Inteligjenca artificiale (IA) është fusha në shkencat kompjuterike që merret me krijimin e makinave që mund të simulojnë sjelljen njerëzore, pa u orientuar, përkatësisht kontrolluar drejtpërdrejt, nga njeriu. Kjo fushë përfshin disa lloje të sistemeve kompjuterike që “mësojnë”, njohin skema dhe ofrojnë rezultate të shkallëve të ndryshme të kompleksitetit, pa u programuar në mënyrë eksplicite për të. Shembuj të modeleve të tilla janë të mësuarit makinerik dhe “të thellë”. Me përparimin e teknologjisë, modelet e IA-së bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, fillojnë të zbatohen në më shumë fusha dhe procese dhe bëhen gjithnjë më të arritshme për opinionin e gjerë. Vitin e fundit, sistemet si ChatGPT, Midjourney, DALL-E dhe të tjerë kanë “shpërthyer” në treg, duke tërhequr miliona përdorues që i përdorin për përdorim personal, t’i integrojnë në jetën e tyre të përditshme ose në biznesin e tyre. Kjo praktikë e integrimit të modeleve të IA-së në biznes nuk është dukuri e re. Pra, firmat si Gugël, Fejsbuk, Tviter, Spotifaj dhe të tjera moti kohë kanë implementuar sisteme të mësimit makinerik që lehtësojnë përdorimin e produkteve të këtyre firmave. Për shembull, nëse përpiqeni të kërkoni diçka në Gugël, Gugël fillimisht do të përpiqet të përfundojë mendimin tuaj duke ju dhënë disa propozime dhe kërkime të ngjashme. Më pas, në bazë të parametrave të ndryshëm si vendndodhja juaj dhe kërkimet e mëparshme, do t’ju japë listë propozimesh që ai mendon se janë më relevante dhe do të gjeni përgjigjen për kërkimin tuaj, të gjithë këtë me ndihmën e sistemit të mësimit makinerik. Rrjetet sociale mbështeten gjithashtu në sistemet e tilla të IA-së, me qëllim që t’ju japin propozime që ata konsiderojnë se janë më të rëndësishme për ju dhe me këtë edhe më gjatë do të mbajnë vëmendjen tuaj. Mënyra më e lehtë për këto sisteme për të dhënë propozime të sakta është duke përdorur të dhënat tona personale, në procesin e quajtur profilimi. Më tutje, vetë bizneset që përdorin sisteme të IA-së që i profilojnë përdoruesit e tyre mund t’i përdorin këto të dhëna për qëllime marketingu ose t’ua rishitin palëve të treta dhe kështu të kenë fitim. Në këtë tekst do të diskutojmë se si përdoren modelet e IA-së, si i përdorin të dhënat tona personale dhe me çfarë rreziqesh mund të përballemi nëse i ndajmë në mënyrë të pakujdesshme të dhënat tona personale.

Së pari, duhet të bëjmë dallimin midis dy grupeve të sistemeve të IA-së. Grupi i parë i sistemeve të IA-së përfshin ato, funksioni bazë i të cilave nuk varet nga të dhënat personale të përdoruesve. Shembull i sistemit të tillë është Spotifaj. Spotifaj është platformë për strimingun e muzikës dhe potkasteve. Ajo përdor mësimin makinerik (si nënlloj i IA-së) në mënyrë që të krijojë lista dëgjimi dhe të japë propozime muzikore që përdoruesit e tij do ta dëgjojnë. Për këtë qëllim, Spotifaj nuk ka nevojë për profilimin, përkatësisht për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale të përdoruesve. Por, kjo nuk do të thotë që Spotifaj nuk mbledh dhe nuk përpunon të dhëna personale. Nëse dëshironi të parapaguani në këtë platformë në mënyrë që të mund t’i zhbllokoni të gjitha opsionet dhe mos t’ju shfaqen reklamat (në dallim nga versioni falas ku nuk mund të kapërcehen këngë të caktuara, lista e dëgjimit dhe ka shumë reklama që gjithashtu nuk mund të kapërcehen), Spotifaj mbledh të dhëna personale të tilla si posta elektronike, emri dhe mbiemri, data e lindjes, gjinia, numri i kartelës kreditore dhe të tjera, me qëllim që të përgatit llogari dhe të marrë kompensim mujor në lartësinë e parapagesës.

 

Image by Gerd Altmann from Pixabay

Grupi i dytë i sistemeve të IA-së përfshin ato, qëllimi i të cilave është mbledhja e të dhënave personale dhe përpunimi i tyre në mënyrë që të përdorin shërbimin e ofruar nga bizneset. Ky grup përfshin rrjetet sociale dhe bizneset si Gugël. Gugël, përveçse është kërkuesi më i njohur, gjithashtu është edhe platforma më e njohur e marketingut, brenda dhe jashtë internetit. Nëpërmjet vetë kërkuesit, si dhe përmes të gjitha produkteve të ndërlidhura, të tilla si Gugël Mejl, Gugël Maps, Gugël Analitiks, dhe të tjera, ai vazhdimisht mbledh të dhëna personale nga përdoruesit dhe krijon profile për ta. Më tutje, ky biznes i përdor ato profile për t’u mundësuar bizneseve të tjera të panumërta të reklamohen te përdoruesit përmes Gugël si platformë. Sigurisht, Gugël nuk i përdor punonjësit që me dorë i përfundojnë të gjitha këto procese, por e bëjnë këtë përmes sistemit të IA-së që përdor mësimin makinerik. Prandaj, nëse kërkoni pasuri të patundshme në zonën tuaj, ka shumë mundësi që në periudhën në vijim të vërshoheni nga reklamat nga agjencitë e patundshmërive, gjeodetët, etj.

Me pranimin gjithnjë e më të madh të kësaj teknologjie në jetën tonë të përditshme, rritet edhe rreziku i abuzimit të saj. Së pari, rritet sasia e të dhënave personale që i lëmë në platforma të ndryshme. Platformat e ndryshme kërkojnë të dhëna personale për të mundësuar përdorimin e shërbimeve të tyre. Prandaj, së pari duhet të sigurohemi që të dhënat tona personale do të jenë të sigurta dhe të njihemi me mënyrat në të cilat do të përdoren. Më tutje, me avancimin e teknologjisë, përveç të dhënave personale themelore (të tilla si emri dhe mbiemri, data e lindjes, posta elektronike, etj.), gjithnjë e më shumë mblidhen dhe përpunohen të dhënat personale më të ndjeshme, të tilla si të dhënat biometrike. Për shembull, pothuajse çdo telefon inteligjent ka opsion për ta hapur përmes njohjes së fytyrës. Kjo do të thotë që çdo përdorues i telefonit të tillë inteligjent i ofron të dhënat e tij biometrike për mbrojtje më të madhe për telefonin e vet inteligjent. Por, me faktin që këto të dhëna ruhen në server të caktuar, paraqitet edhe rreziku i abuzimeve. Abuzimet e këtyre të dhënave mund

të kenë dëme të mëdha personale dhe pronësore, pasi përmes tyre, mund të sigurohet një numër i madh i të dhënave private dhe të cenueshme të qytetarëve.

Duke pasur parasysh këtë, qytetarët duhet të kenë kujdes se ku dhe në çfarë mase i lënë të dhënat e tyre personale. Pavarësisht të gjithë mekanizmave mbrojtës të përdorur nga këto platforma, si dhe mbrojtjes së imponuar nga legjislacioni i vendeve në mbarë botën, qytetarët duhet t’i lexojnë politikat e privatësisë së këtyre platformave dhe të vendosin vetë nëse dhe në çfarë mase do t’i japin të dhënat e tyre personale. Inteligjenca artificiale është vegël e shkëlqyeshme për thjeshtimin e proceseve të caktuara në industri të ndryshme, për rritjen e njohurive tuaja personale ose për avancimin e karrierës suaj profesionale, por kjo bart edhe rreziqe të caktuara. Në shumicën e rasteve, këto rreziqe nuk vijnë nga vetë teknologjia, por nga përdorimi i saj me qëllim të keq ose nga depërtimi i mekanizmave mbrojtës të këtyre sistemeve. Kontrollimi mbi të dhënat personale duhet të mbetet në duart e përdoruesve, sepse dëmi i shkaktuar nga abuzimi i të dhënave personale është shumë më i madh për vetë përdoruesit sesa për platformat që i mbledhin dhe i përpunojnë këto të dhëna.

 

Autor: Mr. Nikolla Dimitrov

Ky tekst është përgatitur me mbështetje të Bashkimit Evropian. Përmbajtjet në këtë tekst janë përgjegjësia e vetme e partnerëve të projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv” dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Ndaje: