Kemi lexuar libra dhe kemi parë filma fantastiko-shkencor në të cilët inteligjenca artificiale e tejkalon inteligjencën njerëzore ose arrin ta nënshtrojë njeriun, por në realitet asistentët digjitalë të bazuar në inteligjencën artificiale konverzative mund të jenë të dobishëm për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërive konkurruese. Në të ardhmen disa profesione kreative mund të rrezikohen nga ChatGPT, por edhe tre dekada më parë ka pasur disa profesione që sot nuk ekzistojnë si rezultat i zhvillimit teknologjik, por prandaj çdo ditë krijohen profesione të reja. Ishin këto vetëm disa nga përfundimet e debatit të mbrëmshëm për të rinj “A ka mirëkuptim me chatbot-et?”, i cili u mbajt në “Public Room” në Shkup, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në temën „ A ka mirëkuptim me chatbot-et?“ fillimisht foli Tamara Dimitrova, hulumtuese dhe bashkëthemeluese e qendrës edukative Scamper.

„Kur përmenden robotët dhe chatbot-et ne fitojmë përshtypjen se ato janë shumë afër kapaciteteve tona dhe mundësive tona si njerëz”, tha Tamara Dimitrova.

Megjithatë, sqaroi Tamara, edhe pse librat dhe filmat fantastiko-shkencor prezantojnë një pasqyrë të këtillë, në të vërtetë ne jemi ende larg tejkalimit të inteligjencës njerëzore me atë artificiale. Ajo përmendi se AI (Artificial Intelligence) është një fushë mjaft e gjerë dhe më e gjerë është në shkencat kompjuterike, pra inteligjenca artificiale është një fushë shumë e gjerë, ndërsa chatbot-et janë vetëm një pjesë e vogël e saj e cila kohëve të fundit ka marrë një hov të madh.

Në momentin kur një inteligjencë artificiale do të bëhet e vetëdijshme, gjë që paraqet një moment të madh filozofik dhe çështje për debat filozofik, do krijojë inteligjencë artificiale e cila do jetë më e fuqishme nga ajo deri sa nuk arrihet pika e singularitetit. Kur të arrihet kjo, atëherë AI do jetë më e fuqishme se inteligjenca njerëzore dhe atëherë parashtrohet pyetja nëse inteligjenca artificiale mund të na tejkalojë.

Pyetja është se ku do të caktohet kufiri. Tamara Dimitrova shton se nga këndvështrimi i sotëm mund të flasim për dy periudha – para dhe pas shfaqjes së OpenAI. Ajo bën dallim mes chatbot-eve dhe Chat GPT, sepse në periudhën pas shfaqjes së OpenAI ne mund të marrim përgjigje për pyetje komplekse, ChatGPT mund të shkruajë ese dhe madje edhe të analizojë tekstin. Para kësaj chatbot-et përdoreshin për t’iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara më shpesh, për të ofruar informacion bazë për kompani të ndryshme në ueb-faqet ose për të përcjellë parashikimin e motit.

Megjithatë Tamara Dimitrova theksoi se edhe pas shfaqjes së OpenAI, asistenti digjital i bazuar në inteligjencën artificiale konverzative nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve me ndjeshmëri dhe inteligjencë emocionale, nuk mund të ofrojë informacione dhe këshilla financiare dhe ligjore, të caktojë diagnoza mjekësore në mënyrë të pavarur ose të kuptojë sarkazmin, ironinë dhe humorin.

Ky shpërthim teknologjik ngjall disa dilema etike, thotë Tamara Dimitrova. Para së gjithash, në internet ofrohen informacione të ndryshme sensitive nga njerëz të ndryshëm, të cilat pastaj mund të përdoren në mënyrë të papërshtatshme. Problemi i dytë është privatësia, por edhe paragjykimet. Përgjegjësia dhe transparenca janë dy çështje të tjera, së bashku me problemin e varshmërisë nga chatbot-et, përdorimi i të cilave për ndërveprim dhe për të marrë njohuri nëse teprohet mund t’i bëjnë njerëzit të jenë edhe më të mbyllur. Një çështje tjetër e rëndësishme është edhe siguria në internet.

Historia e chatbot-eve fillon në vitin 1966

Në temën e këtij debati u ndërlidh edhe Nino Karas – drejtor ekzekutiv dhe bashkëthemelues i CodeWell Group dhe CodeWell AI. Ai theksoi se si kompani nga viti 2015-2016 janë duke punuar në fushën e inteligjencës artificiale konverzative, ndërkohë që platformën CodeWell AI e kanë krijuar në vitin 2018.

Në fjalimin e tij, Karas u kthye pas dhe foli për historinë e chatbot-eve, duke theksuar se historia e tyre ka filluar në vitin 1966 në Universitetin MIT në Boston (SHBA) ku një profesor ka krijuar një chatbot që ka pasur për qëllim të luajë rolin e një psikoterapisti. Si një formë e thjeshtuar e njohjes së fjalëve kyçe, ai u ka parashtruar bashkëbiseduesve disa pyetje dhe madje ka arritur të mashtrojë shumë njerëz të cilët kanë menduar se në anën tjetër ndodhej një psikoterapist i vërtetë.

“Zhvillimi i sistemeve kompjuterike në vitin 2014-2015 mundësoi zhvillimin e chatbot-eve, të cilat janë sisteme eksperte që ndjekin disa skenarë të paracaktuar të bisedave të cilat dikush paraprakisht i ka përcaktuar. Ato janë sisteme shumë më të thjeshta se ChatGPT. Ato janë sisteme eksperte që ndjekin një degëzim të bisedës dhe që japin përgjigje të paracaktuara”, tha Nino Karas.

Me kalimin e kohës u krijua inteligjencë artificiale konverzative shumë më e avancuar (Conversational AI). Kjo inteligjencë artificiale përfaqëson një interfejs që në fakt është hapi i ardhshëm i digjitalizimit të institucioneve. Ky hap fillon me kompjuterët personalë, pastaj në vitet 80 të shekullit të kaluar janë zhvilluar sistemet IVR që i ndryshojnë qendrat e kontaktit të shumë kompanive, në vitin 1999 pason prezantimi i ueb aplikacioneve, në vitin 2012 aplikacionet celulare, për të arritur sot deri tek inteligjenca artificiale konverzative.

“Ekziston një dallim i rëndësishëm midis chatbot-eve dhe AI konverzative,” thotë Nino Karas. Siç shton ai, chatbot-et janë një gjeneratë më e vjetër e asistentëve që funksionojnë sipas rregullave të paracaktuara. Ju mund të vizatoni vetë skenarë të ndryshëm ose të futni fjalë kyçe ose fraza të cilat chatbot-i duhet t’i njohë, por në fund përsëri do merrni përgjigje të kufizuara dhe ato shpesh do ju përgjigjen: “më falni, nuk ju kuptoj”, “më falni, unë jam një robot”.

Kur bëhet fjalë për chatbot-et Karas e veçoi shembullin e DoNotPay, i cili si një lloj avokati ka ndihmuar një numër të madh të përdoruesve në Shtetet e Bashkuara të marrin rimbursime për dënimet për parkim të gabuar dhe ka arritur të rimbursojë disa milionë dollarë nga dënimet e dhëna.

Në krahasim me chatbot-et Karas theksoi se ChatGPT është më ndryshe, sepse është një asistent digjital i avancuar me njohuri për një domen të hapur të caktuar, domethënë mund t’i pyesni për çdo gjë, për dallim nga ata me njohuri për domen të mbyllur, të cilët kanë njohuri të kufizuara vetëm për produktet dhe shërbimet e një kompanie të caktuar.

“Ai mund të japë shpjegime për tema shumë të avancuara, të zgjidhë probleme matematikore, mund të shkruajë kode, të shkruajë muzikë në çdo zhanër, të shkruajë bloge, ese dhe me të mund të flasësh për çdo temë. Chat GPT arriti të ketë 1 milion përdorues në vetëm pesë ditë dhe potenciali i tij është shumë i madh”, tha Nino Karas.

Deri më tani, ChatGPT ka arritur të kalojë një provim MBA në Universitetin Wharton në Pensilvani, drejtorët më të mëdhenj ekzekutiv e përdorin atë për tu përgjigjur email-eve në emër të tyre, por në të njëjtën kohë shumë njerëz kanë filluar të frikësohen se do të humbasin punën e tyre, si për shembull kopirajterët, njerëzit që punojnë në gazetari ose që shkruajnë përmbajtje kreative.

Karas ndau me publikun përvojën e krijimit të Sllavços nga A1 Maqedonia, si asistenti i parë digjital i bazuar në inteligjencën artificiale që e kupton dhe e flet gjuhën maqedonase. Nga shitja e telefonave dhe shërbimeve, e deri tek ofrimi i informacioneve për përdoruesit të ngjashme me ato që do i merrni nga kontakt qendra, Sllavço sot shërben rreth 40.000 përdorues në muaj.

“Në vendin tonë nuk ka shumë chatbot-e dhe jam i nderuar që po fillojmë të punojmë edhe në sektorin publik. Së shpejti do të lançohet asistenti digjital ADA, i cili do ta automatizojë komunikimin në katër institucione shtetërore”, tha Nino Karas.

Në BE inteligjenca artificiale nuk duhet ta cenojë privatësinë

Në debat u kyç edhe Marijana Jançeska – specialiste për hapje dhe pjesëmarrje në Fondacionin Metamorfozis. Ajo theksoi se ekzistojnë dokumente obligative dhe jo obligative që e rregullojnë çështjen e inteligjencës artificiale dhe ajo që është e rëndësishme për momentin dhe që është në proces miratimi është Direktiva Evropiane për inteligjencën artificiale. Kjo direktivë e BE-së do të jetë obligative për të gjitha inteligjencat artificiale që përdoren nga banorët e vendeve anëtare të BE-së.

Jançeska tha se i rëndësishëm është edhe neni 22 i GDPR (General Data Protection Regulation). Sa i përket chatbot-eve ajo tha se ne mund të flasim me ta, por mënyra se si një personi juridik e përdor inteligjencën artificiale, mënyra se si ai menaxhon me informacionet të cilat ne do i ndajmë, nuk duhet ta cenojë privatësinë tonë, domethënë duhet të jemi të mbrojtur prej tyre.

Marijana Jançeska shtoi se në kuadër të rregullores evropiane inteligjenca artificiale ndahet në disa klasa, dhe atë: AI me rrezik të lartë nga keqpërdorimi, AI për të cilat paraprakisht dihet se nuk duhet të përdoren dhe AI me rrezik të ulët.

Ajo përmendi disa shembuj ku inteligjenca artificiale nuk mund të përdoret. Për shembull, bankat mund të mos e përdorin atë kur punojnë me klientët që kanë aplikuar për një kredi bankare.

“Policia nuk duhet të përdorë AI për t’ju profilizuar si autor të mundshëm të ndonjë vepre kriminale në të ardhmen”, thekson Jançeska.

Nga ana tjetër, inteligjenca artificiale mund të përdoret në procesin e punësimit dhe në procesin e dhënies së diagnozave mjekësore.

Marijana Jançeska shtoi se për momentin Fondacioni Metamorfozis është pjesë e grupit të punës për Strategjinë për Inteligjencën Artificiale, e cila është në zhvillim e sipër. Në vend nuk kemi institucione për prodhimin e inteligjencës artificiale, por institute të tilla ka në Shqipëri dhe Serbi.

Në fjalimin e saj ajo vuri në dukje se rregullorja evropiane për inteligjencën artificiale është punuar disa vite, duhet të kalojë nëpër disa komisione dhe Këshillin e Ministrave dhe më vonë do të ketë një periudhë dy vjeçare adaptimi.

“Por, kur bëhet fjalë për inovacionet teknologjike dy vjet janë një kohë shumë e gjatë. Nga nëntori e deri më tani janë realizuar një milion përdorime praktike të ChatGPT. Teknologjia do të zhvillohet deri në një nivel në të cilën ligji nuk do të mund ta ndjekë”, tha Marijana Jançeska, dhe shtoi se mundësitë e teknologjisë janë aq të mëdha sa që ligjvënësi nuk mund t’i parashikojë të gjithë skenarët për të gjitha ato që mund t’i sjellë teknologjia.

Në përgjigje të një pyetjeje të publikut Tamara Dimitrova shtoi se në disa vende asistentët digjitalë të bazuar në inteligjencën artificiale konverzative për momentin janë hequr nga lista për përdorim, domethënë ChatGPT nuk mund të përdoret sepse në vende të ndryshme ka shumë rregullore të ndryshme ligjore.

Nino Karas shtoi se ChatGPT nuk është i lidhur me internetin dhe nuk mund të dijë të dhëna në kohë reale. Për shembull, nuk mund të dijë se cili është çmimi aktual i aksioneve të Coca-Cola-s dhe nuk mund të jape këshilla për atë nëse duhet apo nuk duhet të bleni aksione. Pastaj, sa i përket ekonomisë, parashtohet pyetja se kush do të jetë fajtor nëse ChatGPT jep këshillë të gabuar.

“Nuk do të jetë një zëvendësim për njerëzit në një kohë të shkurtër. Do të kemi ndryshime në shumë profesione. Do i ndryshojë profesionet kreative, nuk do të çuditesha nëse shihja kompozitorë të muzikës me AI”, u përgjigj Nino Karas në një nga pyetjet e të rinjve në publik.

Përndryshe, debati i mbrëmshëm“A ka mirëkuptim me chatbot-et?” u organizua nga Fondacioni Metamorfozis në sinergji me projektin “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Axhendën Digjitale – ICEDA” i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe projektin “Lajme të besueshme për rini të aftësuar” të financuar nga Ambasada Britanike në Shkup.

Link deri tek origjinali: RMV, ChatGPT nuk duhet parë si rrezik, por si një mundësi për zhvillim të ri – PORTALB

Ndaje: