Më 2 nëntor shënohet Dita ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosdënimit* për krime kundër gazetarëve, që u parapa me Rezolutën e OKB-së të vitit 2013. Në këtë moment, 9 nga 10 raste të vrasjeve të gazetarëve në botë janë me status të pazgjidhur dhe kalojnë pa u dënuar. Kjo çon kah kultura e mosdënimit, ku zërat kritikë janë të heshtur, ndërsa qytetarët janë të privuar nga informatat e sakta për shoqëritë në të cilat jetojnë.

Dita ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosdënimit është moment kyç për ngritjen e vetëdijes globale për ndikimin e mosdënimit mbi lirinë e të shprehurit dhe për mobilizimin e aksionit për drejtësi.

Këtë vit, IFEX-i e realizon fushatën “Jo për mosdënimin”, e cila i paraqet përpjekjet aktuale për ta rritur vullnetin politik të vendeve që ta ndërpresin mosdënimin, edhe atë jo vetëm kundër gazetarëve, por edhe kundër artistëve, aktivistëve, bloguesve dhe të tjerëve që e ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u shprehur. Këtë vit theks i veçantë i kushtohet rasteve të Ebrima Mane dhe Musa Saidjan nga Gambia, Hinet Bedoja dhe Shan Dahar nga Pakistani.

VectorLogo_3_single

Na nevojitet ndihma juaj që ta përhapim porosinë se krimet kundër lirisë së të shprehurit patjetër duhet të kenë pasoja, dhe se shtetet duhet të thirren në përgjegjësi kur krimet e këtilla kryhen në kuadër të kufinjve të tyre. Të punojmë së bashku për një botë pa mosdënim. Na ndihmoni ta përhapim zërin duke e:

  • Shfrytëzuar hashtag-un “Jo për mosdënimin”, në anglisht #NoImpunity
  • Shfrytëzuar logon kundër mosdënimit si fotografi tuajën në profilet në rrjetet sociale (No Impunity logo)
  • Ndjekur dhe duke e promovuar ueb-faqen tonë ifex.org/noimpunity prej 2 nëntorit

Duke e shfrytëzuar ditën ndërkombëtare si bazë, kërkoni përgjegjësi dhe llogari. E drejta jonë për liri të të shprehurit dhe informim varet nga kjo!

Për më tepër informata për atë se si të shënohet Dita ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosdënimit, vizitojeni ueb-faqen apostafate të UNESCO-s.

 

Burimi: IFEX. (18.10.2016). Stories in the fight against impunity.

 

*Mosdënim: Kur frikësimi, kërcënimet, sulmet dhe vrasjet kalojnë pa u dënuar, gjë që krijon klimë të padrejtësisë dhe të pasigurisë për të gjithë ata që e ushtrojnë të drejtën për liri të shprehjes.

 

Ndaje: