Në kuadër të Projektit të USAID-it për pjesëmarrje qytetare (Civic Engagement Project), duke filluar prej nesër (26.05.2020) fillon faza e re e matjeve të hapjes së 17 institucioneve të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Fondacioni Metamorfozis, në partneritet me Kuantum Prima nga Kavadari, CID nga Kumanova, Shoqata Multikultura nga Tetova, FRLZ nga Shtipi, Blink 42-21 nga Shkupi, LDA nga Struga, AGTIS nga Prilepi dhe Sky Plus nga Strumica, do të kryejë monitorim në komunat e shpërndara në çdo rajon statistikor në vend.

Indeksi i shkallës së hapjes është një tregues i përbërë, që e përcakton shkallën e hapjes së institucioneve ndaj qytetarëve dhe shoqërisë, dhe është krijuar për ta përcaktuar shkallën në të cilën qytetarët e marrin informacione të përshtatshme dhe të kuptueshme nga institucionet.

Për ta matur shkallën e hapjes institucionale, duke i ndjekur standardet, rekomdandimet ndërkombëtare, si dhe shembujt e praktikave të mira, me Indeksin e hapjes do të monitorohen institucionet sipas treguesve të veçantë sasiorë dhe cilësorë, siç janë: qasja në informacione në ueb-faqet zyrtare të institucioneve, cilësia e kornizës ligjore për çështje të caktuara, burimet e tjera të informimit të publikut, të dhënat e publikuara për punën e institucionit, furnizimet publike, informatat për shpenzimin e parave publike, etj.

Pas përfundimit të matjes së hapjes së komunave, e në bazë të të dhënave të analizuara, Fondacioni Metamorfozis do të përgatisë një dokument për politika publike, dhe do të organizojë një fushatë për përfaqësim në mënyrë që t’u ndihmojë komunave të synuara në ngritjen e hapjes së tyre ndaj qytetarëve.

Projektin Civic Engagement Project e zbaton (East West Management Institute- EWMI, në partneritet me katër organizata lokale të shoqërisë civile: Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, Asociacioni për Iniciativa Demokratike (ADI), Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni (FSHHM), dhe Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë (KKRM).

Ndaje: