Sot filloi konferenca ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk, e cila mbahet për herë të 17-të këtë vit dhe e trajton temën “Demokracia në epokën digjitale: sfidat dhe mundësitë”.

Në hapjen e konferencës e-Shoqëri.mk folën Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, Zëvendës Shefi i Delegacionit të BE-së në vend Julian Vassalo, Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, përfaqësuesi i USAID-it në Maqedoni. Erik Janovski dhe ekspertja e lartë për e-demokraci në Akademinë për e-Qeverisje të Estonisë, Christina Mand.

Mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve në konferencë u uroi Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari. Ai tha se konferenca e-Shoqëri.mk këtë vit nuk ka një temë të vetme prioritare që do ta shënojë konferencën, por Fondacioni Metamorfozis ka vendosur që në të të trajtohen disa tema.

Bardhyl Jashari, Foto: Meta.mk

Jashari tha se transformimi digjital jo vetëm që ka filluar, por kërkon një mënyrë të re të të menduarit dhe një mënyrë të re të punës. Digjitalizimi nuk mund të trajtohet si i vetëm dhe sfidat të analizohen vetëm në aspektin e teknologjisë, të drejtave të njeriut apo qeverisjes së mirë. Duhet një qasje integrale horizontale, theksoi ai në fjalën e tij.

“Rrallë herë flasim për transformimin digjital të demokracisë”, tha Jashari, duke shtuar se po ndryshon mënyra se si praktikohet demokracia.

Ai theksoi se në fillim, në vitet e ’90-ta, kishim shumë shpresa se teknologjitë digjitale do ta forconin demokracinë dhe në bazë të natyrës së internetit, se kjo do të sillte më shumë liri dhe do ta përhapte demokracinë. Por, më pas u futëm në një fazë të re të skenarëve distopikë, në të cilën ndodhemi edhe sot, ku zgjidhjet digjitale plasohen si një sfidë e madhe për demokracinë, thekosi Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis.

Ai tha se inteligjenca artificiale dhe algoritmet paraqesin një rrezik të ri për demokracinë, veçanërisht privatësinë dhe keqpërdorimin e të dhënave personale. Por, nga ana tjetër, transformimi digjital ofron mjete shumë të fuqishme për ndërtimin e demokracisë.

Jashari theksoi se duhet të fokusohemi tek njeriu dhe realizimi i të drejtave të njeriut, ndërsa shfrytëzimi i potencialit të transformimit digjital kërkon një qasje strategjike, vizion dhe bashkëpunim ndërmjet shoqërisë civile, mediave, institucioneve shtetërore, komunitetit akademik, bizneseve dhe të gjithë të tjerëve që mund të kontribuojnë.

“Ne duhet të punojmë për të vendosur transparencë në përdorimin e teknologjive digjitale dhe llogaridhënie në menaxhimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.” “Ne në Metamorfozis besojmë në këtë, por do ta përsëris se ne të gjithë mund ta bëjmë këtë së bashku për të përfituar më të mirën nga transformimi digjital”, potencoi Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis.

Zëvendës shefi i Delegacionit të BE-së në vend, Julian Vassalo, në fjalën e tij iu referua tranzicionit që e bën Bashkimi Evropian drejt botës së re digjitale, duke vënë në dukje sfidat e kontrollit dhe diskriminimit që mund të lindin me teknologjitë digjitale.

Nga njëra anë ato i rrisin mundësitë e pjesëmarrjes qytetare në platformat digjhitale, ofrojnë përfitime si p.sh. edukimi online dhe mësimi në distancë, por nga ana tjetër duhet të mbrohen fëmijët dhe privatësia e qytetarëve.

Julian Vasalo; Foto: Meta.mk

Sfida më e dukshme për transformimin digjital, tha Julian Vassalo, janë dezinformatat. “Dezinformatat e minojnë kapacitetin e shoqërisë për të krijuar dinamikë në bazë të një pluralizmi idesh” – theksoi Vassalo. Ai tha se BE-ja po bën përpjekje edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të ndihmuar në përballjen me dezinformatat, por gjithashtu e pranoi rolin kryesor që e luajnë verifikuesit e fakteve dhe mediat.

Zëvendës shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup gjithashtu e theksoi nivelin e progresit të digjitalizimit në vend, siç është shembulli i portalit kombëtar të shërbimeve elektronike, digjitalizimi i administratës publike, zhvillimi i tregtisë elektronike, si dhe strategjia kombëtare e TIK-ut të vendit.

Vassalo tha se nevojiten përpjekje shtesë për zbatimin e strategjisë kombëtare për siguri kibernetike, por gjithashtu e pranoi mbështetjen që autoritetet e vendit e kanë dhënë për futjen e edukimit mediatik në procesin arsimor.

Përfaqësuesi i Zyrës së USAID-it në Maqedoninë e Veriut, Erik Janovski në fjalimin e tij u ndal në Hakatonin për të dhënat e hapura, i cili mbahet në kuadër të konferencës e-Shoqëri.mk.

Foto: Meta.mk

Ai tha se hakatoni fokusohet në institucionet publike të hapura dhe transparente që janë kyçe për demokracinë. Qytetarët duhet të informohen në kohë reale, në mënyrë që të kërkojnë përgjegjësi nga këto institucione, shtoi Erik Jankovski.

Qytetarët mund të vendosin se si do t’i përdorin të dhënat e hapura, andaj nevojiten zgjidhje të reja inovative për t’i afruar me qytetarët, tha përfaqësuesi i zyrës së USAID-it lidhur me hakatonin për të dhënat e hapura që do të mbahet në ditët në vijim.

“Kam kënaqësinë të shoh që ky hakaton është i mirëpritur nga profesionistët e Ti-së” – tha Erik Janovski.

Ai u tha pjesëmarrësve se në planin afatgjatë, kreativiteti dhe inovacioni i tyre do të mundësojnë përmirësimin e përdorimit të të dhënave të hapura, duke shtuar se mezi pret t’i dëgjojë rezultatet e këtij hakatoni.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri në hapjen e konferencës e-Shoqëri.mk tha se teknologjia ka potencial për ta përmirësuar demokracinë, për ta bërë atë më efikase, më të hapur, më transparente dhe më të qasshme për të gjithë ne.

Jeton Shaqiri; Foto: Meta.mk

Progresi teknologjik, tha Shaqiri, po e ndryshon mënyrën se si i kërkojmë informatat, si komunikojmë, si vazhdojmë të mësojmë, punojmë dhe argëtohemi. Megjithatë, ai përmendi se teknologjia potencialisht mund të manipulohet dhe të keqpërdoret dhe për këtë arsye Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është duke punuar me USAID-in në një program për përmirësimin e sigurisë kibernetike në vend.

Ai përmendi se është shumë e rëndësishme se ku të vendoset kufiri midis sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve, duke shtuar se anonimiteti i ofruar nga interneti u jep përdoruesve mundësinë të shprehen lirshëm, por gjithashtu shohim se përdoruesit përhapin diskriminime dhe përpiqen ta keqpërdorin atë.

Ministri Shaqiri u ndal edhe tek mediat online dhe rregullimi i adekuat i tyre, që është shumë më i vështirë se sa i mediave tradicionale. Ai përmendi se nevojitet përfshirje më e madhe e palëve të interesuara në parandalimin e përhapjes së lajmeve të rreme. “Të menduarit kritik dhe edukimi mediatik janë mjetet më të rëndësishme që mund t’i përdorim kundër dezinformatave” – tha ai.

Ekspertja e lartë për e-demokraci e Akademisë për e-qeverisje nga Estonia, Christina Mand në fjalën e saj theksoi se gjëja e parë që duhet ta kuptojmë është sesi zgjidhjet digjitale i shërbejnë demokracisë.

Ne duhet të sigurohemi që mënyrat e qeverisjes të jenë demokratike dhe duhet të jemi të vetëdijshëm se ndonjëherë ajo mund të kërcënohet, tha Christina Mand, duke shtuar se digjitalizimi varet si nga kultura demokratike e vendit ashtu edhe nga dëshira e qytetarëve për të kontribuar.

Ajo tha se fjalët kyçe të qeverisjes së mirë janë aktivizmi qytetar, përfshirja qytetare dhe ndërveprimi mes qytetarëve, shtetit, mediave dhe bizneseve, duke theksuar se dallimi kryesor mes një shoqërie demokratike që përdor teknologjinë dhe asaj jodemokratike është pikërisht liria.

“Mund të ekzistojnë zgjidhje fantastike digjital, por pa këtë liri, produktiviteti i qytetarëve nuk mund të kontribuojë në përparimin e shoqërisë” – tha Christina Mand.

Gjëja e tretë në të cilën ajo u përqendrua në fjalimin e saj ishte se ne nuk duhet ta trajtojmë digjitalen si diçka të veçantë, por se duhet t’i shikojmë gjërat horizontalisht. “Sa herë që mendojmë për shërbime të reja, zgjidhje të reja, ndryshime shëndetësore, duhet të mendojmë se si ta integrojmë digjitalizimin në të gjitha këto” – tha ajo. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të kujdesshëm gjatë zhvillimit demokratik digjital që të mos krijohen grupe digjitale të cenueshme, qasja e të cilëve në internet është e kufizuar, qytetarë të cilët janë me aftësi të kufizuara sociale ose janë të penguar në ndonjë mënyrë tjetër për t’i përdorur mjetet sociale.

Përfshirja e qytetarëve duhet të bazohet në besim, por edhe në zotërimin e aftësive, si dhe motivimin e tyre. Njerëzit duhet të motivohen për t’u përfshirë, për të dhënë mendim, këtë duhet ta kemi parasysh. Përfshirja nuk do të thotë se duhet të merret parasysh mendimi i çdokujt, ose se të gjithë duhet të jenë të kënaqur, por se çdo mendim do të merret parasysh dhe do të shqyrtohet, tha Mand.

Në fillim të konferencës ndërkombëtare e-Shoqëri.mk, Lauri Tabur, eksperte nga Qendra Estoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, mbajti një fjalim të shkurtër frymëzues.

Ajo tha se digjitalizimi nuk është çështje e qeverisë, por se ky është synimi i shoqërisë.

Kovidi inkurajoi shumë prej nesh që të fokusohemi te digjitalizimi, tha ai, duke përmendur shembullin e Estonisë. Megjithëse shumica e shërbimeve të ofruara nga shërbimet qeveritare janë të digjitalizuara, në Estoni mund të dëgjohet se njerëzit kanë kritika dhe më shumë kërkesa ndaj qeverisë.

Praktikisht kjo do të thotë që shërbimet digjitale duhet të përditësohen ndjeshëm, sepse në të kundërtën kthehemi në fillim, te qëllimet e mira. Prandaj, në digjitalizim duhet të kemi një synim të përbashkët dhe të kemi një qasje agjile sipas parimit hap pas hapi, e jo me strategji afatgjata, sepse teknologjia po ndryshon me shpejtësi.

E gjitha fillon me të kuptuarit se çfarë duam të arrijmë me ato shërbime, tha ai.

Lauri Tabur theksoi se njerëzit kryesisht nuk i përdorin shërbimet digjitale nga shërbimet qeveritare, por shërbimet e biznesit nga bankat dhe telekomunikacioni. Ajo vuri në dukje shembullin e Estonisë, ku çdo qytetar merr një letërnjoftim digjital pa pagesë që nga lindja.

Me këtë identifikim digjital, banorët mund t’i marrin më lehtë shërbimet që i kërkojnë nga institucionet, si dhe nga bankat dhe operatorët e telekomunikacionit.

Tabur theksoi se Maqedonia e Veriut meriton historinë e saj të suksesit për digjitalizim.

Ndaje: