Të gjitha studimet shkencore që janë bërë dhe bëhen në botë, si dhe matjet e bëra atje ku përdoret kjo teknologji, por edhe matjet gjatë testimeve në Shkup, tregojnë se nuk ka dëshmi se teknologjia 5G ka efekt të dëmshëm mbi shëndetin e njeriut apo mjedisin jetësor. Është mirë që gjithmonë të jemi të kujdesshëm, të bëjmë pyetje në lidhje me ndikimin e teknologjive të ndryshme, por në të njëjtën kohë t’i ndjekim rezultatet, pra numrat, nga kontrollet, dhe të mos besojmë vetëm në teoritë e konspiracionit. Ndërsa, testet e deritanishme nuk kanë treguar se ka ndonjë efekt të dëmshëm nga kjo teknologji, gjë që do të sjellë përfitime të mëdha jo vetëm për qytetarët dhe për një jetë të rehatshme dhe të sigurt, por edhe për bizneset, industrinë, e madje edhe mjekësinë.

Një mesazh i tillë u dërgua sot nga pjesëmarrësit në diskutimin në panel “Dialogje për Agjendën Digjitale: Gjithçka që keni dashur të dini rreth teknologjisë 5G” në organizimin e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”.

Për të gjitha aspektet e kësaj teknologjie që nuk është ende në përdorim në vendin tonë e as në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe futja në përdorim e së cilës mund të pritet në vitet e ardhshme, në këtë ngjarje që u mbajt përmes platformës “ZOOM” folën Bardhyl Jashari, Drejtor ekzekutiv i Fondacionit për internet dhe shoqëri, “Metamorfozis”, pastaj Dr. Boris Arsov, Udhëheqës i Sektorit për Telekomunikacion në Agjencinë e Komunikimeve Elektronike (AKE), Dr. Tomislav Shuminoski, docent në Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FETI), si dhe Vasko Najkov, Drejtor i Sektorit për Rrjetet e Qasjes në Makedonski Telekom.

Problemi është në përhapjen e dezinformatave nga aktorë të painformuar

Problemi më i madh, jo vetëm me teknologjinë 5G, por edhe me rrezatimin nga 4G, e cila tani përdoret si më e avancuar, është se po përhapen shumë dezinformata. Kjo për faktin se njerëzit kanë frikë nga efektet e mundshme të dëmshme, gjë që është normale dhe e pritshme, por në të njëjtën kohë ata kanë pak njohuri për frekuencat, për shembull. Dhe kështu krijohet një hapësirë për plasimin e nebulozave të ndryshme në publik, tha drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, i cili është gjithashtu inxhinier i elektroteknikës.

“Për sa i përket shëndetit, me sa di unë, asnjë vend nuk ka raportuar deri tani ose do të jetë edhe më e vështirë të dëshmohet se diçka e keqe po ndodh me teknologjinë 5G dhe ndikimin e saj tek njerëzit. Tek ne, edhe AKE-ja edhe FETI kanë bërë testime, dhe deri më tani nuk kam dëgjuar ose lexuar fakte rreth ndikimit të keq, përveç teorive të konspiracionit. Ky shqetësim për mendimin tim nuk është një gjë e keqe – do të thotë që qytetarët janë më të vetëdijshëm dhe kërkojnë më shumë siguri para se të fillojnë ta përdorin këtë teknologji, dhe kjo vetëm do të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë së kësaj teknologjie dhe të pajisjeve. Unë mendoj se kjo frikë nga 5G, kjo teknofobi, flet për mosnjohjen e gjërave, mosnjohjen e frekuencave, për shembull. Ka pretendime se pajisjet 5G nxehen shumë … Edhe një pajisje e vjetër, nëse flisni për 20 minuta, është normale që do të nxehet”, theksoi Jashari.

Dr. Tomislav Shuminoski, docent në FETI, pajtohet se nuk duhet të ketë frikë nga 5G, e as edhe nga 4G, 3G, e madje edhe 2G, për shembull, në vend. Ai tha se si anëtar i komunitetit akademik është absolutisht i bindur se rrezatimi nga antenat celulare në vend nuk është dëshmuar se është i dëmshëm. Përkundrazi, thotë ai, matjet e AKE-së deri më tani kanë treguar se rrezatimi është deri në 15% nën kufirin maksimal të lejuar. Dhe, theksoi ai, si operatorët ashtu edhe prodhuesit e pajisjeve nuk do të ishin të interesuar të vendosnin diçka që do t’i vriste njerëzit, gjegjësisht përdoruesit e tyre.

“Siç mund të shihet nga brezat e frekuencave të parashikuara për 5G, të cilat janë diku deri në afërsi të frekuencave për 4G, çdokush mund t’i lexojë hulumtimet dhe raportet nga matjet e AKE-së në faqen e tyre të internetit. Matjet e bëra tregojnë se rrezatimi është deri në 15 për qind më i ulët se maksimumi i lejuar. Mund të lexohen edhe raportet dhe punime shkencora nga bota… Nga hulumtimet në botë që i kam parë, mund të them se nuk ka efekte të dëmshme negative në trupin e njeriut nga rrezatimi elektromagnetik, gjegjësisht nga rrezatimi nga stacionet bazë” – theksoi Shuminoski.

Pretendimet e teorive të konspiracionit, sipas tij, janë si pretendimet e dikujt që beson se Toka është e rrafshët, për ta bindur dhe për t’i paraqitur “prova” dikujt që ka qenë në hapësirë se planeti ynë është një pllakë.

“Edhe kjo situatë me komplotet rreth 5G më duket sikur dikush që beson se Toka është e rrafshët, ta pyesë, të themi, Juri Gagarinin, i cili ka qenë në gjithësi dhe ta bindë atë se Toka është e rrafshët”, potencoi Shuminoski.

Matjet e rregullta tregojnë shumë më pak rrezatim sesa rrezatimi maksimal

Matjet gjatë testimit të teknologjisë 5G në qendër të Shkupit vitin e kaluar nga dy operatorët mobilë, “Telekom” dhe “A1”, por edhe të gjitha matjet e mëparshme nga AKE-ja të kryera në vend që nga viti 1996, kur u fut në përdorim telefonia celulare” nuk tregojnë tejkalimin e rrezatimit maksimal të lejuar elektromagnetik nga stacionet bazë, tha Dr. Boris Arsov nga AKE-ja. Kishte tejkalime tek transmetuesit e radios, por në stacionet bazë të telefonisë celulare të gjitha matjet e Agjencisë treguan shumë më pak rrezatim sesa kufiri maksimal i lejuar.

“AKE-ja kryen matje të vazhdueshme në këtë drejtim, sepse kjo është një temë delikate – a ndikon rrezatimi jojonizues mbi shëndetin – kështu që për sa i përket 4G kemi një detyrim ligjor për të kryer monitorim të rregullt, pastaj monitorim të jashtëzakonshëm në rast të raportimit nga ndonjë individ apo institucion, dhe nëse ka vërejtje t’i japim urdhëresë operatorit që ta eliminojë problemin, e pastaj edhe mbikëqyrje kontrolluese për të parë nëse operatori ka reaguar, dhe deri më tani nuk kemi pasur ndonjë rast që të vërejmë tejkalimin e vlerave. Mund të them me siguri se që nga viti 1996 e deri më sot, asnjë operatori që ka stacione bazë, AEK-u nuk i ka lëshuar paralajmërim për rrezatim të tepërt në stacionin bazë.

Të gjitha rezultatet që i kemi matur deri më tani janë brenda kufijve normalë, pra 10 deri në 100 herë më të ulët se kufiri i lejuar. Raportet tona mund të shihen në faqen tonë të internetit.

Tejkalim të vetëm ka tek radiot në frekuencën FM, edhe atë për disa arsye komerciale. Më shumë me tek stacionet lokale të radios, për shembull, nëse ka licencë vetëm për Kavadarin e transmetuesi është në Ljubosh, radioja e mbulon edhe Gjevgjelinë, Negotinën dhe Velesin, kështu që ne reagojmë në raste të tilla. Këtu, në fushën e telefonisë celulare, AKE-ja nuk ka lëshuar ndonjë vërejtje deri më tani në lidhje me tejkalimin e rrezatimit jo-jonizues” – tha Arsov.

Lidhur me rreziqet që mund t’i sjellë teknologjia 5G, Bardhyl Jashari vuri në dukje shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut dhe privatësisë nga operatorët ose palët e tjera të interesit dhe theksoi se autoritetet shtetërore kanë për detyrë të përgatisin ligje dhe akte nënligjore që do të parandalonin monitorimin ose përgjimin e paautorizuar.

Për sa i përket përfitimeve, të katër folësit në ngjarjen e ICEDA-s i theksuan shpejtësitë shumë më të larta dhe vonesën shumë më të ulët të lidhjes së internetit sesa ato aktuale, mundësinë e përdorimit menaxhimit nga largësia në kohë reale edhe në industri, e madje edhe në kirurgjinë nga distanca, por dhe përfitimet në aspekt të menaxhimit të pajisjeve shtëpiake edhe kur nuk jeni në shtëpi, në kuadër të konceptit “interneti i gjërave”. Gjithashtu u theksua se teknologjia 5G do të luajë një rol të madh në futjen në përdorim të automobilave dhe kamionëve pa shofer.

“Teknologjia 5G do të sjellë shpejtësi shumë më të larta – nga 10 në 50 gigabit për sekondë, kur me teknologjinë aktuale ajo arrin 200-300 megabitë për sekondë” – ilustroi Shuminoski.

Përndryshe, siç theksuan Arsov nga AKE-ja dhe Vasko Najkov nga “Telekomi i Maqedonisë”, edhe pse Strategjia Kombëtare parashikon që deri në vitin 2023 të paktën një qytet më i madh të mbulohet me teknologji 5G, ndërsa deri në vitin 2025 edhe 50% e popullsisë, tani ende janë duke u përcaktuar afatet, të cilat varen nga shumë faktorë, por më shumë duhet të dihet së shpejti.

AKE-ja aktualisht është duke u përgatitur për shpalljen e tenderit për frekuencat 5G, dhe të gjithë të interesuarit mund të paraqesin komente ose sugjerime. Teksti i qëllimit për shpalljen e tenderit mund të shihet këtu.

Ndaje: