Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (International Center for Journalists – ICFJ) nga data 8 deri më 10 shkurt realizuan një trajnim treditor në gjuhën angleze “Gazetari e bazuar në të dhëna dhe vizualizime”. Në trajnimin e mbajtur në Shkup morën pjesë 13 të rinj, para së gjithash studentë dhe gazetarë të rinj nga rajoni i Shkupit dhe i Pollogut, transmeton Portalb.mk.

Trajnimin e realizuan tre gazetarë të udhëhequr nga gazetari i shquar i “New York Times”, Robert Gobeloff, i cili ligjëron gazetari të të dhënave në Fakultetin e Gazetarisë pranë Universitetit Kolumbia në Nju Jork. Si trajnues nga Fondacioni Metamorfozis ishin Goran Rizaov dhe Bojan Bllazhevski, redaktorë në Agjencinë e Lajmeve Meta.

Kjo ngjarje treditore u zhvillua si një kombinim i teorisë dhe punës praktike të pjesëmarrësve në trajnim, me ç’rast u mbuluan këto tema: definimi i termit “të dhëna” dhe llojet e të dhënave, si dhe ku mund të gjenden të dhënat, si të ekstraktohen nga dokumentet PDF, si të prezantohen të dhënat në tabela dhe si të bëhet analiza e të dhënave. Trajnuesit prezantuan edhe disa mjete softuerike për vizualizimin e të dhënave.

Pjesëmarrësit u ndanë në tre ekipe të cilat kishin për detyrë të krijojnë një vizualizim nga të dhënat e përzgjedhura për një temë specifike dhe në fund të trajnimit ta prezantojnë produktin final. Të rinjtë që morën pjesë në trajnimin treditor morën certifikata për aftësitë e fituara nga Qendra Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Fondacioni Metamorfozis.

Trajnimi i realizuar është pjesë e programit “Gazetaria për gjeneratën e re: Program për trajnim mediatik” të Fondacionit Metamorfozis në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ), ndërsa u realizua me mbështetjen financiare të Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Më shumë informacion dhe galeri nga trajnimi mund të gjeni në linkun.

Ndaje: