Мени

Thirrje deri te institucionet kompetente që të ndërmarrin veprime në lidhje me keqpërdorimet e pretenduara, veprimet joligjore, korrupsionin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut që përmenden në komunikimet e publikuara telefonike

Ne organizatat qytetare nga Platforma për luftë kundër korrupsionit me kujdes e ndjekim publikimin e komunikimeve të inçizuara telefonike.

Çmojmë se inçizimet duhet të jenë subjekt i hetimit për shkak se ekzistojnë baza për të dyshuar se bëhet fjalë për përgjim të paligjshëm, me qëllim që të konstatohet se kush i ka inçizuar bisedimet dhe e ka dëmtuar privatësinë e qytetarëve.

Kërkojmë që përmbajtja e inçizimeve të analizohet në veçanti dhe me kujdes, për shkak se nga bisedat kuptohet se mund të ketë aktivitete të mundshme të paligjshme. Pa marrë parasysh se cili është burimi i bisedimeve të inçizuara, përmbajtja sugjeron se ka korrupsion, duke përfshirë edhe keqpërdorimin masiv të pozitës zyrtare, që janë veprime të dënueshme, të cilat ndiqemn sipas detyrës zyrtare. Përkujtojmë se me korrupsion, në mes tjerash nënkuptohet edhe gjendja në të cilën institucionet janë “të privatizuara” për interesat e partive politike në pushtet dhe të individëve dhe duam të theksojmë se kjo shkakton fuqi politike të pabalancuar dhe jolegjitime e cila shfrytëzohet për realizimin e interesave personale, kundrejt interesit të përgjithshëm dhe atij të qytetarëve. Gjendja e këtillë, e plotësuar me gjendjen e mediave të kontrolluara, quhet shtet i robëruar, në të cilin është pamundësuar sundimi i të drejtës.

Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit u bën thirrje:

1.    Prokuroria publike menjëherë të fillojë procedura për ndjekjen e personave të panjohur për përgjim të paautorizuar dhe të paligjshëm dhe të hapë procedura për të gjitha keqpërdorimet e pretenduara, veprimet e paligjshme, korrupsioni dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të cilat përmenden në inçizimet e publikuara, e veçanërisht t’i shqyrtojë indiciet nga inçizimet se:

–    MPB-ja është vënë në funksion të pengimit të veprimit politik gjatë kohës së zgjedhjeve;
–    Ka pasur shkelje të të drejtës për votim, duke dhënë dokumente personale në mënyrë të paligjshme;
–    Resurset e MPB-së janë shfrytëzuar si shtab partiak;
–    Ka pasur manipulim në realizimin e të drejtës për shfrytëzimin e beneficioneve dhe ndihmës sociale;
–    DHP ka vepruar në mënyrë selektive gjatë kontrolleve dhe dënimeve;
–    Ka pasur presione dhe kërcënime për humbjen e vendit të punës për të punësuarit në administratën publike.

2.    Prokuroria publike të fillojë procedurë për të konstatuar se a janë shfrytëzuar resurset e MPB-së për përgjim të paligjshëm dhe për rezultatet e hetimit ta njoftojë opinionin.

3.    Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit të dalë me qëndrim për këto raste dhe t’i ndërmarrë të gjitha masat në kuadër të kompetencave të tij.

4.    Këshilli gjyqësor të fillojë procedurë për veprim të pandërgjegjshëm dhe të paligjshëm të gjykatësve për të cilët ka indikacione se kanë vepruar nën ndikimin e bartësve të funksioneve.

Konsiderojmë se roli i institucioneve të sistemit është i pazëvendësueshëm për t’i bindur qytetarët se jetojnë në një shtet i cili është i gatshëm ta mbrojë interesin, të drejtat dhe lirinë e tyre.

Në qoftë se institucionet e thirrura nuk e njoftojnë opinionin se kanë ndërmarrë masa për t’i hetuar këto pretendime gjatë 30 ditëve të ardhshme, konsiderojmë se ato nuk veprojnë sipas detyrës së tyre zyrtare.

Shkup, 25 mars 2015

Tekstin integral të thirrjes mund ta merrni këtu (në maqedonisht).