Në një intervistë për Portalb.mk, Kristina Petrovska nga Drejtoria për Menaxhimin me Librat Amë flet për digjitalizimin e librave amë, certifikatat me të dhënë të gabuara, si dhe shërbimet elektronike të kësaj drejtorie. Ajo thotë se deri në fund të vitit 2023 pritet të përfundojë digjitalizimi i të gjithë librave amë.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Portalb: Sa për qind e librave amë janë të digjitalizuar?

Petrovska: Digjitalizimi i librave amë po bëhet sipas planit strategjik të Drejtorisë për menaxhimin e librave amë dhe planit strategjik të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe pritet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2023.

Sa i përket të dhënave, deri më tani kemi skanuar 2 milionë e njëqind shënime nga librat amë. Është duke u realizuar projekti për vitin 2022, me të cilin deri në fund të këtij viti do të skanohen edhe një milion shënime. Në përqindje, do të ishte 50 për qind e librave. Ato do të skanohen dhe do të jenë në dispozicion të regjistruesve në formë digjitale.

Për sa i përket shënimit të të dhënave, deri më tani kemi shënuar rreth 3 milionë e 400 të dhëna. Deri në fund të vitit parashikohet që të përfundojmë me mbi 4 milionë të dhëna të shënuara. Ky numër ndryshon vazhdimisht pasi edhe regjistruesit po i shënojnë të dhënat në vazhdimësi.

E shprehur në përqindje, 70% e të dhënave tashmë janë futur në regjistrin amë elektronik.

Portalb: Në vitin 2019-të DMLA ka shtypur rreth 21.957 certifikata me të dhëna të gabuara, sa është numri i certifikatave me të dhëna të gabuara për vitin 2020 dhe 2021?

Petrovska: Numri i certifikatave të prodhuara gabimisht është ulur ndjeshëm në dy vitet e fundit. Me rregullore të Drejtorisë për udhëheqjen e librave amë është përcaktuar numri i certifikatave që zyrtari shtetëror mund t’i gabojë në baza vjetore. Sipas raporteve mujore që na i dërgojnë drejtuesit e departamenteve rajonale në fund të vitit, hartohet raport vjetor më të cilin përmblidhet numri i certifikatave të lëshuara dhe numri i certifikatave të lëshuara gabimisht, sipas metodologjive përkatëse dhe nëse ndonjë regjistrues ka gabuar numër më të madh certifikatash, ai merr përsipër që të njëjtat t’i paguajë vetë. Për momentin nuk kemi numër të saktë për t’ju thënë, por është reduktuar ndjeshëm.

Portalb: Në rast se zyrtari shtetëror i gabon të dhënat në certifikatë, pse duhet qytetari të paguajë për certifikatë të re?

Petrovska: Nëse zyrtari shtetëror ka bërë një gabim në shtypjen e ndonjë certifikate dhe ka ndodhur të gabojë sepse është një çështje e gjallë, qytetari nuk paguan për certifikatën e re që do të lëshojë zyrtari.

Portalb: Në çfarë mase qytetarët i shfrytëzojnë shërbimet elektronike të DMLA-së?

Petrovska: Në vitin 2021, numri i përdoruesve të shërbimeve tona onlajn ishte 28 milionë e 362 dhe mund të mburremi se sot, në datën e sotme 2022, numri i përdoruesve është rritur ndjeshëm, mbi 50% dhe arrin në 98.086 përdorues.

Portalb: Deri tani vetëm 4 dokumente mund të merren nëpërmjet sistemit elektronik të DMLA-së, kur do të digjitalizohen edhe shërbimet tjera?

Petrovska: Pothuajse të gjitha shërbimet e Drejtorisë për menaxhimin e librave amë, që ajo ua jep qytetarëve, janë të digjitalizuar, si p.sh., lëshimi i certifikatës elektronike ndërkombëtare, lëshimi i certifikatës elektronike për statusin i/e pamartuar, regjistrimi onlajn i fëmijës së porsalindur , dorëzimi onlajn i kërkesës për martesë në terren. Këto janë disa nga risitë në sistemin tonë që tashmë janë bërë dhe funksionale, por që ende nuk janë në dispozicion në portalin tonë dhe në portalin e shërbimeve elektronike të Ministrisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës, për shkak të mosharmonizimit të ligjit tonë për operacionet e regjistrit civil me ndryshimet digjitale. Ligji është në proces të përshtatjes dhe pas heqjes së pengesave ligjore, ato do të jenë menjëherë në dispozicion të qytetarëve nëpërmjet portalit DMLA dhe portalit kombëtar për e-shërbime.

Portalb: Si funksionojnë këto shërbime, a ka paraqiten probleme?

Petrovska: Nuk kemi probleme sepse vetë fakti që numri i përdoruesve është rritur me më shumë se 50% që nga viti i kaluar, do të thotë se shërbimet tona nuk përdoren vetëm nga përdoruesit tanë, ky është numër nga portali jonë, por shumica e përdoruesve janë të kyçur nëpërmjet portalit të MSHIA, portalit kombëtar.

Link deri tek origjinali: Petrovska nga DMLA: Digjitalizimi i librave amë pritet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2023 (VIDEO) – PORTALB

Ndaje: