Transformimi digjital i shoqërisë është një temë shumë e rëndësishme. Duhet punuar në rezistencën ndaj ndryshimit, institucionet për çdo ditë duhet t’i zbatojnë proceset digjitale. Të gjithë pjesëmarrësit në shoqëri duhet t’i zotërojnë aftësitë e nevojshme për t’i përdorur shërbimet që (do) i ofrojnë institucionet. Këto janë konkluzionet kryesore të folësve në hapjen e Konferencës ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët”, që sot dhe nesër po mbahet në hotelin “Meriot” në Shkup, njofton Meta.mk.

Eventin e hapën Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministre për politikat e qeverisjes së mirë, Azir Aliu, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë, si dhe Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis.

Gërkovska e përgëzoi Fondacionin “Metamorfozis” për shkak se, siç tha ajo, arrin të mbajë vëmendjen për rëndësinë e kësaj çështjeje dhe të theksojë rëndësinë e temave për digjitalizimin.

Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis
Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis

“Transformimi digjital është një proces social, jo politik. Është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit që kanë një rol serioz në transformimin e plotë të shoqërisë sonë në një shoqëri digjitale të jenë të vetëdijshëm për obligimet që i kanë. Nëse duam të jemi më efikas duhet të afrohemi më afër vendeve më të zhvilluara”, tha Gërkovska.

Ajo tha se sa i përket digjitalizimit të proceseve Maqedonia ka qenë lider në rajon, por për fat të keq tashmë ka ca kohë që na kanë kaluar vendet e tjera, sidomos kur bëhet fjalë për mjetin bazë – letërnjoftimin elektronik dhe Ligjin për arkivimin.

Konferencës ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët”. Foto: Portalb.mk
Konferencës ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët”. Foto: Portalb.mk

“Gjatë vitit të kaluar kabineti im ka qenë posaçërisht i fokusuar në këto gjëra. Jemi në një fazë të avancuar. Tashmë e kemi hartuar planin që kaloi në Qeveri dhe konceptin që po e zhvillojmë në detaje me Ministrinë e Punëve të Brendshme me mbështetje nga Ambasada e Amerikës dhe ekspertët nga Estonia”, tha zëvendëskryeministrja.

Siç theksoi ajo, transformimi digjital nuk është çështje e zgjedhjes, por e mbijetesës dhe zhvillimit në kushte të reja.

“Transformimi do të sjellë përmirësime radikale. Përdorimi i teknologjive digjitale mundëson një cilësi më të mirë të jetesës dhe zvogëlim të korrupsionit. Procesi do të mundësojë ndryshimin e mentalitetit për mënyrën e punës, do të na bëjë të vetëdijshëm se institucionet ekzistojnë për qytetarët dhe ky është një proces i pashmangshëm që do të ndodhë”, përfundoi Gërkovska.

Optimizimi i proceseve në institucione

Ministri i shoqërisë informatike, Azir Aliu, në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi se digjitalizimi është e tashmja dhe e ardhmja, duke iu referuar kështu reformave dhe progresit të Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim.

“Sa më shpejt që shtetet t’i digjitalizojnë shërbimet e tyre publike, aq më mirë dhe më lehtë qytetarët do mund t’i shfrytëzojnë ato. Në këtë mënyrë zvogëlohet edhe korrupsioni”, tha ministri.

Milla Josifovska Danillovska dhe Azir Aliu, foto: Portalb.mk

Milla Josifovska Danillovska dhe Azir Aliu, foto: Portalb.mkAliu përkujtoi se ka disa strategji e njëra prej tyre është Strategjia Kombëtare për Zhvillimin Kompjuterik, e cila për tre javë do të jetë gati për zbatim.

“Kemi edhe një strategji për sigurinë kibernetike, e cila duhet t’i mbrojë qytetarët. Ka forma për informimin e qytetarëve, të cilët do të dinë të menaxhojnë me procedurat digjitale. Nëse unë si përdorues nuk di si të mbrohem nga sulmet kibernetike, atëherë gjithçka është e pavlerë. Është e nevojshme që institucionet të jenë më të hapura për bashkëpunim, të kenë interoperabilitet. Ne duhet ta ndryshojmë mentalitetin”, tha Aliu.

Qytetari në vend të parë në procesin e transformimit digjital

Drejtori ekzekutiv i Metamorfozis, Bardhyl Jashari, në prezantimin e tij theksoi se Fondacioni Metamorfozis gjithmonë i vë në rend të parë qytetarët në cilin do aktivitet që ka për qëllim prezantimin e transformimit digjital të proceseve.

“Po përballemi me të njëjtat sfida me të cilat u përballëm edhe disa vite më parë. Si shoqëri ne nuk mund të përballeshim me atë shpejtësi të zhvillimit. Kemi edhe gjëra që i kemi trashëguar nga10-20 vite më parë. E gjithë kjo kërkon punë më të përkushtuar, kërkon një bashkëpunim mes Qeverisë, bizneseve dhe sektorit civil. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u përballur me sfidat”, tha drejtori Jashari.

Ai sqaroi se me këtë projekt u theksua se sfida kryesore është siguria kibernetike, jo vetëm si teknologji, por edhe si standarde dhe protokolle.

“Sfida tjetër është hendeku digjital përsa i përket aftësive. Të gjithë pjesëmarrësit në shoqëri duhet të zotërojnë aftësitë e nevojshme për t’ përdorur shërbimet të cilat i ofron Qeveria. Një sfidë tjetër është rezistenca ndaj ndryshimit. Këtu e kam parasysh rezistencën në më shumë nivele. E para është frika nga ndryshimi, e cila ndonjëherë bazohet në frikën se inteligjenca artificiale do të na marrë vendet e punës, por edhe rezistenca e institucioneve për të integruar teknologji të reja”, shtoi Jashari.

Pa një qasje gjithëpërfshirëse nuk mund të shpresojmë se transformimi digjital do të na sjellë gjëra të dobishme, theksoi ai.

“Ne nuk mundemi thjesht ta implementojmë teknologjinë. Për ta bërë këtë nevojitet një planifikim rrënjësor, pranim të ndryshimit dhe bashkëpunim, ngritje të kapaciteteve. Ne si fondacion gjithmonë i kemi parasysh të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor. Duke qenë të vetëdijshëm për privatësinë, edukimi i qytetarëve është një aktivitet që mund ta bëjmë së bashku për t’i reduktuar sfidat dhe për t’i mbrojtur të dhënat tona personale. Ky është një proces kompleks, sidomos rezistenca ndaj ndryshimit, por nëse bashkëpunojmë me partnerët në rajon, nëse flasim për këtë gjë, shpresojmë se kjo është mënyra e vetme për t’iu bashkuar pjesës tjetër të Evropës që tashmë po përdor gjërat pozitive nga transformimin digjital”, përfundoi Jashari.

Konferencës ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët”. Foto: Portalb.mk
Konferencës ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët”. Foto: Portalb.mk

Organizatat e shoqërisë civile në Estoni ofrojnë shërbime publike

Kristina Mand, eksperte e e-demokracisë nga Akademia e Qeverisjes në Estoni, në video fjalimin e saj foli për rolin e organizatave të shoqërisë civile në formimin e politikës dhe shërbimeve elektronike.
“Puna me organizatat e shoqërisë civile do të thotë që vendimet që merren do të jenë më gjithëpërfshirëse shoqërore. Në Estoni tani duam të legalizojmë martesën për të gjithë njerëzit, pa dallim të orientimit të tyre seksual. Nëse qytetarët përfshihen më shumë në vendimmarrje, ata do të marrin vendime në favor të nevojave të tyre. Në Estoni organizatat e shoqërisë civile mund të ofrojnë shërbime publike. Për shembull, kur dorëzon një fletëparaqitje tatimore, individi mjetet e kthyera mund t’ia dhurojë një OJQ-je që mbledh para për bamirësi. Kjo është e dobishme nëse ju kthehen para nga tatimet e paguara, sepse mund t’i dhuroni ato menjëherë. Kemi shërbime elektronike që kanë të bëjnë me shëndetësinë, pra caktim elektronik i kontrollit te mjeku, lëshim i recetës elektronike”, theksoi Mand.

Konferenca u organizua si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjedën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe “Open Data Kosovo” (Kosovë).

Link deri tek origjinali: “Transformim digjital për qytetarët“: Është e nevojshme të ndërtohet kulturë për përparim digjital – PORTALB

Ndaje: