Sot (5 prill 2023) vazhdoi punën Konferenca ndërkombëtare Transformimi Digjital i Qytetarëve” e organizuar nga Fondacioni Metamorfozis nga Shkupi, me ç’rast paneli i parë i mbajtur kishte titullin “Si të ndërtohet rezistenca ndaj luftës hibride?”

Ilia Zhupanoski, Bashkëpunëtor për komunikime digjitale në zyrën e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, theksoi se shoqëria kohëve të fundit po përballet me sfida gjithnjë e më serioze nga lufta hibride, përfshirë këtu edhe me një fluks të dezinformatave që kanë për qëllim arritjen e një ndikimi politik, të sigurisë apo ekonomik. Ai shtoi se masat e tilla jokonvencionale synojnë në radhë të parë rrënimin e demokracisë dhe ngjalljen e mosbesimit tek qytetarët ndaj qeverisë dhe mediave, si dhe përhapjen e panikut, siç ishte rasti me lajmërimet e rreme për bomba të vendosura në shkolla dhe qendra tregtare.

Duke i theksuar masat e ndërmarra në vendin tonë për përballje me kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike, këshilltari i kryeministrit theksoi se një masë institucionale është ndërmarrë që në vitin 2019 dhe së shpejti do të vijojë me një hap serioz gjithëpërfshirës të inicuar nga sektori joqeveritar

“Disa javë më parë në Qeveri erdhi një iniciativë nga një grup organizatash në vend me rekomandime konkrete për përballje me dezinformatat dhe qeveria e ka pranuar këtë si një bazë të mirë, kështu që presim që së shpejti të ulen së bashku në tryezë dhe të krijojnë një plan kombëtar për t’i përfshirë të gjitha palët e interesuara në përballjen me këtë problem” potencoi Zhupanoski.

Aleksandar Acev, udhëheqës i Qendrës Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike – MKD CIRT në kuadër të Agjencisë së Komunikimeve Elektronike, theksoi se kërcënimet nga sulmet hibride kërkojnë masa të organizuara dhe bashkëpunim të ngushtë të gjitha palëve të interesuara, pa dallim a bëhet fjalë për institucione shtetërore, organizata civile apo qytetarë.

“Raportimi i detyrueshëm i incidenteve nga ana e qytetarëve dhe nga organeve të ndryshme, është kushti themelor që ata të fitojnë rezultatin e dëshiruar”, deklaroi Acev, duke sqaruar se të gjitha informacionet për raportimin e incidenteve ofrohen në ueb-faqen e tyre.

Problemi me sulmet hibride dhe dezinformatat nuk është i ri, por daton shumë kohë më parë, vuri në dukje Merle Maigre, Drejtore e Programit të Sigurisë Kompjuterike në Akademinë e e-Qeverisjes nga Estonia.

Duke iu referuar pushtimit aktual të Federatës Ruse në Ukrainë, ajo deklaroi se sulmet nga pala ruse ndaj vendit të saj vazhdojnë edhe më tej, por edhe përshkallëzohen që nga fillimi i pushtimit, me sulme veçanërisht të forta në prill dhe gusht të vitit të kaluar.

“Vetëm një shembull, nëse vitin e kaluar në muaj ka pasur mesatarisht nga12 sulme DDoS ndaj institucioneve shtetërore estoneze, në prill dhe gusht të vitit 2022 ka pasur nga 65 sulme secilin nga këto muaj”, theksoi ajo.

Duke iu referuar masave që duhet të ndërmerren ajo theksoi se para së gjithash nevojitet një fokusim për njohjen e sulmeve digjitale, por edhe për ngritjen e atij problemi në nivel ndërkombëtar, por edhe përfshirje e sektorit privat që ka njohuri dhe kapacitet për t’i ndihmuar autoritetet shtetërore në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe dezinformatave.

Panelet e ardhshme ishin rreth “Mbrojtjes së privatësisë në një botë të drejtuar nga inteligjenca artificiale”, ku u diskutuar për mundësitë për përparim në përdorimin e inteligjencës artificiale në çdo sferë të shoqërisë, duke respektuar në të njëjtën kohë privatësinë e qytetarëve, si dhe “Ndërtimi i komuniteteve rezistente ndaj sulmeve kibernetike.”“, i cili i referohej sigurisë kibernetike, si një gjë që është shumë më tepër sesa thjesht një sfidë komplekse teknologjike, që kërkon ndërtimin e një kulture të bazuar në një nivel të lartë ndërgjegjësimi dhe gatishmërie të gjithë aktorëve në shoqëri.

Në orët e mbrëmjes (18:30, në “Dhomën publike”), për kur janë rezervuar tema kushtuar të rinjve, do të mbahet diskutimi me titull. “Ana e errët e mediave sociale – bashkëjetesa me të mirën dhe të keqen”, ku do të debatohet për vendosjen e kufijve dhe mundësitë e bashkëjetesës me avantazhet dhe sfidat e platformave sociale.

Konferenca organizohet në kuadër të projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian.

Agjendën e konferencës mund ta gjeni këtu.

Fotografitë nga dita e dytë mund t’i gjeni këtu.

Photo credits: Vanco Xhambaski

Ndaje: