Partneriteti i Qeverisjes së Hapur (PQH) përmes digjitalizimit të përdoret për përfshirjen e qytetarëve, veçanërisht grupet e margjinalizuara dhe mbi të gjitha të jetë në dobi të tyre për gjërat që vërtetë janë të rëndësishme për qytetarët, të merret mësim nga e kaluara për gjërat të cilat nuk kanë funksionuar që të njëjtat të funksionojnë, me qëllimin për të bërë progres si shoqëri individuale, por edhe si rajon në përgjithësi.

Ky ishte përfundimi i panelit për “Politikat qytetare në qendër – Roli i sektorit qytetar në procesin e krijimit të Planeve Kombëtare të Veprimit të Partneritetit të Qeverisjes së Hapur”, i cili u mbajt sot në Prishtinë në kuadër të projektit ICEDA (Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale) në bashkëpunim me partnerin nikoqir të ICEDA-s Open Data Kosovo mbi temën mbi temën e “Qeverisjes digjitale në rajon përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur dhe iniciativave të tjera”, shkruan Portalb.mk.

Pjesëmarrësit nga pesë vendet e Ballkanit Perëndimor: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia ndanë eksperiencat e vendeve të tyre për sa i përket transformimit digjital përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur (PQH). Ata ofruan një pasqyrë më të gjerë për sa i përket përpjekjeve që po bëhen në vendet e tyre në lidhje me përfshirjen sa më të madhe të qytetarëve në hartim por edhe në implementim të këtyre politikave.

Për të pasur implementim më efikas të Partneritetit të Qeverisjes së Hapur (PQH), në radhë të parë bashkëpunimi në mes organizatave të shoqërisë civile dhe i tyre me qeverinë është elementi kryesor. Kështu u shpreh Darko Antiç nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – Maqedoni e Veriut.

“Ajo që është shumë e rëndësishme, është se jemi përpjekur në procesin e fundit të konsultimeve për të sjellë aspekte nga grupet vulnerabël si pjesë e aktiviteteve që po planifikojmë. Kudo PQH duket si agjendë digjitale, por për mua personalisht PQH është proces përmes të cilit përmirësoni jetën e dikujt duke përdorur qasje të ndryshme duke përdorur mjete digjitale”, tha Antiç i cili theksoi se është shumë e rëndësishme që çdokush të jetë i përfshirë që rezultatet të jenë më konstruktive dhe të bazuara në nevojat e të gjithë qytetarëve.

“Motivimi është shumë i rëndësishëm, në fund të ditës nuk është e rëndësishme nëse ke plan me aktivitete, por të ketë implementim”, theksoi Antiç.

Në Mal të Zi, siç thotë Snezhana Nikçeviq nga OJQ 35MM nga perspektiva e përfshirjes së shoqërisë civile në planin nacional të veprimit, ka qenë një proces i madh i mes institucioneve dhe shoqërisë civile.

“Plani kombëtar i veprimit duhet të përfshijë organizata të vogla që kanë kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët. Ne po trajtojmë PQH-në”, u shpreh Nikçeviq duke theksuar se përfshirja e mediave është strategjike të këtë proces.

“Të krijohen marrëdhënie kuptimplotë ndërmjet qeverive dhe qytetarëve”, theksoi Nikçeviq.

Kristina Klajdziç – nga Ndryshimi Demokratik Serbi u shpreh se atje situata është pak më ndryshe pasi atje shohin mungesë të OJQ-ve te marrin pjese ne këtë proces, pasi siç tha ajo ata janë të dëshpëruar nga proceset që kanë marrë pjesë më parë.

“Është më shumë e orientuar nga Qeveria, shumica e propozimeve nga shoqëria civile nuk janë përfshirë…Në përgjithësi nuk jemi aq të motivuar për të marrë pjesë… Këtë vit kemi pasur vetëm një mbledhje për të diskutuar”, tha Klajdziç duke shtuar se shpresojnë se plani i ri do të jetë më përfshirës për sektorin civil.

Emerlinda Pema, drejtoresha e kabinetit në Ministrinë për Standardet e Shërbimeve – Shqipëri duke folur për politikat të cilat janë pjesë e PQH-së theksoi se duhet të flitet hapur midis institucioneve dhe shoqërisë civile.

“Nuk janë gjëja më e rëndësishme angazhimet që po merrni, më e rëndësishmja është që planet dhe këto nisma, prioritetet të vendosen së bashku me shoqërinë civile. Jemi të fokusuar në krijimin e një plani të ri, që vjen nga shoqëria civile. Në planin e vjetër kishim nëntë angazhime, por më të rëndësishmet ishin digjitalizimi i e-qeverisjes dhe platforma e të dhënave të hapura”, theksoi Pema.

Portali i të dhënave të hapura, i cili është një lidhje shumë e rëndësishme midis qeverisë dhe shoqërisë civile, Pema tha se do të jetë në planin e ri në veprimit, ku vendimmarrja të bëhet bashkërisht me të gjithë shoqërinë civile jo vetëm me OJQ-të.

Duhet të kemi bashkëpunim më shumë dhe më të mirë në mes OJQ-ve për të bërë ndryshime. Kjo ishte një nga pikat e theksuara në panel.

Qëllimi i këtyre diskutimeve synon shkëmbimin e njohurive ndërmjet palëve të interesuara (institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile) nga Ballkani Perëndimor dhe për fillimin e një dialogu produktiv për punë më të mirë mbi problemet që lidhen me transformimin digjital përmes iniciativave globale si Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH).

Ngjarja ishte e hapur për publikun dhe mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Çfarë është Partneriteti për Qeverisje të Hapur?

Si një iniciativë globale, Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH) është një partneritet i gjerë i përbërë nga entitete të nivelit kombëtar dhe lokal që punojnë së bashku për të krijuar plane veprimi me hapa konkretë – angazhime – për një spektër të gjerë çështjesh. Që nga viti 2011, ideja e PQH është që qeveria e hapur është më e qasshme, më e përgjegjshme dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe se përmirësimi i marrëdhënieve midis njerëzve dhe qeverisë së tyre ka përfitime afatgjata dhe eksponenciale për të gjithë. Ky partneritet i 78 anëtarëve kombëtarë që përfshin një numër në rritje të autoriteteve lokale dhe mijëra pjesëmarrës të shoqërisë civile, ka mundësuar bashkëkrijimin e mbi 4.000 reformave të hapura të qeverisë, një pjesë e konsiderueshme e të cilave treguan ndikim të madh.

Ballkani Perëndimor në Partneritetin për Qeverisje të Hapur

Ndër anëtarët kombëtarë të kësaj iniciative janë edhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipëria (2011), Bosnja dhe Hercegovina (2014), Mali i Zi (2011), Maqedonia e Veriut (2011) dhe Serbia (2012), kurse Kosova është i vetmi vend që nuk është pjesë e këtij procesi pavarësisht përpjekjeve të tyre për t’u anëtarësuar, vetëm dje vendi miratoi Planin Kombëtar të Veprimit (PKV) për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PQH).

Digjitalizimi si prioritet në planet kombëtare të veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur të Ballkanit Perëndimor

Me një fokus më të vogël apo më të madh, veçanërisht për ato plane që u zhvilluan në fillimet e pandemisë së Kovid-19, qeveritë e Ballkanit Perëndimor i kanë përgatitur PKV-të e tyre me digjitalizim në sektorë të ndryshëm të vendosur si prioritete.

Përndryshe, dje partnerët e projektit të ICEDA (Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale) në bashkëpunim me partnerin nikoqir të ICEDA-s Open Data Kosovo Kosovë, në kuadër të dialogëve rajonale për agjendën digjitale diskutuan për sfidat dhe arritjet mbi temën e “Qeverisjes digjitale në rajon përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur dhe iniciativave të tjera”.

Projekti “Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për E-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshim Demokratik (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, i njëjti promovon shërbime digjitale më të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Link deri tek origjinali: https://portalb.mk/826718-qytetaret-te-jene-ne-qender-te-planeve-te-veprimit-permes-digjitalizimit-thone-njezeri-partneret-nga-rajoni/

Ndaje: