Banorët e Maqedonisë së Veriut e kanë vështirë të nxjerrin dokumente “vetëm me një klikim” në Internet. Kjo ndodh sepse shteti ofron shërbime të kufizuara elektronike, potenciali i e-portalit nuk shfrytëzohet ndërkaq ka banorët edhe pse kanë pajisje, ata nuk kanë informata të mjaftueshme për shërbimet elektronike. Sipas hulumtimit që e bëri Portalb.mk, del në pah se madje as nuk dihet sesa gjithsej qytetarë i kanë shfrytëzuar këto shërbime, në krahasim me shërbimet tradicionale – me prezencë fizike. Nëse RMV do të digjitalizohet sikurse vendet e Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës synon të bëhet, atëherë do të hiqen nga përdorimi disa dokumente, të cilat nuk ka nevojë të ekzistojnë, pasi që të njëjtat u shtojnë qytetarëve harxhime dhe humbje kohe për të aplikuar e pritur për t’i marrë.

Maqedonia e Veriut synon BE-në, por mbetet një dekadë pas

Maqedonia e Veriut është mbrapa në krahasim me shtetet e rajonit dhe Evropës në aspektin e realizimit të shërbimeve elektronike dhe ngritjen e tyre në nivel më të lartë.

Marjan Gushev
Marjan Gushev

“Hulumtimet tregojnë se Maqedonia në vitin 2020 është nën nivelin që vendet e komunitetit Evropian e kanë arritur në vitin 2010, që tregon se shumë kemi ngecur në realizimin e serviseve elektronike dhe nivelin e ngritjes së tyre në një nivel tjetër”, thotë për Portalb.mk, Marjan Gushev, profesor në Fakultetin për Shkenca Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike në Shkup.

Në ndërkohë, shtetet tjera hovshëm po zhvillohen në këtë drejtim.

“Studimi tregon se vlerësimi i fundit i sofistikimit online i shërbimeve të E-qeverisë së Maqedonisë së Veriut është 77% dhe 62%, dhe janë të disponueshme plotësisht sipas standardit të vitit 2010. Performanca e shërbimeve të E-qeverisjes në Maqedoninë e Veriut është më e ulët se mesatarja e BE-së e arritur në 2010, si dhe nga rezultati i standardeve të vitit 2020. Megjithëse, krahasuar me arritjet në vitet e kaluara, sofistikimi online dhe disponueshmëria e plotë e e-shërbimeve tregon përmirësime thelbësore, prapë se prapë hendeku me vendet e tjera të BE-së po rritet me kalimin e kohës. Kjo analizë tregon se me një vonesë prej 11 vjetësh, RMV do të arrijë nivelin evropian. Analiza jonë tregon rritje eksponenciale të sofistikimit online të e-qeverisjes, por që edhe vendet e tjera të BE e kanë gjithashtu këtë rritje. Si përfundim, hendeku dhe dallimi rritet në mënyrë eksponenciale. Fillimi i vonuar dhe përparimi i ngadaltë do të duhet të adresohen përmes veprimeve më të koordinuara për të arritur hapat e fundit të vendeve të BE-së”, është konkludimi në një punim shkencor nga profesorët universitar Marjan Gushev, Izabela Akimoska dhe Anita Antik.

Shërbimet elektronike RMV - BE, foto e edituar nga Portalb.mk
Shërbimet elektronike RMV – BE, foto e edituar nga Portalb.mk

Dhënia e shërbimeve elektronike është obligim ligjor

Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative, në shumë nene theksohet obligimi i organeve shtetërore që qytetarëve t’u ofrojnë shërbime elektronike.

Portalb.mk, sa për ilustrim ndau vetëm 3 nene ku obligohen institucionet të veprojnë në mënyrë elektronike.

  • Neni 18: Organi publik i mundëson palës qasje deri te organi publik edhe nëpërmjet rrugës elektronike
  • Neni 37: Komunikimi mes organeve publike dhe palëve mund të zhvillohet në formë të shkruar, gojarisht ose në formë elektronike.
  • Neni 39: Ankesat mund të dorëzohen ose të dërgohen nëpërmjet postës, ose gojarisht të kumtohen në proces-verbale. Gjithashtu, të njëjtat mund të dërgohen edhe në formë elektronike sipas ligjit.
Shpëtim Latifi
Shpëtim Latifi

Nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, e cila është bartëse e procesit të digjitalizimit të shërbimeve elektronike, thonë se në këtë mandat kanë disa prioritete të cilat duhet t’i çojnë përpara, me qëllim që qytetarët të humbin sa më pak kohë për shërbime me shumë ministri, institucione publike, shkolla, çerdhe, etj.

“Ministria jonë sapo ka fituar grant nga fondet para-aderuese të Bashkimit Evropian, sipas të cilit do të zhvillojmë mbi 130 shërbime elektronike brenda këtij mandati qeveritar. Edhe pse tani jemi në fazën e identifikimit të këtyre shërbimeve, kriter për zgjedhjet e shërbimeve do të jetë shkalla e përdorimit të të njëjtave, duke insistuar që shërbimet ku më së shumti pritet me radhë të gjata dhe me humbje kohe nga ana e qytetarëve dhe bizneseve, të jenë objekt i transformimit digjital. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në luftimin e korrupsionit, duke eliminuar faktorin njeri për marrjen e një shërbimi”, thotë për Portalb.mk, për Portalb.mk, Shpëtim Latifi, këshilltar i ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Nuk ka bazë të unifikuar me të gjitha të dhënat për shërbimet elektronike, nuk dihet sa përdoren ato

Maqedonia e Veriut nuk ka bazë të unifikuar me të dhëna zyrtare në lidhje me ofrimin e shërbimeve elektronike. Konkretisht, nuk dihet sesa gjithsej qytetarët i kanë shfrytëzuar këto shërbime, në krahasim me shërbimet tradicionale – me prezencë fizike. Andaj, kemi kontaktuar me disa nga institucionet që japin shërbime dhe nga informatat që morëm, mund të thuhet se qytetarët ende shkojnë në masë më të madhe nëpër sportele.

Portalb.mk, kontaktoi me Ministrinë e Shoqërisë Informatike, por ata na kanë thënë se nuk posedojnë të dhëna të tilla.

Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht Zyra për Udhëheqje me Librat e Gjendjes Civile ka krijuar Regjistrin Elektronik Amë nëpërmjet të cilit, qytetarët mund të aplikojnë për shërbimet e këtij institucioni. Për të dorëzuar kërkesë për nxjerrjen e dokumenteve, një person duhet të krijojë profil të tij me fjalëkalim. Ky portal ofron që edhe pagesa të bëhet online.

Kërkuam të marrim të dhëna statistikore se sa qytetarë i kanë përdorur shërbimet e tyre në formë elektronike dhe sa me prani fizike, por nuk posedonin. Ata na ofruan vetëm numrin e kërkesave elektronike të nxjerra prej Platformës Nacionale “euslugi”. Sipas të dhënave, prej 1 janar 2019 deri më 10 shtator 2020, nëpërmjet portalit “euslugi”, janë dorëzuar afër 27.764 kërkesa në këtë ministri. Portali momentalisht ka 26.129 shfrytëzues të regjistruar.

Edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila ofron një sërë shërbimesh për qytetarët, nuk ka të dhëna statistikore se sa qytetarët prej sektorëve nën kompetenca të Ministrisë kanë nxjerrë dokumente në formë elektronike dhe sa në formë me prani fizike.

Jo-zyrtarisht, burime nga Ministria thonë se shumica e qytetarëve dokumentet i nxjerrin me prani fizike, ndërkaq në formë elektronike mjaft pak. Në mungesë të këtyre të dhënave, MPPS na ofroi të dhëna për përdorimin e të drejtës së qytetarëve për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik. Këto të dhëna tregojnë se qytetarët më tepër preferojnë ta përdorin formën me prani fizike.

“Gjatë vitit 2019-të, për shërbimin për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik janë marrë gjithsej 112 kërkesa prej të cilëve 107 në formë të letrës dhe 5 në formë elektronike. Në vitin 2020 (deri në shtator), 27 qytetarë kanë dorëzuar në formë të letrës dhe 13 në formë elektronike”, thonë nga MPPS.

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me caktimin e terminëve për nxjerrjen e dokumenteve personale tregojnë se qytetarët i mbeten besnik procedurës së vjetër, pavarësisht se në vitin 2020-të ka një rritje të përdoruesve të platformës elektronike, në krahasim me vitin 2019-të kur kjo platformë kishte ngecje.

“Në vitin 2019-të nëpërmjet Qendrës për Thirrje janë caktuar 413.092 dokumente, a prej shërbimit online 21.862. Në vitin 2020, deri në fund të gushtit, nëpërmjet thirrjes telefonike janë caktuar 295.231, a nëpërmjet shërbimit online 104.607”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Për dallim prej tyre, sipas të dhënave të Regjistrit Qendror për kërkesën për të shikuar gjendjen aktuale të subjekteve, më shumë kanë përdorur shërbimin elektronik.

Prej janarit të vitit 2019-të deri në mes të shtatorit të vitit 2020, për këtë shërbim në formë elektronike e kanë shfrytëzuar mbi 140.000 qytetarë, ndërkaq në forme të letrës, apo me prezencë fizike mbi 100.000 qytetarë.

Por, nga ana tjetër, shërbimin “Ndalesë për kryerje të profesionit, veprimtarisë, autorizimit” e kanë shfrytëzuar vetëm 588 nëpërmjet rrugës elektronike, ndërkaq 7.111 të tjerë nëpërmjet pranisë fizike. Situatë e njëjtë paraqitet edhe me shërbimin “Ndalesë për pjesëmarrje në thirrje publike, furnizim publik”, ku 936 e kanë shfrytëzuar në formë elektronike, ndërkaq 7.358 me prezencë fizike. Shërbimin “Vërtetim për procedurë falimentuese”, e kanë përdorur 15.004 nëpërmjet procedurës me prani fizike, ndërkaq 26.154 në formë elektronike.

Portalb.mk, ka analizuar edhe shërbimet elektronike që jepen në nivel lokal.

Edhe pse deri te BNJVL kemi dorëzuar një sërë pyetjesh në lidhje me atë se në çfarë niveli të digjitalizimit janë komunat, a kanë të dhëna statistikore për shfrytëzimin e të njëjtave, a kanë resurse financiare dhe njerëzore, si dhe a bashkëpunojnë me pushtetin qendror, po të njëjtët nuk na kanë kthyer përgjigje.

raportin për vitin 2019-të për punën e BNJVL-së, thuhet se ekziston një Njësi për Përkrahje të Shërbimeve Elektronike (ZEPE), përmes së cilës mundësohet realizimi i përshpejtuar i njërit prej qëllimeve prioritare strategjike të BNJVL-së për përkrahjen e anëtareve të saja në krijim të “e-komunave”.

Ashtu siç e kanë theksuar edhe në raport, në nivel të komunave ekzistojnë 7 platforma për shërbime elektronike, megjithatë ne i analizuam dhe shumica prej tyre nuk janë funksionale.

Megjithatë, edhe ata që funksionojnë përdorimi i tyre është shumë i ulët.

“Përmes sistemit të informacioneve http://www.gradeznadozvola.mk komunat në vitin 2019 lëshuan 2109 miratime për ndërtim, ndërsa përmes sistemit të informacioneve për ankand elektronik publik për zbatim të procedurës për shitje dhe dhënie me qira të sendeve të paluajtshme dhe të luajtshme http://www.estvari.mk patën rreth 100 shpalljeve për ankande”, thuhet në raport.

Shembuj pozitiv të ofrimit dhe shfrytëzimit të shërbimeve elektronike

Sipas një raportit të “ICEDA”, projekti i “Metamorfozis” në lidhje me gjendjen aktuale dhe avancimin e agjendës digjitale të Maqedonisë së Veriut, ekzistojnë edhe shembuj pozitiv ku shërbimet elektronike kanë pasur sukses.

“Edhe përskaj të gjitha sfidave, përvojat me reformat drejt lehtësimit të qasjes së qytetarëve deri te shërbimet elektronike në Maqedoninë e Veriut janë premtuese”, thuhet në raport.

Shembull pozitiv është funksionimi i portalit online “TerminiIm” që e udhëheq Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me institucionet shëndetësore prej të gjitha segmenteve të mbrojtjes shëndetësore, me qëllim kryesor që të vendoset procese automatike të punës në koordinim me të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore, administratës shëndetësore dhe barnatoret. Shërbimet shëndetësore së fundi u pasuruan edhe me sjelljen e “e-recetë” për terapi kronike për personat e sëmurë, që kryesisht u lëshua në përdorim pas pandemisë.

Shembuj tjerë pozitivë janë edhe “sistemi elektronik për pagesë elektronike të taksës rrugore” i cili u pranua si sukses me mbi 12.000 shitje të pajisjeve për pagesë elektronike për dy muaj, por edhe sistemi e-tatimi që e thjeshtëzoi njoftimin tatimor, i cili paraprakisht ishte praktikuar vetëm në letër. Si vazhdim i këtij sistemi, është krijuar edhe aplikacioni “TVSH-ja Ime” që mundëson kthim të TVSH-së për obliguesit individual tatimor, aplikacioni ka mbi 100.000 shkarkime dhe sipas vlerësimeve të autoriteteve e ka ulur nivelin e fshehjes së tatimit dhe ka sjellë të ardhura shtesë në buxhet.

DAP, DHP
Foto: Arbnora Memeti

Portalb.mk, bisedoi me përfaqësuesit e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, njëri ndër institucionet që ofron më shumë shërbime online.

Sipas të dhënave të DAP, në tremujorin e dytë të vitit 2020, në sistemin “e-tatimi” ka pasur gjithsej 133.795 të regjistruar, prej të cilëve, 89.927 kanë qenë persona juridik, ndërkaq 43.868 fizik.

“DAP përveç asaj që thuajse të gjitha shërbimet për qytetarët i ofron në formë elektronike dhe nuk është e nevojshme që të vijnë në hapësirat e DAP, nëpërmjet zyrave tatimore u jep instruksione të gjithë atyre qytetarëve të cilët nuk dinë se si t’i shfrytëzojnë shërbimet elektronike”, thotë për Portalb.mk, Mihajllo Mihaillov nga DAP.

Sipas tyre, më së shpeshti zyrat tatimore vizitohen prej qytetarëve të cilët nuk dinë të dorëzojnë/ngarkojnë nëpërmjet sistemit elektronik e-tatimi personal llogaritje akontative për të ardhurat nga qiratë – konfirmim të Paraqitjes Vjetore Tatimore, plotësimit të llogaritjes akontative për realizimin e të ardhurave prej çfarëdo lloj baze dhe ngjashëm.

Hulumtimi është në 4 pjesë, vazhdon nesër…

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Ndaje: