Me ftesë të Partnerëve për Ndryshim Demokratik Serbi (Partnerët Serbi) dhe Transparenca Serbi, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis ishte pjesë e konferencës. “Transparenca në rendin e ditës: qasja në informacion, lufta kundër korrupsionit dhe hapja e gjyqësorit”. Ngjarja u mbajt më 27 shtator në ambientet e Fondacionit Shoqëri e Hapur Serbi në Beograd dhe, ndër të tjera, kishte për qëllim shënimin e ditës ndërkombëtare për qasje të lirë në informatat me karakter publik.

Milla Josifovska Danillovska, menaxhere e Programit për përgjegjësi sociale dhe të drejtat e njeriut në internet në Fondacionin Metamorfozis, ishte pjesë e panelit të parë kushtuar rëndësisë së transparencës në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, së bashku me Nemanja Nenadiqin, drejtor i programeve në Transparenca Serbi, Andrija Mlladenoviq, koordinator i projekteve në Qendrën për Politika Evropiane dhe Sllavoljupka Pavlloviq, u.d. Ndihmës Sekretare e Përgjithshme në Zyrën e Komisionerit për informata me karakter publik dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Fokusi kryesor i panelit ishte Strategjia e re për Luftimin e Korrupsionit në Serbi, rekomandimet e GRECO-s në lidhje me përmirësimin e së drejtës për qasje në informatata me karakter publik, si dhe dokumente të tjera strategjike dhe iniciativa që lidhen me forcimin e transparencës në punën e autoriteteve publike në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor. Gjatë panelit u prezantua hulumtimi rajonal i Indeksit të hapjes për gjendjen e hapjes së institucioneve publike në Serbi dhe në vendet e rajonit.

Burimi: Postimi në Twitter, Partnerët për Ndryshim Demokratik Serbi

Si pjesë e rrjetit ACTION SEE përmes Indeksit Rajonal të Transparencës, Fondacioni Metamorfozis dhe partnerët e tij tashmë 7 vjet me radhë i kanë monitoruar autoritetet ekzekutive dhe legjislative në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ajo që mund të konkludohet është se, parë në nivel rajonal, në 3 vitet e fundit nuk ka pasur arritje të mëdha sistematike në këtë fushë, ndonëse vendet e rajonit janë të përkushtuara deklarativisht për avancimin e transparencës institucionale. Një nga arsyet për këtë është paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike në rajon, e cila ndikon në zhvillimin e politikave dhe kulturave të hapjes së autoriteteve. Gjetjet tregojnë se jo të gjitha vendet punojnë me përkushtim në këtë fushë, veçanërisht jo në të gjitha nivelet e qeverisjes, me atë që qeveritë vazhdimisht paraqiten se janë më të hapura se ministritë dhe organet në përbërje të tyre.

“Në vitet e fundit, sipas Indeksit të hapjes, qeveritë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi janë pozicionuar si më të hapurat në mesin e qeverive në rajon, të ndjekura, si zakonisht nga qeveritë e Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë. Vitin e kaluar, nga vendi i parë në të katërtin, diferenca në përqindjen e përmbushjes së treguesve të hapjes ishte rreth 30%, e kështu është edhe këtë vit, kështu që mund të konkludojmë se ka dallime të konsiderueshme midis vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë aspekt. “ – tha Josifovska Danillovska, duke shtuar se pozicioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është rezultat i ruajtjes së stabilitetit të praktikave të mira tashmë të vendosura, si dhe i rënies së hapjes së qeverive të caktuara nga rajoni për shkak të proceseve të ndryshme politike.

Sipas saj, në disa vende integrimi në Bashkimin Evropian është një motiv për të qenë sa më transparent dhe për të përmbushur pritshmëritë që dalin nga procesi i para-anëtarësimit sa më shpejt dhe në mënyrë efektive, por se nuk është kështu në të gjitha vendet. “Pandemia gjithashtu pati një ndikim të madh në hapjen e institucioneve, veçanërisht në prokurimet publike lidhur me pandeminë, ku sektori civil zbuloi shumë probleme dhe rreziqe të korrupsionit. Në disa raste, vlerat e parashikuara të blerjeve ishin shumë më të larta se çmimet e marra në tenderë, kishte një ndryshim të madh në çmimet e të njëjtave produkte të blera në të njëjtën periudhë kohore, dhe më interesantja, në kuadër të tenderëve për Kovid kishte edhe produkte që nuk mund të lidheshin drejtpërdrejt me pandeminë.” – shtoi ajo.

Josifovska Danillovska theksoi se në Maqedoninë e Veriut sfidë e madhe ishte zbatimi i pjesshëm i Strategjisë për Transparencë 2019-2021, që ndër të tjera është pasojë e pandemisë që filloi disa muaj pas fillimit të Strategjisë. Ndër të tjera, kjo Strategji u potencua nga Komisioni Evropian në raportin e tyre për vitin 2019 si një nga hapat kryesorë përpara për reformat në administratën publike. Megjithatë, pandemia nuk mund të jetë një justifikim për të mos nxitur hapjen institucionale, e cila gjithsesi është pjesë e detyrimeve ligjore dhe detyrimeve që rrjedhin nga politikat dhe proceset e ndryshme që kërkojnë praktikimin e transparencës aktive.

Rrjedhimisht, me qëllim të ndërlidhjes dhe harmonizimit të politikave tashmë të miratuara që në mënyrë direkte ose indirekte synojnë përmirësimin e transparencës së institucioneve, por edhe për të ofruar udhëzime të reja për përmirësimin e transparencës së institucioneve, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me Fondacionin Metamorfozis krijoi një proces gjithëpërfshirës në të cilin u krijua Strategjia e Qeverisë për Transparencë me Planin e Veprimit (2023-2026), në drejtim të vazhdimit të praktikave pozitive të bashkëpunimit dhe transparencës aktive të vendosura nga Strategjia e mëparshme, por edhe përmirësimin e këtyre praktikave në përputhje me tendencat aktuale dhe situatën lokale. Me krijimin e këtij dokumenti strategjik do të funksionalizohen dhe avancohen rregullat e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve dhe parimi i transparencës.

Ngjarja u mbyll me një diskutim në panel mbi rëndësinë e transparencës gjyqësore për qasjen në drejtësi dhe forcimin e besimit të publikut në gjyqësor.

Ndaje: