Për herë të parë në historinë e luftës njerëzore, lufta në Ukrainë po zhvillohet nën syrin vigjilent të komunitetit ndërkombëtar të organizuar të verifikuesve të fakteve, misioni kryesor i të cilit është që këtë herë e vërteta të mos jetë viktima e parë në momentin kur fillojnë të fluturojnë plumbat.
Edhe këtë vit, komuniteti global i verifikuesve të fakteve, i mbledhur në kuadër të Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve (IFCN), i cili tashmë ka organizata nga mbi 100 vende të botës, e shënon 2 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.
Por, ndryshe nga të gjitha vitet e mëparshme, këtë herë shënimi bëhet nën hijen e luftës në Ukrainë, konfliktit më të madh ushtarak në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili në kohëzgjatjen e tij gjashtë javore mori mijëra jetë nga të dyja palët dhe u shpërnguli mbi 4 milionë njerëz nga Ukraina.
Kjo luftë thuhet se është më e mbuluara nga mediat deri më sot, për të cilin, kuptohet, rol të madh luan ngritja e rrjeteve sociale, por nga ana tjetër ajo po zhvillohet edhe nën syrin vigjilent të një rrjeti të përhapur të verifikuesve të fakteve nga Ukraina, nga kontinenti evropian dhe nga e gjithë bota.
Pothuajse paralelisht me fillimin e veprimeve luftarake, verifikuesit e fakteve u organizuan edhe përmes iniciativës #UcraineFacts, të cilët i bënë të disponueshme hulumtimet dhe analizat e tyre në një vend, duke i mundësuar publikut ndërkombëtar që të informohet shpejt dhe lehtë për dezinformatat që qarkullojnë në media, në rrjetet sociale, duke u përpjekur, të paktën deri diku, të zbehin “mjegullën e luftës”, e cila mblidhet gjithmonë sapo armët marrin përparësi ndaj politikës në marrëdhëniet ndërmjet shteteve.
Verifikuesit e fakteve, gjatë krijimit të #UcraineFacts, e përdorën përvojën e fituar në fillimet e pandemisë së Kovid, kur nisi iniciativa #CoronaVirusFacts Alliance, përmes të cilës e informuan opinionin ndërkombëtar për dezinformatat e shumta, e gjithë kjo me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik në vendet e tyre, por edhe globalisht, edhe atë veçanërisht në javët dhe muajt e parë të pandemisë, kur dezinformatat përhapnin frikë, panik, pasiguri, zemërim, por edhe gënjeshtra të rrezikshme, të cilat ndonjëherë kushtuan edhe jetë njerëzish.
Vërtetmatësi, si anëtar i IFCN, së bashku me mediat simotra që publikohen nga Fondacioni Metamorfozis – agjencia e lajmeve Meta dhe portali Portalb (i cili këto ditë festoi 10 vjetorin e ekzistimit të tij), merr pjesë plotësisht në të gjitha këto iniciativa ndërkombëtare, duke punuar me këmbëngulje në promovimin e fakteve, ekspozimin e dezinformatave, ekspozimin e teorive konspirative dhe zbardhjen e mashtrimeve, si në media ashtu edhe në rrjetet sociale. Vetëm në gjashtë javët e fundit që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Vërtetmatësi ka publikuar tashmë pothuajse 50 demaskime të dezinformatave të ndryshme në lidhje me konfliktin e armatosur.
Gjatë javës së ardhshme, verifikuesit e fakteve nga Fondacioni Metamorfozis në rrjetet sociale, përmes videove të tyre personale, do të shënojnë 2 Prillin, por në nivel global mund t’i bashkoheni paneleve të IFCN që do të organizohen në internet, të cilat do të mbahen gjithashtu javën e ardhshme, ku do të diskutohen një sërë temash me interes për verifikuesit e fakteve, duke u regjistruar këtu.
Ndaje: