Më datë 7 dhjetor të vitit 2022 përfundoi edicioni i 18 të Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.mk, në organizim të Fondacionit Metamorfozis. Konferenca dy ditore iu kushtua ndërtimit të një shoqërie me rezistencë kibernetike me qytetarë me kompetenca dixhitale dhe të përgjegjshëm.

Dita e dytë e Konferencës iu kushtua privatësisë, mbikëqyrjes dhe përpunimit biometrik të të dhënave, zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, efekteve të dezinformatave dhe ndikimeve malinje të huaja ndaj demokracisë dhe përpjekjeve evropiane në luftën kundër dezinformatave.

Privatësia, më saktësisht, mbikëqyrja dhe përpunimi biometrik i të dhënave ishte temë diskutimi mes Ana Toskiq Cvetinoviq, Partnerë për Ndryshim Demokratik nga Serbia, Igor Kuzevski, ekspert për mbrojtjen e të dhënave personale, Bojan Perkov, Fondacioni SHARE nga Serbia dhe Katerina Rodeli, Access Now nga Belgjika, në panelin e moderuar nga Marijana Jançeska, specialiste e hapjes dhe pjesëmarrjes në Fondacionin Metamorfozis. Një nga përfundimet e këtij sesioni ishte se sistemet për ndjekje dhe xhirim me kamera për mbikëqyrje, si dhe përpunimi i të dhënave biometrike në vete bartin një rrezik tejet të madh për shkelje të privatësisë, si një nga të drejtat e njeriut dhe për depërtim të shërbimeve dhe autoriteteve të tjera të sigurisë në jetën private.

Për praktikat e mira, sfidat dhe hapat e ardhshëm për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale diskutuan Manuella Stanoevska Stoillkovska, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Arben Gudaçi, Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë, Emilija Angellovska, MASIT – Oda Ekonomike për TIK dhe Elena Stojanovska, eksperte për mbrojtjen e të dhënave personale, në një sesion të moderuar nga Vesna Radinovska, koordinatore e projekteve në Fondacionin Metamorfosis. Për mbrojtje të vërtetë të privatësisë së qytetarëve të gjitha ligjet duhet të harmonizohen me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale – ishte ky një nga konkluzionet e seancës. Zbatimi i këtij ligji nuk duhet parë si një e keqe e domosdoshme dhe një mënyrë për ta evituar gjobën e paraparë, ndërsa oficerët nuk duhen perceptuar si shpenzim, por si investim.

Pas një fjalimi të shkurtër frymëzues për efektet e dezinformatave dhe ndikimet e huaja malinje ndaj demokracisë në Maqedonisë së Veriut nga Meri Jordanovska, gazetare nga Vërtetmatësi, pjesa kryesore e konferencës u mbyll me një diskutim në panel mbi kërcënimet e sigurisë ndaj demokracisë dhe përpjekjet evropiane në luftën kundër dezinformatave. Folës në këtë seancë ishin: D-r. Jasna Jelishiq, përfaqësuese e grupit të punës për Ballkanin Perëndimor në Departamentin e Komunikimit Strategjik të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Carlos Hernandez-Echevarria, Maldita.es (Spanjë), Patris Pustina, Faktoje (Shqipëri), Darko Bërkan, Pse jo (Bosnje dhe Hercegovinë), Fitim Gashi, Sbunker (Kosovë), dhe Jelena Berkoviq, Faktograf (Kroaci). Konkluzioni i këtij diskutimi ishte se dezinformatat duhet të luftohen bashkërisht, me qëllim që të minimizohen efektet e tyre negative ndaj demokracisë. Për këtë është e nevojshme që institucionet të jenë transparente, media dhe shoqëria civile të punojnë në mënyrë aktive në verifikimin dhe zbulimin e tyre, si dhe të fillohet me edukim mediatik për mendim kritik.

Pas pjesës kryesore të Konferencës, në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut u mbajt një ngjarje për të rinj ku u shfaq filmi “Motrat” nga Dina Duma, të cilën e hapi Andrew Brand, shef i programeve në Ambasadën Britanike në Shkup. Në fjalimin e tij përmes një videolidhjeje ai tha se duke punuar së bashku ne mund ta ulim nivelin e bullizmit kibernetik dhe se është jetike që viktimat e bullizmit kibernetik, me theks tek të rinjtë, të inkurajohen të flasin me bashkëmoshatarët, prindërit dhe mësuesit e tyre dhe të kërkojnë ndihmë profesionale për mirëqenien e tyre mendore. “Ne të gjithë kemi pjesë në adresimin e këtij kërcënimi shumë real dhe të vazhdueshëm”, tha Brand.

Shfaqja e filmit u pasua nga një diskutim në panel mbi pasojat e dhunës kibernetike në jetën reale, ku folës ishin Dina Duma, regjisorja e filmit “Motrat” ​​dhe Radmilla Zhivanoviç, psikologe, ndërsa moderator ishte Goshe Nikollov, gazetar në Agjencinë e Lajmeve Meta.mk.

Ndaje: