Shpesh autoritetet thonë se digjitalizimi i arsimit është kusht për transformimin digjital të tërë shoqërisë, por pyetja që lind është nëse së pari duhet të sigurohet një bazë cilësore e TI-së që ditari elektronik të mos “bie” në praktikë, apo, studenti të ketë vështirësi gjatë aplikimit për shtrat në konvikt studentor?
Edhe pse sistemi arsimor i Maqedonisë së Veriut është shumë vonë me futjen në përdorim të shërbimeve elektronike, procesi nuk duhet të nxitohet vetëm për këtë arsye, pa pasur bazë të mirë, pra serverë që nuk do të prishen ose nuk do të jenë të ndjeshëm ndaj sulmeve të hakerëve. Baza cilësore e TI-së është prioritet, është qëndrimi i organizatës Forumi Arsimor Rinor.
“Ky lloj nxitimi vetëm sa do ta përkeqësojë problemin dhe do krijojë punë shtesë për profesorët dhe mësuesit, të cilët duhet të punojnë edhe me versione elektronike edhe me ata të printuar të ditarëve, indekseve etj.”, vlerësojnë nga kjo organizatë rinore.
Studentët duan formë digjitale për paraqitje të provimit
FAR ka punuar në projektin e quajtur “Aksioni i Studentëve për Shërbime të Digjitalizuara Arsimore ” nëpërmjet të cilit u zhvillua një mjet digjital (me hakaton të organizuar studentor) për të reduktuar numrin e notave të pa raportuara dhe aplikacionet e humbura të provimeve me letra, veçanërisht në shërbimet e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Është vërejtur se institucionet e arsimit të lartë i kushtojnë vëmendje të veçantë dhe e kanë në plan të fillojnë me aplikimin e digjitalizimit të mësimdhënies, metoda të reja inovative të mësimdhënies, investim në mjetet e TIK, etj.
“Ka një mospërputhje të dukshme mes asaj që e planifikojnë institucionet arsimore dhe asaj që studentët presin të digjitalizohet. Konkretisht, studentët shpresojnë më shumë në digjitalizimin e procedurave administrative të fakulteteve, të cilat janë të shumta, për të reduktuar pritjet në radhë në shërbimet studentore, shpenzimin e parave për paraqitjen e provimeve, verifikimin e semestrave, pagesën e shkollimit, problemet me humbjen e fletëparaqitjeve të provimeve, indekseve, fletëpagesave. Ka mospërputhje mes asaj që institucionet i kanë planifikuar dhe shërbimeve që studentët shpresojnë se do t’i kenë në dispozicion. Ata më parë do të pranonin një formë digjitale për të paraqitur provimin, sesa një tabele inteligjente apo metoda të reja inovative të monitorimit të ndjekjes së mësimdhënies nga shtëpia”, thonë nga FAR.
Gjithashtu u theksua se digjitalizimi është proces shumë i kushtueshëm, kurse UKIM si universiteti më i madh në vend, i cili përfshin një numër të madh fakultetesh me nivele të ndryshme digjitalizimi, ndërsa njëkohësisht funksionon në bazë të arkivimit të të gjitha dokumenteve në formë të printuar, nuk mund ta realizojë deri në fund procesin e digjitalizimit aq shpejt sa kërkohet, ose me të njëjtën shpejtësi siç kanë bërë universitetet e tjera private dhe publike, shumë më të vogla.
Ajo që autoritetet arsimore e paralajmëruan vitin e kaluar është se sipas Konceptit të arsimit fillor, planifikohet të ketë tekste në formë digjitale, të cilat nuk do të jenë thjesht tekste të zakonshme të bashkangjitura online në formatin pdf, por duhet të ofrojnë një ndërveprim të caktuar, pra mundësi që nxënësit të zgjidhin kuize, detyra dhe të ngjashme. A ka vendi ynë financa dhe kapacitet për të mundësuar diçka të tillë? Për FRA, kjo është shumë pak e mundur.
“Digjitalizimi është proces i shtrenjtë, i cili duhet të përditësohet dhe “ruhet” vazhdimisht nga sulmet e hakerëve, prandaj edhe po vonohet. Nevojitet persona të TI-së, të cilët do të angazhohen për të monitoruar dhe përditësuar ato programe ndërvepruese për nxënësit. Dekani i FINKI-t theksoi se është shumë e vështirë mbajtja/tërheqja e stafit TI për të punuar në UKIM, sepse fakultetet nuk mund të ofrojnë kompensim monetar që personi e merr në bizneset e tjera private. Nuk ka gjasa që të ketë financa dhe kapacitet për të futur programe të tilla”, vlerësojnë nga organizata.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, nga ana tjetër, beson se me Konceptin e ri për Arsimin fillor, digjitalizimi në arsim është ngritur në një nivel më të lartë, si mënyrë për t’iu afruar trendeve botërore të arsimit cilësor.
“Që nga fillimi i vitit të kaluar shkollor, në përdorim janë materialet e reja mësimore digjitale, sipas plan-programeve të reja për klasën e katërt. Vitin e ardhshëm shkollor materiale interaktive do të përdorin nxënësit e klasave të pesta, kurse futja me faza është në përputhje me zhvillimin e aftësive për aplikimin e teknologjisë së TI dhe mjeteve elektronike. Edhe në klasa po instalojmë teknologji moderne TI, tabela interaktive dhe mjete të tjera ndihmëse që mundësojnë mësimdhënie më cilësore”, tha ministri.
Link deri tek origjinali: RMV, digjitalizimi është mision i mundshëm vetëm nëse ndërtohet mbi bazë të shëndoshë të TI – PORTALB
Kjo storje është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA”, që bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike – Serbia (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe Open Data Kosovo (Kosovë).
Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e storjes hulumtuese është përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.