scoda1

 

Sistem për hulumtimin e furnizimeve publike, ueb-aplikacion për njoftim për shërbimet e objekteve hotelierike në Maqedoni, të dhëna për pagesat e drejtpërdrejta në bujqësi dhe bazë e të dhënave nga rezultatet nga mbikëqyrja e gjyqësisë në Maqedoni brenda një dekade. Këto janë katër projektet që u zgjodhën në Konkursin për përkrahjen e projekteve që kanë të bëjnë me të dhënat e hapura, të cilin e shpalli Fondacioni Metamorfozis.

Në konkurs u paraqitën dymbëdhjetë organizata qytetare me po aq ide projektesh, ndërsa katër prej tyre u zgjodhën për t’u përkrahur financiarisht: TIK-u për ndryshime, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, Instituti ZIP dhe IZhZhR-ja.

TIK-u për ndryshime nga Tetova do të punojë në projektin e quajtur “Data journalism – Sistemi për hulumtim në bazë të furnizimeve publike në RM”. Ata propozuan që t’i mbledhin të dhënat për furnizimet publike, që janë në dispozicion publik, t’i organizojnë dhe t’i prezantojnë ato në mënyrë që do të jetë e dobishme për gazetarët në Maqedoni.

Instituti për zhvillim të zhvillimit rural (IZhZhR) nga Shkupi, propozoi ide të projektit për Zhvillim real të mjediseve rurale dhe të bujqësisë. Ata do të mbledhin të dhëna nga Programi nacional – pagesa të drejtpërdrejta në bujqësi dhe projektet IPA-IPARD në Maqedoni.

Instituti ZIP nga Shkupi ka ndërmend të krijojë ueb-aplikacion të quajtur “Rate.me – Sistem për njoftim për shërbimet e objekteve hotelierike”. Qëllimi është që t’i mbledhin praktikat pozitive dhe negative të objekteve hotelierike në Maqedoni ku shërbehet ushqim dhe pije. U nevojiten të dhëna për lejet e lëshuara për objektet hotelierike, kategoritë të cilave u takojnë, si për shembull, klube nate, bare, disko-klube, etj. Njëkohësisht dëshirojnë t’i përfshijnë edhe të dhënat për dënimet e shqiptuara për objektet hotelierike dhe për incidentet që kanë ndodhur në këto vende duke i përfshirë edhe shkeljet e normave ligjore.

Koalicioni i shoqatave të qytetarëve – “Të gjithë për gjykim të drejtë” do të punojë në projektin e bazuar në të dhënat e hapura për gjyqësi transparente. Ata tashmë e kanë bazën e tyre me të dhëna nga mbikëqyrja 12 vjeçare e gjyqësisë në Maqedoni, të cilën duan ta hapin dhe ta vënë në dispozicion publik duke krijuar ueb-faqe të re.

Fituesit e konkursit tashmë dërguan plane të detajuara për aktivitetet që do t’i realizojnë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, periudhë kjo gjatë së cilës duhet të realizohen projektet. Nga fundi i këtij muaji ata do të marrin pjesë në një ngjarje ku do të kenë mundësi që publikisht t’i prezantojnë idetë e projekteve dhe të punojnë për avancimin e tyre të mëtutjeshëm.

Aktivitetet përfshijnë dërgimin e kërkesave zyrtare për qasje të lirë te informatat deri te institucionet kompetente, trajnime për gjetjen, analizën, përpunimin dhe prezantimin e të dhënave, ndërsa do të mbahen edhe tre ekspedita të dhënash.

Konkursi është në kuadër të projektit “Rrjeti i organizatave qytetare për të dhënat e hapura“, i cili realizohet në bashkëpunim me Open Knowledge Foundation, e që ka për qëllim ndërtimin e kapaciteteve të organizatave qytetare për promovimin e agjendës së hapur, duke formuar Shkollën për të dhëna – Мaqedoni.

Ndaje: