Politikat e hapjes dhe transparencës kërkojnë qeveri reformuese dhe avokatë të zëshëm në pozitat më të larta shtetërore dhe shoqërore.

Kështu u bë e ditur në konferencën “Rëndësia e respektimit të së drejtës për qasje të lirë në informacion për hapjen e administratës shtetërore” organizuar nga QTD me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Qasjes së Lirë në Informacion, me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar për Demokracia (NED).

Studiuesja dhe përfaqësuesja e organizatës “Partnerët për Ndryshime Demokratike të Serbisë”, Kristina Kallajxhiq deklaroi se në Serbi nuk ka dokumente strategjike që e rregullojnë politikën e hapjes së administratës publike.

“Serbia ka marrë përsipër obligime të ndryshme në kuadër të integrimeve evropiane. Tendenca është që formalisht të përmbushen të gjitha këto obligime, mundësisht të miratohen disa ligje dhe strategji, por nuk ka përmirësim në zbatim”, tha Kallajxhiq.

Ajo tha se është me rëndësi thelbësore të ndryshohet vetëdija e nëpunësve civilë dhe se është e nevojshme përfshirja e individëve proaktivë.

“Në Serbi presioni më i madh tani vjen nga organizatat e shoqërisë civile. Tani ai zë dëgjohet shumë më tepër se më parë. Mendoj se jemi shumë më mirë të lidhur me njëri-tjetrin dhe se jemi të lidhur me organizatat ndërkombëtare që duhet të kenë ndikim te vendimmarrësit”, tha Kallajxhiq.

Siç njoftoi Kallajxhiq, në periudhën e ardhshme është e nevojshme përfshirja e qytetarëve dhe krijimi i një komuniteti aktiv.

“Për ne është një fije shprese që kemi një parlament të ri shumëpartiak, gjë që nuk ishte rasti me atë të mëparshmin dhe tani kemi pritshmëri më të mëdha. Presim që në periudhën e ardhshme të merren shumë më tepër me atë se cili është roli i parlamentit”, tha Kallajxhiq.

Studiuesja e shoqatës së qytetarëve “Pse jo?” Amina Izmirliq Qatoviq deklaroi se në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka politikë të hapjes dhe përgjegjësisë.

Ne kemi një hendek të madh në hapje mes institucioneve të ndryshme, nuk mund të themi se po zbatohet një politikë e hapjes”, tha Izmirliq Qatoviq.

Ajo tha se është e nevojshme një klimë e favorshme politike për të krijuar llogaridhënie dhe hapje të institucioneve.

“Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë në mandatin e kaluar ishte komplekse. Kemi hasur në pengesa dhe në bllokime nga organet legjislative dhe pushteti ekzekutiv. Për disa ndryshime dhe ndërtimin e përgjegjësisë dhe hapjes, do të na duhej një klimë e favorshme politike, ndërsa zgjedhjet e ardhshme janë një shans potencial. Kjo kërkon vullnet politik dhe përgatitje, për të filluar me hartimin e rregulloreve që janë të qarta dhe të kuptueshme dhe që do të zbatohen në radhë të parë”, tha Izmirliq Qatoviq.

Milla Josifovska Danillovska, Menaxhere e Programeve në Fondacionin Metamorfozis nga Maqedonia e Veriut, theksoi se një nga parakushtet themelore për realizimin e të drejtave të qytetarëve është rritja e besimit në institucione, përkatësisht përgjegjësia më e madhe e institucioneve.

“Falë aktiviteteve tona në këtë projekt, Qeveria vendosi që përmes një strategjie të veçantë ta rregullojë dhe ta promovojë hapjen institucionale. Për dallim nga vendet e tjera, Maqedonia e Veriut është i vetmi vend që e ka marrë atë vendim, që është një arritje e madhe për ne”, shpjegoi Josifovska Danillovska.

Ajo tha se Strategjia është njohur edhe nga Komisioni Evropian në raportin e tij si “një nga shtyllat kryesore të reformës së administratës publike”. Por, Josifovska Danillovska thekson se ngecja në zbatimin e kësaj strategjie është evidente dhe se gjysma e aktiviteteve nuk janë realizuar.

“Rekomandimi ynë është që kjo strategji të zgjerohet dhe të përshtatet me kontekstin shoqëror dhe kushtet politike”, tha Josifovska Danillovska.

Ajo u pajtua se vullneti politik është një faktor i rëndësishëm për një administratë publike funksionale, si dhe është e rëndësishme të njihen praktikat e mira të funksionarëve të mëparshëm dhe nëpunësve shtetërorë dhe zbatimi i tyre në të ardhmen.

Linku deri te artikulli origjinal: Politke otvorenosti se moraju glasno zagovarati » CDT (cdtmn.org)

Ndaje: