të madhe, edhe atë në të gjitha aspektet, pavarësisht nga forma – pavarësisht se a bëhet fjalë për rregulloret e punës, rregulloret, udhëzimet, standardizimin ISO ose politikat e menaxhimit të cilësisë, thonë nga Kuvendi.
“Planifikimi i agjendës vjetore të punës është i ndryshëm në varësi të faktit nëse parlamenti punon në seanca (pranverë dhe vjeshtë), cili është kalendari i seancave, dhe në përputhje me këtë çfarë dhe kur kalon në procedurën përkatëse në parlament dhe në fund seanca e përhershme”. informojnë nga Kuvendi.
Do të matet numri i klikimeve në faqen e internetit të Kuvendit
Në pyetjen nëse ueb-faqja e re e ka rritur hapjen ndaj qytetarëve, nga Kuvendi thonë se së shpejti do të matin numrin e hapjeve dhe nëse numri i përdoruesve aktivë po rritet.
“Rinovimi i faqes së internetit ishte parashikuar si një ndërhyrje dhe aktivitet në Programin e Mbështetjes Parlamentare të zbatuar nga Kuvendi dhe NDI dhe i financuar nga Konfederata Zvicerane. Kjo u zhvillua si procedurë e furnizimit publik dhe i gjithë specifikimi në lidhje me të është i disponueshëm në portalin e BFP-së dhe SEFP-së. Qëllimet kryesore janë – komunikimi më i mirë i faqes së internetit me softuerin e e-Parlamentit për përpunimin e të dhënave dhe disponueshmërinë për publiku nga ana e administratorit, si dhe përmirësimi i sistemeve të kërkimit, dokumenteve në dispozicion dhe organizimi i faqes së internetit nga ana e përdoruesit” – shpjegojnë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Si tregues nëse është përmirësuar apo jo, ata shtojnë se në Planin Strategjik ku është planifikuar ky aktivitet, thuhet se do të matet numri i hapjeve, në kuptim të asaj se a ka rritje të numrit të përdoruesve aktivë.
Lidhur me pyetjen se përse në faqen e Kuvendit nuk gjenden regjistrimet audio/video të seancave plenare, nga organi legjislativ nuk kanë qëndrim të qartë. Nga aty thonë se çështjen e indeksimit dhe arkivimit të materialeve audio dhe video nga seancat plenare dhe seancat e trupave punues, këshillave dhe komisioneve, Kuvendi e kupton si të rëndësishme nga aspekti i kujtesës institucionale, rëndësisë historike dhe disponueshmërisë së tyre për publikun në kohë reale, online, të cilat janë përpunuar paraprakisht me meta të dhëna.
“Kuvendi e ruan materialin video dhe audio në një server lokal dhe qasja në to parashikohet me kërkesë për ekstrakt të përmbajtjes së kërkuar. Në aspektin zhvillimor, Kuvendi e merr parasysh mundësitë për një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse të video-incizimeve të seancave (të shkuara dhe të ardhshme, të redaktuara në platformë, të kërkueshme sipas meta të dhënave) si memorie institucionale e pushtetit legjislativ” – shpjegojnë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ata shpjegojnë se disa prej linkeve (lidhjeve) nuk janë aktive për shkak të lidhjes së faqes së re të internetit me bazat e të dhënave të faqes së vjetër, që ishte detyrim i operatorit ekonomik që e zbaton kontratën. Se kur do të përmbushet ky detyrim, aktualisht është e paqartë.
Përgatitja e tekstit është në kuadër të sinergjisë ndërmjet projekteve “Përdorimi i Mediave të Reja për Promovimin e Transparencës Qeveritare”, i financuar nga Fondi Kombëtar për Demokraci dhe “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV”, i financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni, të cilat i zbaton Fondacioni Metamorfozis.
Link deri tek origjinali: Parlamentet në rajon nuk janë të përkushtuar ndaj planifikimit strategjik dhe raportimit për punën e tyre – Portalb