Sot u mbajt dita e tretë e konferencës ndërkombëtare e-Shoqëri.mk, e cila këtë vit mbahet për herë të 17-të dhe e trajton temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë”. Dita u karakterizua me 2 uebinare që e trajtuan sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale në Maqedoninë e Veriut.

 

Trajnimi me titull: Siguria kibernetike – mitet e zakonshme dhe dezinformatat

Një arsye tjetër për mbajtjen e këtij trajnimi ishin edhe Ditët e edukimit mediatik, të organizuara nga ASHAAM dhe Rrjeti i Edukimit mediatik, të cilat këtë vit kishin në fokus të rinjtë. Më shumë rreth aktiviteteve të rrjetit mund të lexoni këtu.

Trajnimi u përpoq t’u përgjigjej pyetjeve dhe dilemave më të shpeshta që të rinjtë i kanë në lidhje me sigurinë kibernetike dhe sigurinë në internet – çfarë do të thotë saktësisht siguria në internet, a ka mënyra për të mbrojtur veten gjatë komunikimit, bashkëpunimit ose blerjes online? Një fokus i veçantë iu kushtua dezinformatave dhe miteve më të shpeshta që ekzistojnë në lidhje me sigurinë kibernetike, privatësinë dhe natyrën e internetit, dhe se si këto narrative (keq)përdoren nga palë të ndryshme të interesuara për t’i mbështetur mesazhet e tyre.

A mund të jemi plotësisht të sigurt në internet? Është e vështirë të thuhet me siguri, por duke i ditur mënyrat më të zakonshme se si rrezikohet siguria jonë dhe shkelet e drejta jonë për privatësi, mund të fillojmë të ndërtojmë një pamje më realiste të internetit sot dhe të marrim vendime në botën digjitale duke pasur më shume kujdes.

 

Trajnimi me titull: Si të ndërtoni një sistem të fortë dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e privatësisë

Mbrojtja e të dhënave personale ose Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) është një term i përdorur shpesh tashmë një kohë të gjatë, por shumë njerëz e injorojnë ose nuk e kuptojnë vlerën e tij. Në uebinarin e sotëm me titull “Si të ndërtohet një sistem i fortë dhe i qëndrueshëm për mbrojtjen e privatësisë”, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me Ligjin aktual për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe mekanizmat në Maqedoninë e Veriut nga perspektiva e OShC-ve dhe qytetarëve. Përmes uebinarit, organizatave të shoqërisë civile iu ofrua njohuri dhe mbështetje për respektimin e plotë të obligimeve të përcaktuara me këtë Ligj, ndërsa qytetarët u ndihmuan ta kuptojnë Ligjin dhe fuqinë e (keq)përdorimit të të dhënave të tyre personale nga subjektet tjera, por edhe rreziqet e ndarjes së të dhënave personale të njerëzve të tjerë pa pëlqimin e tyre paraprak.

Ju inkurajojmë që ta ndiqni ditën e fundit të konferencës e cila do të mbahet online nëpërmjet ZOOM-it dhe drejtpërdrejtë për pjesëmarrësit e regjistruar, ndërsa pjesa tjetër e audiencës mund ta ndjekë atë përmes Facebook Live në faqen e Fondacionit Metamorfozis në Facebook. Mësoni më shumë në https://e-society.mk/.

Ndaje: