hate_speechGjatë ditës së djeshme, në rrjetin social “Facebook” u vërejt shpërndarja e një pllakati me këtë tekst:

“Protestë kundër islamizimit të Kriva Pallankës, e premte 6.11.2015, 13.30, ura Ç. Sollarski”.

Në fund të pllakatit, me të kuqe ishin fshirë fotografitë e pesë objekteve fetare islame, gjegjësisht xhamive. Platforma kundër gjuhës së urrejtjes*, në mënyrën më të ashpër e dënon gjuhën që përdoret në pllakat dhe konsideron se ajo paraqet gjuhë të urrejtjes e cila shkakton edhe mosdurim në bazë fetare. Në rrjetet sociale dhe në medie, tashmë vërehen reagime të qytetarëve që janë rezultat i gjuhës së këtillë.

Shpërndarja e pllakatit paraqitet si reagim ndaj ndërtimit të filluar të kishës ortodokse para ndërtesës së Kriva Pallankës, për të cilën, kryetari i komunës, Arsenço Aleksovski, në konferencën për shtyp deklaroi se ka leje përkatëse, edhe pse për disa këshilltarë kjo është kontestuese. Në fjalimin e tij, kryetari thekson se ndërtimi i kishës ortodokse ose cilit do objekt tjetër fetar nuk paraqet shkelje të të drejtave dhe të ndjenjave të bashkësive të tjera fetare, duke theksuar se përderisa ai është kryetari i komunës, do të ndërtohen vetëm objekte të besimit ortodoks. Si reagim ndaj këtij debati, në mesin e qytetarëve filloi iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve kundër ndërtimit të xhamisë në Kriva Pallankë. Të nesërmen u publikua pllakati i përmendur, i cili nxit mosdurim ndaj qytetarëve të besimit islam.

Theksojmë se në bazë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, qytetarët janë të barabartë në liritë dhe të drejtat e tyre, pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare ose sociale, bindja politike dhe fetare, gjendja pronësore dhe shoqërore. Njëkohësisht, në nenin 19 të Kushtetutës garantohet liria e besimit, si dhe liria e praktikimit të zakoneve fetare dhe religjioze për të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Maqedonisë. Poashtu, shkaktimi dhe përhapja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit në bazë fetare paraqet vepër penale që është paraparë me nenin 319 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë.

Republika e Maqedonisë është e obliguar që me dispozitat kushtetuese dhe ligjore të sigurojë respektim të papenguar të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve në territorin e saj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Prandaj, u bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin hapa adekuatë që të pengohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes gjatë thirrjes për tubime publike, që të pengohet përhapja e mostolerancës ndërmjet bashkësive fetare, shndërrimin e tyre në vepra të urrejtjes dhe në asnjë mënyrë të mos kufizohen të drejtat e pjesëtarëve të të gjitha bashkësive fetare që janë të pranishme në Republikën e Maqedonisë.

Ndaje: