“Nuk është e vlefshme, certifikata duhet të jetë jo më e vjetër se gjashtë muaj”. Sigurisht shumë prej jush kanë hasur në këso përgjigje nga institucionet ku është dashur që të dorëzoni certifikatë të lindjes dhe keni pyetur veten se pse e kërkojnë, por njëkohësisht dhe jeni obliguar që të paguani nga xhepi juaj për një certifikatë të re, e cila do t’i ketë të dhënat e njëjta me atë certifikatë për të cilën ju thanë që nuk është e vlefshme. Ekspertët thonë se institucionet, në raste të këtilla veprojnë në mënyrë të paligjshme, pasi që nuk kanë të drejtë t’u kërkojnë diçka të tillë qytetarëve, shkruan Portalb.mk.
Enti Shtetëror i Revizionit, në raportin e saj për Drejtorinë për Menaxhim me Librat Amë për vitin 2019-të, informoi se nga dhënia e certifikatave të lindjes, kurorëzimit dhe vdekjes, paraqitje të të porsalindurit dhe dhënie të certifikatës nga libri amë i të lindurve, kurorëzim dhe dhënie të certifikatës nga libri i të kurorëzuarve, paraqitje të vdekurit dhe dhënie të certifikatës nga libri amë i të vdekurve, ka realizuar të ardhura gjithsej 36.254.000 denarë (afër 600.000 euro). Të gjitha këto para janë dhënë direkt nga xhepat e qytetarëve dhe të njëjtat do të kurseheshin, po që se shteti ynë do të kishte siguruar digjitalizim funksional të institucioneve dhe me këtë, përveç kursimit të parave, qytetarët do të kursenin edhe kohë dhe nerva.
Pse, jo më të vjetra se gjashtë muaj?
Në çdo certifikatë të lindjes që e lëshon Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë (DMLA), në faqen e prapme ka vulë në të cilën shkruhet se “Certifikata nga libri amë, është dokument publik me afat të pakufizuar të vlefshmërisë. Për ndryshimet dhe plotësuese në statusin civil të cilat nuk janë evidentuar në këtë certifikatë, përgjegjës është personi i cili të njëjtin e përdor si provë”.
Portalb.mk, krahasoi një certifikatë të lindjes që është lëshuar në vitin 2010 dhe një të vitit 2021 dhe kolonat me të dhëna janë identike. Te të dyja certifikatat, personi ka emër dhe mbiemër të njëjtë, datëlindje, numër amë e kështu me radhë.
Dallimi i vetëm mes këtyre dy certifikatave është emri i shtetit. Siç mund të shihet, në vitin 2010 ka qenë Republika e Maqedonisë, ndërkaq tani, Republika e Maqedonisë së Veriut, megjithatë, kjo nuk bën problem në vlefshmërinë e dokumenteve, pasi që, pranohen dokumentet me emrin e vjetër të shtetit.
Por, pavarësisht kësaj, Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë ka miratuar urdhër intern që të mos pranohen certifikatat që janë më të vjetra se gjashtë muaj nën arsyetimin se ka qytetarë të cilët i ndryshojnë të dhënat dhe të njëjtat nuk i evidentojnë dhe me këtë mund të bëjnë dëm më të madh.
“Në çdo certifikatë ka vulë se personi i cili i dorëzon të dhënat, përgjigjet për saktësinë e tyre nën përgjegjësi morale, materiale dhe penale. Por, në praktikë nuk është ashtu. Për shkak të ndryshimeve në emra, adresa, gjendje martesore, pranim ose mospranim të mëmësisë, gjegjësisht atësisë, qytetarët nuk i paraqesin ndryshimet në qarkullimin juridik dhe shërbehen me të dhëna të vjetra. Ata, me këtë bëjnë bigami, kur bëhet fjalë për martesë, kur e ndryshojnë emrin apo mbiemrin, kur bëhet fjalë për identitet dhe tjetër. Për këtë bëhen një sërë shkeljesh, të cilat derisa të zbulohen bëjnë dëme më të mëdha”, thonë nga DMLA, duke shtuar se periudha 6 mujore, vlerësohet si kohë optimale që të rregullohen të dhënat në evidencën amë.
Profesoresha universitare, Ana Pavllovska, thotë se një urdhër i këtillë është kundër ligjit dhe se dokument jo më të vjetër se gjashtë muaj mund të kërkohet vetëm kur bëhet fjalë për certifikatë nga libri i të kurorëzuarve, pasi që kjo parashikohet edhe me Ligjin për Kurorëzim dhe assesi nuk duhet kërkuar certifikatë të lindjes jo më të vjetër se gjashtë muaj. Këtë, sipas kësaj nuk guxon ta bëjë asnjë institucion.
“Udhëzimet e tyre, apo instruksionet, sido që t’i quajnë ato aktet interne, nëse për ato, dikush e ngrit çështjen e ligjshmërisë para Gjykatës Kushtetuese, të njëjtat do të shfuqizohen. Në asnjë shtet nuk ka diçka të tillë. Certifikata e lindjes është certifikatë e lindjes, nuk ka këtu nevojë gjashtë muaj a gjashtë vjet. Njëherë lind, njëherë e merr emrin, mbiemrin, numrin amë e kështu me radhë. Njëjtë është rasti edhe me nënshtetësinë, nuk ka këtu çfarë të kërkohet gjashtë muaj të vjetër a të re. Vetëm në rastin e certifikatës së kurorëzimit mund të kërkohet. Kemi rast kur shtetasit tanë që janë lindur jashtë vendit, u kërkojnë prej jashtë, për shembull certifikatë të lindjes jo më të vjetër se gjashtë muaj, gjermanët qeshen. Tek ata nuk ekziston diçka e tillë dhe nuk u japin, pasi që s’ka çfarë u duhet një certifikatë dytë, habiten”, thotë profesoresha Pavllovska.
Portalb.mk, kontaktoi edhe me Zyrën e Avokatit të Popullit për të diskutuar se si e vlerësojnë qasjen e institucioneve që kërkojnë certifikata jo më të vjetra se gjashtë muaj. Sipas tyre, padyshim që ndryshimi i të dhënave prodhon efekte juridike dhe institucionet insistojnë në të dhëna të sigurta, por megjithatë, institucionet nuk janë përgjegjëse për saktësinë e të dhënave, por vetë qytetarët, për këtë nuk duhet ta problematizojnë afatshmërinë e certifikatave.
“Meqë përgjegjësia për vërtetësinë e të dhënave në certifikatë bie mbi personin, dhe vetëm mbi personin që e përdor certifikatën si dëshmi, atëherë është shumë e logjikshme dhe shumë e natyrshme që institucionet nuk duhet që ta problematizojnë afatshmërinë e lëshimit të këtyre dokumenteve. Përkundrazi, institucionet duhet të tregohen të rehatshme, tolerante dhe fleksibile, pikërisht nga fakti sepse ata nuk kanë kurrfarë pasojash dhe përgjegjësie”, thotë, zëvendës avokatja e popullit, Suzana Saliu, duke shtuar se gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2021 deri tek ata kanë arritur gjithsej 77 ankesa të lidhura me rregullimin e gjendjes civile të qytetarëve, por asnjëra nuk ka të bëj me afatin e vlefshmërisë së certifikatave.
Për dallim nga DMLA, që kërkon certifikata jo më të vjetra se gjashtë muaj, Ministria e Punëve të Brendshme, për nxjerrjen e disa dokumenteve të caktuara kërkon certifikatë të lindjes, por certifikata mund të jetë edhe më e vjetër se gjashtë muaj. Në fakt, deri në vitin 2007-të, ka pasur një udhëzim, sipas të cilit edhe ata kërkonin që certifikatat të jenë jo më të vjetra se gjashtë muaj, megjithatë, në vitin 2007-të, neni 6 i këtij udhëzimi është ndryshuar dhe sipas ndryshimeve, personi zyrtar i bën verifikimet e statusit civil dhe me këtë MPB i pranon edhe certifikatat më të vjetra se gjashtë muaj.
Se nuk kërkohen certifikata jo më të vjetra se gjashtë muaj mund të verifikohet edhe në ueb-faqen e MPB-së. Madje, siç mund të shihet në fotografinë e mëposhtme, MPB e pranon edhe foto-kopjen e certifikatës së lindjes.
“Në pajtueshmëri me aktet dhe nën aktet ligjore të cilat e rregullojnë materien e lëndës rreth nxjerrjes së dokumenteve personale (letërnjoftim dhe pasaportë) nuk kërkohet që certifikata të jetë jo më e vjetër se 6 muaj. Certifikata e lindjes bashkëngjitet si dokument i nevojshëm në procedurën për nxjerrjen e letërnjoftimit apo pasaportës së parë të personit të mitur dhe dhënie të letërnjoftimit të parë të personit mbi 18-vjeç, por nuk kërkohet që certifikata të jetë jo më e vjetër se 6 muaj”, thonë për Portalb.mk nga MPB.
Digjitalizimi, zgjidhja e problemit
“Edhe me certifikata gjashtëmujore mund të ketë keqpërdorime”, vlerëson Iskra Bellçeva, eksperte nga Instituti për Menaxhim me Ndryshime, e cila thotë se patjetër duhet që institucionet shtetërore në çdo moment, duhet t’i kenë të dhënat të përditësuara.
Tejkalimi i problemit, sipas ekspertëve, mund të bëhet vetëm duke i digjitalizuar librat apo regjistrat amë dhe me këtë rast, madje nuk do të kishte nevojë fare për certifikata sepse të gjitha të dhënat do t’i kishin institucionet dhe qytetarët nuk do të obligoheshin të endeshin nëpër institucione.
“Qytetarët edhe tani nuk do të duhej që të paguajnë fare për certifikata për shumë shërbime. Për të gjitha shërbimet, ku mund të identifikohet qytetari vetëm me dokument personal (letërnjoftim, pasaportë), nuk do të duhej që të dorëzohet certifikatë. Nga ana tjetër, për statusin martesor, ende është e nevojshme certifikata, pasi që vetëm në Librin Amë të të Kurorëzuarve është kjo e dhënë. Nëse ky Libër Amë digjitalizohet, atëherë institucionit që i duhet, vetëm do ta shohë të dhënën nga baza e të dhënave”, thotë Iskra Bellçeva nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime.
Siç thotë ajo, institucionet kanë për obligim që të komunikojmë sipas detyrës zyrtare mes vete dhe të mos i ngarkojnë qytetarët me harxhime dhe dokumente të panevojshme. Bellçeva thotë se është vendosur sistemi, megjithatë nuk është plotësuar me të gjitha të dhënat për qytetarët dhe nuk shfrytëzohet nga të gjitha institucionet ose shfrytëzohet shumë pak prej tyre.
Edhe profesoresha Pavllovska është i po të njëjtit mendim, gjegjësisht se problemi mund të tejkalohet vetëm nëpërmjet digjitalizimit.
“Nëse do të kishim digjitalizim të vërtetë, atëherë unë si palë nuk do të shkojë prej një organi në një tjetër që të marr dokument, por ato do ta kenë si rrjet dhe me një klikim DMLA do të shohë gjithçka që përmban MPB dhe anasjelltas. Për fat të keq, kjo nuk është edhe pse me vite flitet se do të digjitalizohen këto shërbime. Ekziston një aplikacion që për të nxjerrë certifikatë në mënyrë elektronike, por edhe pasi ta nxjerrësh dhe ta printosh, atë certifikatë askush s’ta pranon. A digjitalizimi i vërtetë që të mos obligohesh ta printosh, por të marrësh kod QR, siç është tani me vaksinat dhe me atë kod në të gjitha institucionet, sërish në mënyrë elektronike aplikon për çfarëdo që të duhet”, thotë Pavllovska.
Sesa institucionet që japin dokumente të këtilla janë të lidhura mes vete, tregon më së miri Enti Shtetëror i Revizionit, i cili në vitin 2020 publikoi raport për DMLA-në për vitin 2019-të.
Enti Shtetëror i Revizionit në raport thekson se sipas të dhënave në planin strategjik, DMLA disponon me gjithsej 8 milionë të dhëna në librat amë të të lindurve, kurorëzuarve dhe të vdekurve në formë të letrës, të cilët duhet që të vendosen në regjistrin elektronik amë dhe të jenë të qasshëm dhe të shfrytëzohen për nevojat e DMLA-së në formë elektronike. Deri në vitin 2019-të janë futur 2.462.000 të dhëna.
“Prej gjithsej 175 rajonet amë, vetëm 90 janë të lidhura me regjistrin elektronik. DMLA nuk ka punuar plan aksional në të cilin do të konstatohet afati se deri kur do të lidhen të gjitha rajonet amë dhe sistemi të vendoset tërësisht në funksion, por edhe mjetet që duhet të sigurohen që të furnizohet pajisje shtesë dhe lidhje interneti në çdo rajon”, thuhet në raportin e Revizionit.
Nevojën e ndërveprimit apo interoperabilitetit mes institucioneve e përmend edhe Komisioni Evropian, në raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut për vitin 2021. Sipas KE-së, duhet të përmirësohet koordinimi i institucioneve për të përmirësuar digjitalizimin e administratën publike.
“Përdorimi i sistemit të interoperabilitetit vazhdon të pengohet nga mungesa e softuerit të komunikimit në shumë institucione dhe mungesa e vullnetit për të shfrytëzuar plotësisht potencialet e tij. Nevojiten ende përpjekje më të mëdha dhe përmirësimin e koordinimit mes institucioneve për të modernizuar dhe digjitalizuar administratën publike, duke përfshirë edhe krijimin e planifikuar të një agjencie për digjitalizim dhe digjitalizimin e regjistrave. Të dhënat në regjistrin e popullsisë duhet që të ngarkohen dhe kontrollohen plotësisht”, thuhet në raportin e KE-së.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, në një intervistë ekskluzive për Portalb.mk, në qershor të këtij viti deklaroi se digjitalizimi në RMV do të bëhet nëpërmjet Agjencisë Digjitale e cila pritet të themelohet vitin e ardhshme dhe i cili do të jetë institucioni kryesor që do të menaxhonte çështjet e digjitalizimit.
“Aktualisht në ministrinë tonë, ashtu siç e kemi informuar opinionin, jemi në përpilim të ligjit për krijim e Agjencisë Digjitale. Do të jetë institucion i rëndësishëm në vendin tonë, në analizat tona ne e pamë si institucion qendror për digjitalizim sepse aktualisht kemi portalin, ofrojmë disa shërbime, ka një bazë të krijuar, por sa është avancuar është tjetër gjë dhe sa shfrytëzohen shërbimet nga qytetarët është tjetër gjë”, tha Shaqiri.
Portalb.mk, në periudhën e kaluar ka bërë disa hulumtime për nevojën e domosdoshme të shërbimeve elektronike. Sipas hulumtimit, në çështjen e shërbimeve elektronike, Maqedonia e Veriut është 10 vite mbrapa Bashkimit Evropian.
Digjitalizimi i shërbimeve, padyshim që është në dobi dhe interes të qytetarëve, shtetit, por gjithashtu edhe i domosdoshëm për atje ku synojmë të integrohemi, BE. Hulumtimet tona paraprake kanë dëshmuar dhe treguar se rezultatet nga raportet, analizat, apo anketat e institucioneve ndërkombëtare apo të brendshme, por edhe OJQ-ve për administratën e Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm kritika në letër, por problem serioz në përditshmërinë e qytetarëve që enden sporteleve për një dokument të caktuar.
Nxjerrja e dokumenteve me prani fizike, pra në sportele, u harxhon njerëzve kohë, para dhe nerva. Këtë më së miri e treguam në hulumtimet tona ku për një certifikatë të lindjes, i cili mund të nxirret për 5 minuta, pritëm një javë, si rezultat i mungesës së efikasitetit të administratës. Ne, e dëshmuam me ndjekje nga afër të një çifti i cili dëshironte të kryente procedurën e kurorëzimit, i cili hasi në shumë hapje-mbyllje dyersh derisa në fund, nuk mundi të kurorëzohet në komunën e tyre, por shkoi në një komunë tjetër për t’iu shmangur pritjes disa mujore.
Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).
Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.
Storjet hulumtuese mund t’i lexoni më poshtë:
- LEXO: Shkup, mungesa e shërbimeve digjitale, prindërit enden sporteleve për t’i regjistruar foshnjat
- LEXO: Regjistrimin e foshnjave në Shkup sërish duhet ta bëjnë prindërit, spitalet nuk e japin më këtë shërbim
- LEXO: RMV, pritje dhe endje: Rruga e dy të rinjve deri në marrjen e certifikatës së kurorëzimit
- PJESA I: Hulumtim: Qytetarët enden nëpër sportele, RMV 10 vite mbrapa Evropës në fushën e digjitalizimit
- PJESA II: Portali i RMV-së për shërbime elektronike gjysmë-funksional, qytetarët kanë pajisje por nuk marrin informata
- PJESA III: “Nuk na duhet nënshtetësia, kemi letërnjoftim”, shërbimet elektronike mund t’i heqin nga përdorimi një sërë dokumentesh
- LEXO: Shkup, mungesa e shërbimeve digjitale, prindërit enden sporteleve për t’i regjistruar foshnjat
- LEXO: Regjistrimin e foshnjave në Shkup sërish duhet ta bëjnë prindërit, spitalet nuk e japin më këtë shërbim
- LEXO: RMV, pritje dhe endje: Rruga e dy të rinjve deri në marrjen e certifikatës së kurorëzimit
Link deri tek origjinali: https://portalb.mk/769016-eshte-e-paligjshme-qe-tu-kerkohet-qytetareve-te-rmv-se-te-paguajne-per-certifikata-te-reja-jo-me-te-vjetra-se-gjashte-muaj/
Ndaje: