“Storje hulumtuese: RMV, pritje dhe endje: Rruga e dy të rinjve deri në marrjen e certifikatës së kurorëzimit” – Portalb.mk

Qytetarët e RMV-së çdo ditë përballen me probleme të natyrave të ndryshme kur bëhet fjalë për nxjerrjen e dokumenteve. Administrata publike jo gjithmonë funksionon në mënyrën e duhur dhe për këtë më së miri tregojnë edhe anketat e besueshmërisë së qytetarëve ndaj tyre. Kësaj radhe, Portalb.mk, ka vëzhguar drejtpërdrejtë në terren procedurën e kurorëzimit të një çifti nga Shkupi, i cili ka vendosur që të njëjtën ta bëjë në Zyrën Rajonale të Zyrës për Udhëheqje me Librat e Gjendjes Civile të Shkupit – Komuna Çair.

Vëzhgimi nga afër i kësaj procedure, na përballi me mungesë të efikasitetit të administratës publike, por edhe me absurditete administrative. Çifti që u kurorëzua, fillimisht priti nëpër sportele, mbushi formularë, a nëse do të funksiononte sistemi digjital, të njëjtën do ta bënte me dy-tre klikime dhe do të shkonte në komunë vetëm për të nënshkruar në Librin Amë të Kurorëzuarve.

Kjo e dëshmon atë që e hulumtoi Portalb.mk, se nxjerrja e dokumenteve në këtë mënyrë qytetarëve u kushton kohë dhe para. Për këtë, ekspertet propozojnë të digjitalizohen regjistrat amë dhe madje të shfuqizohen disa prej dokumenteve, si certifikata e lindjes, apo edhe një sërë dokumentesh tjera, pasi që atëherë, dokumentin, apo të dhënën do ta posedojë institucioni përgjegjës dhe jo qytetari.

Radhët në sportele, sidomos në këtë kohë të pandemisë, çiftin e ekspozuan në rrezik për infektim me COVID-19. Vëzhgimi nga afër i këtij rasti, na tregon se Maqedonia e Veriut, ka nevojë për administratë publike efikase dhe efektive, që qytetarët të mos enden nga një komunë në tjetër, për një procedurë kurorëzimi.

Do ta shpjegojmë hap pas hapi procedurën, deri në kurorëzimin e dy të rinjve.

Dokumentet e nevojshme për kurorëzim:

  • Letërnjoftim ose pasaportë (për identifikim);
  • Certifikatë nga Libri Amë i të lindurve;
  • 100 denarë taksë administrative;
  • Fletëpagesë prej 50 denarëve në llogarinë bankare të Zyrës për Udhëheqje me Librat e Gjendjes Civile.

11 janar, 2021

Në Komunën e Çairit shkuam në ora 08:30, ashtu edhe kur fillon orari zyrtar i punës dhe i cili mbaron në ora 16:30. Zyra për Informata në Komunën e Çairit, ende nuk kishte filluar me punë. Për këtë u obliguam që të trokasim nëpër zyrat tjera të komunës për të pyetur se ku duhet të paraqitemi për të dorëzuar kërkesë për kurorëzim.

Orari i punës ka filluar, punëtorët nuk janë në vendin e punës, Zyra Rajonale e Zyrës për Udhëheqje me Librat e Gjendjes Civile të Shkupit - Komuna Çair (18.01.2021), ora: 09:25
Orari i punës ka filluar, punëtorët nuk janë në vendin e punës, Zyra Rajonale e Zyrës për Udhëheqje me Librat e Gjendjes Civile të Shkupit – Komuna Çair (11.01.2021), ora: 09:25

“Zyra është në katin e parë, por ende nuk është hapur”, tha një e punësuar në komunë.

E thirrëm në telefon dy herë drejtorin e Zyrës për Udhëheqje me Librat e Gjendjes Civile, Bujar Dardhishta, për ta pyetur se ku janë punëtorët të cilët duhet të jenë në orar të punës që fillon në orën 08:30, por i njëjti nuk e hapi telefonin. Kjo Zyrë është nën kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë.

“Në ora nëntë ose në nëntë e gjysmë e hapë”, tha një punonjës tjetër i komunës, i cili i kishte zyrat afër me to.

Derisa i pritnim të vijnë punonjësit, mblidheshin edhe qytetarët të cilët prisnin në radhë.

Dy punonjësit erdhën në ora 09:30, apo një orë me vonesë.

Certifikata e lindjes, foto ilustrim
Certifikata e lindjes, foto ilustrim

Na erdhi radha neve, pas 10 minutave. Pyetëm për procedurën e kurorëzimit dhe çfarë duhet që të bëjmë.

“Fillimisht, duhet t’i bë gati dokumentet. Për të caktuar termin kurorëzimi, duhet që certifikatat e lindjes së çiftit të mos jenë më të vjetra se 6 muaj”, tha i punësuari.

“Por, ne kemi certifikata të lindjes, por janë më të vjetra se 6 muaj”, tha çifti.

“Ato nuk vlejnë, duhen të reja”, tha

Në hulumtimin e Portalb.mk, për digjitalizimin e shërbimeve, ekspertët kërkuan që certifikatat e lindjes duhet të zhduken fare nga përdorimi, mos të flasim për atë që duhet të jetë jo më e vjetër se 6 muaj, që të jetë e vlefshme.

I mbushëm kërkesat dhe i dorëzuam, ndërkaq punonjësi na tha që të vijmë t’i marrim certifikatat pas një jave.

Për një dokument, që mund të nxirret për disa minuta, e sipas praktikës, për 2-3 ditë, në këtë rast qytetarët duhet të presin një javë.

18 janar, 2021

Pas një jave, në ditën e caktuar shkuam për t’i marrë certifikatat e lindjes. Njëri prej dy të punësuarve kishte ardhur në orarin e duhur, ndërkaq tjetri nuk ishte fare.

Derisa prisnin radhë, ishim dëshmitar të një rastit të një qytetarit, i cili i duhej urgjentisht ta merrte dokumentin e certifikatës.

“Më duhet për sot ta nxjerrë certifikatë kurorëzimi”, i kërkoi një qytetar të punësuarit.

I punësuari i dha letër me një numër, sipas të cilës, duhej që qytetari të priste 1 javë, megjithatë ky i fundit i tha që i duhet tani.

“Mua më duhet menjëherë”, tha qytetari.

“Për sot nuk është e mundur, ka njerëz që presin nga një javë. Hajde për 2-3 ditë do ja bëjmë disi të jetë gati”, i tha i punësuari.

“Merre këtë letër me numër se do të shkoj tjetër kund të mbaroj punë”, tha qytetari i revoltuar dhe u largua.

Na erdhi radha neve për t’i marrë certifikatat e lindjes, të cilat edhe pse pritëm një javë, ende nuk ishin gati.

U desh që të presim në sportel derisa i punësuari aty për aty t’i printonte. Të njëjtin printim kanë mundur të punësuarit ta bëjnë edhe që në ditën e parë, kur i dorëzuam kërkesat.

Për dy certifikata, çifti pagoi 300 denarë. Certifikatat ishin po të njëjtat që çifti i kishte, por ishin më të vjetra se gjashtë muaj.

Pasi i kompletuam dokumentet, pyetëm te i njëjti sportel për të caktuar termin për kurorëzim.

“Të gjitha terminët janë të zëna, deri muajin mars, d.m.th. nëse dëshironi të caktoni termin, ka vetëm pas dy muajve”, tha njëri prej të punësuarve, i cili njëkohësisht na rekomandoi të shkojmë në Komunën Butel.

Pavarësisht se çifti jeton në Çair dhe i njëjti dëshironte ta bënte kurorëzimin në komunën e tij, i njëjti u detyrua të shkojë në Komunën e Butelit, pasi që në të kundërtën duhej që të pret 2-3 muaj, për t’u kurorëzuar.

26 janar, 2021

Në Komunën e Butelit shkuam në ora 08, për të parë me saktësi se kur fillon me punë Zyra për Udhëheqje me Librat Amë.

Certifikata e lindjes, foto ilustrim
Certifikata e lindjes, foto ilustrim

I punësuari në këtë komunë para orarit zyrtar e kishte filluar punën dhe na pranoi në zyrën e tij.

“Kemi ardhur për të caktuar kurorëzim, jemi nga Komuna e Çairit”, i thanë çifti të punësuarit.

“Pse nuk kurorëzoheni në komunën tuaj?”, e pyeti i punësuari.

Çifti i tregoi arsyet dhe i punësuari tha se nuk ka problem, mund të kurorëzohen edhe në këtë komunë.

Për dallim prej Komunës së Çairit, në Komunën e Butelit, i punësuari tha që termini për kurorëzim mund të caktohet kurdo që dëshiron çifti, brenda orarit të punës.

“Kemi terminë dhe mund ta rregullojmë cilën ditë që dëshironi”, tha i punësuari.

Çifti e mbushi formularin dhe caktoi termin për kurorëzim për 3 ditë.

Sipas, çmimores së komunës, salla e kurorëzimit paguhej 1.000 denarë.

Në total, për nxjerrjen e dokumentit, çifti harxhoi :

  • 2 certifikata të lindjes: 300 denarë
  • 1 certifikatë kurorëzimi: 150 denarë
  • Salla për kurorëzim në komunë: 1.000 denarë

Në këtë kosto, nuk përfshihen harxhimet e rrugës dhe kohës.

29 janar, 2021

Në ditën e kurorëzimit, kurorëzuesi e ftoi çiftin nëpërmjet telefonit, për t’ua kujtuar orarin e caktuar për kurorëzim, ndërkaq ai për 3 ditë kishte bërë gati dhe certifikatën e kurorëzimit.

Procedura e kurorëzimit nuk zgjati më shumë se 20 minuta, ndërkaq kurorëzuesi çiftin e uroi dhe ia dha certifikatën e kurorëzimit.

Hulumtimin e Portalb.mk për digjitalizimin e shërbimeve mund ta lexoni në katër pjesët e mëposhtme:

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Ndaje:

29349
meta tim sliki-02.jpg

ICEDA

Tekste të tjera në blog

ANALIZË: Numri i studentëve po zvogëlohet – për pesë vite akademike numri i “brucoshëve” është zvogëluar për 5,600! (Infografik)

10.09.2021

    Pesë vite akademike me radhë – zvogëlim i numrit të studentëve në Maqedoni. Analiza e të dhënave të bëra nga Portalb.mk tregon se herën e fundit që ka pasur një rritje të lehtë të numrit të përgjithshëm të studentëve ka qenë në vitin akademik 2014/2015, dhe që atëherë ka rënie. Mirëpo, statistikat tregojnë […]

Rrjetet sociale "shpërthyen" nga dezinformatat rreth vaksinave

10.09.2021

Një shpërthim i vërtetë i dezinformatave për Kovid-19 në periudhën e kaluar ndodhi në internet, kryesisht në rrjetet sociale. Përhapja e të pavërtetave, gjysmë të vërtetave dhe manipulimeve u intensifikua veçanërisht me fillimin e vaksinimit masiv dhe përhapjen e llojit Delta të koronavirusit. Në këtë valë të katërt të pandemisë, narrativi në krijimin e imazhit […]

Transformimi digjital: të mësosh të jetosh me ndryshimin

20.08.2021

Foto nga Gerd Altman nga Pixabay Kriza aktuale e Kovid-19 ka pasur një ndikim të madh në detyrimin e qeverive dhe bizneseve në të gjithë botën që të përshpejtojnë zbatimin e zgjidhjeve të ndryshme digjitale. Sipas Anketës globale të vendimmarrësve të McKinsey të publikuar në tetor 2020, pandemia e përshpejtoi miratimin e teknologjive të reja […]

Zero “roaming” në Ballkan nga 1 Korriku – Majlinda Bregu: Sukses, në të ardhmen zero tarifa edhe me Bashkimin Europian

04.06.2021

Duke filluar nga 1 Korriku i këtij viti, tarifat e telefonisë nuk do të ndryshojnë nëse kaloni kufirin në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Majlinda Bregu, kreu i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, ka shpjeguar për SCAN pikërisht uljen e barrës financiare për qytetarët dhe bizneset. Bregu gjithashtu ka kujtuar se në të ardhmen edhe tarifat e […]

Keqkuptimet rreth të Dhënave të Hapura: Përvoja nga Ballkani Perëndimor

23.04.2021

Burim: www.pixabay.com   Open Data si koncept është relativisht i ri,pasiqë ende nuk ka shënuar 30 vjetorin që kur është cekur për herë të parë si nocion në vitin 1995 nga një Agjenci Shkencore Amerikane. Sidoqoftë, nocioni ka mbizotëruar tërë botën me një shpejtësi të madhe për shkak të nevojës për qasje të shpejtë dhe […]

Një vështrim nga afër i qeverive që përdorin Inteligjencën Artificiale (IA)

31.03.2021

Unsplash / Markus Winkler Kush do ta imagjinonte 30 vjet më parë që njerëzit – madje edhe të moshuarit ose ata që nuk kishin aftësi kompjuterike – do të votonin përmes kësaj gjëje të çuditshme të re të quajtur Internet? Votimi në internet është praktikë në Estoni për më shumë se një dekadë. Pas tridhjetë […]