Organizatat e shoqërisë civile (OSHC) po marrin role gjithnjë e më kritike në peizazhin digjital që po zhvillohet me shpejtësi. Këto organizata veprojnë si ndërmjetës midis qytetarëve dhe qeverive, duke avokuar për politika dhe shërbime digjitale gjithëpërfshirëse që i plotësojnë nevojat e të gjithëve.

Në Ballkanin Perëndimor, projekti ICEDA (Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale) synonte të inkurajonte dhe të përmirësonte rolin dhe pozicionimin e OSHC-ve për ta bërë pikërisht këtë. Nga formësimi i Agjendës Digjitale, deri tek përhapja e kulturës së sigurisë kibernetike dhe higjienës kibernetike. Në një bisedë me Christina Mendin, prezantuese e sotme, Milla Josifovska Danillovska, menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis nga Maqedonia e Veriut, na tregon për aktivitetet e këtij projekti.

Pjesëmarrja dhe Agjenda Digjitale në Ballkanin Perëndimor
Nevoja dhe motivimi pas theksimit të rolit të organizatave të shoqërisë civile në transformimin digjital të Ballkanit Perëndimor ka qenë prezente prej disa kohësh. Në vitin 2018, qeveritë e Ballkanit Perëndimor u përkushtuan për një Agjendë Digjitale gjithëpërfshirëse që synon modernizimin e administratës publike, forcimin e sigurisë publike dhe rritjen e produktivitetit. Megjithatë, kjo iniciativë shpesh mbetej pa u kuptuar mirë nga publiku i gjerë.

Nëpërmjet projektit ICEDA, qëllimi ishte rritja e angazhimit qytetar përmes monitorimit të zhvillimeve të qeverisë dhe ndërtimit të kapaciteteve mes palëve të interesuara, duke përfshirë edhe organizatat e shoqërisë civile, mediat, vendimmarrësit, komunitetin akademik, bizneset dhe grupet e margjinalizuara. “E shfrytëzuam potencialin e sektorit civil për të ndikuar në zhvillimet digjitale në vendin tonë për të mirën e qytetarëve”, thotë Danillovska. Përpjekjet përfshinin hulumtime, ngritjen e kapaciteteve dhe krijimin e një rrjeti rajonal të organizatave të shoqërisë civile dedikuar promovimit të transformimit digjital gjithëpërfshirës.

OSHC-të e katalizojnë hartimin e politikave dhe të shërbimeve
Në shumë mënyra, iniciativa ICEDA ka ndikuar drejtpërdrejt në përfshirjen e OSHC-ve në hartimin e politikave dhe dizajnin e shërbimeve. Fillimisht, organizatat e shoqërisë civile hasën në rezistencën e institucioneve për sa i përket përfshirjes së tyre në këto procese. Megjithatë, projekti luajti një rol kyç në avokimin për përfshirjen e tyre, duke theksuar qasjen e tyre në ekspertizë dhe lidhjet e drejtpërdrejta me qytetarët.

Në të gjithë rajonin, përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve kanë mundësuar që mbi 50 organizata qytetare dhe mediatike të kontribuojnë në mënyrë aktive në transformimin digjital. Ato kanë ndikuar në mbi 150 shërbime elektronike dhe politika, madje kanë kontribuar edhe në zhvillimin e Strategjisë së Transformimit Digjital të Malit të Zi. Përpjekjet bashkëpunuese janë përhapur edhe në media, me artikuj hulumtues që hedhin dritë mbi joefikasitetin burokratik, duke çuar në ndryshime pozitive.

Siguria kibernetike dhe higjiena kibernetike
Temat e sigurisë nuk u neglizhuan – siguria kibernetike dhe higjiena kibernetike. Projekti ICEDA rriti ndërgjegjësimin dhe i edukoi qytetarët në mënyrë proaktive për këto çështje. Ishte e qartë se qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë të cenueshëm ndaj mashtrimit për shkak të mungesës së edukimit digjital. Dezinformimi është përhapur në rrjetet sociale për shkak të këtij hendeku të njohurive digjitale. 16 Qendra të Mbështetjes së Qeverisë elektronike, të krijuara në qytete të ndryshme, kanë luajtur rol kyç në ndihmën e grupeve dhe qytetarëve të margjinalizuar për të rritur edukimin e tyre digjital dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre digjitale. Këto qendra shërbyen kolektivisht mbi 31.000 qytetarë, duke e theksuar rëndësinë e fuqizimit të individëve për të lundruar në mënyrë të sigurt në botën digjitale.

Rekomandime për OSHC-të në transformimin digjital
“Ka një kufi për atë që mund të bëhet vetëm,” është paralajmërimi i Danillovskës për organizatat e shoqërisë civile në mbarë botën. Më poshtë janë dhënë disa rekomandime të vlefshme që dolën nga biseda, për OSHC-të që synojnë të luajnë një rol më të rëndësishëm në transformimin digjital:

  • Ndërtoni ekspertizë
    Organizatat e shoqërisë civile duhet të investojnë në zhvillimin e ekspertizës së tyre në politikat dhe teknologjinë digjitale. Kjo përfshin të kuptuarit e kompleksitetit të shërbimeve elektronike, privatësisë së të dhënave dhe teknologjive të reja, duke u mundësuar atyre të japin rekomandime të bazuara në informata dhe të angazhohen në mënyrë efektive.
  • Partneritete për bashkëpunim
    Formimi i aleancave dhe partneriteteve me organizata të tjera të shoqërisë civile, agjenci qeveritare dhe aktorë të industrisë së teknologjisë mund të përforcojë ndikimin e OSHC-ve. Përpjekjet bashkëpunuese mundësojnë bashkimin e burimeve, njohurive dhe ndikimit.
  • Përfshini të rinjtë
    Përfshirja e të rinjve në aktivitetet e OSHC-ve. Ata janë shpesh adoptues të hershëm të teknologjisë dhe mund të ofrojnë perspektiva dhe njohuri të reja për çështjet digjitale. Përfshirja e të rinjve ofron një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj transformimit dixhital.
  • Promovoni edukimin digjital
    Organizatat e shoqërisë civile duhet të përfshihen në mënyrë aktive në iniciativat e edukimit digjital për të kapërcyer hendekun digjital. Promovoni programe për edukim dhe trajnim që i fuqizojnë qytetarët të lundrojnë me besim në peizazhin digjital.

Projekti ICEDA ka shërbyer si një forcë transformuese në Ballkanin Perëndimor, duke ofruar mësime të vlefshme për OSHC-të në mbarë botën. Ai e theksoi nevojën për të kapërcyer hendekun midis qytetarëve, qeverive dhe transformimit digjital. Organizatat e shoqërisë civile duhet të përfshihen aktivisht herët në proceset e hartimit të politikave dhe të dizajnimit të shërbimeve. Për më tepër, kultivimi i një kulture të higjienës kibernetike dhe i ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike është thelbësor për të garantuar sigurinë e komuniteteve të cenueshme në aspekt digjital.

Suksesi i projektit ICEDA jo vetëm që i fuqizoi organizatat e shoqërisë civile, por gjithashtu katalizoi një ndryshim kulturor dhe një kuptim më të thellë të transformimit digjital. Përpjekjet e përbashkëta të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve dhe partnerëve siç është Akademia e Qeverisjes elektronike kanë hapur rrugën për të tjerët që dëshirojnë të nisin një rrugëtim të ngjashëm drejt një shoqërie digjitale gjithëpërfshirëse. Në peizazhin digjital në zhvillim, qeveritë duhet të përshtaten me dinamikën në ndryshim të pjesëmarrjes së qytetarëve. Duke e pranuar transparencën, bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen, ato mund të nxisin një demokraci më të fortë ku qytetarët janë të përfshirë në mënyrë aktive në formësimin e së ardhmes së tyre.

Podkasti i plotë është i disponueshëm këtu së bashku me lajmin e marrë nga faqja e Akademisë së Qeverisjes elektronike.

Ndaje: