Duhet të bëjmë më shumë për Maqedoninë e Veriut nëse duam ta zvogëlojmë numrin e të rinjve që ikin nga vendi, nuk mendoj se kemi problem me krijimin e strategjive për zgjidhje të këtij problemi, por çalojmë në implementimin e tyre. Kështu deklaroi zëvendës-kryeredaktori i Agjencisë së Lajmeve “Meta.mk”- Bojan Bllazhevski, duke folur mbi temën “Migrimet ekonomike dhe ikjen e trurit (brain drain)” në konferencën POINT (Politic Accountability and New Technologies-Përgjegjësia Politike dhe Teknologjitë e Reja) e cila filloi dje në Sarajevë, shkruan Portalb.mk.
Duke iu referuar studimit të fundit të Westminster për Maqeoninë e Veriut, Bllazhevski tha se rezultatet janë të njëjta për vitin e tretë me radhë, ku 60% e të rinjve duan të shkojnë jashtë nëse kanë mundësi, dhe 27% e tyre nëse shkojnë nuk do të kthehen më dhe 37% kanë thënë se ka. një shans shumë i vogël për t’u rikthyer.
“Ky është një problem i madh. Çështja kryesore është se çdo qytetar ka rëndësi, nëse dëshiron të shkojë jashtë, ky është problem, është problem edhe sot të gjesh një hidraulik në Shkup, sepse shumica e tyre kanë shkuar jashtë në Evropë. Nuk mendoj se kemi problem me strategjitë, mund të bëjmë strategji por aktivitetet që propozohen në strategji nuk plotësohen gjithmonë”, tha Bllazhevski.
Ai shtoi se vendi nuk ka një strategji të qartë se çfarë duhet të bëjmë në të vërtetë.
“Jemi disi, kjo është ndjesia ime që po vrapojmë pas atyre sidomos për punonjësit e shëndetësisë, po mundohemi të rrisim pagat ose të përmirësojmë kushtet, por ju e dini se gjithmonë ka mungesë burimesh, mungesë parash. Mund ta bësh në një periudhë 4-5, por pas kësaj kjo rritje e pagave për mjekët është pothuajse asgjë sepse Gjermania gjithmonë mund të japë më shumë”, theksoi Bllazhevski.
Ai gjithashtu theksoi se vendi ka problem me ikjen e punonjësve të stafit mjekësor, ku referuar rezultateve të një hulumtimi nga Oda e Mjekësisë së Maqedonisë së Veriut që është bërë në vitin 2019, pothuajse 12% e mjekëve që kanë licencë kanë shkuar jashtë vendit. Mosha mesatare e atyre mjekëve është rreth 40 vjeç, në periudhën kur mund të zëvendësojnë mjekët e moshuar, ata thjesht shkojnë jashtë shtetit, si në Gjermani.
Ndër të tjera, Bllazhevski theksoi se problemin me migrimin e nxori në pah regjistrimi i cili u bë vitin e kaluar, nga ku siç tha Bllazhevski, rezultatet janë të këqija, nga ku vendi ka humbur 9.2% të popullsisë nëse krahasohet me rezultatet para njëzet viteve në 2001.
“Faktikisht ne kemi humbur 185 mijë qytetarë që është shumë për Maqedoninë e Veriut, ndoshta këto të dhëna për shtetet më të mëdha nuk janë problem i madh. Por, nëse marrim për shembull numrin e qytetarëve të cilët jetojnë në qytetin e dytë dhe të tretë më të populluar në RMV pas Shkupit, praktikisht këto numra janë rreth 185 mijë. Ne humbëm shumë nga popullsia jonë dhe mendoj se ky është një problem shumë i madh për vendet më të vogla dhe veçanërisht për intelektualët apo ata që punojnë në sektorin mjekësor. Do të thoja se mosha mesatare e popullsisë është rreth 40 vjeç dhe kemi 638 mijë qytetarë nën moshën 29 vjeç që është rreth 34% e të gjithë popullsisë”, tha Bllazhevski.
Përveç migrimit jashtë vendit, Bllazhevski theksoi se njerëzit edhe nga qytetet tjera në vend shpërngulen në Shkup.
“Shkupi ka një numër rekord të qytetarëve si asnjëherë më parë, kemi 526 mijë qytetarë vetëm vetë qytetin dhe me periferi rreth 600 mijë që është një numër i madh në krahasim me dy dekada më parë. Njerëzit nuk po shkojnë vetëm jashtë vendit, por edhe qytetarë nga qytetet më të vogla apo qytete të tjera vijnë në Shkup. Praktikisht 1/3 e popullsisë jeton në Shkup dhe nëse marrim qytetet fqinje si Tetova, Kumanova dhe Velesi që janë 50 kilometra larg nga Shkupi, ju keni 850 mijë qytetarë në këtë pjesë të vendit”, tha Bllazhevski.
Së bashku me Bllazhevskin, të njëjtin problem në vendet e tyre e theksuan edhe Jasmin Hasiç– profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe drejtor ekzekutiv i Humanity in Action-Bosnje dhe Hercegovinë , Andrea Miçanoviç– analiste në Qendrën për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut- Mali i Zi; Gordana Radojeviç– kryetare e Shoqatës së Statisticienëve dhe Demografëve- Mali i Zi.
Konferencën mund ta ndiqni në videon më poshtë.
Përveç Bllazhevskit, dje në konferencë folën edhe kryeredaktorja e Portalb.mk- Elida Zylbeari si dhe kryeredaktori i Vërtetmatësit- versionit në gjuhën maqedonase- Vlladimir Petreski.
Ndryshe, konferenca POINT organizohet nga anëtarët e rrjetit ACTION SEE, pjesë e së cilës është edhe Fondacioni Metamorfozis.
Ndaje: