Reagim i organizatave qytetare për rebalancin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në shtator të vitit 2019

Shprehin shqetësim për zvogëlimin e mjeteve financiare në sektorin e arsimit me rebalancin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në shtator të vitit 2019.

Pas “Transportit dhe Lidhjeve” dhe “Financave”, “Arsimi” është sektori i tretë për nga zvogëlimi i mjeteve të parapara në këtë rebalanc. Kështu, më tepër mjete janë shkurtuar në arsimin e lartë – 329 milionë denarë, e më pas vjen zëri “investime në arsim” – 218 milion denarë dhe zëri “arsimi fillor” – 147 milionë denarë më pak. Byroja për Zhvillimin e Arsimit është paraparë të marrë 18 milion denarë më pak, me ç’rast pjesa më e madhe e mjeteve janë shkurtuar nga zëri “zhvillimi profesional i kuadrit edukativo-arsimor në arsimin fillor dhe të mesëm”, kështu që pyetja shtrohet pyetja se kush dhe si do ta përmirësojë cilësinë e mësimdhënies, nëse mësimdhënësit nuk mbështeten për zhvillim të mëtutjeshëm profesional.

Në rebalancin e paraparë ka shkurtime që janë të arsyeshme, por pse kur tashmë ka vend për shkurtime në sektorin e “arsimit”, si për shembull mjetet e destinuara për ndërtimin e ndërtesave universitare në oborrin e UKdheM, këto mjete të mos përdoren në sektorin e njëjtë aty ku me të vërtetë janë të nevojshme? Për shembull, pozitive është ajo se me rebalancin shtohen mjetet për standardin studentor dhe decentralizimin, e pse të jetë kështu edhe për çështje të tjera të rëndësishme?

Vendi renditet i katërti nga fundi në listën e renditjes ndërkombëtare të testimit PISA, që e mat përdorueshmërinë e njohurive të nxënësve. Prindërit vetë i lyejnë ambientet e shkollës, ndërsa nxënësit mbledhin mjete për letër higjienike dhe sapun. Konviktet shtetërore për studentët në Shkup marrin vetëm 61 denarë për tre ushqime në ditë për student.

Një shembull i një investimi të dobishëm është ndërtimi i shkollës moderne “Kiro Gligorov”, e cila mundëson arsim gjithëpërfshirës sipas të gjitha standardeve. Në vend që të zvogëlohet zëri për investime në arsim, ky shembull duhet të ndiqet edhe në mjediset e tjera ku kushtet e nevojshme të punës dhe përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara ende janë qëllim i paplotësuar. Rebalanci ka 70 milionë denarë më pak për ndërtimin e shkollave fillore dhe 20 milionë denarë më pak për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave të mesme. Zvogëlim prej 25 milionë denarësh ka në zërin për rikonstruimin e konvikteve për nxënës.

Nga një vështrim më i detajuar i rebalancit, shihet se nga zëri “Investime në arsim” – shkurtim më të madh prej 100 milionë denarësh ka për ndërtimin dhe rikonstruimin e konvikteve studentore. Gjendja në konviktet e studentëve do të mbetet edhe më tej një çështje e pazgjidhur nëse edhe një vit tjetër me radhë do të ketë dështim në shpenzimet për ndërtimin dhe rikonstruimin e tyre.

Shtrohet pyetja se pse, nëse tashmë ka vend për ridestinimin e mjeteve të “arsimit” në një sektor tjetër, me to nuk mbyllen çështjet që na shqetësojnë me vite? Gjatë planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, do të ishte e dobishme që Qeveria dhe Kuvendi Parlamentin t’i marrin parasysh mendimet e atyre që përballen për çdo ditë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me këto çështje (drejtorët e institucioneve arsimore dhe të shkollave, mësuesit, arsimtarët dhe profesorët, organizatat qytetare, ekspertët).

Me të vërtetë është e nevojshme që në buxhetin e ardhshëm shtetëror për arsim të parashihen mjete për:
sigurimi i arsimit inkluziv dhe me cilësi të njëjtë për të gjithë nxënësit në gjithë vendin; rinovimi i infrastrukturës dhe përmirësimi i higjenës në shkolla; tekste shkollore për të gjitha lëndët në të gjitha nivelet e arsimit dhe në të gjitha gjuhët e mësimit, modernizim i metodave dhe i mjeteve ndihmëse mësimore për ligjerim në shkolla; modernizim dhe pajisje adekuate e shkollave të mesme profesionale; sigurimi i qasjes në letërsinë bashkëkohore botërore përmes bazave të ndryshme të të dhënave për nxënësit dhe studentët; hulumtime shkencore dhe punë e pavarur hulumtuese e nxënësve; përmirësimi i situatës në konviktet e studentëve dhe e kushteve të jetesës së banuesve në to; mbështetje e aktiviteteve të komuniteteve të shkollave të mesme dhe parlamenteve studentore; futja e edukimit gjithëpërfshirës seksual; mbështetje për aktivitete arsimore joformale; dhe shumë nevoja të tjera.

 

Është veçanërisht e rëndësishme të investohet më shumë dhe në mënyrë të planifikuar në arsim, që të mund të presim të rinj të arsimuar, të kënaqur dhe kompetentë që do ta çojnë shoqërinë përpara!

 

Lista e organizatave që e mbështesin këtë reagim:

– Forumi Arsimor Rinor
– Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni
– Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Republikës së Maqedonisë
– Organizata studentore pranë Fakultetit të Drejtësisë “Justiniani i Parë”
– Shoqata Federalistët e Rinj Evropianë – Maqedoni
– Fondacioni Metamorfozis
– Reaktor – Hulumtimi në aksion
– Shoqata e qytetarëve “Romaversitas”
– Shoqata e skautëve të Maqedonisë
– Qendra për dialog ndërkulturor – Kumanovë
– Këshilli nacional rinor i Maqedonisë –
– Lidhja për punë rinore
– Hap pas hapi
– HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim

Ndaje: