Ngjarja u mbajt në Info qendrën e BE-së dhe zgjati një orë e gjysmë. Rendi i ditës ishte i mbushur me përmbajtje të llojllojshme dhe interesante, veçanërisht pasiqë publiku përbëhej prej fëmijëve të klasës së shtatë.

Ngjarjen e hapi Elena Stojanovska nga Drejtoria për mbrojtje të të dhënave personale. Ajo bëri edhe një prezantim të shkurtër për ruajtjen dhe dhënien e të dhënave personale, me theks të veçantë në fotografitë dhe futjen e tyre në ueb-faqe siç është Facebook-u, pa lejen e njerëzve që gjenden në fotografi. Gjatë prezantimit u dhanë edhe shembuj, ndërsa ngjarje tregonin edhe fëmijët. Në fund të këtij prezantimi u përmendën rreziqet më të shpeshta që dalin nga përdorimi i rrjetave sociale dhe u dhanë rekomandime për shfrytëzuesit në formë të përfundimeve.

Në kuadër të këtij sesioni, Irina Shumadieva nga Fondacioni Metamorfozis i paralajmëroi filmat edukativë, të cilët i trajtojnë disa tema nga lëmia e sigurisë së fëmijëve në internet dhe mbrojtja e privatësisë së tyre: mashtrimi onlajn, varësia nga çeti, sajberdhuna, varësia nga lojërat dhe keqpërdorimi i telefonave mobilë. Bëhet fjalë për filma të shkurtër që janë përgatitur në partneritet me Qendrën teatrore për fëmijë, ndërsa në kuadër të projektit Më lehtë deri te privatësia në internet. Pas projektimit të çdo filmi, kishte diskutim të shkurtër me fëmijët, për secilën prej temave.

Gjatë pauzës, pas sesionit 45-minutësh, fëmijët kishin mundësi t’i luajnë lojërat, të zhvilluara në kuadër të projektit të njëjtë, të cilat së bashku me filmat e shkurtër, së shpejti do të vendosen në ueb-faqen www.bezbednonainternet.org.mk.

Sesioni i dytë filloi me një ushtrim interaktiv në të cilën morrën pjesë fëmijët, i cili kishte për qëllim ta paraqesë në mënyrë metaforike pasjen ose mospasjen besim te njerëzit të cilët i njoftojmë onlajn. Pastaj kishte mini-prezantim të ueb-faqes Sigurt në internet, ndërsa në fund, Violeta Georgievska nga Internet Hotlajn Provider – Maqedoni, u foli fëmijëve për temën: Çka guxojmë, dhe çka nuk guxojmë gjersa jemi onlajn, nga aspekti i veprave penale, që janë të dënueshme.

Ngjarja u ndoq nga 47 nxënës nga dy shkolla fillore të Shkupit, Koço Racin dhe Goce Dellçev, të cilët ishin të shoqëruar nga arsimtarët e tyre.

Gjatë kësaj ngjarjeje, fëmijët plotësuan edhe një pyetësor të shkurtër në lidhje me shprehitë e tyre në internet.

Rezultatet e mini-hulumtimit treguan se 98% e fëmijëve të anketuar kanë qasje në internet prej në shtëpi, ndërsa 79% e fëmijëve kanë kompjuter në dhomën e tyre. Gjithashtu, 96% e fëmijëve kanë celular personal, të cilët 40% e fëmijëve i shfrytëzojnë edhe për internet. 26% e fëmijëve ndonjëherë kanë fotografuar dikë pa marrë leje, ndërsa 21% pajtohen se e kanë më lehtë që onlajn t’u thonë të tjerëve se çka mendojnë për ta.

Raporti i plotë nga mini-hulumtimi së bashku me të gjitha të dhënat është në dispozicion për shkarkim në formatin PDF.

Ndaje: