Partneriteti për Qeverisje të Hapur në vend zbatohet që nga viti 2011, ndërsa me planin e ri të veprimit duhet të përfshihen angazhime dhe aktivitete për tejkalimin e problemeve dhe situatave.

Në përgatitjen e Planit të ri Kombëtar të Veprimit, i cili duhet të mundësojë hapje dhe përgjegjësi më të madhe të qeverisë, me qëllim të përfitimit më të madh për qytetarët, duhet të përfshihen aktivisht të gjitha organizatat civile, theksoi Dançe Danillovska-Bajdevska nga Fondacioni Metamorfozis. Ajo, si koordinatore e Rrjetit të Organizatave Civile për Partneritet për Qeverisje të Hapur, së bashku me përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe organizatave civile, iu drejtua ngjarjes së sotme, e cila shënoi fillimin e përgatitjes së Planit të ri, të gjashtë me radhë, Kombëtar për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, i cili do të përfshijë periudhën 2024-2026.

Partneriteti për Qeverisje të Hapur në vend zbatohet që nga viti 2011, ndërsa me planin e ri të veprimit duhet të përfshihen angazhime dhe aktivitete për tejkalimin e problemeve dhe situatave. Ngjarjen e sotme në Qeveri, si i pari nga pjesëmarrësit në debatin e sotëm, e hapi Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu.

“Vetëm me hapje mund të krijohen procese që do të zbatohen mirë, por edhe procese që do të japin rezultate. Kemi shumë punë për të bërë. Unë kam përgatitur një fjalim, por tani mendoj se fjalimi im, në përputhje me këtë, duhet të jetë i hapur, andaj do të flas kështu. Deri më tani iniciativa ka dhënë rezultate, por nuk janë shfrytëzuar sa duhet mundësitë që të mund të krijohen politika dhe zbatimi të jetë në përputhje me trendet, që të jemi gjithëpërfshirës, transparentë dhe llogaridhënës”, tha ministri Aliu.

Ai theksoi se digjitalizimi, gjegjësisht transformimi digjital duhet të jetë përmbajtja kryesore e planit të ri, sepse me mjete digjitale është shumë më lehtë mund të monitorohet puna e institucioneve. Për ta arritur këtë, shteti ka qasje në fonde nga BE-ja, gjegjësisht nga Evropa Digjitale, dhe ato mjete duhet të shfrytëzohen, theksoi Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Ai dha edhe shembuj konkretë për atë se ku ka pasur dështime.

“A jemi transparentë sa duhet?” Unë mendoj se jo. E mund të bëjmë shumë më tepër. Me transformimin digjital, mund të arrihet një përfshirje më e madhe, llogari dhe përgjegjësi më e madhe. Tani nuk mund të themi se të gjitha faqet e institucioneve janë “të hapura”. Të mos flasim për drejtësinë, ku mund të monitorojmë teknikisht se kur fillon ky proces, por duhet të jemi në gjendje t’i monitorojmë vazhdimisht lëndët, duke i përfshirë edhe lëndët që nuk kanë vendim të plotfuqishëm. Për buxhetin duhet ditur jo vetëm sa është, por edhe sa është shpenzuar. Ne si ministri mund të ndihmojmë për të gjitha këto. Me transformimin digjital mund t’i përmirësojmë proceset”, tha Aliu.

Nga viti 2011, kur filloi me pushtetin shtetëror, deri në vitin 2018, kur përfshihet edhe Parlamenti, përmes Këshillit për Parlament të Hapur, në vitin 2021 në iniciativë është përfshirë edhe gjyqësori. Besa Ademi, kryetare e Gjykatës Supreme dhe Bojan Vasilevski, Zëvendës-sekretar i përgjithshëm i Kuvendit, folën për atë që është arritur deri më tani në këtë sferë sa i përket hapjes së parlamentit dhe gjyqësorit.

Në sesionin e dytë të diskutimit të sotëm, Gordana Gapiq – Dimitrovska nga MSHIA, Koordinatore Kombëtare për Partneritein për Qeverisje të Hapur, (PQH), Zllatko Atanasov, nga Instituti Parlamentar – Kuvendi i RMV-së, Zharko Haxhi-Zafirov, nga Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike dhe Dançe Danillovska-Bajdevska, Drejtore e programeve në Fondacionin Metamorfozis, i cili është koordinator aktual i Rrjetit të organizatave të shoqërisë civile për PQH, folën për hapjen e këtyre dy fushave, gjegjësisht të pushtetit legjislativ dhe atij gjyqësor, por edhe për pushtetin ekzekutiv në nivel qendror dhe lokal dhe për atë që është arritur me planet e deritanishme të veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur.

Foto: Galeria e fotografive nga ngjarja ovp.gov.mk

Organizatat e shoqërisë civile janë një partner i rëndësishëm

Duke folur për përfitimet e arritura në gjashtë vitet e fundit nga themelimi i Rrjetit, Danillovska-Bajdevska theksoi se 77 anëtarët e tij, të cilët punojnë me grupe të ndryshme të popullsisë dhe në tema të ndryshme, ia dolën duke marrë pjesë së bashku në përgatitjen e planeve, por edhe në përgatitjen e programeve dhe monitorimin e zbatimit të planeve të veprimit për PQH, për të arritur ndryshime vërtet të mëdha pozitive.

“Që nga themelimi i Rrjetit – e Metamorfozis ishte një nga iniciatorët – ai kontribuon në punën me qytetarët, e duke qenë se jemi të kufizuar në kohë, 6 vitet e fundit me pjesëmarrje aktive kemi përfitime që nënkuptojnë qeveri më të hapur, më të përgjegjshme. Këtu janë të dhënat e hapura, përfshirja e fushës Qasja në Drejtësi, e cila rezultoi me hapjen e Qendrës për Qasje në Drejtësi në Komunën e Shuto Orizares, përmes së cilës qytetarëve u ofrohen më shumë shërbime në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, mbrojtjes së fëmijëve, punësim dhe të ngjashme, me të cilat të paktën 2.500 qytetarë kanë qasje në shërbime që nuk i kanë pasur më parë. Prandaj tani duhet të kontribuojnë edhe organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët” – theksoi Danillovska-Bajdevska.

Si rezultat i dytë i Rrjetit, ajo e theksoi hapjen e të dhënave të Regjistrit Qendror për organizatat e shoqërisë civile, pra një bazë të dhënash që është në dispozicion të tyre falas. Ndoshta edhe më i rëndësishëm është portali për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (www.ovp.gov.mk), i cili paraqet pikë qendrore për konsultim, monitorim, përfshirje, rrjetëzim dhe raportim të të gjitha palëve të interesuara, dhe i cili është zhvilluar nga Fondacioni Metamorfozis.

Ndër të arriturat është sigurisht edhe përpjekja e këtij fondacioni në hapjen e të dhënave të komunave, ku në bashkëpunim me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale u arrit një rezultat i mirë i papritur.

“Si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm të Fondacionit Metamorfozës me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe komunat, 61 komuna morën pjesë në trajnime për të dhëna të hapura dhe në një proces të mëpasëm mentorimi gjashtëjavor për të krijuar procedura të brendshme për publikimin e të dhënave në format të hapur, e për më pak se një vit u publikuan mbi 300 grupe të dhënash. Planifikuam 150, e u hapën 300”, theskoi Danillovska-Bajdevska.

Shpresoj që organizatat e shoqërisë civile do të përfshihen sa më shumë në hartimin e planit – konsultimet fillojnë të martën – që të mund të sjellim një plan që do t’i plotësojë nevojat, tha ajo.

Linku deri te artikulli origjinal: Organizatat qytetare duhet të përfshihen në përgatitjen e planit të ri për qeverisje të hapur | Meta.mk

Ndaje: