Më 26.01.2016, me fillim në orën 11.00, në Qendrën për konferenca dhe studime të Bibliotekës kombëtare dhe universitare “Shën Klimenti i Ohrit” – Shkup, u mbajt prezantimi i Analizës së kornizës ligjore për arsim dhe për mundësitë për përfshirjen e resurseve të hapura arsimore.
Prezantimin e hapi përfaqësuesi i fondacionit Metamorfozis, i cili bëri një hyrje të shkurtër të projektit “Iniciativa për resurse të hapura arsimore”, si dhe të aktiviteteve që i paraprinë dhe e motivuan këtë Analizë. Pastaj autori, dr. Klime Babunski, e prezantoi analizën e cila përfshin katër ligje: Ligjin për arsimin fillor, Ligjin për arsimin e mesëm, Ligjin për tekstet shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe Ligjin për të drejtat autoriale dhe të drejtat e ngjashme, dhe mundëson shqyrtim të gjendjeve, nxjerrje të përfundimeve dhe të rekomandimeve për rregullimin e mundshëm të resurseve të hapura arsimore në këto ligje.
Аutori potencoi se njëra nga ndryshimet më të mëdha në procesin e arsimit është paraqitja e konceptit të resurseve të hapura arsimore, ndërsa disa nga përfundimet kyçe që dalin prej tij, e që u potencuan gjatë prezantimit, janë:
- Pozitive në sistemin aktual arsimor është ajo se arsimi ka status të të mirës publike dhe në koncept krijon një bazë të caktuar, gjegjësisht nuk i mbyll mundësitë për qasje të hapur në resurset arsimore. Mirëpo, qasja e hapur në tekstet shkollore nuk është pjesë e definuar qartë e politikës arsimore dhe nuk është gjendje e vetëdijes.
- Koncepti aktual normativ i sistemit arsimor, si dhe praktikat, nuk e optimizojnë arsimin në kontekst të digjitalizimit të shoqërisë.
- Sipas Ligjit për tekste shkollore, planin dhe programin për klasën dhe lëndën përkatëse, si bazë për përgatitjen e çdo teksti shkollor, e propozon Byroja për zhvillimin e arsimit, ndërsa e konfirmon ose e vërteton Ministria për Arsim dhe Shkencë. Prandaj, Byroja për zhvillimin e arsimit duhet të prijë në hapjen e teksteve shkollore.
- Fuqia kreative e botimeve të teksteve shkollore është e përcaktuar nga autorët, dhe mu autorët kanë pozitë kyçe në arsim.
- Shumëzimi si e drejtë materiale është me rëndësi esenciale për qasjen e lirë në tekstet shkollore. Ligji për të drejtat autoriale dhe të drejtat e ngjashme i pranon dobitë e teknologjisë informatike dhe thekson se shumëzimi mund të bëhet edhe duke “e ruajtur veprën në formën elektronike”.
- Harmonizimi i faktorëve të qasjes së hapur deri te resurset arsimore, e në radhë parë qasja e hapur deri te tekstet shkollore, duhet të fillojë me definimin ligjor dhe programor në kuadër të arsimit. Në definim duhet të marrin pjesë organizatat shtetërore, ekonomike, profesionale dhe qytetare. Vetëm në këtë mënyrë qasja e hapur do të bëhet gjendje e vetëdijes së përbashkët.
Rekomandimet kryesore që u prezantuan janë:
- Në Ligjin për të drejtat autoriale dhe të drejtat e ngjashme të futet normë për autorësi në kontekst të interesit publik dhe të financave publike si pika koordinative të qasjes së hapur, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, të avancohet mbrojtja e autorësisë dhe e të drejtave të ngjashme, mirëpo të avancohet edhe e drejta për qasje të hapur në ato vepra, veçanërisht kur bëhet fjalë për mjete arsimore.
- Paralelisht, në Ligjin për tekste shkollore, duhet të futet normë për qasjen e hapur deri te tekstet shkollore, si realizim optimal i interesit publik në arsim.
- Qasja e hapur deri te tekstet shkollore e definuar me ligj duhet të bëhet segment i planeve, programeve dhe i koncepteve të cilat Byroja për zhvillimin e arsimit i krijon në kuadër të teksteve shkollore dhe të mjeteve të tjera arsimore, për shembull, të fletoreve të punës.
- Futja e “qasjes së hapur” si një nga parimet themelore në botimin e teksteve shkollore duhet të rezultojë edhe me politikë të koordinuar në mënyrë të qartë, e cila do të përfshijë subjekte të ndryshme institucionale dhe joinstitucionale, mirëpo gjithmonë në qendër të politikës së tillë duhet të jenë autorët dhe të drejtat e tyre.
- Qasja e hapur në përputhje me mundësitë teknike dhe standardet (për shembull: Web 2.0) duhet ta nxisë komunikimin dhe kreativitetin, duke e deformalizuar raportin mësues – nxënës dhe duke krijuar kushte themelore për digjitalizim më thelbësor dhe më tërësor të arsimit.
- Normimi ligjor dhe nënligjor i qasjes së hapur deri te tekstet shkollore duhet të inicojë ridefinim konceptual të portalit “e-ucebnici”.
Аnaliza, e cila mund të shkarkohet në formën elektronike në gjuhën maqedonase dhe аngleze, është e motivuar nga puna disavjeçare në fushën e resurseve të hapura arsimore dhe në rekomandimet e fituara nga grupi i punës për resurset e hapura arsimore i përbërë nga anëtarët e Aleancës për resurset e hapura arsimore.
Aleanca për resurset e hapura arsimore është grup i hapur i individëve, organizatave, institucioneve që funksionojnë si rrjet joformal me qëllim të përbashkët – ngritjen e vetëdijes dhe kapacitetit të publikut akademik dhe atij shkencor për krijimin dhe shfrytëzimin e resurseve të hapura arsimore në Republikën e Maqedonisë.
Projekti “Iniciativa për resurset e hapura arsimore” ka për qëlllim të ndikojë në ngritjen e vetëdijes dhe kapacitetit të publikut akademik dhe atij shkencor për krijimin dhe shfrytëzimin e resurseve të hapura arsimore në Republikën e Maqedonisë. Implementues i projektit është fondacioni Metamorfozis.
Ndaje: