Më 30.10.2020, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, me fillim në orë 11:00, zhvilloi ngjarjen online “Dialogje për Agjendën Digjitale” në kuadër të projektit Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA. Ngjarja u incizua dhe u transmetua drejtpërdrejt (Facebook live streaming) dhe mund të gjendet këtu
Në ngjarje morën pjesë 77 përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve, mediave dhe qytetarë, dhe ajo konsistonte nga një prezantim i shkurtër i projektit dhe rrjetit ICEDA, Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor dhe nga prezantimi i hulumtimit të kryer në kuadër të Observatorit të Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut të kryer nga Fondacioni Metamorfozis në kuadër të projektit. Pastja, ngjarja shërbeu edhe për të zhvilluar një diskutim mbi përfitimet dhe sfidat e zbatimit të Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut në kontekstin e sotëm, i cili rezultoi me përfundime të cilat palët e interesuara do të duhet t’i marrin parasysh gjatë zbatimit të aktiviteteve të tij të mëtejshme.

Fjalime hyrëse në këtë ngjarje mbajtën Jeton Shaqiri – Ministër i Shoqërisë Informazike dhe Administratës, Sanja Fërkoviq – Gelevska, Menaxhere e Programit, Liria e Mediave, Shoqëria Informatike dhe Kultura, Delegacioni i BE-së dhe Bardhyl Jashari – Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis.

“Nëse ka një gjë që kemi mësuar nga pandemia, ajo është se bota digjitale është me të vërtetë e rëndësishme. Për të dalë nga kriza financiare sa më shpejt të jetë e mundur, duhet të financohet digjitalizimi. Do të ketë një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e situatës. Tani e pamë që mos investimi në to mund të kushtojë shumë. Qëllimi ynë në periudhën e ardhshme është të sigurojmë zgjidhje sistematike përgatitore për komunikimin e përgjithshëm elektronik brenda dhe midis institucioneve. Deri në vitin 2021, të mundësohet që të paktën 30 për qind e organeve të administratës shtetërore të kenë një sistem elektronik për automatizimin e procedurave administrative, dhe deri në vitin 2024 sistemi të jetë në të gjithë administratën shtetërore. Të mundësohet zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar me Mastercard, për zhvillimin e certifikatave inovative digjitale për vërtetimin e identitetit. Të vazhdojmë me hapjen e një qendre shërbimi në të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut, duke e ndjekur shembullin e Shkupit ” – tha ministri Shaqiri.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis tha se hulumtimi që e kanë kryer ata tregoi se jo të gjitha segmentet e shoqërisë ose të popullatës janë në dijeni ose i ndiejnë përfitimet e teknologjisë digjitale ose transformimit digjital, jo të gjithë dinë t’i përdorin ato, ose jo të gjithë kanë qasje në to. Dhe për këtë, ai vlerëson se duhen disa gjëra:

  • Ngritja e kapaciteteve të të gjitha palëve të përfshira, në kuptimin e plotë të fjalës – të gjitha, do të thotë nëse është e mundur të gjithë popullsisë;
  • Ngritja e vetëdijes publike për përfitimet, por edhe për rreziqet e përdorimit të teknologjive digjitale;
  • Lufta kundër teknofobisë që nganjëherë mund të përforcohet nga dezinformata të ndryshme, siç ishte rasti kohët e fundit me dezinformatat në lidhje me teknologjinë 5G;
  • Përfshirja e të gjithë palëve të interesuara në përcaktimin e prioriteteve dhe nevojave të qytetarëve për zgjedhjen, zhvillimin dhe përdorimin e shërbimeve digjitale;
  • Siguria e shërbimeve dhe privatësia, të jenë pjesë thelbësore në zhvillimin e çdo shërbimi, sepse kjo ndikon në mënyrë drastike në përdorimin e tyre;
  • Korniza adekuate ligjore institucionale që do të mundësojë përdorimin e pandërprerë të shërbimeve digjitale.

Përfaqësuesja e delegacionit të BE-së në Shkup, Sanja Fërkoviq-Gelevska, tha se Evropa po përpiqet të mundësojë një ekonomi konkurrente përmes digjitalizimit, duke i respektuar të drejtat e konsumatorëve.

Bashkimi Evropian përpiqet që teknologjia ta bëjë ndryshimin e vërtetë për qytetarët e tij për çdo ditë, të mundësojë një ekonomi të fortë dhe konkurrente që do të avancohet në mënyrë që do t’i respektojë vlerat evropiane. Përmes kësaj, të sigurohet një ekonomi digjitale që do të ketë konkurrencë globale, ndërsa konsumatorët do të kenë besim se të drejtat e tyre do të jenë të sigurta” – tha Fërkoviq, duke shpjeguar se sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Maqedonia e Veriut është e detyruar t’i zhvillojë dhe t’i harmonizojë politikat dhe kornizën e saj ligjore në fushën e komunikimeve elektronike dhe shoqërisë informatike me atë të BE-së.

“Vetëm me një qasje të qartë dhe të kuptueshme për të gjithë qytetarët, pa përjashtim, mund të ketë një digjitalizim të qëndrueshëm në të gjitha sferat, si një mekanizëm efektiv për ta përmirësuar ndjeshëm stilin e jetesës së popullatës. Kur flasim për digjitalizimin në të gjitha fushat, e kemi fjalën për përparimin dhe efikasitetin më të madh të institucioneve, organizatave dhe subjekteve të tjera. Pasi që jemi dëshmitarë të pandemisë, mund të vërejmë se ky hap është më se i domosdoshëm për funksionimin më të mirë të shoqërisë sonë dhe mund të shohim sesi kjo rrethanë fatkeqe në një farë mënyre ka përshpejtuar përhapjen e njohurive për përfitimet e digjitalizimit. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se digjitalizimi i shpejtë vetvetiu solli edhe shumë sfida – qasje në pajisje digjitale kanë edhe ata që nuk janë mësuar se si t’i përdorin ato siç duhet, prandaj përballemi me gjuhë të urrejtjes, lajme të rreme dhe dezinformata, keqtrajtim në internet, krim kompjuterik etj.” – tha Milla Josifovska Danillovska – enaxhere e programit “Përgjegjësia Shoqërore dhe Të Drejtat e Njeriut Online” në Fondacionin Metamorfozis, dhe e ftoi Elena Mançevën nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës ta prezantojë Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor.

Prezantimi i Mançevës u pasua nga prezantimi i projektit dhe rrjetit ICEDA, së bashku me Raportin mbi situatën aktuale dhe udhërrëfyesin për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut, të përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis në kuadër të projektit. Raporti është pjesë e Observatorit të Agjendës Digjitale, i cili është një mjet me metodologji të veçantë përmes të cilit do të monitorohet zbatimi i Agjendës Digjitale në Ballkanin Perëndimor në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Qëllimi i raportit të sivjetmë është të sigurohet një pikë fillestare për matjen e mëtejshme të progresit në këto fusha sa i përket Agjendës Digjitale dhe të sigurohen rekomandime shtesë për përmirësim. Temat e përfshira në Raport janë të lidhura në mënyrë ngushtë me kapitujt e rëndësishëm për Agjendën Digjitale, në veçanti Kapitullin 10 – Shoqëria Informatike dhe Mediat të legjislacionit të BE-së, me qëllim të ri-ngritjes së çështjeve të Agjendës Digjitale të Ballkanit Perëndimor në Agjendën e BE-së.

  • Në mesin e gjetjeve kryesore të Raportit ishte përfundimi i përgjithshëm se ka shumë pak njohuri në lidhje me Agjendën Digjitale dhe zbatimin e saj në Maqedoninë e Veriut në mesin e palëve kyçe të interesuara, duke i përfshirë edhe institucionet si palë kryesore për zbatimin e saj. Në lidhje me këtë, mediat që morën pjesë në hulumtim thonë se marrin në mënyrë sporadike informacion të pjesshëm në lidhje me këtë temë, ndërsa disa të tjera thonë se nuk kanë marrë ftesë për ndonjë ngjarje në lidhje me këtë temë. Kjo gjetje na çon në përfundimin se ndoshta mu kjo mund të jetë arsyeja e njohjes së dobët të konceptit të Agjendës Digjitale dhe arsyeja pse palët e interesuara nuk mund t’i ndërlidhin aktivitetet aktuale me të, sepse ata vetë (mediat) nuk janë të njohur me shtyllat kryesore të kësaj iniciative.
  • Kur bëhet fjalë për e-shërbimet, përfaqësuesit e anketuar të institucioneve, konsiderojnë se në sektorin e biznesit megjithatë ka më shumë njohuri për e-shërbimet sesa në mesin e qytetarëve. Rreth 76.3% e OShC-ve gjithashtu konsiderojnë se qytetarët nuk kanë njohuri nuk të mjaftueshme për mundësinë e përdorimit të e-shërbimeve publike, me ç’rst vetëm 10.5% e të anketuarve mendojnë ndryshe. Ato konsiderojnë se promovimi i e-shërbimeve përmes mediave sociale dhe reklamave televizive, megjithëse në një farë mase është efektiv, ende nuk është i mjaftueshëm dhe se nevojitet një promovim më i gjerë i të gjitha aspekteve të digjitalizimit.
  • Sipas raportit, 90% e përfaqësuesve të anketuar të institucioneve, mendojnë se Qeveria i kushton vëmendjen e duhur zhvillimit të Agjendës Digjitale/e-Qeverisjes. Ata të cilët nuk pajtohen me këtë pretendim theksuan se ekziston nevoja për fushata për ngritjen e vetëdijes publike, hapjen e qendrave qytetare dhe krijimin e pikave për lëshimin e dokumenteve, si dhe për mekanizma për afrimin e shërbimeve më pranë qytetarëve. Në kuadër të këtij pohimi, 75% e mediave të anketuara e vlerësojnë progresin e Qeverisë në zhvillimin e e-qeverisë si “Të kënaqshëm”, ndërsa 25% e mbetur e vlerësojnë atë si “Të keq”, në një shkallë prej 5 përgjigjesh të mundshme, ku “Shumë i mirë” është shkalla më e lartë dhe “Shumë i keq” është shkalla më e ulët.
  • Hulumtimi gjithashtu tregoi se ka hapësirë për vendosjen e bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore për përmirësime më të mëdha në fushat e “Ekonomisë digjitale dhe shoqërisë” dhe “Hulumtimit dhe inovacioneve”, si fusha në të cilat institucionet shtetërore punojnë më pak dhe fusha për të cilat organizatat e shoqërisë civile janë më të interesuara.
  • Sa i përket Portalit Kombëtar të e-Shërbimeve, sipas informacionit të marrë nga shoqëria civile, ekziston nevoja që e-shërbimet të jenë plotësisht të disponueshme përmes portalit dhe fillimisht të digjitalizohen shërbimet jetësore, për të cilat qytetarët kanë më shumë nevojë gjatë jetës, të paktën në masën në të cilën shërbimi mund të digjitalizohet. Përveç asaj që organizatat e intervistuara të shoqërisë e njohin lehtësinë e përdorimit të portalit, ata pranojnë se portali është i lehtë për t’u përdorur për një grup specifik të synuar, kryesisht për popullatën më të re deri në masë të caktuar dhe ata që kanë aftësi më të mira digjitale. Pasi që ata mendojnë se popullsia është skeptike kur bëhet fjalë për përdorimin e e-shërbimeve, ato vënë në dukje se ka nevojë të madhe për të punuar në ndërgjegjësimin kolektiv të të gjitha palëve të interesuara, duke pasur parasysh se duhet shumë kohë dhe përpjekje për një ndryshim të tillë, por se është thelbësore të motivohen qytetarët që t’i përdorin e-shërbimet. Ata më tej e theksojnë nevojën për një qasje të individualizuar për informimin dhe edukimin e grupeve të ndryshme të qytetarëve, me theks të veçantë në promovimin e përfitimeve nga e-shërbimet për ta.
  • Nga aspekti i mbrojtjes së të dhënave personale, përfaqësuesit e anketuar të institucioneve vënë në dukje se disa nga institucionet nuk kanë infrastrukturë ekzistuese që mund ta mbulojë këtë pjesë. Për më tepër, perceptimi i tyre i përgjithshëm është se përveç ekzistencës së kornizës normative, furnizimi i burimeve digjitale duhet të jetë më racional, sepse ata konsiderojnë se në raste të caktuara, mallrat ose infrastruktura e furnizuar dyfishohet dhe se ka mungesë të stafit të trajnuar të TI-së për t’i vënë në përdorim ato.
  • Kur bëhet fjalë për qëndrimin e mediave dhe të OSHC-ve mbi sigurinë kibernetike, mendimi i përgjithshëm është se qytetarët nuk janë të shqetësuar për sigurinë e tyre kibernetike, sepse nuk janë të informuar për këtë dhe pak vetë e kuptojnë konceptin, e të njëjtën e thonë edhe për një pjesë të institucioneve. Organizatat e shoqërisë civile nuk janë të sigurta në kapacitetin e institucioneve tona për t’u përballë me sulmet kibernetike, duke treguar disa shembuj të sistemeve të hakuara të institucioneve në të kaluarën dhe mendojnë, e të njëjtin mendim e ndajnë edhe një pjesë e institucioneve, se ekziston nevoja për trajnim interaktiv për këtë temë, si për sektorin civil ashtu edhe për qytetarët. Hulumtimi me tej tregon se si institucionet ashtu edhe qytetarët pajtohen se për ta përmirësuar cilësinë e e-shërbimeve, gjatë dizajnimit duhet të përfshihet siguria, gjegjësisht siguria duhet të përfshihet në procesin e krijimit të një shërbimi të caktuar, në mënyrë që shërbimi të jetë efikas.
  • Në lidhje me mbrojtjen e qytetarëve, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile-të si problem i perceptojnë shërbimet e telekomunikacionit që ofrohen në vend, me ç’rast ka ankesa të shumta për shërbimet e tyre që nuk janë në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara nga qytetarët. Ata shohin një nevojë e fortë për të rishikuar kontratat dhe shërbimet e ofruara nga ofruesit e shërbimeve, si dhe për të vendosur kufizime të caktuara për të mbrojtur përdoruesit përfundimtarë.
  • 80% e të anketuarve nga institucionet konsiderojnë se organizatat e shoqërisë civile të duhet të përfshihen në zhvillimin e zgjidhjeve për e-qeveri/e-shërbime, sepse ato besojnë se mund të kontribuojnë me ekspertizën dhe përvojën e tyre. Sipas raportit, megjithëse ekziston një rregullore për pjesëmarrjen e tyre në krijimin e politikave, dhe ndërsa pranojnë se është e diskutueshme se sa organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e përdorin këtë mundësi, disa organizata të shoqërisë civile konsiderojnë se ekziston një “përdorim i margjinalizuar i kapacitetit të OSHC-ve” dhe se konsultimet për legjislacionin tashmë të krijuar nuk janë e mjaftueshme, sepse ekspertiza dhe përvoja e tyre mund të kontribuojë shumë më tepër në procesin e krijimit të legjislacionit. Përveç që e njohin potencialin dhe faktin se janë ndërmarrë hapa të caktuar për përmirësim, organizatat e shoqërisë civile-të janë të shqetësuara nga fakti se nuk ka një procedurë për pjesëmarrjen e tyre sepse në shumë raste, megjithëse ka institucione që hapin thirrje për pjesëmarrje në hartimin e politikave, rrallë kush i drejton dhe i sjell ato në vendin e duhur për ta shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë. Megjithatë, disa organizatat të shoqërisë civile janë krenare për faktin se kanë një bashkëpunim të madh me institucionet dhe se shumë prej punëve të tyre përdoren si politika të institucioneve ose ata vetë kanë udhëhequr procese të caktuara të hartimit të politikave.

Në përputhje me gjetjet e Raportit, u prezantua edh udhërrëfyesi, gjegjësisht lista me 18 rekomandime për përmirësim në fushat prioritare që së bashku ofrojnë një udhërrëfyes për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut, të cilat gjenden në Raport.

Pas prezantimit të Raportit, u ofrua hapësirë për diskutim mbi përfitimet dhe sfidat e zbatimit të Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut në kontekstin e sotëm, ku morën pjesë Qëndresa Sulejmani – Drejtore e Programeve në Fondacionin Metamorfozis, Prof. Vlladimir Petkovski – Instituti Ekonomik – Shkup, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Elena Mançeva nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Përfundimet e diskutimit përkuan me konkluzionet dhe rekomandimet e Raportit, përkatësisht se ekziston nevoja për një qasje sistematike për të adresuar sfidat në lidhje me digjitalizimin, përmes ngritjes së kapaciteteve të të gjithë popullsisë (futja e lëndëve ndërkurrikulare në arsimin formal, organizimi i trajnimeve për aftësi digjitale), ngritja e vetëdijes kolektive për digjitalizimin dhe përqendrimi në cilësinë e e-shërbimeve të ofruara.

Më poshtë janë dhënë materialet e dobishme nga projekti të përpunuara gjatë ngjarjes.

Vizualizimet nga Raporti mbi situatën aktuale dhe udhërrëfyes për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut gjenden këtu.

Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ndaje: