
Publikimi i të dhënave të hapura në vend po shënon një përparim cilësor krahasuar me fillimet e tetë viteve më parë, por fatkeqësisht nuk mund të thuhet se ky është ritmi i pritshëm, i kërkuar. Ndonëse shifrat janë shumë më të larta se në fillim, kjo nuk është e gjitha, thekson Dr. Irena Bojaxhievska.
“Ka shembuj pozitivë, si p.sh. “Financat e hapura” të Ministrisë së Financave, por kur çdo gjë bashkohet në një vend, nuk mund të konstatojmë se po shkojmë me ritmin që kërkohet, që pritet. Kur u promovua kultura “open data” (të dhënat e hapura) në Maqedoni, ne ishim ndër pionierët, mirëpo tani nuk kemi rezultate shumë mbresëlënëse”, thotë ajo.
Në prezantimin e saj në seancën e tretë të sotme të konferencës ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk në temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë”, duke i prezantuar gjetjet nga analiza e bërë e situatës, Dr. Bojaxhievska theksoi se në vend, megjithatë, kultura e të dhënave të hapura nuk është zhvilluar mjaftueshëm.

“Nga njohuritë që i kemi fituar gjatë viteve, disa institucione kanë rezistencë për t’i hapur të dhënat edhe nga frika se mos publikojnë diçka që nuk duhet publikuar për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale” – theksoi Bojaxhievska.
Ajo theksoi se sipas njohurive dhe përvojës në komunikim me institucionet, arritjet nuk do të ishin të mundshme pa angazhimin e organizatave të shoqërisë civile, të cilat ofrojnë trajnime dhe projekte, por me këtë nuk zgjidhet problemi – disa institucione nuk kanë burime të mjaftueshme njerëzore për t’i bërë të dhënat e hapura.

Edhe në Kosovë situata nuk është e shkëlqyer, tha Delvina Haxhijaha nga “Open Data Kosovo” (Të dhënat e hapura Kosovë). Ajo shpjegoi se që nga themelimi i organizatës së tyre në vitin 2014, arritja e parë e madhe që kanë arritur është krijimi i një sistemi elektronik për furnizimet publike, por edhe se punojnë në mënyrë intensive për hapjen e të dhënave jo vetëm në nivel qendror, por shumë më tepër në nivel lokal.
Sipas Llazar Pop Ivanov nga ekipi i “Accelerator Lab Team” nga Shkupi, i cili punon në kuadër të UNDP-së dhe në kohezion me ekipe të tjera të tilla në 91 vende të tjera, një nga arritjet e mëdha në fushën e të dhënave është se duke punuar shumë dhe kryesisht duke mbledhur të dhëna, ata kanë arritur të krijojnë një hartë për rajonin e Shkupit ku mund të ndiqet se sa bio-mbeturina janë krijuar nga objektet hotelierike në Shkup. Kjo, tha ai, është e dobishme jo vetëm për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe për të kuptuar se si është gjendja me mbeturinat, por edhe për disa kompani që mund t’i përdorin ato mbeturina.
Konferenca ndërkombëtare e-Shoqëri.mk në temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë “ vazhdon edhe nesër, dhe do të përfundojë të enjten. Në kuadër të konferencës organizohet edhe një hakaton për të dhënat e hapura.
Ndaje: