Foto: Vancho Dzambaski

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis” në panelin e sotëm “Përmes hapjes institucionale tek parandalimi i korrupsionit“, si pjesë e “Forumit të hapur për antikorrupsion”, e promovoi Indeksin e Hapjes rajonale. Është bërë një analizë e thellë e punës së pushtetit ekzekutiv (Qeverisë, ministrive dhe organeve ekzekutive), por jep edhe një përmbledhje të performancës së përgjithshme të institucioneve.

Hulumtimi për Indeksin është kryer në periudhën nga marsi deri në qershor të vitit 2023.

Indeksi i Hapjes e vlerëson performancën e pushtetit ekzekutiv në fushën e qeverisjes së mirë duke u fokusuar në katër fusha: qasshmëria, transparenca , integriteti dhe efikasiteti.

Në të katër fushat është analizuar një fushë e përbashkët – të dhënat e hapura.

 

Gjetjet kryesore nga Indeksi i Hapjes:

– Nga matja individuale e gjithsej 36 institucioneve, Ministria e Mbrojtjes (89,72%) është institucioni lider në përmbushjen e treguesve të hapjes, e më pas vijon Qeveria (79,14%) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (78,9%).

– Në fund të listës së hapjes në Maqedoninë e Veriut janë Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive (27,59%), Drejtoria e Policisë Financiare (37,08%) dhe Sekretariati për Çështjet Evropiane (38,89%).

– Tetë ministri (e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit me Ujërat, Shëndetësisë, Ekonomisë, Drejtësisë, Kulturës, Vetëqeverisjes Lokale, Transportit dhe Lidhjeve, si dhe për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive) janë nën mesataren e ministrive që përmbushin 61,58% të treguesve të hapjes.

– Rezultati i përgjithshëm i pushtetit ekzekutiv arrin vlerësimin më të lartë prej 60,44% në përmbushjen e treguesve të transparencës (disponueshmëria publike e informacionit për organizatën, buxhetin dhe procedurat për furnizime publike), ndërsa vlerësimin më të ulët për treguesit e efikasitetit prej 52,82%.

– Krahasuar midis grupeve të institucioneve (Qeveria, ministritë dhe organet ekzekutive), më e hapura është Qeveria, e cila përmbush 79,14% të kritereve të përcaktuara për hapje. Më pas vijnë ministritë të cilat plotësojnë 61,58% të treguesve, e pastaj organet ekzekutive, të cilat kanë rezultatin më të ulët sipas Indeksit (54,04% përmbushje).

nënkategorinë e qasshmmërisë (është matur shkalla e zbatimit në praktikë e së drejtës për qasje në informata, si dhe cilësia e mekanizmave për përfshirje dhe konsultim në proceset e hartimit të politikave), pushteti ekzekutiv arrin një vlerësim mesatar prej 52,94%. Për vlerësimin mesatar ndikon përmbushja e ulët e treguesve të qasshmërisë nga ministritë (41,54 %) dhe nga organet ekzekutive (41,96 %), të cilët janë nën vlerësimin e përgjithshëm mesatar. Për dallim prej tyre, qeveria plotëson 75.31% të treguesve të qasshmërisë.

– Analizuar nga pikëpamja rajonale, rezultati i Maqedonisë së Veriut është shumë i mirë, sepse për katër vite me radhë në rajon, Qeveria është në vendin e parë për sa i përket përmbushjes së treguesve. Por, duke qenë se rezultati ka stagnuar për disa vite me radhë, edhe pse jemi në krye të renditjes për sa i përket dokumenteve strategjike në fushën e transparencës dhe hapjes, nevojitet një ritëm i përshpejtuar në zbatimin e tyre.

– Indeksi i hapjes tregon se Maqedonie e Veriut është shteti i parë në rajon që e rregullon politikën e hapjes përmes një dokumenti të veçantë, Strategjisë për Transparencë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, qysh në vitin 2019 dhe këtë praktikë e ka vazhduar edhe në vitin 2022.

Rekomandime në afat të shkurtër:

  • Të gjitha organet ekzekutive të kenë një seksion të veçantë në faqen e internetit me qëllim që të mundësojnë transparencë aktive dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me publikun.
  • Institucionet të fusin procedura të brendshme që do ta avancojnë transparencën, me afate të përcaktuara dhe persona përgjegjës për shpërndarjen dhe përditësimin e informacioneve në faqet e tyre të internetit.
  • Institucionet detyrimisht t’i publikojnë programet dhe raporte vjetore për punën e tyre.
  • Qeveria duhet t’i publikojë dokumentet që shqyrtohen dhe që diskutohen gjatë seancave.
  • Proceset e krijimit të politikave duhet të planifikohen paraprakisht dhe për këtë arsye duhet të jenë të parashikueshme, gjegjësisht planet vjetore për konsultimin e palëve të interesuara duhet të publikohen në faqet e internetit.
  • Është e nevojshme vendosja e kontrollit të cilësisë së konsultimeve publike.

Fokusi i institucioneve duhet të jetë në publikimin proaktiv të të gjitha dokumenteve në formatin më të hapur të disponueshëm. Rrjedhimisht, faqet e internetit duhet të zënë një pozicion qendror në të gjitha politikat e hapjes së institucioneve në mënyrë që të përmirësohet disponueshmëria, si dhe cilësia e informacionit, të dhënave dhe shërbimeve.

Më shumë detaje nga analiza dhe gjetjet e Indeksit të Hapjes mund të gjenden të bashkëngjitura.

Publikimi “Vlerësimi i qeverisjes së mirë së pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes” mund të shihet në këtë link: https://tinyurl.com/54fff922 .

 

 

 

Ndaje: