Përdorim i inteligjencës artificiale në sektorin publik do të ndihmonte në rritjen e cilësisë së shërbimeve, kursimit të kohës dhe parave të qytetarëve, por rrjedhimisht edhe do të parandalonte korrupsionin. Megjithatë, nëse IA përdoret në mënyrë jotransparente, pasojat janë edhe më të mëdha se përfitimet. Kështu deklarohen ekspertët për Portalb.mk, në lidhje me ndikimin e IA-së nëse e përdorin institucionet që japin shërbime për qytetarët, shkruan Portalb.mk.

Dhënia e shërbimeve nëpërmjet inteligjencës artificiale do t’i ndihmonte qytetarët që të mos presin sporteleve, punëtorin “e vonuar në punë” apo rrëmujën e qytetarëve për një shërbim, të cilin IA mund ta japë në formë automatike.

Nga shoqata civile “Konekt”, përfaqësuesi i të cilës është dhe pjese e grupit punues për Strategjinë për IA thonë një prej përparësive më të mëdha të inteligjencës artificiale është që ajo mundet ndjeshëm t’i zvogëlojë gabimet, por edhe ta rrit saktësinë dhe precizitetin.

“Plotësisht, ajo është e qasshme 24/7 dhe mund të kryejë detyra të cilat për njerëzit do të ishin të rrezikshme. Vendimet që i miraton inteligjenca artificiale bazohen në informata paraprakisht të mbledhura dhe set të caktuar të algoritmeve të cilat për fat të keq mund të jenë të bazuara në anshmëri dhe/ose paragjykime. Ka shembuj në botë ku përdorimi i IA-së nga ana institucioneve/kompanive, për fat të keq ka ndikim negativ dhe në disa raste efekt diskriminues ndaj ndonjë kategorie të qytetarëve që janë të prekshëm”, thotë Irina Haxhi Mitova, bashkëpunëtore programore nga Konekt.

Megjithatë, siç thotë Haxhi Mitova, përfitimet nga IA në dhënien e shërbimeve nga ana e institucioneve mund të ketë, por është me rëndësi të jashtëzakonshme që para futjes së IA-së nga ana e institucioneve, t’i vlerësojnë rreziqet, ndikimin dhe menaxhimin me rreziqet e mundshme. Këto procese, duhet të zbatohen në konsultim me sektorin civil dhe qytetarët me qëllim që të shihet nëse me të vërtetë IA do të ketë impakt pozitiv ose negativ.

“Ata shtojnë se vlerësohet se inteligjenca artificiale mund të jetë efektive në luftën kundër korrupsionit nëpërmjet digjitalizimit të të dhënave, furnizimeve publike, tenderëve, transaksioneve qeveritare e kështu me radhë”, tha Haxhi Mitova.

Iteligjenca artificiale, foto: Freepik.com
Iteligjenca artificiale, foto: Freepik.com

Profesori universitar dr. Petre Llameski sqaron se jo të gjitha shërbimet mundet që tërësisht të zëvendësohem me IA, por, shumica e shërbimeve dhe proceseve ndjeshëm do të përmirësoheshin nëse në to futet IA.

“Kjo ka të bëjë me ato shërbime të cilat janë të varura nga të dhënat, por edhe ato detyra të cilat janë të përsëritura dhe mund të automatizohen. Qëllimi i IA nuk është që tërësisht të largohen njerëzit nga proceset, por lehtësimi i punës dhe avancimit në cilësinë e shërbimeve. IA mund të ndihmojë në planifikimin, miratimin e vendimeve të informuara nga ana e personave udhëheqës, por mund të ndihmojë edhe në automatizimin dhe optimizimin e proceseve të cilat marrin gjatë kohë në institucionet shtetërore dhe të cilët harxhojnë shumë resurse”, thotë profesori Llameski.

Futja e IA-së, përfaqëson hapin e radhës dhe, sipas profesorit, të pashmangshëm në procesin e digjitalizimit të proceseve dhe shërbimeve shtetërore. “Vetë digjitalizimi i ndikimit të faktorit njeri, nënkupton zvogëlim të ndikimit, dhe me atë edhe pamundësimi i korrupsionit. Ose shkurt, por IA do ta pamundësojë korrupsionit gjithkund ku do të jetë faktor vendimtar. Megjithatë, nëse shfrytëzimi i saj është jotransparent, pasojat mund të jenë më të këqija”, shton Llameski.

Dr. Mentar Mahmudi, i cili punon si shkencëtar i lartë në shkencat e aplikuara në Amazon, për Portalb.mk thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale mund të ndihmojë institucionet në shumë mënyra të ndryshme për të ofruar shërbime më të mira dhe më efikase.

  • Përmirësimi i shërbimeve publike: Përdorimi i IA mund të ndihmojë institucionet publike për të përmirësuar shërbimet publike, duke u mundësuar ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe më të përshtatshme për qytetarët dhe bizneset.
  • Përmirësimi i kujdesit shëndetësor: IA mund të ndihmojë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor duke ndihmuar në diagnozën e sëmundjeve, përcaktimin e trajtimeve dhe përmirësimin e kujdesit pas trajtimit.
  • Mbrojtja e sigurisë publike: IA mund të ndihmojë në mbrojtjen e sigurisë publike duke ndihmuar në identifikimin e rrezikut dhe parandalimin e krimit.
  • Përmirësimi i edukimit dhe trajnimit: IA mund të ndihmojë në përmirësimin e edukimit dhe trajnimit duke ndihmuar në ofrimin e mësimdhënies më efektive dhe në identifikimin e nevojave të individëve për trajnime të veçanta.
  • Përmirësimi i shërbimeve financiare: IA mund të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve financiare duke ndihmuar në identifikimin e rreziqeve të mundshme, për të ndihmuar në zvogëlimin e humbjeve dhe për të ofruar këshilla të personalizuara për të bërë investime.
  • Trafiku: IA do mundonte që të hiqen të gjithë pikat e pagesës nëpër autostrada duke e bërë detektimin dhe pagesën në mënyrë automatike dhe si pasoj duke kursyer, kohë, karburant, frena, zvogëlim të korrupsionit, etj. Një hap më tepër do të ishte detektimin automatik të shkeljeve të rregullave të trafikut (lexo: parkimet e parregullta).
  • Përmirësim të shërbimeve shëndetësore: Duke filluar nga diagnostikimi automatik deri në grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave të pacientëve për shërbim dhe detektim të hershëm të sëmundjeve, IA ka potencial të jashtë zakonshëm në sektorin shëndetësor.

Sipas tij, inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në parandalimin e korrupsionit në disa mënyra, por nuk mund ta parandalojë plotësisht këtë fenomen.

“Është e rëndësishme të theksohet se IA nuk mund ta parandalojë korrupsionin nëse nuk ka një qasje të përgjithshme të integruar për parandalimin e tij. Nëse ka korruptim në procesin e programimit të IA, algoritmet mund të jenë të prekshme nga korrupsioni. Përveç kësaj, nëse IA përdoret në një ambient korruptiv, atëherë mund të ketë një rrezik që IA të përdoret për të lejuar ose fshehur korrupsionin. Kështu, IA mund të ndihmojë në parandalimin e korrupsionit në mënyra të ndryshme, por nuk mund ta eliminojë plotësisht këtë fenomen”, thotë dr. Mahmudi.

Ndryshe, dalja e robotit Chat GPT i cili ka aftësi për të biseduar ngjashëm si njeriu me një shkallë të lartë rrjedhshmërie dhe koherence, ka rikthyer vëmendjen e botës për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shërbim të njeriut, por edhe rreziqet e mundshme që mund t’i sjellë ajo.

Portalb.mk, paraprakisht shkruajti se përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) në mungesë të strategjisë apo rregullimit, qytetarët i ekspozon në rrezik nga keqpërdorimet e mundshme. RMV ka formuar grup punues për Strategjinë Nacionale për Inteligjencë Artificiale, por prej vitit 2021, i njëjti ka mbajtur vetëm një mbledhje.

Kjo storje hulumtuese është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe “Open Data Kosovo” (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storjeje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Link deri tek origjinali: RMV, përdorimi i inteligjencës artificiale në institucionet shtetërore është i dobishëm, por edhe më i rrezikshëm nëse keqpërdoret – PORTALB

Ndaje: