Identiteti digjital është shumë i rëndësishëm për t’u diskutuar në epokën digjitale sepse pa identitet digjital nuk do të kemi zë nga toka për vazhdimin e transformimit digjital të shërbimeve publike. Rruga e Estonisë drejt digjitalizimi është një shembull i mirë për t’u ndjekur dhe për t’u përvetësuar në rrethanat lokale të vendeve tona. Kështu u shpreh në panelin “Dialogjet e Agjendës Digjitale: A mund të kemi shërbime elektronike cilësore pa identitet digjital?, Milla Josifovska-Danilovska, menaxherja e programeve-Llogaridhënia shoqërore dhe të drejtat e njeriut në internet në Fondacionin Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.

Duke folur për identitetin digjital dhe përdorimin e tij kur bëhet fjalë për zbatimin e shërbimeve të reja elektronike, JosifovskaDanilovska ndau disa nga aktivitetet e vendit dhe punës së saj në këtë drejtim.

Ajo sqaroi për shërbimet elektronike që janë në Maqedoninë e Veriut, sfidat dhe mënyrën e funksionimit.

“Përmes portalit kombëtar të e-shërbimeve që kemi në Maqedoninë e Veriut, i cili është rilansuar dhe rinovuar në vitin 2019/2020, qytetarët mund të marrin një sasi të caktuar të shërbimeve elektronike. Fatkeqësisht në nivele të ndryshme të sofistikimit, jo të gjitha janë plotësisht elektronike. Që ata të përdorin shërbimet elektronike, fillimisht duhet të regjistrohen përmes kësaj shenje të vetme në sistem ku shënojnë emrin e përdoruesit, fjalëkalimin e tyre, më pas në sfond ka shumë kontrolle dhe pasi të mbarojnë, krijohet Identiteti Elektronik (E-ID). Për çdo regjistrim E-ID, Regjistri Qendror i Popullsisë ofron një sasi të caktuar të të dhënave personale si emri, mbiemri, data e lindjes, adresa dhe të gjitha ato të dhëna personale që ju duhet të shkruani në mënyrë që të merrni shërbime për veten tuaj”, tha Josifovska-Danilovska.

Dialogjet e Agjendës Digjitale: A mund të kemi shërbime elektronike cilësore pa identitet digjital?, printscreen nga ICEDA.
Dialogjet e Agjendës Digjitale: A mund të kemi shërbime elektronike cilësore pa identitet digjital?, printscreen nga ICEDA.

Ajo shtoi se në mënyrë që të përdoret ndonjë nga këto shërbime përmes portalit kombëtar të shërbimit elektronik ose sistemeve të tjera të integruara që janë pjesë e portalit, personi patjetër do të duhet të krijojë një E-ID dhe ekzistojnë nivele të ndryshme të profileve E-ID që janë nëpërmjet portalit, kryesisht bazë të nivelit të ulët dhe të nivelit të lartë.

“E thjeshta (bazikja) është me emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin dhe do të thotë se identiteti fizik ende nuk është konfirmuar apo verifikuar përmes procesit të regjistrimit. Kjo do të thotë se ekziston një sasi e kufizuar e-shërbimeve që mund të përdorë personi me këtë emër bazë të profilit të përdoruesit. Pasi të jetë vërtetuar profili i tyre, ata bëhen përdorues të nivelit të ulët të ID-së dhe mund të përdorin një sasi më të madhe shërbimesh. Për të arritur nivelin më të lartë të ID-së, duhet të kenë edhe certifikatën e nënshkrimit digjital”, theksoi JosifovskaDanilovska.

Milla Josifovska Danilovska, foto: Printscreen nga ICEDA
Milla Josifovska Danilovska, foto: Printscreen nga ICEDA

Ndër të tjera, nënvizoi bashkëpunimin e Qeverisë së vendit me Mastercard për zgjidhje të ndryshme digjitale që si për qëllim kanë avancimin e ekonomisë digjitale të vendit si dhe ofrimin e shërbimeve të biznesit në internet.

Si një hap përpara i avancimit të vendit në këtë drejtim, ajo theksoi se përfaqësuesit e Qeverisë ishin në Estoni për vizitë studimore për të parë se cila ishte rruga që qeveria estoneze kaloi për qytetarët e tyre për të përdorur kartën elektronike të identitetit.

“Ata janë një vend nga i cili ne të gjithë kemi mësuar, përmes ICEDA-s kemi dërguar rreth njëzet përfaqësues të institucioneve, të sektorit civil si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel lokal, me qëllim që ata të shohin shembullin e Estonisë, të mësojnë prej tij dhe potencialisht jo ta përsërisin atë, por ta përvetësojnë atë në rrethanat lokale në vendet e tyre”, theksoi JosifovskaDanilovska.

Ajo theksoi se diçka që e sheh si gabim në këtë drejtim është se nuk flitet shumë në gjuhën në të cilën e kupton masa e gjerë.

“Ne përdorim terme dhe fjalë të mëdha të cilat nuk janë të kuptueshme, nëse ne i ftojmë qytetarët dhe ato nuk vijnë, duhet ne të shkojmë te ato”, theksoi Josifovska-Danilovska.

Mes tjerash ajo potencoi se institucionet, akademia, sektori civil dhe qytetarët duhet të bashkëpunojnë për të bërë ndryshime të qëndrueshme në këtë drejtim.

Në këtë panel për temën në fjalë eksperiencat e tyre dhe të shtetit të tyre i ndanë edhe Vangjush Stavro nga Ministria e Punëve të Brendshme- Shqipëri; Habit Hajredini nga Zyra e Kryeministrit- Kosovë; Aleksandra Dzhankiç nga Ministria e Punëve të Brendshme- Mal i Zi dhe Marija Suziç nga Instituti për Zhvillim dhe Inovacion- Serbi.

Ndërsa më pas u prezantua Observatori i Agjendës Digjitale – Raporti i Vendit dhe Udhërrëfyesi për avancimin e Agjendës Digjitale në Mal të Zi 2022.

Ndryshe, kjo ngjarje u realizua si pjesë e projektit rajonal “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA” ICEDA në bashkëpunim me organizatën joqeveritare – nikoqire, e cila është gjithashtu pjesë e rrjetit ICEDA, OJQ-ja 35mm.

Ky rrjet promovon shërbime digjitale më të mira në Ballkanin Perëndimor. Mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe pjesërisht bashkë-financohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi. Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve relevante, shoqërisë civile dhe palë të tjera të interesuara nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.

Ngjarja është e krijuar për të mundësuar shkëmbimin e njohurive dhe praktikave ndërmjet liderëve rajonalë, por edhe për të iniciuar diskutime dhe dialog produktiv mbi mundësitë dhe sfidat e përdorimit të identitetit digjital për shërbimet publike.

Panelin mund ta ndiqni duke klikuar KËTU.

Link deri tek origjinali: https://portalb.mk/804596-josifovska-danilovska-pa-identitet-digjital-nuk-do-te-kemi-ze-nga-toka-per-vazhdimin-e-transformimit-dixhital-te-sherbimeve-publike-video/

Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA” është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Fondacioni Metamorfoza, Të dhënat e hapura Kosovë – (Open Data Kosovo) (ODK), Akademia për e-qeverisje (eGA), Partnerët për Ndryshim Demokratik Serbi, Lëvizja MJAFT, dhe OJQ-ja 35 MM.

Ndaje: